Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

06. 01. 2020. 16:59 >> 17:10

Ditari 06.01.2020

06.01.2020

Qeveria mban nën kontroll deficit dhe borxhin publik

Qeveria mban nën kontroll dy sfidat më të mëdha ekonomike- deficitin e buxhetit dhe borxhin publik, deklaroi Ministri i financave, Darko Radunoviq, duke shtuar se financat publike janë stabile dhe garantojnë se funksionimi i shtetit plotësisht është i qëndrueshëm. Ai në deklaratën e botuar në rrjetin Tuiter ka thënë se në vitin e kaluar kjo Ministri ka pas mjaft sfida, kurse dy ishin më të rëndësishme, deficiti buxhetor dhe borxhi publik. “Në këtë periudhë kemi arritur që ti përballojmë këto dy sfida. Deficiti i buxhetit në vitin 2016 ka qenë 5,6%, kurse vitin e kaluar do të përfundojmë me 2,9%. Këtë kriterium të Mastrihtit do ta plotësojmë”, deklaroi Radunoviq. Kur është në pyetje borxhi publik, siç theksoi ai, Mali i Zi do ta përfundojë vitin e kaluar me 79% të Bruto Prodhimtarisë së Brendshme (BPB), kurse duke llogaritur më shumë se 500 milion euro rezervë, borxhi publik do të jetë afro 69% të BPB, ka thënë Ministri Radunoviq.

Për ndërtimin e autostradës janë paguar rreth 650 milion euro

Në pjesën prioritare të autostradës Tivar- Bolare, deri tani kanë përfunduar rreth 85% të punëve të përgjithshme, kurse kryerësit kryesorë të punimeve, kompanisë CRBC i janë paguar 644,75 milion euro, prej të cilave në vitin e kaluar 105 milion, deklaroi sot Ministri i komunikacionit dhe detarisë, Osman Nurkoviq. Ai nuk deshti të prognozojë nëse pjesa e autostradës nga Smokovci deri në Mateshëvë do të përfundojë deri në fund të muajit shtatorë, që është edhe afati i ri për përfundimin e kësaj pjese. Nurkoviq tha se që nga fillimi i realizimit të kontratës, kompanisë CRBC, si kryes i punimeve, krahas 161,9 milion eurove të paguara si avans për punët kryesore, i janë paguar edhe 482,84 milion euro për sasinë e punëve reale të kryera në teren, me punët e kryera e të përfunduara deri në muajin nëntor të vitit të kaluar. Nga kompania CRBC thonë se do të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme që pjesa e parë e autostradës, Smokovac- Mateshevë, të përfundojë në afatin e definuar, deri në fund të muajit shtator.

Rritje e ekonomisë malazeze

Ekonomia malazeze, në vitin 2019, ka shënuar rritje e cila, sipas vlerësimeve të kryetarit të Odës ekonomike, Vllastimir Golluboviq, do të jetë 4%. Ai, për televizionin e Malit të të Zi ka deklaruar se ekonomia informale ka qenë pengesa më  e madhe për zhvillimin e biznesit kurse në periudhën e ardhshme, energjetika është shansi më i madh që do ti kontribuojë zhvillimit ekonomik. “Vazhdimin e zhvillimit dinamik të ekonomisë e vërteton rritja prej 3.7%, në nëntë muajt e parë të vitit”,ka theksuar Golluboviq. Ai, po ashtu, parashikon se rritja ekonomike për vitin 2019, do të arrijë në 4%, falë rritjes së investimeve nga jashtë si dhe rezultateve të arritura në sektorin e turizmit, ndërtimtarisë, tregtisë, komunikacionit dhe bujqësisë. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore do të kontribuojë në bashkëpunimin rajonal dhe në veçanti, në bashkëpunimin ndërkombëtar, ka pohuar Golluboviq.

