Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

24. 01. 2020. 17:51 >> 17:54

Ditari 24.01.2020

24.01.2020

Bashkimi Evropian është prioritet i politikës shtetërore

“Bashkimi Evropian mbetet prioritet kryesor i politikës shtetërore në kontekstin e evropeizimit të shoqërisë, e cila është e domosdoshme për tejkalimin e pasojave të ngecjes se Ballkanit Perëndimor dhe të kthimit në binarët e rrjedhave bashkëkohore evropiane”, ka theksuar presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq pas takimit me raportuesin e përhershëm të Parlamentit Evropian për Malin e Zi Tonino Picullen. Gjukanoviq ka theksuar se është koha që ky rajon të kthehet në shtëpin e vetë evropiane, duke shtuar se për Ballkanin nuk ka perspektivë më të mirë pa Evropën, dhe as vizion më të mirë të Evropës pa bashkimin e saj. “Është me rëndësi kapitale që edhe nga adresat evropiane të dëgjohen mesazhe inkurajimi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, sepse sado që ky proces të jetë i gjatë dhe kërkues dhe sado të jemi kritik ndaj mangësive, adresë me logjike më të plotë dhe më me perspektivë nuk kemi“, ka theksuar Gjukanoviq. Raportuesi i Parlamentit Evropian ka theksuar se kemi qëllime të njëjta bazike, e ky është Mali i Zi evropiane, Mali i Zi i cili përparon në rrugën e vetë evropiane dhe Mali i Zi i cili së shpejti do të bëhet anëtarë i BE.

Problemet rreth ligjit duhet zgjidhur përmes dialogut

“Situata lidhur me Ligjin për lirinë e feve duhet të zgjidhet me marrëveshje, sepse çdo polarizim i mëtejmë i shoqërisë vetëm mund tu shkaktojë dëme proceseve tjera brenda shtetit”, ka deklaruar për Radion e Malit të Zi, raportuesi i Parlamentit Evropian, Tonino Piculla. “Në politikë, dialogu është instrumenti kryesor absolut. Më duket se, pa dëshirë të hyjë në detajet e raporteve brenda skenës malazeze, ky ligj është sjell në një atmosferë politike të polarizuar shoqërore dhe politike. Polarizimi i mëtejmë vetëm mund tu shkaktojë dëme proceseve tjera të dëmshme në Malin e Zi”, ka theksuar Piculla. Në pyetjen nëse është në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore përpjekja e ndezjes së flamurit malazez në Serbi, pastaj retorika e ashpër e Beogradit, Piculla ka theksuar se një gjë  e tillë nuk i kontribuon rrugës evropiane. Ai me keqardhje është shprehur me faktin se ka dështuar përpjekja që legjislacioni zgjedhor të avancohet me një marrëveshje brenda Këshillit parlamentarë për reformën gjithëpërfshirëse. Piculla konsideron se Mali i Zi, sipas numrit të kapitujve të hapur, është vendi më avancues nga të gjitha vendet tjera aspirante. Megjithatë, ka theksuar ai, ka ngelur për tu hapur edhe një kapitull tjetër. Raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Piculla shpreson se vendi ynë bisedimet do ti përfundojë sipas modelit ekzistues.

 

Sipas ligjit ekzistues askush nuk i përvetëson tjetrit as gjë

“Ligji për lirinë e feve nuk është ligj kundër ndokujt ose kundër besimtarëve dhe asnjë objekt ekzistues sakral nuk do ti shkurtohet të drejtat të cilat i gëzon aktualisht”, ka theksuar Ministri i kulturës, Aleksandar  Bogdanoviq. Ai ka shtuar se shteti i Malit të Zi do të këtë mundësinë që të mbrojë dhe të trajtojë  në formë adekuate objektet që janë trashëgimi kulturore e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi. Ai ka përkujtuar se ligji mbi lirinë e feve ose bindjeve fetare dhe pozitën juridike të bashkësive fetare, trajton në mënyrë të barabartë të gjitha bashkësitë fetare në Mal të Zi. Shteti, ka theksuar ai, në pajtim me dispozitat pozitive juridike dhe brenda procedurave të parapara do të zbatojë procedurën drejtë zbatimit absolut të ligjit, në veçanti të dispozitave me të cilat krijohen kushtet për zgjidhjen e çështjes së pronësisë, dhe e gjithë kjo me qëllim të një raporti të përgjegjshëm ndaj trashëgimisë. Ai ka përsëritur se me ligjin e ri, “askush nuk i përvetëson dikujt diçka dhe se kishat dhe manastiret nuk do të transferohen asgjëkundi.

