Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

21. 01. 2020. 18:03   >>  18:06

Ditari 21.01.2020

21.01.2020

Ne Davos filloi sot forumi ekonomik botëror

Forumi jubilar i 50-të ekonomik botëror do te zgjas deri te premten dhe ne te marrin pjese së paku 3 mije sipërmarrës, politikan, intelektual, aktivistë dhe zyrtar të tjerë nga 117 vende të botes. Presidenti  amerikan, Donalld Trump, i cili në vitin e kaluar nuk ishte në Davos, këtë vit edhe ai është i pranishëm.  Ky fakt i ka ashpërsuar dukshëm masat e sigurisë. Bukvalisht,  mijëra policë dhe ushtarë e sigurojnë kompleksin ne këtë  pushimore dimërore te Zvicrës. Trump në fjalimin e vetë ka kumtuar qartë se Amerika është vendi më i mirë i botës dhe se ekonomia amerikane është ne lulëzim e sipër. Organizatori i Forumit ne Davos, Kllaus Shvab,  ka theksuar se ekonomia amerikane u jep shpresë të gjithëve. Presidenti amerikan po ashtu ka paralajmëruar se Uashingtoni do ti bashkohet iniciativës me titull,  “Nje mijë miliardë pemë”.  Aktivistja e re kundër ndryshimeve klimatike, Greta Tunberg, përsëri ishte në qendër të vëmendjes. Ajo ka deklaruar se për ndalimin e ndikimeve negative në ndryshimet klimatike, nuk është bërë asgjë. Kur është fjala për ndryshimet klimatike dhe konfliktet e shumta në botë, siç  është ai ne Iran, SHBA  dhe udhëheqësit evropiane nuk janë unik, kur është fjala për zgjidhjen e tyre, ka theksuar Jeremi Shapiro, drejtor i hulumtimeve ne Këshillin Evropian për marrëdhëniet ndërkombëtare.

Mbi pasojat e ligjit, presionet mbi Malin e Zi .....

Kryeministri Dushko Markoviq do të jetë nesër mysafiri programit të mëngjesit në Televizionin e Malit të Zi. Transmetimi do të zhvillohet edhe në programin e parë te Radios së Malit të Zi. Gjatë pjesëmarrjes se kryeministrit Markoviq, do të bëhet fjale për ligjin e ri mbi lirinë e feve, rrethanat aktuale shoqërorë dhe presionet me të cilat ballafaqohet Mali i Zi. Nga kryeministri do të marrim edhe shumë informacione tjera mbi pasojat juridike dhe shoqërore të sjelljes së ligjit mbi lirinë e feve dhe se çka fshihet pas kundërshtimit të Kishës Ortodokse Serbe dhe pas kërkesës për tërheqjen e këtij ligji. Cilët janë hapat e parë në zbatimin e tij, me çfarë presionesh të brendshme dhe të jashtme ballafaqohet Mali i Zi, a do ta formalizojë Qeveria ftesën drejtuar Mitropolisë e cila do të çonte drejtë nënshkrimit të kontratës bazë ndërmjet shtetit dhe kishës etj. Këto janë vetëm disa nga temat mbi të cilat do të flas kryeministri Dushko Markoviq.

Mitropolia herët ose vonë do të regjistrohet në Mal të Zi

Avokati Nikolla Martionoviq, ka vlerësuar për gazetën “Pobjeda” se për raportet e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe shtetit të Malit të Zi, bisedimet duhet të zhvillohen me Mitropolitin Amfillohije. “Në Mal të Zi nuk dihet se kush e përfaqëson Kishën Ortodokse Serbe. Ajo nuk është e regjistruar, kështu që organet shtetërore nuk e kanë të ditur se kush është përgjegjës për marrjen mbi vete të drejtave dhe të obligimeve se kush është personi i autorizuar i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, ka sqaruar Martinoviq. Mesazhin e Amfillohies se Podgorica duhet të bisedojë me të e jo me Patrikanën, Martinoviq e konsideron si qëllim të tij që të ketë sa me tepër pavarësi në raport me Patrikanën. Martinoviq beson se Mitropolia malazezo- bregdetare, herët ose vonë do të regjistrohet në Mal të Zi.

