Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

20. 01. 2020. 18:34 >> 18:36

Ditari 20.01.2020

20.01.2020

Pohime të pa baza të Nikolla Sellakoviq

Pohimet e sekretarit të përgjithshëm të presidentit të Serbisë,  Nikolla Sellakoviq se trupat më relevant juridik ndërkombëtarë, siç është Këshilli i Evropës, kanë bërë ftesë për domosdoshmërinë dhe nevojën e restitucionit të pronës kishtare, sidomos të asaj ortodokse serbe, absolutisht nuk ka kurrfarë baze në fakte, është vlerësuar nga Kabineti i presidentit të Malit të Zi Millo Gjukanoviq.  Të përkujtomë se Sellakoviq ka konstatuar dje argumentimin e presidentit të Malit të Zi Gjukanoviq  në favor të ligjit mbi lirinë e feve duke theksuar se çdo gjë që e ka deklaruar Gjukanoviq juridikisht nuk është kushtetuese, njëkohësisht as valide. Nga presidence e Malit të Zi megjithatë theksojnë se pohimet e Sellakoviq janë tejet të pa baza. “Përkundrazi, Mali i Zi në vitin 2012 në Gjyqin evropian për të drejtat e njeriut, si trup gjyqësor i Këshillit të Evropës, e ka fituar kontestin kundër Kishës ortodokse serbe e cila kishte kërkuar restituimin e pronës kishtare në Mal të Zi. Gjyqi në Strasbur, siç theksohet, ka konkluduar se “janë të pa baza juridike pohimet e kishës ortodokse serbe dhe të shtetit të Serbisë se kisha ortodokse serbe në Mal të Zi është viktimë e shkeljes së drejtave për posedimin e pronës dhe viktimë e procesit të drejtë gjyqësor dhe se gjoja është e diskriminuar nga ana e shtetit të Malit të Zi.

Agresorët hibrid veprojnë edhe nga Mali i Zi

Mali i Zi  prej rivendosjes së pavarësisë ka qenë nën ndikimin e  aktiviteteve të ndryshme hibride e të cilët janë intensifikuar para dhe gjatë kohës së proceseve të mëdha politike në shtet, ka vlerësuar ministri i mbrojtjes Predrag Boshkoviq. Siç ka theksuar, në proceset e mëdha politike bëjnë pjesë zgjedhjet parlamentare në tetor të viti 2016 dhe anëtarësimi i Malit të Zi në NATO në qershor të vitit 2017. “Duke pasur para sysh se ky vit do të jetë vit zgjedhor, jemi dëshmitarë të rritjes së aktivitete malicioze, në radhë të parë të fushatave dezinformuese mbi temat e ndryshme të rëndësishme politike, ekonomike dhe shoqërore”, ka theksuar Boshkoviq në intervistën dhënë gazetës, “Dnevne Novine”. Sipas fjalëve të tij, me aktivitetet e përmendura bënë përpjekje për diskreditimin e zyrtarëve më të lartë politikë dhe për shkaktimin e trazirave dhe të pa sigurisë në opinion si dhe sulme sajber në sistemet informative të administratës shtetërore dhe të mjeteve publike të informimit. Duke folur për ligjin  për lirinë e feve, Boshkoviq ka theksuar se Mali i Zi si shtet demokratik ka përgjegjësinë kushtetuese juridiko ndërkombëtare dhe historike që të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me lirinë e feve ti rregullojë me një ligj modern sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

