Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

25. 09. 2013. 17:03   >>  17:28

LAJMET 25.09.2013

25.09.2013

Zhvillim, pastaj vende të reja të punës

Vizioni i zhvillimit të ardhshëm në Mal të Zi nënkupton partneritet me institucione shkencore dhe sektorin afarist, kurse lidhja e arsimit dhe tregut të punës janë orientimet për hapjen e vendeve të reja të punës, vlerësoi kryeministri Gjukanoviq.

Gjukanoviq në Nju Jork në forumin e lartë për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritjen e punësimit tha se interesi parësor i gjitha vendeve dhe qeverive, pa marrë parasysh madhësinë është krijimi i kushteve për rritjen e punësimit dhe hapjen e vendeve të reja të punës dhe në këtu duhet bazuar angazhimet e ardhshme me qëllim të çrrënjosjes së varfërisë ekstreme. Të vetëdijshëm jemi se nuk ka vende të reja të punës pa rritje ekonomike. Por, po ashtu nuk do të ketë rritje afatgjate në qoftë se kjo rritje nuk është e qëndrueshme, deklaroi Gjukanoviq i cili udhëheq delegacionin e Malit të Zi në kuvendin vjetor të Kombeve të Bashkuara.

     

Ti kthehet sovraniteti qytetarit

Ligji për  zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve i kufizon të drejtën zgjedhore të garantuar me kushtetutë  dhe kjo e drejtë transferohet në partitë politike,koalicione apo grupe qytetarësh , vlerësoi gjyqtari i Gjyqit kushtetues Miodrag Llatkoviq. Ai tha se qytetarët në zgjedhje nuk votojnë për shtetasin e Malit të Zi duke rrethuar  emrin dhe mbiemrin e tij në listën zgjedhore  por votojnë numrin rendor të listës zgjedhore respektivisht  listës partiake apo të koalicionit , dhe në këtë mënyrë , siç konsideron ai, shtetasit të Malit të Zi i pamundësohet që ta realizoj të drejtën e tij aktive të mbrojtur me ligj sepse nuk i lejohet që në zgjedhje të votojë drejtë për drejtë për deputetin apo këshilltarin por për Partinë Politike , koalicionin apo grupin e qytetarëve.

 

Mali i Zi ka bëre hap përpara

Mali i Zi me miratimin e ligjeve të reja nga lëmi i legjislaturës ka bërë edhe një hap përpara në drejtim të hapjes së kapitujve 23 dhe 24, ka vlerësuar shefi i delegacionit të UE në Podgoricë, Mitja Drobniç. Kuvendi i Malit të Zi dje ka miratuar me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të deputetëve pakon e ligjeve nga lëmi i legjislaturës dhe prokurorisë, të cilat janë të harmonizuara me Kushtetutë.

Drobniç ka thënë se vetë ndryshimi i Kushtetutës ishte arritje e madhe dhe tregues së në skenën politike malazeze ekziston unitet kur është fjala për çështje të rëndësishme për integrimin në UE dhe ka shtuar se harmonizimi i ligjeve është edhe një hap përpara.

 

Shteti maksimalisht do ta ndihmojë manifestimin fetar

Shteti është i gatshëm, që në kuadër të aktiviteteve të veta, maksimalisht të ndihmojë në shënimin e 17 shekujve të ediktit të Milanos dhe bekimin e tempullit të Ringjalljes së Krishtit në Podgoricë, u kumtua nga Këshilli i Nderit të cilin me këtë rast e formoi Qeveria e Malit të Zi. Sot në Podgoricë u mbajt mbledhja e këtij këshilli në të cilin mitropoliti Amfillohie i njoftoi anëtarët e Këshillit për aktivitetet e kësaj Mitropolie me rastin e shënimit të 1700 vjetëve të Ediktit të Milanos dhe bekimit të tempullit në Podgoricë.

Në Këshillin e Nderit përveç presidentit të shtetit Filip Vujanoviq janë edhe nënkryetari i qeverisë  e ministri për integrimet evropiane Igor Llukshiq, ministri për të drejtat e pakicave Suad Numanoviq, ministri i shëndetësisë Miodrag Radunoviq dhe kryetari i qytetit të Podgoricës Miodrag Mugosha. Bekimi i tempullit të Ringjalljes së Krishtit në Podgoricë, ndërtimi i të cilit filloi para 20 viteve do të mbahet me 7 tetor në ora 20.