 

Ndjenjat partiake gjithkush ti ruaj për vete

“Të gjitha ndjenjat nacionale, partiake dhe ndjenjat e tjera, gjithkush le ti mbajë në zemër, kurse në procesione, ikonat  dhe qirinjtë nga shtëpitë e vetë ti ruajnë në duart e veta”, ka kumtuar Këshilli i peshkopëve të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Procesionet, siç theksohet, janë dhuratë e bekuar e cila e tejkalon të gjitha interesat partiake, politike dhe ideologjike. “Si të tilla, procesionet janë tubime të lutjeve në të cilat qëndrojmë para Zotit, tempujve dhe para popullit, para të kaluarës dhe të ardhmes“, thuhet në kumtesë. Fronti Demokratik (FD) i ka demantuar shkrimet mediatike se Andrija Mandiq ka kumtuar se në procesionet kishtare janë të pranishëm vetëm ithtarët e kësaj Aleance politike. “Në  këto procesione është i pranishëm populli besimtar i Malit të Zi i cili i mbron objektet e veta fetare, kurse ne nga FD vetëm jemi të pranishëm në to, por kjo nuk donë të thotë dhe as që kemi thënë se në këto procesione marrin pjesë vetëm ne nga FD”, thuhet në këtë reagim.

Dispozita për nxitjen e panikut dhe të trazirave nuk është kushtetuese

Aksioni për të Drejtat e Njeriut ia ka dorëzuar Gjyqit kushtetues të Malit të Zi iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë të nenit të Kodit Penal të Malit të Zi – shkaktimi i panikut dhe i trazirave, i cili sanksionon publikimin e lajmeve të rreme. Së bashku me iniciativën është dorëzuar edhe propozimi për sjelljen e masës së përkohshme që ka të bëjë me ndalimin e funksionimit të gjitha akteve të veçanta ose të veprimtarive të cilat janë ndërmarrë dhe atyre të cilat mund të ndërmerren mbi baza të këtij neni të Kodit Penal, derisa të sillet vendimi përfundimtar i Gjyqit kushtetues. Kjo siç sqarohet, nënkupton aktet dhe veprimet kundër tre gazetarëve, Angjellka Gjikanoviq, Gojko Raiçeviq dhe Drazhen Zhivkoviq, të cilët gjatë këtij muaji janë dyshuar se kanë bërë vepër penale andaj kanë qenë të privuar nga liria. Aksioni për të Drejtat e Njeriut konsideron se ky akt i Kodit Penal të Malit të Zi nuk është në pajtim me kushtetutën e Mali të Zi për disa shkaqe.

 

Agrobuxhet ekonomik, evropianë dhe zhvillimor

Agrobuxheti për këtë vit kap shumën e 61 milion euro dhe është 8.3 milion euro më i lartë krahasuar me atë të vitit të kaluar, ka deklaruar ministri i bujqësisë Millutin Simoviq, duke prezantuar ndarjet e planifikuar buxhetore për bujqësinë. “Këto mjete janë vetëm njëri nga rezultatet konkrete të rritjes së shënuar të ekonomisë malazeze. Rritja e përkrahjes nga fondet evropiane është rezultat i progresit të shënuar në integrimet evropiane dhe të një politike të përgjegjshme të cilën e realizon Qeveria e Malit të Zi”, ka theksuar Simoviq. Ai ka shtuar se edhe agrobuxhetin e sivjetmë me plotë drejt mund e quajmë ekonomik, evropianë dhe zhvillimor. “Këtij viti kemi siguruar 33.3 milion euro të mjeteve nacionale, 24.4 milion nga buxheti dhe 9 milion mjete kredituese”, ka theksuar Simoviq. Ai ka theksuar se agrobuxheti është evropianë, sepse në strukturën e burimeve financiare mjete të konsiderueshme janë siguruar nga fondet e BE, 26.5 milion euro. Ai po ashtu ka shtuar se buxheti është zhvillimor sepse si rezultat do të këtë investime të realizuara dhe të lëvizshme në shumë prej rreth 100 milion euro.