Perspektivë e pa kontestueshme evropiane e Malit të Zi

Perspektiva Evropiane e Malit të Zi është e pa kontestueshme, ka theksuar kryebashkiaku i Cetinës Aleksandar Kashqellan në ceremoninë  e lidhjes së shamisë së kuqe në bustin e Ivan Mazhuraniqit në Cetinë duke shënuar në këtë mënyrë simbolikisht presidencën kroate me BE. “Si kryesues i procesit të integrimeve evropiane Mali i Zi është i vendosur fuqishëm se duhet të vazhdojnë reformat dhe i përkrah fqinjët në procesin e asocimit, sepse qytetarët e rajonit tonë meritojnë të ardhme me perspektivë në Evropën e fortë dhe të bashkuar”, ka theksuar Kashqellan. Ai ka shtuar se Mali i Zi është i inkurajuar nga prioritetet e presidencës kroate me BE prej të cilave procesi i zgjerimit është në krye të agjendës. Ambasadori i Kroacisë në Mal të Zi, Veselko Grubishiq, ka theksuar se “Kroacia do të bëjë ç është e mundur që samiti në Zagreb të jetë kurorë përpjekjeve të saj dhe orientim i qartë i rikthesës në proceset negocuese të fqinjëve”. Ai ka përsëritur qëndrimin se Mali i Zi është lider në procesin e bisedimeve duke shtuar se beson se nuk ekziston mundësi që Mali i Zi të mos jetë anëtari i parë i radhës i Bashkimit Evropianë.

 

Agresorët hibrid veprojnë edhe nga Mali i Zi

Mali i Zi  prej rivendosjes së pavarësisë ka qenë nën ndikimin e  aktiviteteve të ndryshme hibride e të cilët janë intensifikuar para dhe gjatë kohës së proceseve të mëdha politike në shtet, ka vlerësuar ministri i mbrojtjes Predrag Boshkoviq. Siç ka theksuar, në proceset e mëdha politike bëjnë pjesë zgjedhjet parlamentare në tetor të viti 2016 dhe anëtarësimi i Malit të Zi në NATO në qershor të vitit 2017. “Duke pasur para sysh se ky vit do të jetë vit zgjedhor, jemi dëshmitarë të rritjes së aktivitete malicioze, në radhë të parë të fushatave dezinformuese mbi temat e ndryshme të rëndësishme politike, ekonomike dhe shoqërore”, ka theksuar Boshkoviq në intervistën dhënë gazetës, “Dnevne Novine”. Sipas fjalëve të tij, me aktivitetet e përmendura bënë përpjekje për diskreditimin e zyrtarëve më të lartë politikë dhe për shkaktimin e trazirave dhe të pa sigurisë në opinion si dhe sulme sajber në sistemet informative të administratës shtetërore dhe të mjeteve publike të informimit. Duke folur për ligjin  për lirinë e feve, Boshkoviq ka theksuar se Mali i Zi si shtet demokratik ka përgjegjësinë kushtetuese juridiko ndërkombëtare dhe historike që të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me lirinë e feve ti rregullojë me një ligj modern sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

 

Ftesa publike për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit gjyqësor deri në fund të janarit

Këshilli për sistemin politikë, legjislaturë dhe administratë duhet që deri në fund të janarit të shpallë ftesën publike për zgjedhjen e 4 anëtarëve të Këshillit gjyqësor nga radhët e juristëve eminent. Këta anëtarë të Këshillit gjyqësor nuk janë zgjedhur gjatë disa seancave të kaluara parlamentare, sepse nuk ekzistonte shumica e domosdoshme e dy të tretave, respektivisht e tri të pestave të deputetëve. Për 4 anëtarë të Këshillit gjyqësor më parë ishin kandiduar Lubinka Popoviq – Kustudiq, Vesna Ratkoviq, Veselin Rackoviq dhe Rifat Hadroviq. Këta kandidatë nuk e kanë fituar përkrahjen e domosdoshme në seancat parlamentare të mbajtura më 20 qershor dhe 31 korrik.