 

Të interesuar për forcimin e bashkëpunimit ekonomik

Mali i Zi dhe Turqia kanë hapësirë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe afaristë, ndërsa afaristët nga Turqia janë të interesuar për investime në turizëm, energji dhe industrinë e ushqimit, u kumtua sot në Forumin e Afaristëve të këtyre dy vendeve që u mbajt në Oden Ekonomike të Malit të Zi. Nënkryetari i Odes Ekonomike të Malit të Zi, Ivan Saveliq tha se lidhjet ekonomike të dy vendeve duhet të forcohen për ç’gjë ka hapësirë të mjaftueshme. “Për 7 muajt e kaluar Mali i Zi dhe Turqia kanë shkëmbyer mall me vlerë prej 24,2 milion euro. Eksporti në këtë vend ka qenë 2,6 për qind nga eksporti i përgjithshëm malazez ndërsa importi  1,8 për qind”, tha Saveliq.

 

Mali i Zi ruajti përparësitë e tërheqjes së investimeve

Mali i Zi edhe krahas krizës së thellë ekonomike ka arritur që të ruaj përparësitë komparative për tërheqjen e investimeve, krahasuar me vendet e rajonit, vlerësoi ndihmës ministri i ekonomisë Miodrag Çanoviq. Ai në hapjen e panaireve në Budvë, tha se Mali i Zi si anëtar i Organizatës Botërore të Tregtisë dhe kandidatë për anëtarësim në UE, është pjesëmarrës gjithnjë e më i suksesshëm në tregun global dhe destinim gjithnjë më atraktiv për investime dhe zhvillimin e biznesit. “Panairi i Adriatikut gjithsesi kontribuon në avancimin e marrëdhënieve ekonomike të Malit të Zi me vendet tjera pjesëmarrëse në këto panaire, para së gjithash në ndërtimtari, teknologjinë sanitare, biznesin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si dhe në fushën e energjetikës” tha Çanoviq.

 

Ekonomia në rënie 2,5 %

Shkalla e bruto prodhimit vendor në vitin 2012, ka shënuar rënie prej 2.5 për qind, tregojnë të dhënat preliminare të MONSTAT-it. Bruto prodhimi vendor, Mali i Zi për vitin 2012  ishte 3.1 milionë euro, derisa në vitin 2011 ishte 3.2 milionë euro, thuhet në njoftimin e MONSTAT-it.

Bruto prodhimi vendor për kokë banori në vitin 2012 ishte 5 mijë e 63 euro, derisa në vitin 2011, 5 mijë e 211 euro. Në anën tjetër, të dhënat e MONSTAT-it tregojnë se bruto prodhimi vendor në çerekun e dytë të këtij viti është 773 milionë dhe ka shënuar rritje prej 3.4 për qind në raport me vitin e kaluar. Në rritjen në këtë çerek më së shumti ka ndikuar rritja e prodhimit të energjisë elektrike, thuhet në kumtesën e MONSTAT-it.

                                                                                   

Mbyllet ALBONA, 460 punëtorë mbetet pa punë

Drejtoria tatimore ka mbyllur dje 38 shitore të rrjetit tregtar Albona në Mal të Zi, për shkak të borxhit tatimor prej 1.4 milionë euro. Si pasojë e këtij vendimi mbesin pa punë 460 të punësuar.

Nga kjo kompani është kumtuar se dje një grup i punëtorëve nga depoja qendrore dhe një pjesë e shitoreve në Podgoricë kanë filluar grevën para kësaj ndërmarrje, njofton gazeta Vijesti. Kërkesa e punëtorëve është pagesa e borxheve prej pesë rrogave, pastaj rregullimi i stazhit të punës dhe kontributeve për periudhën prej 1 janarit të vitit 2011 deri më 1 shtator të këtij viti, si dhe kushte normale për punë. Sa i përket rrogave të prapambetura shuma e plotë neto të cilën punëtorët e kërkojnë nga Albona kap shumën prej 535 mijë euro.