Mali i Zi akoma nuk i plotëson kërkesat e BE dhe të Shengenit

“Menaxhimi aktual i kufirit të Malit të Zi nuk i plotëson në tërësi kërkesat e BE dhe të Shengenit. Me qëllim të përmirësimit të situatës në këtë fushë përcillet me kujdes procesi i menaxhimit të integruar me kufirin të Unionit Evropian dhe në këtë kuptim adoptohet zhvillimi i menaxhimit të integruar të kufirit të Malit të Zi, në veçanti zbatimi i procedurave, pajiset teknike dhe infrastruktura kufitare”, thuhet në Strategjinë e Menaxhimit të Integruar të Kufirit, prej vitit 2020 deri në vitin 2024, të cilën e ka miratuar Qeveria. Në dokument theksohet se do të vazhdojnë aktivitetet në forcimin e kontrollit kufitarë me qëllim të sigurisë së qytetarëve, pengimin e rreziqeve për sigurinë e kufirit shtetëror, mbrojten e interesave ekonomike dhe lehtësimin e tregtisë ndërkombëtare. Organet kompetent të Malit të Zi në periudhën e kaluar kanë qenë të përkushtuar në realizimin e qëllimeve kryesore të Strategjisë, në veçanti në zgjidhjen e çështjeve bilaterale me shtetet fqinje, nga fakti se janë  nënshkruar kontratat për kufirin shtetëror me Bosnjë Hercegovinën  dhe Kosovën  dhe  është definuar kufiri shtetëror me Shqipërinë  dhe në këtë mënyrë është realizuar njeri nga prioritetet e rëndësishme të politikës së jashtme të Malit të Zi.

 

Nesër  për kandidaturën e Lekoviqit

Këshilli për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mërgimtarët do të deklarohet nesër për kandidaturën e Ivan Lekoviq për ambasador të Malit të Zi në Belgjikë, mbi bazat rezidenciale me seli në Bruksel. Ai në këtë funksion do ta zëvendësojë ambasadorin e deritashëm, Vlladimir Radulloviq. Në bazë të Kushtetutës, presidenti i Malit të Zi i emëron ambasadorët në bazë të propozimit të Qeverisë dhe të mendimit të Këshillit gjegjës parlamentar. Lekoviq, prej vitit 2012  deri në vitin 2016  ka qenë shef i misionit të Malit të Zi në BE kurse më parë ishte ambasador i Malit të Zi në Poloni. 

 

Është me rëndësi siguria e të gjithëve në komunikacion

“Ministri i punëve të brendshme, Mevlludin Nuhoxhiq, e përkrah iniciativën  të cilën e ka iniciuar Grupi i qytetarëve së bashku me familjet e individëve, viktimave të fatkeqësive në komunikacion”, thuhet në Twiterin e Ministrisë së punëve të brendshme. Nga kjo Ministri theksohet se do të jetë partner në çdo projekt i cili do të ngritë ndërgjegjen se sa është me rëndësi që të gjithë të jenë të sigurt në komunikacion. Siç theksohet, Qeveria ka ndarë mjete për instalimin e Sistemeve të radarëve me qëllim të përmirësimit të sigurisë të të gjithë pjesëmarrëseve në komunikacion. “Kemi për qëllim të ruajmë jetën e qytetarëve, të zvogëlojmë numrin e të vdekurve dhe të lënduarve në rrugë si dhe numrin e fatkeqësive të komunikacionit”, theksohet në këtë shkresë. Përndryshe në fatkeqësinë e komunikacionit e cila ka ndodhur mbrëmë rreth orës një pas mesnate, në rrugën, “4 Korriku” në Podgoricë, e ka humbur jetën S.R. 34 vjeçar, është kumtuar nga Drejtoria e policisë.  Në këtë përplasje ka marrë pjesë edhe një auto veturë e patrullës policore. Nga policia kanë kumtuar se në këtë aksident janë lënduar edhe tre persona të tjerë. Në mesin e të lënduarve janë edhe dy nëpunës policorë, njëri prej të cilëve ka marrë lëndime të rënda trupore.

