Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

13. 01. 2020. 23:50   >>  23:54

Ditari 13.01.2020

13.01.2020

Qeveria është e gatshme për dialog me të gjitha bashkësitë fetare

Qeveria e Malit të Zi është e gatshme që pa shtyrje të fillojë dialogun me të gjitha bashkësitë fetare për zbatimin e ligjit për lirinë e feve, ka theksuar nënkryetari i qeverisë Zoran Pazhin. “Me Mitropolinë malazezo- bregdetare jemi të gatshëm të bisedojmë edhe për kushtet me të cilat do të mund të nënshkruhet kontrata bazë, dhe në këtë mënyrë Mitropolia të tregojë gatishmërinë për këtë formë të dialogut”, ka deklaruar Pazhin për BBC në gjuhën serbe. Ai ka theksuar se asnjë shtet në rajon, por edhe as më gjerë, nuk e ka një ligj të përgatitur më gjatë dhe në mënyrë më të kujdesshme dhe rreth të cilit janë zhvilluar konsultime detaje dhe të hapura me të gjitha subjektet e interesuara brenda shtetit dhe jashtë tij. “Ky ligj është miratuar me qëllim që të gjithë në Mal të Zi të kenë të drejta të barabarta, që sipas ndërgjegjes së vetë, të jenë ose të mos jenë besimtarë të cilës do fe dhe se ligjet do të vlejnë për të gjithë”, ka theksuar Pazhin. Ai ka përkujtuar se prej vitit 2015 janë organizuar tubime të shumta kushtuar projekt ligjit, se të gjitha bashkësitë fetare dhe subjektet tjera të interesuara kanë bërë komentimin e projekt ligjit, si dhe përfaqësuesit e qeverisë disa herë me radhë kanë zhvilluar konsultime të ndara me të gjitha bashkësitë fetare.

Në shumë qytete janë mbajtur lutjet

Në disa qytete të Malit të Zi mbrëmë dhe sot janë zhvilluar lutje në shenjë proteste për shkak të miratimit të ligjit për lirinë e feve. Lutjen janë organizuar në Podgoricë, Tivar, Nikshiq, Beranë, Bijello Pole, Herceg Novi dhe në disa qytete të tjera të Malit të Zi. Lutjen në Tivar, e mbajtur para dite, e ka udhëhequr Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi Amfillohie. Ai ka theksuar se pushteti, nëse është popullor, është i obliguar që ta dëgjojë zërin e popullit. “Lutjet e paqes do të vazhdojnë çdo të diel dhe të enjte, gjithnjë derisa të mos marrin sinjal nga pushteti se dëshirojnë dialog”, ka theksuar Rektori i shkollës fetare të Cetinës, Gojko Peroviq.

 

Me arrestimin e gazetarëve krijohet atmosferë e frikës, e censurës dhe auto censurës

Shoqata e gazetarëve profesionistë të Malit të Zi ka dënuar arrestimin e Drazhen Zhivkoviq dhe të Gojko Raiçeviq duke vlerësuar se me burgosjen e gazetarëve krijohet atmosferë e frikës, e censurës dhe auto censurës. Zhivkoviq dhe Raiçeviq, kryeredaktor dhe redaktorë përgjegjës të portaleve “Borba” dhe “IN4S”, siç dyshohet, kanë bërë vepër penale të shkaktimit të panikut në opinion me publikimin e lajme të rreme lidhur me ngjarjen në Vilen Gorica në Podgoricë pa bërë verifikimin paraprak të informatës. Ata kanë theksuar se nuk kanë dilemë që pas tërë kësaj, si dhe arrestimi i gazetares Angjella Gjikanoviq, qëndron qeveria e cila është e detyruar të plotësojë masat e përkohshme nga dy kapitujt kryesor të cilët trajtojnë lirinë e mediave. Policia në Podgoricë ka arrestuar mbrëmë gazetarët Drazhen Zhivkoviq dhe Gojko Raiçeviq për shkak të dyshimit se kanë bërë vepër penale të shkaktimit të panikut dhe të trazirave, kanë kumtuar nga Drejtoria e policisë. Pas marrjes në pyetje në Prokurorinë themelore të shtetit, kryeredaktori i portalit “IN4S”, Gojko Raiçeviq është lënë që të mbrohet nga liria. Në Prokurorin themelore të shtetit u dëgjua sot edhe redaktori i portalit “Borba”, Drazhen Zhivkoviq, i cili poashtu do të mbrohet në liri. Ata janë arrestuar për shkak të dyshimit se kanë bërë vepër penale të shkaktimit të panikut dhe të trazirave.