                                                                                       

Prishtina e Beogradi vazhdojnë dialogun teknik

Nën kryesimin e zëvendëskryeministres së Kosovës, Edita Tahiri, sot dhe nesër në Bruksel do të mbahen takimet e grupeve punuese në kuadër të dialogut për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Temë e diskutimeve në këto takime do të jetë, procesi i integrimit të komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës, në fushën e Sigurisë dhe të Drejtësisë, konform marrëveshjes për normalizim dhe planit për zbatimin e kësaj marrëveshje.

                                                                                                                                                

Po përgatitet terreni për Traktatin e Paqes

Prishtina zyrtare pretendon të jetë afruar koha kur në Bruksel do të vihet në rend ditë edhe çështja e arritjes së Traktatit të Paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dialogu teknik është shpallur i mbyllur, ndërsa ai politik ka mbetur t’i japë zgjidhje edhe një numri të vogël temash, shkruan “Koha ditore”.Zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë se të dyja vendet janë duke punuar në këtë drejtim. Beogradi zyrtar ka deklaruar më herët të mos jetë i gatshëm t’i hyjë negociatave për Traktatin. Por Kuçi ka shprehur bindjen se koha kur do të demantohet fqinji verior në këtë pikë, nuk do të jetë e largët. Ai ka thënë të jetë duke u punuar me publikun. Bindja e tij është se masa tanuk nuk reagon sikur në fillim të procesit dialogues. Prandaj, nuk pret që në Serbi të ketë rezistencë, sikur kishte deklaruar më herët për Traktatin e Paqes.

 

Trupi i pjesëtarit të EULEX-it kthehet në Lituani

Trupi i pajetë i pjesëtarit lituanez të EULEX-it, i cili është vrarë javën e kaluar në rajonin e Zveçanit, do të dërgohet sot për në atdhe. Misioni evropian për sundim të ligjit ka njoftuar përmes një komunikate për media se “mbetjet mortore të Audrius Shenaviçius do të kthehen në Lituani me një aeroplan ushtarak”.

Në ceremoninë e lamtumirës, e cila do të mbahet në Aeroportin e Prishtinës, do të mbajnë fjalime presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, shefi i misionit të EULEX-it, Bernd Borchardt, si dhe zyrtarë të Lituanisë.

 

Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje historike

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, gjatë vizitës në Federatën PanShqiptare “Vatra”, ka vlerësuar se ky vit ka shënuar ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nishani ka theksuar se gjatë këtij viti “Kosova dhe Serbia zhvilluan bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe arritën një marrëveshje historike”.

“Udhëheqësit e të dy vendeve janë takuar e kanë biseduar duke dëshmuar se rajoni ynë i ka lënë prapa njëherë e përgjithmonë mendësitë e së kaluarës së hidhur duke e hedhur vështrimin tërësisht drejt integrimit të merituar në gjirin e familjes së madhe evropiane”, tha Nishani. “Në këtë kuadër, Presidenti Nishani nënvizoi se Kosova, e cila ka kaluar numrin 100 të njohjeve, është bërë pjesë e nismave të rëndësishme rajonale dhe më gjerë dhe po konsolidon bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, nëpërmjet përgatitjes së Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe zbatimit të kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave”, thuhet në njoftimin e publikuar sot në faqen zyrtare të Presidencës së Shqipërisë.

 

Bushati së shpejti viziton Beogradin

Shefi i diplomacisë serbe Ivan Mërkiq ka deklaruar pas takimit me homologun e tij shqiptar Ditmir Bushati, se janë marrë vesh që ai së shpejti të vizitojë Beogradin, duke vlerësuar se dy vendet duhet të punojnë në mënyrë pragmatike për zhvillimin e marrëdhënieve, meqë të dyja si qëllim kanë hyrjen në Bashkimin Evropian.