 

Nivel i ulët i standardit të qytetarëve për shkak të ardhurave të vogla

Në vitin e kaluar është shënuar nivel i ultë i standardit të qytetarëve për shkak të të ardhurave shumë të vogla, deklaroi Sekretari i përgjithshëm i Unionit të Sindikatave të Lira të Malit të Zi, Sërgja Kekoviq, duke shtuar se sfida kryesore në këtë vit do të jetë Kontrata e re kolektive dhe implementimi i Ligjit për punë. Ai tha se viti i kaluar, nga aspekti i të drejtave të punëtorëve, nuk ka pas ndonjë ndryshim spektakular. “Sinqerisht, as nuk kemi pritur ndonjë ndryshim duke pasur parasysh se Ligji i ri për punë i cili është dashtë të miratohet në fillim të vitit të kaluar, është mbajtur shumë në Bruksel në Komisionin Evropian”, tha Kekoviq për agjencinë Mina- business. Ai tha se rroga minimale në Mal të Zi është më e ulëta në Europë dhe rajon, edhe pse në gjysmën e vitit të kaluar është rrit prej 193 në 222 euro. Ai konsideron se rroga mesatare në Mal të Zi vazhdon të jetë e padenjë që ti mbulojë obligimet për një familje katër anëtarësh.

Gjukanoviq e ka ftesën e hapur të vijë në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq deklaroi se nuk e di se si do të përfundojë situata në Mal të Zi, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për lirinë e besimit. Ai thotë se shpreson në paqe dhe tha se është i gatshëm të bisedojë me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kur të jetë ai i gatshëm për këtë. “E ka ftesën e hapur që të vijë në Serbi”, tha Vuçiq. Ai paralajmëroi se Serbia do të tentoj që të ndërtojë marrëdhënie të mira me Malin e Zi, por nuk ka dyshim se ata do të tërheqin vërejtjen në vështirësitë dhe problemet me të cilat ballafaqohet populli serb. Vuçiq theksoi se pushteti malazez situatën dhe Ligjin e trajtojnë si çështje ekskluzive të brendshme.

Deklarata e Daçiqit fashiste, të jap dorëheqje apo të shkarkohet

Drejtoria ekzekutive e Organizatës Joqeveritare, “Aksioni për të drejtat e njeriut” (HRA), Tea Gorjanc- Preleviq, deklaratën e Ministrit të punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq e ka quajtur fashiste, pas të cilës “do të duhej të jap vetë dorëheqje apo të shkarkohet”. Daçiq më parë i ka ftuar malazezët që jetojnë në Serbi të deklarohen lidhur me Ligjin për lirinë e besimit, sepse siç ka theksuar, “ai që gjithçka ka dhe fituar në Serbi, e ka obligim të mos heshtë për këtë çështje, kurse vihet në pyetje nëse ata të cilët e përkrahin pushtetin në Mal të Zi duhet ta kenë shtetësinë serbe”.     

 

“Iluzion se KOS do ta shemb Malin e Zi”

Mali i Zi nga kontesti me Kishën Ortodokse Serbe, për shkak të Ligjit për lirinë dhe bindjeve fetare dhe pozitës juridike të bashkësive fetare, do të dalë si fitues, deklaroi për gazetën “Pobjeda”, Mitropoliti i Kishës Ortodokse Malazeze, Mihaillo, duke shtuar se shteti e mbron të vërtetën historike, traditën, popullin e vet, qytetarët, Kishën historike Autoqefale Malazeze, por edhe vetveten. Mali i Zi, thekson Mitropoliti Mihaillo, si edhe shekuj më parë do të dalë fituese në mbrojtjen e vet të drejtë, me çgjë mbron lirinë e vet dhe mbijetesën e kërcënuar. “Presim se Ligji për lirinë e besimit do të sjellë zgjidhjen e drejtë përfundimtare të çështjes për Kishën Ortodokse Malazeze”, tha Mihaillo. Ai paralajmëroi se Kisha Ortodokse Malazeze së shpejti do të hap shkollën e mesme fetare në Cetinë.

Sot besimtarët ortodoks festojnë Ditën e Buzmit, kurse sonte Natën e Krishtlindjeve

Mitropolia malazeze e Kishës Ortodokse Serbe dhe Kisha Ortodokse Malazeze kanë organizuar sot ndezjen tradicionale të buzmit në Cetinë, Kisha malazeze para Pallatit të mbretit Nikollë, kurse ajo Serbe para Manastirit të Cetinës. Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe, Amfillohije në mesazhin me rastin e Kërshëndellave rekomandoi se zgjimi i lutjeve dhe kishës është stolia më e bukur e buzmit të kërshëndellave dhe tempull i Malit të Zi të sotëm. Mitropoliti i Kishës Ortodokse Malazeze, Mihaillo në mesazhin e tij për Kërshëndella i ka porositur malazezët ti afrohen fesë me të vërtetën dhe dashurinë, me lindjen e Jezu Krishtit, dhe t'ia rrëfejnë mëkatet e veta perëndisë, kurse, siç ka theksuar, mohuesit e vlerave malazeze janë larg nga e vërteta, drejtësia dhe dashuria, të cilat i rrëfen Krishti.