 

Intensiteti i bisedimeve më tepër varet nga ne dhe më pak nga BE

Profesoresha e Universitetit Donja Gorica (UDG), Nikoleta Gjukanoviq konsideron se procesi i asocimit në BE më tepër varet nga vetë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe nga intensiteti i reformave të cilat i realizojnë. “Kur flasim për shtetet e Ballkanit Perëndimorë dhe të rajonit duhet të jetë të vetëdijshëm për vetë faktin se bisedimet do të vazhdojnë me rrjedhën e caktuar dhe do të përfundojnë në momentin kur shtetet të jenë të gatshme”, ka theksuar Gjukanoviq në programin e mëngjesit të TVMZ. Kjo, siç ka theksuar ajo, është me rëndësi edhe për qytetarët që të kuptojnë se është me rëndësi që shtetet të anëtarësohen në BE atëherë kur ato të jenë të gatshme. “Ky proces është i gjatë dhe mendoj se nuk do të varet nga BE por më tepër nga shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Gjukanoviq. Ajo ka përkujtuar se momentalisht në BE diskutohet për nevojën e reformimit të procesit të zgjerimit dhe gjetjen e metodologjisë së re për bisedime. Në pyetjen se kush konteston më tepër procesin e asocimit në BE, Gjukanoviq ka theksuar se këtë e bëjmë ne vetë. Ajo ka shtuar se euro skepticizmi nuk është diçka që ekziston vetëm gjatë disa viteve të fundit. “Nuk mund të themi se bisedimet tona që janë zgjatur dhe ngadalësuar. Ato janë shprehje e krizës brenda BE, edhe pse mund të thuhet se në vitin e kaluar politika e zgjerimit ka qenë viktime e BREXIT- it”, ka konkluduar Gjukanoviq.

Millosheviq ushtrues i detyrës së drejtorit të APK

Këshilli i Agjencisë për Pengimin e Korrupsionit (APK), e ka zgjedhur sot Savo Millosheviq ushtrues të detyrës të drejtorit të këtij institucioni dhe ka nisë procedurën për zgjedhjen e drejtorit të ri. Millosheviq ka qenë deri tani ndihmës i drejtorit të APK-së. Drejtori i deri paradokohshëm Sreten Radonjiq është zgjedhur kah fundi i vitit të kaluar kryetar i Këshillit të Agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjen e lirë në informata. Konkursi për zgjedhjen e drejtorit të APK-së do të publikohet me 15 janar, transmeton portali “Vjesti”. Kryetari i Këshillit, Momçillo Radulloviq, ka theksuar se kushtet për këtë funksion janë shumë rigoroze dhe shpreson se ndonjë kandidatë do të ketë ambicie të mjaftueshme për tu paraqitur. Ai ka sqaruar se sipas ligjit këtë funksion ushtruesi i detyrës të drejtorit mund ta ushtrojë më së tepërmi 6 muaj.

 

Hapen 26.5 mijë vende të reja pune

Gjatë tri viteve të kaluara janë hapur 26.5 mijë vende të reja pune gjë që dukshëm i ka përmirësuar rrethanat sociale dhe ekonomike në tregun e punës, ka kumtuar Ministri për punë dhe çështje sociale, Kemall Purishiq. Ai ka theksuar se për herë të parë në ekonominë e Malit të Zi ka ndodhur rritja e të punësuarve mbi 200 mijë, kurse numri i të papunësuarve është më i vogël përreth 8.2 mijë. “Ministria gjatë tri viteve të kaluara ka punuar në ndryshimin e legjislacionit punues dhe në këtë mënyrë ka përmirësuar ambientin afaristë në Mal të Zi“, ka shtuar Purishiq. Sipas fjalëve të tij çdo gjë që është punuar gjatë tri viteve të kaluara dukshëm ka përmirësuar pozitën e qytetarëve dhe po këto aktivitete do ti vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm.

Presidenti i shtetit nuk mund të jetë anëtarë i partisë

Lëvizja qytetare URA ka paralajmëruar se do të kërkojë përkrahjen e të gjithë deputetëve për ndryshimet e dispozitës kushtetuese me të cilën nuk është paraparë që presidenti i Malit të Zi nuk mund të jetë edhe anëtarë i Partisë politike. URA kërkon që në nenin 97 të Kushtetutës të shtohet formulimi me të cilën presidenti i shtetit do të obligohej që pas marrjes së detyrës të jap dorëheqje në anëtarësimin partiak dhe për këtë të njoftojë parlamentin e Malit të Zi me rastin e dhënies së betimit. “E kemi shembullin më ilustrues se sa është i rëndësishëm ky formulim në nenin 97 që për fat të keq në vend të presidentit të gjithë qytetarëve të Malit të Zi ne kemi kryetarin partiak i cili është edhe president i shtetit”, thuhet në kumtesë.