Qendra klinike ka fituar 27 specialistë dhe subspecialist të rinj

“Në Qendrën Klinike të Malit të Zi prej sot do të punojnë 27 specialistë dhe subspecialistë të rinj, të cilët do të kontribuojnë që ky institucion të mbetet qendër e respektuar dhe serioze shëndetësore rajonale”, ka kumtuar drejtori i Qendrës Klinike të Malit të Zi, Jevto Erakoviq. Ai, në pritjen solemne për 21 mjek të cilët e kanë përfunduar specializimin dhe 6 të tjerë specializime më të ngushta, ka theksuar se Qendra Klinike është krenare për këta mjek të rinj, të cilët me ndihmën e ish mentorëve të tyre dhe të kolegëve aktual do të kontribuojnë në një punë më të mirë të këtij institucioni. “Qendra Klinike e Malit të Zi aktualisht disponon me 317 mjek specialistë dhe 95 subspecialist. Qendra Klinike ka edhe 166 mjekë  të cilët aktualisht janë në specializime,  prej të cilëve 76 priten të kthehen gjatë këtij viti”, ka theksuar Erakoviq. Ai ka shtuar se kjo Qendër mjekësore ka kandiduar 29 specializime të reja dhe 18 subspecializime, të cilët edukimin e vetë do ta fillojnë brenda këtij viti.

 

Grenell në Beograd - ndaleni fushatën kundër pavarësisë së Kosovës

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha sot në Beograd që nëse palët vendosin se nuk kanë për çfarë të bisedojnë, atëherë Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen. Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin serb. Aleksandër Vuçiç, duke ritheksuar qëndrimin e shprehur edhe gjatë vizitës në Prishtinë se Kosova duhet te heqë tarifat ndaj mallrave serbe, ndërsa Serbia duhet t'i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se nuk mund të pranojë barazimin e heqjes së tarifave dhe ndërprerjes së fushatës për tërheqjen e njohjeve. Vuçiq ka paralajmëruar arritjen e një marrëveshjeje për linjën hekurudhore mes Beogradit dhe Prishtinës. Pas takimit me ambasadorin Grenell, Vuçiq tha se marrëveshja do të jetë e ngjashme me atë të linjës ajrore, Prishtinë-Beograd, e cila u arrit në fillim të kësaj jave me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë. Grenell po e viziton Beogradin pas qëndrimit në Prishtinë ku kërkoi nga autoritetet e Kosovës të heqin taksën ndaj mallrave serbe ndërkaq nga Beogradi të mos vazhdojë fushatën kundër njohjeve të Kosovës. Të njëjtën kërkesë ai e përsëriti edhe në Beograd, derisa ftoi të dyja palët të fokusohen në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.  Bisedimet për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksë ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Nuk ka përmirësim në Ballkanin perëndimor

Organizata ndërkombëtare, Transparency International, vlerëson se me gjithë aspiratat për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, rezultatet e luftës kundër korrupsionit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi nuk janë përmirësuar. Në raportin e publikuar,  organizata thekson se mungesa e vullnetit politik dhe një rënie në zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve janë sfida reale në rajon. Raporti për vitin 2019 e radhiti Kosovën në vendin 101, tetë vende më keq sesa një vit me parë kur ishte radhitur në vendin e 93-të. Raporti thekson se situata në Kosovë është përkeqësuar, ndonëse tërheq vëmendjen se ndryshimi i pushtetit në Kosovë mund të sjellë edhe ndryshim në këtë fushë. Aty nënvizohen problemet me emërimet politike dhe financimin e partive politike në Kosovë. “Sidoqoftë mbetet të shihet nëse një qeveri e re do funksionojë me një standard më të lartë të integritetit politik”. Shqipëria me 35 pikë radhitet në vendin e 106-të, ndryshe nga një vit më parë kur ishte renditur në vendin e 99-të. Mali i Zi rendite i 45-ti, kurse Serbia renditet dhjetë vende më lart se Kosova.  Sipas raportit mbi dy të tretat e vendeve janë në vendnumërim ose janë duke shënuar hapa prapa në luftën kundër korrupsionit.