Përndryshe, besimtarët ortodoks, kremtojnë sot Ditën e Buzmit, e që paralajmëron festën më të gëzueshme të krishterë- lindjen e Jezusit , të njohur si Krishtlindja.  Tradicionalisht, buzmi ndizet në prag të festës dhe me ndezjen e tij paralajmërohet lajmi i gëzueshëm për lindjen e birit të Zotit, Jezu Krishtit.  Besimtarët ortodoks në Mal të Zi, ditën e Buzmit, siç thamë e shënuan ndaras, respektivisht në vende të ndryshme, Kisha Ortodokse Malazeze si dhe Mitropolia Malazeze e Kishës Ortodokse Serbe. Manifestimet qendrore u mbajtën në Cetinë si dhe para tempujve kishtar në Podgoricë dhe qytete tjera.

 

Urimet me rastin e Kërshëndellave të gjithë besimtarëve ortodoks

Me rastin e  kësaj feste, besimtarët i kanë përgëzuar prijësit fetar në Mal të Zi, si dhe autoritete të larta shtetërore, politike e partiake. Kryetari i Kuvendit, Ivan Brajoviq u ka uruar Kërshëndellat, klerit dhe të gjithë besimtarëve ortodoks, të cilët këtë festë e kremtojnë sipas kalendarit Julian, me dëshirë që ta kalojnë në shëndet të mirë, gëzim personal dhe familjar. Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq me rastin e kësaj festë të madhe ortodokse ka thënë se vlerat universale të njerëzimit, bashkëjetesa, dashuria njerëzore dhe solidariteti, të përmbajtura në mësimet e krishtera, bazohen në themelet e shtetit modern të Malit të Zi, thuhet mes tjerash në urimin e presidentit Gjukanoviq me rastin e Kërshëndellave ortodokse. Edhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq ka thënë se shoqërisë malazeze tani i nevojitet uniteti qenies së përçarë ortodokse. Me rastin e kësaj feste, edhe ministri për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, Mehmet Zenka ka uruar klerin dhe besimtarët ortodoks me rastin e Krishtlindjeve. Klerin dhe besimtarët ortodoks me rastin e kësaj feste i kanë uruar edhe pothujase të gjithë liderët e partive politike parlamentare dhe personalitete tjera të jetës politike dhe shoqërore në vend. Edhe redaksia jonë të gjithë pjesëtarëve të besimit ortodoks, uron gëzuar e për shumë mot festën e krishtlindjes ortodokse.

 

Prej Kërshëndellave, tubimet protestuese të enjteve dhe të dielave

Mitropolia malazeze e Kishës Ortodokse Serbe, pas Kërshëndellave do të organizojë tubime protestuese dy herë në javë, të enjteve dhe të dielave, është kumtuar nga Këshilli i Episkopëve të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Siç theksohet, tubimet protestuese do të organizohen në kohën në të cilën janë organizuar edhe deri tani, pas shërbimit dhe lutjeve të natës në kishat vendore. “Pasi që, dashtë zoti, të përfundojë kremtimi treditorë i Lindjes së Jezu Krishtit, dhe në ditët në vazhdim, Kisha do të organizojë tubime protestuese, të qeta, me lutje dhe pa dhunë, dy herë në javë, të enjteve dhe të dielave në mbrëmje”, thuhet në kumtesën e Këshillit të Episkopëve të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Siç theksohet, përmbajtjet e mesazheve të protestave dhe udhën e lutjeve do ta përcaktojnë populli dhe kleri vendorë, me bekimin e arhijerëve të Episkopëve.

 

Të gjitha tubimet e deritashme, në pajtim me Ligjin- Tubime paqësore, thonë nga Drejtoria e Policisë

Udhëheqësit e Drejtorisë së Policisë, në kolegjiumin e mbajtur dje, të kryesuar nga Drejtori i Drejtorisë së Policisë, ka shqyrtuar situatën e sigurisë në vend  në kontekstin e tubimeve të organizuara publike me rastin e miratimit të Ligjit për lirinë e besimeve dhe pozitën juridike të bashkësive fetare.