 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të mos bëjë presion në lidhje me caktimin e mandatarit për postin e kryeministrit. Reagimi i Kurtit vjen katër ditë pasi që Thaçi i dërgoi një letër atij dhe Lëvizjes Vetëvendosje përmes së cilës kërkoi që të caktojnë mandatarin për kryeministrin e ardhshëm. "Kushtetuta e Kosovës nuk i njeh presidentit diskrecion e as rol aktiv në procesin e caktimit të mandatarit apo edhe të garantimit të një shumice parlamentare për zgjedhjen e qeverisë në kuvend. Ju lusim që të mos bëni vlerësime politike dhe presion përmes paragjykimit të procesit politik të formimit të qeverisë", thuhet në letrën e Kurtit drejtuar presidentit Thaçi. Kurti ka theksuar se LVV dhe LDK janë në fazën e finalizimit të marrëveshjes. Lëvizjes Vetëvendosje i mbetet të ndërmarrë nismën e radhës për takimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës në kuadër të negociatave për koalicionin e ardhshëm qeverisës. Një gjë të tillë e thonë zyrtarët e LDK-së, sipas të cilëve, është në duart e Vetëvendosjes të thërrasin takimin për vazhdimin e negociatave. Kanë kaluar më shumë se tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, por ende nuk është krijuar qeveria e re. Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe partia e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kanë arritur një marrëveshje për koalicion qeverisës. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Isa Mustafa, ka thënë se zgjidhjen për koalicionin qeverisës e jep Vetëvendosje dhe jo LDK-ja. “Zgjidhjen e japin ata, jo ne”, ka thënë Mustafa duke u larguar nga selia e LDK-së. Ambasadori amerikan në Prishtinë Filip Kosnett sot ka qëndruar në selinë qendrore të LDK-së, ku është takuar me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën si dhe figurat kryesore të kësaj partie. Tema e diskutimit në këtë takim ishte arritja e marrëveshjes së koalicionit mes LDK-së dhe VV-së. Në selinë e LDK-së sot është parë duke hyrë edhe ish-shefi i misionit të OSBE-së, William Walker. Ndërkombëtarët në vazhdimësi kanë bërë thirrje për krijim sa më të shpejtë të qeverisë dhe institucioneve të reja.

 

Eurokomesari i ri për vizitë zyrtare në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut

Eurokomisari i ri për fqinjësi dhe zgjerim Oliver Varhelyi më 15 dhe 16 janar do të qëndrojë për vizitë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo do të jetë vizita e tij e parë në Tiranë e Shkup pas marrjes së funksionit si eurokomisar. Pritet që Varhelyi të realizojë takime me përfaqësues qeveritarë, në të cilat me siguri do të bëhet fjalë për metodologjinë e re për zgjerim të propozuar nga Franca dhe për rrjedhën e reformave në vend, sidomos miratimin e ligjit për prokurori publike. Komisioni Evropian do të publikojë mini-raport për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në shkurt, ndërsa metodologjia e re, sipas paralajmërimeve, prite të miratohet në mars. Eurokomisari muajin e kaluar tha se negociatat aderuese me Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë në pranverë. Ai atëherë tha se BE-ja duhet ta përmirësojë gabimin e tetorit. Vendet-anëtare të BE-së nuk arritën marrëveshje për fillimin e bisedimeve me dy vendet, për shkak të kundërshtimit të Francës, e cila, kushtëzoi me metodologji të re të bisedimit. Komisioni Evropian duhet të dalë me propozim për metodologjinë e re deri në fund të janarit. Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, do të vizitojë edhe Tiranën. Sipas agjendës së publikuar në faqen e Komisionit Evropian, gjatë vizitës në Tiranë, Komisioneri evropian do të takohet me Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Parlamentin të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. Gjithashtu, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, do të takohet edhe me kryetarët e opozitës, teksa në vazhdim të agjendës së tij, ai do të vizitojë edhe zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

 

Pelosi do t'i dërgojë në Senat akuzat kundër Trumpit

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, e udhëhequr nga demokratët, do të vendosë nesër se kur do t'ia dorëzojë Senatit akuzat kundër presidentit Donald Trump, tha kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi. Duke folur për lajmet në ABC, Pelosi tha se do të zhvillohet një votim për kohën e dorëzimit të akuzave. Trump, republikan, akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit. Dhoma e Përfaqësuesve i ka ngritur akuzat formale kundër tij në muajin dhjetor, ndërsa gjykimi kalon tani në Senat. Nëse Senati e shpall fajtor - gjë që thuhet se ka pak gjasa pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët - Trump do të shkarkohej nga detyra. Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e nëntorit. Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas. Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare. Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.