Kërkohen ndryshimet e ligjit për trafikun rrugor

Një grup i qytetarëve së bashku me familjet që kanë pësuar në fatkeqësitë e komunikacionit kanë nisur iniciativën për ndryshimet e ligjit për komunikacion me qëllim të futjes së auto kamerave të cilat do të përcjellin zhvillimet gjatë vozitjes dhe situatën në rrugët e Malit të Zi. Në sheshin e pavarësisë deri në ora 17 ishte organizuar  një tubim në të cilin të interesuarit me nënshkrimin e vetë kanë mund të përkrahin këtë iniciativë. Qytetarët e interesuar iniciativën do të mund ta nënshkruajnë edhe gjatë ditëve të ardhshme. Organizatorët e tubimit dëshirojnë që këtë iniciativë ta paraqesin në Kuvendin e Malit të Zi në mënyrë që gjatë diskutimeve me institucionin më të lartë ligj dhënës të gjenden zgjidhjet më të mira, mirëpo, që kjo procedurë të radhitet për shqyrtim nevojitet grumbullimi i  3 mijë nënshkrimeve. Përfaqësuesja e grupit të qytetarëve Jelena Mashniq ka theksuar se këtë iniciative e konsiderojnë si masën më objektive për rregullimin e kulturës së sjelljeve dhe rregullimin e asaj që në komunikacion shumë shpesh shkakton pasoja tragjike.

 

Për shkak të ligjit për pengimin e pirjes së duhanit janë grumbulluar 60 mijë euro nga dënimet

Inspekcioni turistik prej fillimit të zbatimit të ligjit të ri mbi përkufizimin e përdorimit të prodhimeve të duhanit, nga muaji gusht deri me 23 dhjetor të vitit të kaluar ka shqyrtuar 225  aktvendime për kundërvajtje në shumë prej 60.12 mijë euro. Inspektorja kryesore për turizëm Svetllana Slivançanin, ka theksuar për gazetën “Dan” se inspekcioni ka bërë  3.1 mijë kontrollime dhe në të cilat ka vërtetuar 202 parregullsi. Ajo ka theksuar se ligji respektohet shumë më mirë krahasuar me vitin 2011, mirëpo edhe tani ekzistojnë hotelier kundër të cilëve nuk mund të ndikohet përmes dënimeve në të holla. Ajo ka theksuar se një numër i madh i hoteliereve ka ndalur konsumimin e duhanit në objektet e veta, por vetëm një numër i vogël i tyre  ka siguruar lokalet për pirjen e duhanit, kështu që tani mysafirët dalin në tarraca të hapura ose para objekteve për të konsumuar duhan.

 

KY ËSHTË DEKRETI I PRESIDENTIT THAÇI PËR MANDATARIN

Albin Kurti nuk i shkoi në zyre, por Hashim Thaçi megjithatë e ka dekretuar vendimin për të mandatuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës. Presidenti i vendit ka thënë se pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Kosovës, dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për kryeministër e ka dërguar zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës. “Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, shkruan Thaçi në Facebook. Ai ka postuar edhe dokumentin në të cilin ka propozuar Albin Kurtin si mandatar për të formuar qeverinë e re, derisa theksohet se për të bërë këtë ka 15 ditë afat. “Kandidati nga pika 1 e këtij Dekreti jo më vonë se 15 ditë pas emërimit paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kërkon miratim nga ana e Kuvendit”, thuhet në pikën e dytë dhe të fundit të këtij dokumenti.

NUK KTHEHEMI NË TË KALUARËN, POR TË VAZHDOJMË BISEDIMET

Mandatari për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, iu është drejtuar qytetarëve me një videomesazh menjëherë pas propozimit zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje për formim të qeverisë. Ai tha se propozimin kanë dashur ta dërgojnë pas një marrëveshje me LDK-së, ashtu siç ka qenë ky vullnet të shkohet në seancën konstituive dhe në takimin me presidentin Hashim Thaçi. “Propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt fitues në zgjedhje e 6 tetorit kemi dashur ta dërgojmë te presidenti pas një marrëveshje me LDK-në. Në mbledhjen konstituive më 26 dhjetor shkova pa pasur një marrëveshje edhe te presidenti më 6 janar shkova pa marrëveshje paraprake. Dy javë pas takimi katër minutash nuk kemi marrëveshje. Ne sot po e dërgojmë propozimin tonë me shkresë të presidenti. Sekretarja jonë Vlora Haxhimehmedi do ta bëjë këtë”, deklaroi ai. Kurti tha se nuk e kanë pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së, por theksoi se nuk mund të kthehen në të kaluarën, duke nënkuptuar tek ofertat për kryeparlamentar. “Ne nuk e kemi pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së por jemi treguar shumë të gatshëm për takime të mëtejmë tjera me synim gjetjen e alternativave të tjera që do ishin të pranueshme për të dy palët, theksoi Kurti.