Edhe krahas numrit të madh të dezinformatave, lajmeve të rrejshme si dhe paralajmërimeve haptas të incidenteve, kolegjiumi ka konstatuar se të gjitha këto ngjarje janë duke u zhvilluar sipas rregullit dhe në pajtim me ligjin, thuhet në kumtesë. Siç theksohet, Drejtoria e policisë, falënderon qytetarët për tubime paqësore me të cilat vërtetojnë se Mali i Zi është shtet në të cilin mund të shprehen lirisht mendimet e ndryshme. 

 

“FOS Media”, përhap dezinformata, redaktorja Gjikanoviq në paraburgim

Kryeredaktorja përgjegjëse e Portalit “FOS media”, Angjella Gjikanoviq, e dyshuar se ka shkaktuar frikë dhe panik, është marr në pyetje nga Prokuroria themelore e shtetit në Podgoricë, dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 72 orësh. Avokati i saj, Millosh Vuksanoviq, ka deklaruar se Gjikanoviq, gjatë marrjes në pyetje ka mohuar fajësinë dhe ka paralajmëruar ankesën ndaj prokurorisë themelore.  Ajo, siç kanë thënë më parë nga drejtoria e policisë, si kryeredaktore përgjegjëse e portalit “FOS media”, por edhe si autore e tekstit i cili dje është publikuar në këtë portal, nën titullin : “FOS zbulon; pjesëtarët e ROSU në dispozicion në Ditën e buzmit në Mal të Zi”, dhe  në të cilin është theksuar se “rreth 250 pjesëtarë të ROSU- njësisë speciale të policisë së Kosovës, do të jenë në dispozicion të forcave të sigurisë së Malit të Zi në ditën e tubimit të paraparë në Podgoricë”.  Nga Drejtoria e policisë kanë pohuar se të gjitha të thënat në tekst janë absolutisht të pavërteta duke shtuar se kjo është edhe një tentativë e përhapjes së dezinformatave, i cili ka për qëllim pikërisht, përhapjen e panikut dhe të frikës kurse, pasojat më të rënda janë ndalur me reagimin e organeve kompetente shtetërore. Përndryshe, Shoqata e gazetarëve profesionist të Malit të Zi pret nga Gjyqi themelorë në Podgoricë që sa më parë të vendosë për ankesën e avokatit të gazetares Angjella Gjikanoviq dhe, siç thonë ata, të merren parasysh faktet se nuk ka pas pasoja nga teksti i botuar apo kryerje të veprës penale.

Përkushtim ndaj Europës, inkurajim për Malin e Zi

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq i dërgoi urim Zoran Millanoviq, pas fitores në zgjedhjet e djeshme presidenciale në Kroaci. Gjukanoviq në urim thotë se është i bindur se fitorja e madhe e Millanoviq “do të shënojë filli të ri të periudhës prosperuese të shtetit dhe shoqërisë kroate, në pajtim me besueshmërinë e treguar të qytetarëve që ju dhanë, e kjo në kohën kur vendi juaj për herë të parë e kryeson Unionin Europian”. Mesazhet tuaja pas fitores paraqesin inkurajim si për Malin e Zi, si lider në procesin bashkëbisedues me UE, edhe për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimorë, që të vazhdojmë me reforma, thotë Gjukanoviq, duke shtuar se e gëzon takimi me Millanoviq në vazhdimin e “bashkëpunimit të suksesshëm të malit të Zi dhe Kroacisë, në të mirën e shteteve dhe qytetarëve tanë, si edhe rajonit në përgjithësi”, thuhet mes tjerash në urimin e presidentit Gjukanoviq, dërguar presidentit të ri të Kroacisë, Zoran Millanoviq. Presidenti i Serbisë deklaroi sot se “si njeri i sjellshëm” do ti dërgojë urim Zoran Millanoviq, atëherë kur të shpallen rezultatet zyrtare të zgjedhjeve presidenciale në Kroaci, dhe se këtij vendi i dëshiron të gjitha të mirat, por Serbisë “dyfish më të madh” të zhvillimit.