Iran, shpërthejnë protesta të tjera antiqeveritare

Protesta antiqeveritare shpërthyen sërish mbrëmë në Iran duke shënuar të dytën ditë me radhë të demonstratave kundër ushtrisë, që fillimisht e pati mohuar se kishte gisht në rrëzimin e avionit ukrainas. "Ata gënjejnë se armiku ynë është Amerika, armiku ynë është këtu", thërriste një grup protestuesish përpara një universiteti në Teheran. Dje më herët autoritetet dislokuan në Teheran forcat speciale në pritje të protesta të reja pas atyre të së shtunës të zhvilluara në disa qytete pasi zyrtarë të lartë të vendit pranuan se një raketë iraniane kishte goditur gabimisht aeroplanin civil ukrainas, duke vrarë të 176 personat në bord. Forca të policisë të veshur me të zeza e me helmeta mbrojtëse, u vendosën në sheshin e njohur Azadi në jug të qytetit si dhe pranë disa pikave kryesore të Teheranit. Të shtunën u zhvilluan protesta në disa qytete iraniane. Protestuesit u shprehën të zemëruar pas lajmit se zyrtarët iranianë kishin gënjyer fillimisht mbi rolin e vendit në incidentin e së mërkurës.

 

Fuqitë evropiane ftojnë Iranin që të respektojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015

Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe i kanë bërë thirrje Iranit që te respektojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 në këmbim të heqjes së sanksioneve. Përmes një deklarate të përbashkët, kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri britanik, Boris Johnson, thanë: “Është jetike që Irani t’i kthehet respektimit të plotë të zotimeve të veta në këtë marrëveshje.” Irani tha javën e kaluar se nuk do t’i përmbahet më marrëveshjes me fuqitë botërore rreth kufizimeve për pasurimin e uraniumit. Nga kjo marrëveshje në vitin 2018 u tërhoqën edhe Shtetet e Bashkuara. Në deklaratën e fuqive evropiane thuhet se shqetësimet e përbashkëta duhet të trajtohen përmes diplomacisë, përfshirë aktivitetet destabilizuese të Iranit dhe programin bërthamor të republikës islamike. Sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper, tha se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për bisedime të hapura dhe pa kushte me Iranin.

 

Rivalët e Libisë pajtohen për armëpushimin e thirrur nga Rusia dhe Turqia

Forcat besnike ndaj gjeneralit Khalifa Haftar dhe qeverisë së Tripolit të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, thanë se kanë arritur një marrëveshje për armëpushim. Ushtria Kombëtare e Libisë tha se armëpushimi do të fllojë nga 12 janari. “Cdo shkelje do të ketë pasoja të rënda”, tha zëdhënësi i ushtrisë, Ahmed Mismari. Në një adresim të tyre, thuhet se “si përgjigje ndaj presidentit turk dhe presidentit rus për armëpushim, kryesuesi i Këshillit Presidencial shpall armëpushim”. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Libi ka mirëpritur armëpushimin dhe ka bërë thirrje ndaj të gjitha palëve për të bërë përpjekje për dialog. Forcat rebele, të udhëhequra nga gjenerali Khalifa Haftar, tash e sa muaj, janë në një ofensivë që synon marrjen e kontrollit të kryeqytetit Tripoli.

 

Edhe nesër mot i kthjellët

Sot në Mal të Zi ka mbajtur mot kryesisht i kthjellët. Frynë erë dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 13 u shënuan: në Budvë 16 gradë, Podgoricë e Ulqin 14, Herceg Novi 13, Nikshiq e Cetinë 10, Rozhaj 9, Plavë e Zhablak 6, Beranë, Kollashin e Bijello Pole 5, Plevle 2 dhe në Shavnik 1 gradë. Edhe për nesër parashihet të mbajë mot kryesisht me diell. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -7 deri në 7, kurse më e larta e ditës prej 4 deri në 16 gradë celsius.

 

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се