 

MEMLI KRASNIQI TREGON NËSE PDK DO T’I PËRGJIGJET FTESËS SË VV-SË DHE LDK-SË

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Memli Krasniqi, deklaroi sot se barra për bllokada dhe mos formimin e institucioneve do t`i bie Albin Kurtit. Pas mbledhjes së parë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Krasniqi tha se nuk kanë marrë ndonjë ftesë për bisedime me LDK-në dhe Vetëvendosje, por edhe nëse do të ndodhte një gjë e tillë, PDK nuk do t’i përgjigjet këtyre ftesave. "Ne sapo jemi në përfundim të mbledhjes. Diskutuam për dy-tri pika. Fatkeqësisht ka kaluar një muaj prej kur është formuar kjo kryesi. Delegacionet që i diskutuam kishin disa dilema. Kanë kaluar rreth 106 ditë kur janë mbajtur zgjedhjet dhe ne sot nuk kemi as qeveri. Kërkesa jonë prej 6 tetorit ka qenë që ata që kanë marrë mandat t’i përmbushin obligimet. Ne duhet t’ia rikujtojmë që nuk është përgjegjësi për të marrë një letër, por të formohen institucionet. Barra për bllokada i bie Albin Kurtit. Ju e dini që në muajin mars mund të ketë bllokada për shkak të buxhetit, pasi qytetarët nuk e meritojnë këtë", tha ai.

 

Thaçi mirëpret synimet për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur nënshkrimin e letrës së synimeve në mes të kompanisë ajrore Lufthansa dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd. Në një postim në rrjetin social, Facebook, Thaçi ka thënë se ky hap shënon një tjetër përpjekje për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.“Prandaj, në emër të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve tanë, shpreh mirënjohjen e thellë për Ambasadorin e SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, si dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien, për kontributin e tyre për këtë marrëveshje, e cila pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në të ardhmen”, ka deklaruar Thaçi. Më herët gjatë ditës, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se pret që sot në Berlin të nënshkruhet një letër për synimet e Ministrisë serbe të Ekonomisë dhe kompanisë së fluturimeve Lufthansa, për vendosjen e një linje ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës. Siç transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Gjuriq tha se kjo linjë mund të jetësohet pas heqjes së taksës që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe pas rikthimit të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Nënshkrimi i letrës së synimeve, tha Gjuriq, do të ishte hapi i parë simbolik drejt rivendosjes së linjës ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës, pas 20 vjetësh.

 

Stoltenberg: Marrëveshjet me Lufthansan, hap i rëndësishëm

Gjithashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka mirëpritur synimet e kompanisë Eurowings dhe grupit, Lufthansa, për të hapur linjën ajrore në mes të Prishtinës dhe Beogradit, bazuar në disa letra të ashtuquajtura të qëllimeve që janë nënshkruar sot në Berlin. “Ky është një hap i rëndësishëm që do të lehtësojë dhe përshpejtojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është thënë mes tjerash në deklaratë. “Komandanti i misionit tonë të KFOR-it vazhdon të jetë autoritet i hapësirës ajrore në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. NATO-ja do të jetë e përfshirë e Takimin për Normalizimin të Aviacionit në Ballkan, të cilin udhëheqim”, është thënë mes tjerash në deklaratë. I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjeve nga Prishtina dhe Beogradi për linjë ajrore është fitore historike e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

 