 

Kryetari i Këshillit Europian, Charles Michel nis vizitën në Tiranë

Kryetari i Këshillit Europian, Charles Michel, ka nisur sot në mesditë vizitën e tij në Tiranë. Në Pallatin e Brigadave në Tiranë ai është pritur me të gjitha nderet nga kryeministri Edi Rama. Kjo vizitë vjen në prag të Konferencës së Donatorëve për Shqipërinë që do të mbahet më 17 shkurt në Bruksel. Në të pritet të mblidhen fonde për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Autoritetet shqiptare kanë deklaruar nevojën e rreth 1 miliardë eurove. Kryetari i Këshillit Europian, Charles Michel, pas Shqipërisë do të vizitojë Maqedoninë e Veriut.

Një pjesë e Ballkanit përfshihet nga mjegulla toksike

Sarajeva, Beogradi, Prishtina dhe Shkupi janë përfshirë nga një atmosferë mbytëse, e shkaktuar nga një mjegull toksike e trashë, pjesërisht prej qymyrit dhe drurit, që përdoret për ngrohje nga banorët, të privuar nga një energji më e pastër. ”Kohët e fundit, këto kryeqytete kanë qenë ndër 10 qytetet më të ndotura në botë”, sipas aplikacionit të specializuar AirVisual. Ndotja e ajrit është drejtpërsëdrejti përgjegjëse për rreth 20% të vdekjeve të parakohshme në 19 qytete në Ballkan, sipas një studimi të fundit nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin. Shqipëria më 2020 vlerësohet të jetë njëra nga shtetet me ndotje më të lartë të mjedisit në Evropë, duke shënuar 77.77 pikë. Këto të dhëna janë publikuar nga “Numbeo.com”. Në vitin 2020, Indeksi i Ndotjes në Maqedoni shënoi 80.23 pikë. Nga ana tjetër vendet me ndotjen më të ulët janë ato të Evropës Perëndimore.

 

Zyrtarët evropianë nënshkruajnë marrëveshjen për Brexit

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, nënshkruan sot marrëveshjen që rregullon Brexit-in, apo largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, javën e ardhshme. Ceremonia e nënshkrimit, që është hapi i parafundit në Brexit, u mbajt pa praninë e mediave. "Gjërat do të ndryshojnë pashmangshëm, por miqësia jonë do të mbetet. Ne do të nisim një kapitull të ri si partnerë dhe aleatë", tha Michel në një postim në Twitter. Edhe Komisioni Evropian, edhe Këshilli Evropian i refuzuan kërkesat e vazhdueshme të mediave për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit. “Charles Michel dhe unë sapo nënshkruam Marrëveshjen e Tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, duke i hapur rrugë ratifikimit të saj në Parlamentin Evropian", shkroi Von der Leyen. Parlamenti Evropian pritet ta ratifikojë marrëveshjen për Brexit më 29 janar, duke i hequr Britanisë edhe pengesën e fundit për dalje nga blloku, më 31 janar. Qytetarët britanikë kanë vendosur për Brexit-in në një referendum të mbajtur në vitin 2016. Pas 31 janarit do të nisë edhe periudha e tranzicionit, e cila do t'iu japë palëve kohë së paku deri më 31 dhjetor, 2020, për të negociuar marrëdhënien e ardhshme.