Pas takimit me Bushatin në margjinat e sesionit të rregullt të Asamblesë së Përgjithshme të KB, Mërkiq i ka deklaruar agjencisë serbe “Tanjug”, se takimet e tilla ofrojnë rastin unik që të diskutohet me shumë zyrtarë të huaj. “Me kolegun shqiptar kam kaluar nëpër rendin e ditës së marrëdhënieve të dy vendeve dhe jemi marrë vesh që ai të vijë në Beograd, me synimin që në zhvillimin e marrëdhënieve në plan të pare të jetë qasja pragmatike, pasi të dyja vendet duan të hynë në BE”, ka thënë ministri i jashtëm serb. 

 

Gjermania s’ka kushte të reja për Serbinë

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Hajnc Vilhelm, ka deklaruar sot se Gjermania nuk ka kushte shtesë për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, por i vetmi kusht është ai të cilin e ka përcaktuar Këshilli Evropian.

“Gjermania nuk ka kushte shtesë por ka verifikime të detajizuara”, tha ambasadori Vilhelm, dhe shtoi se me rëndësi është që të zbatohen marrëveshjet e arritura ndërmjet Serbisë e Kosovës. Gjatë një takimi për marrëdhëniet e Gjermanisë me Serbinë në Beograd, ai ka theksuar se raportet ndërmjet dy vendeve janë përmirësuar gjatë vitit të fundit, pasi ka ndodhur ndryshim i politikës së Beogradit ndaj Kosovës.

 

Nga presioni i BE-së, ndryshon ligji për ekstradim

Ministri i drejtësisë i Kroacisë, Orsat Mileniq, tha se në mënyrë të “shpejtë” dhe “pa kushte” do të amandamentohet ligji për ekstradim, duke iu nënshtruar kështu presionit nga Bashkimi Evropian. Ministri Mileniq mëtutje ka shpjeguar se ndryshimet do të jenë të plotfuqishme sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe jo më vonë se nga një janari i vitit të ardhshëm.

Legjislacioni për ekstradim i Kroacisë është miratuar vetëm disa ditë para se ky vend të anëtarësohej në BE, më 1 korrik të këtij viti, dhe e kufizonte zbatimin e Mandat-arrestit evropian, për krimet e kryera pas 7 gushtit të vitit 2002. Legjislacioni në formën origjinale, në mënyrë efektive i mbronte ata që janë të akuzuar për krime gjatë luftërave në Ballkan në vitet e 90-ta, që të mos ekstradohen për tu ballafaquar me procese gjyqësore. Komisioni Evropian ka konsideruar se ligji ishte në kundërshtim me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe kishte ndërmarrë hapa për sanksione kundër Kroacisë. 

                                                                

Kerry do të nënshkruaj traktatin e armëve

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se sekretari i shtetit, John Kerry, do të nënshkruajë sot traktatin historik, i cili rregullon tregtinë globale të armëve. Duke folur në kushte anonimiteti, zyrtarët kanë thënë se nënshkrimi do të bëhet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.  Ky hap do ta vinte administratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, në kundërshtim me lobin e fuqishëm të armëve dhe disa ligjvënës që janë kundër traktatit. SHBA-ja është eksportuesi më i madh i armëve në botë dhe nënshkrimi i saj është parë si vendimtar për suksesin e traktatit. Traktati, i miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në muajin prill, është nënshkruar nga 86 vende, por jo edhe nga eksportuesit e mëdhenj të armëve, si Rusia dhe Kina. 

 

Në OKB debat për Sirinë


Siria ka qenë tema e nxehtë e diskutimeve në ditën e parë të sesionit të 68-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York. Qeveria e Rusisë ka deklaruar se inspektorët e OKB-së për armët kimike do të rikthehen sot në Siri. Zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov deklaroi se ata do të hetojnë sulmin kimik të muajit të kaluar në disa lagje të Damaskut.

Inspektorët ishin përgatitur për këtë proces që kur armët kimike u qëlluan ndaj civilëve në periferitë e kryeqytetit sirian më 21 gusht. Javën e kaluar ata konfirmuan se gazi nervor Sarin ishte përdorur në sulmin në fjalë, që u mori jetën edhe shumë grave e fëmijëve.  Dy ditë më parë Rusia u shpreh e gatshme të dërgojë personel të saj ushtarak në Siri, me qëllim që të garantojë shkatërrimin e armëve kimike, marrëveshje për të cilën është rënë dakord më parë.