Zoran Millanoviq fiton zgjedhjet presidenciale në Kroaci

Ish-kryeministri Zoran Millanoviq ka fituar zgjedhjet presidenciale në Kroaci, në garën me rivalen e tij njëherësh presidenten aktuale, Kolinda Grabar- Kitaroviq. Pas numërimit të 99 për qind të votave, del se Millanoviq, ka fituar 53 përqind të votave në zgjedhjet e djeshme. Grabar- Kitaroviq, në anën tjetër, kandidate e partisë në pushtet, Unioni Demokratik Kroat- HDZ, ka fituar 47 për qind të votave. Posti i presidentit konsiderohet ceremonial në Kroaci, mirëpo ekspertët besojnë se humbja e Grabar- Kitaroviqit mund të shkaktojë probleme për kryeministrin e partisë HDZ, Andrej Plenkoviq, në zgjedhjet e përgjithshme. Partia, HDZ ka udhëhqur Kroacinë në pjesën më të madhe të kohës, prej kur ky shtet ka fituar pavarësinë më 1991. Grabar- Kitaroviq është renditur e dyta në garën fillestare më 11 kandidatë, që është mbajtur më 22 dhjetor. Millanoviq dhe Grabar- Kitaroviq më pas kanë vazhduar garën në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Thaçi takoi Kurtin për caktimin e mandatarit për kryeministër

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi priti në takim liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me të cilin diskutoi për çështjen e caktimit të mandatarit për formimin e qeverisë së re. Thaçi, pas takimin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se nevoja e formimit të Qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, por Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeministër. Si presidenti i vendit, Thaçi ka thënë se ka vendosur që t’i ofrojë Kurtit kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marrë veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore. Presidenti kosovar i kishte dërguar Kurti tri kërkesa për takim, por që të gjitha ishin refuzuar nga fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit. Para takimit Thaçi- Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mbajti mbledhjen e Kryesisë dhe të grupit parlamentar. Kurti, tha se në takimin me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, është duke shkuar pa një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.  Formimi i qeverisë së re duhet ta ketë përkrahjen me vota të shumicës së thjeshtë të Kuvendit të Kosovës ose të 61 deputetëve. Kujtojmë se më 26 dhjetor 2019 është konstituuar Kuvendi i Kosovës, ku Glauk Konjufca është zgjedhur kryeparlamentar, por pa marrëveshje me LDK-në edhe pse deputetët e kësaj partie e kanë votuar pro Konjufcës. Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja që nga zgjedhjet e 6 tetorit janë duke negociuar për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje, por pa ndonjë rezultat konkret.

Turqia nis vendosjen e trupave në Libi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se trupat turke kanë nisur të vendosen në Libi, pasi Parlamenti Turk e miratoi një veprim të tillë javën e kaluar. Erdogan tha se mision i tyre do të jetë sigurimi i stabilitetit për Qeverinë në Tripoli, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara. Kjo qeveri po lufton një kryengritje të forcave rebele, të udhëhequra nga gjenerali Khalifa Haftar, me bazë në lindje të Libisë. Haftar mbështetet nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Qeveria në Tripoli e ka mbështetjen e Turqisë dhe të aleates së saj, Katarit. Forcat rebele po bëjnë përpjekje të marrin kontrollin e Tripolit. Ato janë fajësuar për një sulm ajror, të shtunën në një akademi ushtarake, ku kanë mbetur të vrarë së paku 30 njerëz. Megjithatë, rebelët e kanë mohuar përfshirjen. Qeveria e Turqisë nuk ka dhënë detaje për numrin e ushtarëve të dërguar në Libi. Ai theksoi se synim i Turqisë nuk është të luftojë, por "të mbështesë qeverinë legjitime dhe të shmangë tragjedinë humanitare". Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e kanë kundërshtuar ndërhyrjen e Turqisë në Libi. Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, i ka thënë Erdoganit në një bisedë telefonike se "ndërhyrja e huaj e komplikon situatën në Libi". Erdogan ka thënë se Qeveria e Libisë ka kërkuar ndihmë ushtarake.

Presidenti Trump paralajmëron Iranin

Turma masive u mblodhën sot në Teheran për të nderuar gjeneralin e lartë Qassem Soleimani, ndërsa personi që do ta zëvendësojë atë premtoi se do të hakmerrej për goditjen ajrore që shkaktoi vdekjen e tij dhe Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se do të godiste objektet kulurore iraniane, nëse Irani hakmerret. Sipas konventave të Gjenevës që përcaktojnë kufizimet ligjore për luftë, sulmi ndaj objekteve kulturore të një vendi tjetër është një krim lufte. Por Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili nuk e kritikoi komentin në Twitter të Presidentit Trump tha për ABC-në se "SHBA do të veprojmë sipas ligjit e brenda sistemit. Çdo objektiv që godasim do të jetë një objektiv i ligjshëm dhe veprimet do të hartohet me një mision të vetëm, atë të mbrojtjes së popullit Amerikan". Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha në një letër për kolegët e saj demokratë se Dhoma do të votojë këtë javë për një rezolutë për kompetencat e luftës “për të kufizuar veprimet ushtarake të Presidentit lidhur me Iranin”. Ajo e quajti goditjen ajrore të javës së kaluar “provokuese dhe disproporcionale” dhe tha se vinte në rrezik trupat amerikane dhe përshkallëzonte tensionet me Iranin. Udhëheqësi suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei ka berë të ditur se "hakmarrja e Teheranit do të jetë e ashpër”. Këshilltari i tij i lartë ushtarak, gjeneral brigade Hossein Dehghan tha për rrjetin CNN se "me siguri përgjigja do të jetë ushtarake dhe kundër objekteve ushtarake". Irani po mban tri ditë zie para varrimit të nesërm të Soleimanit.