Të ardhurat nga kablloja nëndetare do ta tejkalojnë planin

“Duke pasur parasysh rrjedhat aktuale në tregun e energjisë elektrike, pritshmëritë janë se Sistemi Elektro- përçues malazez, falë kabllos nëndetare, do ti tejkalojë projeksionet e planifikuara në 6 milion euro të ardhura”, ka kumtuar Vlladimir Bojiçiq, koordinues për projektet prioritare në këtë Kompani. Ai në programin e mëngjesit të TVMZ ka kumtuar se të gjitha aktivitetet e Kompanisë kanë qenë të përqendruara në sigurimin e furnizimit të rregullt dhe cilësorë me energji elektrike. Duke folur për efektet dhe përfitimet nga kablloja nëndetare, përdorimi komercial i të cilit ka filluar kah fundi i vitit të kaluar, Bojiçiq ka theksuar se ato mund të jenë të drejtpërdrejta dhe indirekte. “Efektet e drejtpërdrejta të cilat vërehen edhe gjatë këtyre ditëve janë të ardhurat të cilat i realizon Sistemi Elektro- përçues në bazë të kapaciteteve tej kufitare”, ka thënë ai, duke shtuar se efektet indirekte janë benefitet kur është fjala për cilësinë e furnizimit me energji elektrike.

 

Kërkohet mbikëqyrja e mini hidrocentraleve

Në periudhën e kaluar, Organizatat Nacionale Ekologjike, pas vizitës në lumenj në të cilat janë ndërtuar hidrocentralet e vogla, siç vërtetojnë, kanë hasur në rrjedhat pa ujë, gjë që i bënë të dyshojnë se pronarët e tyre nuk i zbatojnë dispozitat ligjore për rrjedhën e mirëfilltë ekologjike. Për këtë arsye OJQ Eko-Tim në emër të disa OJQ-ve, i ka dërguar Ministrisë së bujqësisë dhe zhvillimit rural, iniciativën për sjelljen e aktit nënligjorë lidhur me vendosjen e mbikëqyrjes së përhershme të rrjedhës së pranueshme ekologjike në rrjedhën poshtë akumulimeve. Grupi i OJQ-ve pret se do të hasin në mirëkuptimin e Ministrisë së bujqësisë dhe të zhvillimit rural dhe se kjo Ministri do të shoh rëndësinë e ruajtjes së lumenjve në Mal të Zi, të cilët janë edhe bazë për sigurimin e nevojave më të rëndësishme jetike dhe në të mirë të banorëve lokal.

Në Davos do të shprehë synimet e Kosovës për stabilitet ekonomik

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se synim i Republikës së Kosovës është stabiliteti i qëndrueshëm ekonomik për një perspektivë të qartë për fqinjësi të mirë me vendet e rajonit. Kështu është shprehur Thaçi në rrjetin Facebook, pak para nisjes së diskutimeve për dialogun diplomatik për Ballkanin Perëndimor, në të cilin tha se do të paraqes rrugën e zgjedhur të vendit. “Në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit do të shprehë edhe një herë synimet e Republikës së Kosovës për një stabilitet të qëndrueshëm ekonomik, për një perspektivë të qartë të integrimeve evropiane dhe për një fqinjësi të mirë në mes të të gjitha vendeve të rajonit tonë”, është shprehur Thaçi. Thaçi do të jetë pjesëmarrës në panelin, “Dialogu Diplomatik për Ballkanin Perëndimor” dhe gjatë ditës do të ketë takime bilaterale edhe me liderë të ndryshëm shtetesh që po marrin pjesë në këtë forum. Kreu i shtetit kosovar do të jetë i pranishëm edhe në adresimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, drejtuar liderëve të të gjitha vendeve pjesëmarrëse. Në Davos po qëndron edhe homologu serb i Thaçit, Aleksandar Vuçiq. Po ashtu, ai pritet të marrë pjesë edhe në darkën zyrtare të shtruar nga organizatorët e Forumit Botëror Ekonomik për udhëheqësit e shteteve në Davos.