Shpërthim i koronavirusit në Kinë dhe shtete të tjera të Azisë

Kina raportoi për 139 raste të reja të një virusi misterioz brenda dy ditësh. Virusi u përhap nga Vuhan në qytete të tjera. Kryeqyteti Pekin raportoi për dy raste, ndërsa Shenzhen - që është qendër e teknologjisë - për një rast të dyshuar. Numri total i rasteve të konfirmuara tani është 200, ndërsa tre persona kanë vdekur nga problemet me frymëmarrjen. Zyrtarët shëndetësorë e identifikuan virusin, i cili u shfaq për herë të parë në Vuhan në muajin dhjetor, si një lloj koronavirusi. Sipas tyre, ai ka çuar në një shpërthim të pneumonisë virale, porse ende mbeten shumë paqartësi rreth tij. Koreja e Jugut raportoi po ashtu për rastin e parë të saj të hënën, pas Tajlandës dhe Japonisë. Ky shpërthim, sipas autoriteteve shëndetësore, ka ringjallur kujtimet e virusit Sars - gjithashtu një koronavirus - që ka lënë mbi 770 njerëz të vrarë në fillim të viteve 2000, në dhjetëra vende, kryesisht në Azi. Analiza e kodit gjenetik të virusit të ri tregon se ai është më i lidhur me Sars-in sesa me çdo koronavirus tjetër njerëzor.

Kina aplikon masa parandaluese për virusin e ri

Autoritetet në Kinë thanë sot se ende nuk kanë identifikuar burimin e virusit të ri respirator, që ka rritur frikën për një krizë ndërkombëtare. Por, Komisioni kombëtar për Shëndetësi, tha se do të aplikojnë masa të rrepta parandaluese dhe do të rrisin monitorimin gjatë Vitit të Ri Hënor, që është më 25 janar. Ata thonë se situata epidemike është “e kontrollueshme”. Doktorët kanë identifikuar muajin e kaluar një virus të ri – që ka simptomat e pneumonisë, përshirë ethe, kollitje dhe probleme të tjera të frymëmarrjes – te njerëzit që punonin apo kanë vizituar periferinë e Wauhan që gjendet në Kinën Qendrore. Autoritetet ende nuk kanë identifikuar se si transmetohet ky virus. Ekspertët thonë se ky virus me gjasë transmetohet nga kafshët te njerëzit, por ata nuk kanë qenë në gjendje që të eliminojnë mundësinë që ky virus të transmetohet mes njerëzve.

 

E paqartë nëse Irani do të dërgojë jashtë vendit kutitë e zeza të avionit të rrëzuar

Trupat e pajetë të 11 ukrainasve të vrarë, pasi ushtria iraniane aksidentalisht rrëzoi një avion pasagjerësh në Teheran, kanë arritur në Kiev, teksa janë rritur pikëpyetjet nëse zyrtarët e Iranit do të bashkëpunojnë në hetimet për këtë ngjarje. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, kryeministri Oleksiy Honcharuk dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë morën pjesë në ceremoninë solemne në kryeqytetin ukrainas. Më 8 janar, avioni ukrainas, që ishte nisur nga Teherani u rrëzua nga ushtria iraniane, duke lënë të vdekur 167 personat që ishin në bord. Zyrtarët iranianë janë duke udhëhequr hetimet për këtë ngjarje, por ende mbetet e paqartë nëse Teherani do të dorëzojë informacionet e marra nga kutitë e zeza të aeroplanit. Hassan Rezaifer, shef i ekipit që po zhvillon hetimet në Iran, u citua nga mediat iraniane të ketë thënë se “të dhënat nga kutitë e zeza të avionit janë në duart e Iranit dhe ne nuk kemi plan që t’ia japin askujt”, ka raportuar agjencia AP.

 