Johnson, Macron, Merkel, thirrje për të zbutur tensionet

Kryeministri britanik Boris Johnson dhe homologët e tij francezë dhe gjermanë, Emmanuel Macron dhe Angela Merkel, bënë sot thirrje që të gjitha palët të punojnë me urgjencë për një zbutje të tensioneve në Gjirin Persik. Në një deklaratë, tre udhëheqësit dënuan sulmet e fundit kundër forcave të koalicionit në Irak dhe shprehën shqetësim të thellë për rolin "negativ" që Irani ka luajtur në rajon. Deklarata bën thirrje që të gjitha palët të tregojnë përmbajtje dhe përgjegjshmëri maksimale. Në deklaratë i bëhet gjithashtu thirrje Iranit të frenohet nga veprime të tjera të dhunshme ose nga zhvillimi i armëve, duke i kërkuar të heqë dorë nga masat që nuk përputhen me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

 

Shiu shuan disa zjarre në Australi, ndonëse temperaturat pritet të rriten sërish

Shiu që ka rënë në zonat kritike të prekura nga zjarri në Australi, kanë ndikuar me ulje të temperaturave, mirëpo zyrtarët kanë paralajmëruar se moti i nxehtë do të kthehet sërish. Shiu është raportuar të ketë qetësuar situatën në Sidnej, Melbërn dhe në disa pjesë të Uellsit të Ri Jugor, ndonëse zyrtarët kanë raportuar se temperaturat do të rriten të enjten. “Nuk ka hapësirë për vetëkënaqësi”, ka thënë kryetarja e Uellsit të Ri Jugor, Gladys Berejiklian sot në mëngjes. “Ky mëngjes ka të bëjë me shërbim dhe me të siguruarit se njerëzit që janë zhvendosur, tani janë të sigurt”, ka shtuar mes tjerash ajo. Galeria Kombëtare e Australisë në Kanberra është mbyllur të hënën për të “anashkaluar ndonjë rrezik për publikun, stafin dhe artin e prezantuar”. Universiteti Kombëtar i Australisë po ashtu është raportuar të jetë mbyllur. Australia është duke u përballur me zjarret më të këqija, për shkak të temperaturave të larta dhe thatësisë së madhe. Ky vend tradicionalisht ka luftuar zjarret, mirëpo kësaj here ato janë konsideruar të jashtëzakonshme. Në fundjavë, kryeministri australian, Scott Morrison ka paralajmëruar se kriza me zjarre mund të vazhdojë disa muaj. Të paktën 24 persona kanë vdekur prej kur kanë nisur zjarret e para në muajin shtator. Cilësia e ajrit në kryeqytetin Kanberra është renditur së fundmi në vendin e fundit të listës së vendeve me ajër të ndotur në botë.

Edhe nesër mot pa ndryshime

Në Mal të Zi sot ka mbajtur mot kryesisht me diell. Në viset veriore, me vranësira të ndryshueshme, kurse në viset e larta malore edhe me reshje të borës. Fryn erë e mesme deri e fortë nga drejtimet e veriut. Temperaturat e shënuara në orën 14 ishin: në Herceg Novi, Ulqin e Budvë 9 gradë, Tivar 8, Podgoricë 7, Cetinë 3, Nikshiq 0, Beranë -1, Bijello Pole e Plevle -2, Rozhajë -3, Kollashin -4 dhe në Zhablak -7 gradë.

Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot pa ndryshime, të kthjellët dhe me diell. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimet e veriut. Temperatura e mëngjesit prej -16 deri në 3, kurse më e larta e ditës prej -3 deri në 13 gradë celsius.

  

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се