 

Trump zotohet për publikim të planit për paqe në Lindje të Mesme

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se planifikon të prezantojë planin e tij për paqe në Lindje të Mesme më 28 janar, në ditën kur është raportuar se do të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Uashington. “Ndoshta do ta prezantojmë planin pak para vizitës”, u ka thënë Trump gazetarëve teksa ishte nisur për në Florida, pas pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. “Është një plan fantastik. Është një plan për të cilin kemi punuar shumë”, ka shtuar ai. Palestinezët, që nuk kanë qenë të ftuar në Shtëpinë e Bardhë në takimin me Netanyahun, kanë dënuar menjëherë këtë njoftim. Nabil Abu Rudeineh, zëdhënësi i presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, ka thënë se e paralajmërojnë Izraelin dhe administratën amerikane që të mos kalojnë linjat e kuqe”. Palestinezët kërkojnë që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i tyre në të ardhmen. Izraeli ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe ka shpallur gjithë qytetin si kryeqytet, një hap që nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Trump po ashtu nuk ka përkrahur zgjidhjen me dy shtete për konfliktin disa dekadësh, një formulë ndërkombëtare që do të mund të rezultonte me funksionimin e shtetit palestinez dhe Izraelit. “Jam i sigurt se në fillim mund të reagojnë në mënyrë negative, mirëpo plani është shumë pozitiv për ata”, ka thënë Trump.

Protesta në Irak kundër pranisë amerikane

Mijëra irakianë u mblodhën sot në dy lokacione të Bagdadit për të protestuar kundër pranisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Irak. Protestat i thirri kleriku shiit, Moqtada al-Sadr, i cili së voni ka shprehur aleancë me Iranin. Një protestë u zhvillua në Sheshin Al-Hurriya, ndërsa tjetra pranë Universitetit të Bagdadit. Rrugët kryesore në Bagdad u barrikaduan nga forcat e sigurisë, ashtu si edhe Zona e Gjelbër e qytetit, ku ndodhen misionet e huaja. Më 5 janar, Parlamenti i Irakut miratoi një rezolutë që bën thirrje për largimin e trupave të huaja nga ky vend. Rezoluta u miratua dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara vranë komandantin ushtarak të Iranit, Qasem Soleimani, me një sulm me dron pranë Bagdadit. Megjithatë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe homologu i tij irakian, Barham Salih, u pajtuan gjatë një takimi në Davos të Zvicrës, më 22 janar, për nevojën e pranisë ushtarake të SHBA-së në Irak.

 

Kina izolon më shumë qytete për të parandaluar shpërndarjen e virusit

Disa qytete në provincën qendrore Hubei janë duke marrë masa për izolim dhe kontrollim të shpërndarjes së virusit të ri, që kanë lënë të paktën 18 persona të vdekur dhe kanë infektuar më shumë se 830 persona.  Pjesa më e madhe e transportit është pezulluar në Vuhan, provincë me 11 milionë banorë ku është shpërndarë fillimisht virusi. Autoritetet është raportuar të kenë bërë të detyrueshme vendosjen e maskave në qytet dhe janë duke këshilluar njerëzit që të anashkalojnë turmat e njerëzve. Të paktën katër qytete në provincën Hubei: Huangang, Ezhou, Ksiantao, dhe Çibi janë duke u përballur me probleme të transportit, derisa kryeqyteti i Kinës, Pekini ka pezulluar të gjitha festimet masive për Vitin e Ri Kinez. Përveç Kinës, virusi është duke u shpërndarë edhe në Singapor, Vietnam dhe një rast është raportuar edhe në Shtetet e Bashkuara.

 

Nesër mot i ndryshueshëm

Sot në Mal të Zi ka mbajtur mot me vranësira të ndryshueshme dhe kryesisht i thatë. Frynë erë dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut. Temperaturat në orën 13 u shënuan: në Tivar 17 gradë, Budvë 16, Herceg Novi 15, Ulqin 14, Rozhaj 12, Podgoricë 11, Nikshiq e Zhablak 10, Kollashin e Plavë 8, Cetinë 7, Beranë 6, B. Pole 4 dhe në Plevle 2 gradë.

Për nesër parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe gjatë pas ditës vende vende me reshje të shiut e bubullimë. Ndërkaq në viset veriore do të mbajë mot kryesisht i kthjellët. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare  jugore dhe jug lindore. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -4 deri në 10, kurse më e larta e ditës prej 4 deri në 14 gradë celsius. 

  

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се