                                                                                                                    

SHBA dhe Irani të gatshëm për bisedime

Presidentët e Iranit dhe të Shteteve të Bashkuara kanë mbështetur perspektivën e bisedimeve të ripërtërira për programin bërthamor të Iranit. Në adresimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka thënë se Republika Islamike “është e përgatitur për t’u angazhuar menjëherë në bisedime të kufizuara në kohë dhe të orientuara në rezultate, për të ndërtuar besim të ndërsjellë”.Ai po ashtu ka mohuar zhvillimin e armëve bërthamore, duke thënë se armët e tilla nuk kanë vend në politikat e mbrojtjes dhe të sigurisë së Iranit. Më herët, presidenti Barak Obama i ka thënë Asamblesë së Përgjithshme se Shtetet e Bashkuara mbeten të përcaktuara për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve atomike, por ka mbështetur zgjidhjen e çështjes në “rrugë diplomatike”.

 

Mos u mashtroni nga Irani

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se bota “nuk duhet të mashtrohet” nga ofertat diplomatike të Iranit për Perëndimin. Netanyahu, në një deklaratë televizive, ka thënë se “Irani mendon se fjalët qetësuese dhe veprimet simbolike do t’i mundësojnë atij të vazhdojë rrugën drejt bombës”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka mirëpritur dje deklaratat e moderuara që janë bërë kohët e fundit nga Irani dhe ka thënë se Uashingtoni është i gatshëm që të angazhohet në mënyrë diplomatike me Teheranin në çështjen e aktivitetit të tij bërthamor. Zyra e Netanyahut ka thënë se kryeministri ka udhëzuar delegacionin e Izraelit në Kombet e Bashkuara që të bojkotojë fjalimin e presidentit iranian, Hassan Rohani, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

 

Kenia, 3 ditë zie për nder të viktimave

Kenia hyri në ditën e parë nga tre ditë zie të shpallura nga presidenti i vendit në nderim të 72 viktimave pengmarrjes 4-ditore në qendrën tregtare “Uestgejt” në kryeqytetin, Nairobi. Presidenti Uhuru Keniata tha se 67 civilë dhe 5 pjesëtarë të forcave të sigurisë humbën jetën në katër ditë luftë me militantët e Al Shabab brenda dhe përreth qendrës tregtare. Por në një komunikatë të shpërndarë fillimisht në mediat arabe, grupi ekstremist somalez pretendon se numri i të vrarëve është 137. Presidenti Keniata vlerësoi popullin kenian për kurajon e treguar në përballimin e terrorizmit. Ai tha se vendi i tij do të vazhdojë luftën ndaj Al Shabab në Somali, pavarësisht “aktit burracak”, siç e quajti ai sulmin. Ai tha se përgjegjësit e këtij sulmi do të përballen me drejtësinë.

 

Mbi 370 të vdekur nga tërmeti në Pakistan  

Mbi 370 persona kanë humbur jetën dhe mbi 500 të tjerë janë plagosur nga një tërmet i fuqishëm, që ka goditur të martën provincën Balluçistan të Pakistanit. Tërmeti prej 7.7 shkallësh të Richterit ka dridhur qarkun Avaran, duke shkatërruar dhjetëra ndërtesa. Dridhjet janë ndjerë edhe në qytetin më të madh të Pakistanit, Karaçi, i cili ndodhet rreth 250 kilometra nga epiqendra, si dhe në kryeqytetin e Indisë, Nju Delhi.

 

Nesër i ngjashëm me sot

Sot në Mal të Zi mban mot i kthjellët. Frynë erë e lehtë e drejtimeve të ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë e Budë 26 gradë, Tivar, Tivat, Plevle e Beranë 25, Ulqin, Herceg Novi, Rozhajë, Bijello Pole e Kollashin 24, Cetinë 22, Plavë 21 dhe në Zhablak 20 gradë.

Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot në jug kryesisht me diell dhe i thatë, kurse në veri mot i ndryshueshëm, vende-vende me shi i përcjellë me bubullimë. Temperatura më e lartë e ditës do të jetë prej 17 deri në 26 gradë celsius. 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се