Dhjetëra të vrarë në një sulm pranë xhamisë në Jemen

Mbi 100 njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën në një sulm me raketa dhe dronë kundër ushtarëve në provincën Mareb të Jemenit, thanë zyrtarët. Ministri i Jashtëm i Jemenit, Mohammed al-Hadrami, tha se sulmi, i cili ka ndodhur të dielën pranë një xhamie, përpara lutjeve të mbrëmjes, është një "akt frikacak terrorist, që shkel të gjitha zakonet dhe vlerat fetare dhe njerëzore". Zëdhënësi i ushtrisë së Jemenit, Abdu Abdullah Majali, njoftoi për së paku 76 njerëz të vrarë. Rebelët Huthi, të cilët mbështeten nga Irani, u fajësuan për sulmin, edhe pse asnjë grup nuk e mori përgjegjësinë për të. Qeveria e Jemenit, e cila njihet ndërkombëtarisht dhe mbështetet nga një koalicion ushtarak që udhëheq Arabia Saudite, është në luftë me rebelët Huthi qysh në vitin 2014. Rebelët kanë kapur pjesën më të madhe të pjesës veriperëndimore të Jemenit dhe kryeqytetin e tij, Sana. Mbi 10,000 njerëz janë vrarë deri më tash. I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Jemenin, Martin Griffiths, e dënoi sulmin pranë xhamisë.

 

Irani nuk merr pjesë në Forumin e Davosit pas rritjes së tensioneve me SHBA

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif nuk do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës më 21 janar, ka njoftuar zëdhënësi i kësaj ministrie, Abbas Musavi. Ky Forum po zhvillohet në kohën e përshkallëzimit të tensioneve në mes të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të marrë pjesë në këtë Forum. Ai do të arrijë në Zvicër në orët e vona të së hënës. Musavi ka thënë se Zarif ishte planifikuar që të merrte pjesë në këto takime, pasi ka pranuar një ftesë personale. “Ata kanë ndryshuar programin fillestar që kanë pasur për të dhe për të cilin është arritur pajtueshmëri, mirëpo më vonë e kanë ndryshuar atë”, ka thënë Musavi. “Prandaj ky udhëtim nuk do të ndodhë”, ka thënë ai në një konferencë për media. Tensionet në mes të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përkeqësuar prej vitit 2018, kur Trump është tërhequr nga marrëveshja bërthamore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore. Të dyja shtetet ishin në prag të luftës pasi Shtetet e Bashkuara kanë vrarë komandantin e forcave elite iraniane, Qasem Soleimani më 3 janar.

 

Irani thotë se vazhdon të jetë pjesë e marrëveshjes bërthamor

Irani vazhdon të jetë pjesë e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, pavarësisht se është tërhequr nga angazhimet që i kërkon ajo, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Musavi. "Teherani mbetet në marrëveshje. Pretendimet e fuqive evropiane se Irani shkel marrëveshjen, janë të pabazuara", tha Musavi në një konferencë për media, të hënën në Teheran. Më herët, Irani ka thënë se nuk e konsideron më veten të obliguar nga marrëveshja. Kjo marrëveshje është arritur midis Republikës Islamike dhe fuqive botërore, por Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga ajo në maj të vitit 2018 dhe kanë rikthyer sanksione të ashpra ekonomike kundër Iranit. Që atëherë, Teherani ka ndërprerë gradualisht angazhimet e tij me marrëveshje. Nënshkrueset evropiane të marrëveshjes, Gjermania, Britania dhe Franca, kanë njoftuar ditë më parë se kanë aktivizuar mekanizmin e mosmarrëveshjes brenda marrëveshjes, gjë që mund të çojë edhe në sanksione të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit.

 

Edhe nesër mot kryesisht me diell

         Sot në Mal të Zi mban mot me vranësira të ndryshueshme dhe kryesisht i thatë. Frynë erë mesatare , vende vende deri e fortë nga drejtimet e veriut .

            Temperaturat: Budvë 14, H. Novi 13, Tivar e Podgoricë 11, Ulqin 9, Cetinë 6, Nikshiq 4, Shavnik 2, B. Pole e Beranë 0, Plavëe Guci 1, Plevle, Kollashin e Rozhaj -2, dhe në Zhablak -6 g.

           Meteorologët edhe për nesër parashohin të mbajë mot kryesisht me diell. Do të fryjë erë e e dobët deri mesatare nga drejtimet e veriut. Temperatura e mëngjesit prej -10 deri në 5, kurse më e larta e ditës prej 3 deri në 15 g. c.

 

Ditarin e pčrgatiti Marash Dedvukaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се