 

Fluturimet Kosovë-Serbi, një fitore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump e quajti fitore marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për vendosjen e fluturimeve të drejtpërdrejta mes dy vendeve. Në një postim në Twitter Trump ka thënë se “të gjithë thoshin se nuk bëhej dot. Por për herë të parë në një gjeneratë do të ketë fluturime të drejtpërdrejta midis Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore.” Në postimin e tij, Presidenti Trump falenderon Ambasadorin Robert O'Brien, këshilltar i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë dhe Ambasadorin e SHBA në Gjermani, Richard Grenell. Diplomatët amerikanë ndërmjetësuan nënshkrimin e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë - Beograd, në një përpjekje për përmirësimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve. Marrëveshja u nënshkrua nga Millun Trifunac, sekretar shtetëror në ministrinë serbe të Ekonomisë dhe Esat Berisha drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës në ambasadën amerikane në Berlin. Të pranishëm ishin ambasadori i SHBA në Berlin, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi si dhe këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka falëndruar Presidentin amerikan Donald Trump, për vëmendjen që i jep Kosovës në rrugën e ndertimit të paqes dhe fqinjësisë së mirë në rajon. Thaçi ka thënë përmes twitter se roli i Presidentit Donald Trump për paqen dhe stabilitetin është i domosdoshëm. Ky reagim i Thaçit i cili po qëndron në Davos të Zvicrës, erdhi pasi homologu i tij amerikan Trump, komentoi rikthimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

 

Dy javë për Kurtin

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka afat prej dy javësh që ta formojë Qeverinë e re të Kosovës, kryeministër i së cilës do të ishte ai ose në të kundërtën, mbetet në diskrecionin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, se kush do të jetë mandatari i dytë për formimin e qeverisë së re, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike. Pas propozimit të Albin Kurtit si mandatar për formimin e Qeverisë së Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe dekretimit të këtij propozimi nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, të cilin ky i fundit e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës, të hënën, ka nisur rrjedhja e afatit të parë ligjor prej 15 ditësh, për krijimin e qeverisë së re të vendit. Marrë parasysh tentativat e deritashme të pasuksesshme për krijimin e një koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas njohësve të zhvillimeve politike, gjatë dy javëve të ardhshme priten skenarë të ndryshëm për gjetjen e një zgjidhjeje për formimin e qeverisë së re, në mënyrë që vendi ti shmangen zgjedhjeve të parakohshme. Sipas Kushtetutës së vendit, në rast se dështon formimi i qeverisë nga mandatari i parë për kryeministër, presidenti ka diskrecionin që të emërojë mandatarin e dytë për formimin e qeverisë brenda afatit ligjor prej 10 ditësh.  Deri më tani, liderët e të dy partive, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë takuar disa herë me synimin për të përmbyllur një marrëveshje për koalicion, mirëpo të gjitha takimet kanë rezultuar të pasuksesshme.

Ambasada britanike mirëpret vendimin e Thaçit për mandatim të Kurtit për kryeministër

Ambasada britanike në Prishtinë ka thënë se mirëpret vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për të emëruar Albin Kurtin si kandidat për kryeministër, për formim të qeverisë së re. “Votuesit kosovarë kanë pritur tre muaj e gjysmë për këtë moment. Shpresa e tyre dhe dëshira për të ndryshuar, e shprehur aq qartë më 6 tetor, duhet të respektohet. Politikanët e zgjedhur të Kosovës dhe partitë e tyre tani duhet të tregojnë kurajo dhe kreativitet në formimin e qeverisë që reflekton dëshirën e elektoratit”, është thënë në deklaratën e kësaj ambasade. Përveç tjerash aty është bërë thirrje edhe për përshpejtim të negociatave për formim të qeverisë, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, vazhdojnë të mos kenë marrëveshje për qeverisje eventuale të Kosovës.

 

Anulimi i Marrëveshjes së Prespës shkatërron të ardhmen e Maqedonisë

Ish-kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, ka akuzuar liderin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski se po rrezikon stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë së Veriut me kërcënimet për anulimin e Marrëveshjes së Prespës nëse fiton zgjedhjet parlamentare më 12 prill. Në një konferencë për media në Shkup, Zaev tha se “anulimi eventual i Marrëveshjes së Prespës me Greqinë për çështjen e emrit, do ta kthente vendin 25 vjet mbrapa. Maqedonia e Veriut jo vetëm që nuk do ta finalizonte anëtarësimin në NATO por do të mbetej edhe pa perspektivë evropiane”. “A është e vetëdijshme VMRO-DPMNE-ja për atë që do të ndodhte nëse anulohet Marrëveshja e Prespës? Pa Marrëveshjen e Prespës do të humbim mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, do të kemi bllokada të reja nga Greqia, do të kemi paqëndrueshmëri të brendshme dhe rreziqet për konflikte “, ka theksuar Zaev, kryetar i Lidhjes Social-Demokrate. Zgjedhjet e jashtëzakonshme ishin paralajmëruar nga Zaev menjëherë pas dështimit për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, në samitin e liderëve të BE-së, më 18 tetor të vitit 2019.

 

Putin dërgon në parlament propozimet për ndryshime kushtetuese

Presidenti rus, Vladimir Putin ka dërguar në parlament paketën me ndryshimet e propozuara kushtetuese në parlament, pasi ka njoftuar një javë më parë ndryshime të sistemit politik shtetëror. Putini kërkon të largojë shprehjen “e njëpasnjëshme” në kushtetutën aktuale, ku përcaktohet se presidenti nuk mund të shërbejë “më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme”, bazuar në projektligjin e postuar në faqen e Dhomës së Ulët të Parlamentit rus. Lideri rus ka paralajmëruar një varg ndryshimesh kushtetuese në një fjalim drejtuar kombit më 15 janar, duke nxitur reagime se 67-vjeçari, mund të mbetet në pushtet përtej mandatit të katërt presidencial më 2024. Në mesin e ndryshimeve përfshihet edhe një propozim për t’i dhënë kushtetutës prioritet në çështjet e ligjit ndërkombëtar dhe transferimi i disa kompetencave te kryeministri dhe Këshilli Shtetëror. Një grup punues është formuar nga Putini për ndryshimet e propozuara, dhe vetë presidenti rus është zotuar për një votë popullore të këtyre ndryshimeve. Fjalimi i Putinit është përcjellë me dorëheqjen e Dmitry Medevedevit nga pozita e kryeministrit. Ai është zëvendësuar një ditë më vonë nga Mikhail Mishustin, i cili më parë ka udhëhequr shërbimet e taksave në Rusi.

Sulmohet me raketa Zona e Gjelbër në Irak

Tri raketa goditën Zonën e Gjelbër në Bagdad, ku ndodhen shumë ndërtesa qeveritare dhe misione të huaja, thanë burime të policisë irakiane për Reuters. Raketat u lëshuan nga rrethi Zafaraniyah, jashtë kryeqytetit irakian, ndërkaq dy predha ranë pranë Ambasadës së SHBA-së. Nga këto sulme nuk ka pasur të plagosur, por vetëm dëme materiale, njoftoi kanali televiziv Al Hadath. Incidenti ndodhi një ditë pasi rifilluan protestat antiqeveritare në Irak, gjatë të cilave gjashtë irakianë, përfshirë dy oficerë policie, u vranë dhe dhjetëra u plagosën, në Bagdad dhe qytete të tjera. Protestuesit në Irakun e jugut dogjën goma dhe bllokuan rrugët kryesore në disa qytete, duke thënë se kryeministri i Irakut, Adel Abdul Mahdi nuk i ka mbajtur premtimet, përfshirë emërimin e një qeverie të re të pranueshme për irakianët. Demonstratat në Irak po mbahen që nga 1 tetori 2019. Protestuesit kundërshtojnë një sistem politik, të cilin ata e perceptojnë si të korruptuar dhe që i mban shumicën e njerëzve të varfëruar. Më shumë se 450 njerëz janë vrarë nga trazirat.

 

Katër të vdekur nga virusi i ri në Kinë

Katër persona kanë vdekur në Kinë, nga një virus i organeve të frymëmarrjes. Virusi është përhapur në më shumë se 220 pacientë në disa provinca, si dhe në Tajlandë, Japoni dhe Korenë e Jugut. Autoritetet mjekësore kineze, më 20 janar, konfirmuan se 15 veta nga personeli mjekësor, ishin infektuar me koronavirusin e ri. Përhapja tek punonjësit e mjekësisë tregon se virusi transmetohet më lehtë sesa mendohej më parë. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka thirrur nesër një takim urgjent, për të diskutuar krizën dhe për të përcaktuar nëse shpërthimi i virusit është një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore. Australia ka njoftuar se do të fillojë kontrollimin e pasagjerëve gjatë fluturimeve nga Wuhan. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA më 18 janar tha se do të fillojë ekzaminimin në tre aeroporte amerikane - San Francisko, Los Angeles dhe New York - të pasagjerëve që vijnë nga Kina qendrore. Zyrtarët shëndetësorë e identifikuan virusin, i cili u shfaq për herë të parë në Wuhan në muajin dhjetor, si një lloj koronavirusi. Ky shpërthim, sipas autoriteteve shëndetësore, ka ringjallur kujtimet e virusit Sars - gjithashtu një koronavirus - që ka lënë mbi 770 njerëz të vrarë në fillim të viteve 2000, në dhjetëra vende, kryesisht në Azi.

 

Gjeloshaj ndan bursat për studentët nga Tuzi

Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, bëri ndarjen e bursave për 7 studentët më të mirë të përzgjedhur nga Komisioni për ndarjen e bursave për vitin akademik 2019/2020. Gjeloshaj duke përshëndetur prindërit dhe studentët, theksoi se rastet e tilla janë më se të nevojshme, për komunikim dhe promovim të studentëve tonë, e që njëkohësisht janë edhe e ardhmja e këtij vendi. Ai gjithashtu ftoi studentët që të bashkëpunojnë me komunën, duke shpalosur ide dhe propozime, në mënyrë që bashkërisht të punojmë në zhvillim të vendit. Përfitues të kësaj burse, sipas Komisionit komunal, janë;  Naze Gjurgjeviq, fakulteti i Mjekësisë, viti i VI-të, pastaj, Linda Lajçaj, Fakulteti i gjuhës angleze, viti i IV-të, Alberta Bikaj, Fakulteti i ekonomisë, viti i II-të, Hana Lluka, Fakulteti i shkencave politike, viti i II-të, Marie Lekoçaj, Fakulteti Bioteknik, viti i III-të, Vlladan Pejoviq, Fakulteti Metalurgjik, viti i III-të dhe Xhenisa Nikaj, Fakulteti filologjik, viti i III-të. Kryetari i Komisionit ishte kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj, kurse anëtarët,  Vasel Berishaj dhe Ellvisa Rexhematoviq.

Senad Gilaj, gazetar

 

Prej sot ndalohet peshkimi në Liqenin e Shkodrës

Gjuetia e të gjitha llojeve të peshkut dhe e të gjitha organizmave ujor në Liqenin e Shkodrës ndalohet duke filluar prej sot deri sa të përmirësohen rrethanat hidrologjike, është kumtuar nga Ministria e bujqësisë dhe zhvillimit rural. “Me urdhëresën për ndalimin e peshkimit dhe të gjitha  organizmave tjerë ujor, të cilët janë të ndaluar për gjueti, është definuar që në rajonin e Liqenit të Shkodrës, ndalohet peshkimi gjatë kohës së nivelit të ulët të ujit, respektivisht kur niveli i ujit në Liqenin e

Shkodrës zbret nën nivelin e paraparë prej 6,46 mnm”, është kumtuar nga kjo Ministri. Ministria e bujqësisë dhe zhvillimit rural tërheq vërejtjen se peshkimi gjatë kohës së ndaluar paraqet vepër penale dhe se të gjithë individët e kapur në gjuetinë e peshkut do tu dorëzohen organeve kompetente të Malit të Zi.

 

Nesër mot kryesisht me diell

Sot në Mal të Zi ka mbajtur mot kryesisht me diell. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperaturat në orën 13 u shënuan: në Herceg Novi 13 gradë, Tivar 12, Ulqin e Nikshiq 10, Cetinë 9, Podgoricë 8, Rozhajë 7, Guci 5, Zhablak 4, Beranë 3, Kollashin, Bijello Pole e Plavë 2 dhe në Plevle 0 gradë.

Për  nesër parashihet të mbaj mot me vranësira të ndryshueshme dhe kryesisht i thatë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -10 deri në 3, kurse më e larta e ditës prej 5 deri në16 gradë celsius.

  

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се