Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

05. 12. 2019. 17:55   >>  17:59

Ditari 05.12.2019

05.12.2019

Jemi të gatshëm për hapjen e kapitullit VIII

Mali i Zi e pret i gatshëm ftesën për dorëzimin e pozicionit negocues për kapitullin VIII- Konkurrenca, ka deklaruar bashkëbiseduesi kryesor Aleksandar Dërleviq duke shtuar se, pa marrë parasysh ngjarjet aktuale, vendosmëria për integrimin evropian vazhdon të vërtetohet përmes përkushtimit në zbatimin e reformave.

Ai në mbledhjen e Këshillit për stabilizim dhe asocim ndërmjet Malit të Zi dhe BE ka theksuar se të gjitha proceset reformiste në të cilat BE gjendet momentalisht, duhet të zbatohen paralelisht  me të gjitha proceset reformiste që i karakterizojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe se dyert e BE duhet të mbesin të hapura për anëtare të reja. “Me vëmendje të veçantë kemi marrë lajmin për miratimin e raportit mbi plotësimin e kriteriumeve fillestare për kapitullin VIII- Konkurenca, nga Këshilli i BE”, ka theksuar Dërleviq. Ai ka shtuar se Mali i Zi e pret i gatshëm ftesën për dorëzimin e pozitës negocuese për kapitullin VIII në të cilën Qeveria e ka miratuar në mars të këtij viti. Ai ka shtuar se pret se periudhën e ardhshme do ta karakterizojë plotësimi i detyrimeve të prapambetura, të nevojshme për mbylljen e përkohshme të disa kapitujve dhe marrjen e kriteriumeve përfundimtare për kapitujt XXIII dhe XXIV. Sipas fjalëve të tij është evidente se Mali i Zi ka vazhduar të ruaj kursin pro evropian dhe punon në përkushtim në realizimin e standardeve të domosdoshme për anëtarësim.

 

Plotësimet e ligjit për mbrojtjen e studentëve

“Universiteti i Malit të Zi me miratimin e plotësimeve të ligjit për arsimimin e lartë do të rregullojë evidencën dhe politikën në të gjitha njësitë universitare dhe do të krijojë parakushtet për përparimin e sistemit”, ka deklaruar ministri i arsimit Damir Shehoviq. Me plotësimet e ligjit, studentët do të mund të regjistrojnë studimet specialistike sipas modelit 3+1+1+3, edhe dy vjet të tjera, kurse magjistrantët do të lirohen nga pagesa edhe e 1 mijë euro për transferimin e punës së magjistraturës për vitin e ardhshëm akademik. Shehoviq  sot në Parlament ka theksuar se Ministrinë dhe Qeverinë i kanë motivuar dy shkaqe që të paraqiten me këto zgjidhje ligjore dhe  këto  janë kërkesa të studentëve të studimeve pas universitare. “Duke pasur parasysh këto dy kërkesa si dhe nevojën e Universitetit të Malit të Zi që të rregullojë politikën evidentuese në të gjitha njësitë universitare dhe të krijojë parakushtet për avancimin e sistemit ne duhet tua plotësojmë kërkesat dhe ti identifikojmë ato në plotësimet e ligjit për arsimimin superior”, ka theksuar Shehoviq. Opozita konsideron se titujt e marrë në Universitete e Fakultete janë të dyshimta dhe jo të mjaftueshme. Gjatë debatit për misionet malazeze në vendet e huaja, Ministri i mbrojtjes Predrag Boshkoviq deklaroi se Mali i Zi në Irak do të dërgojë dy oficer. Derisa deputetet e pozitës e përkrahin këtë propozim, opozita konsideron se Ushtria malazeze nuk është më e pavarur por merr urdhra nga NATO-ja.

 

Në qeveri diskutohet për ligjin mbi lirinë e feve

Propozim ligji për lirinë e fesë ose të bindjeve dhe pozitën juridike të Bashkësive fetare duhet të vërtetohet në mbledhjen e sotme të Qeverisë dhe më pas ti dorëzohet Parlamentit me kërkesën që të shqyrtohet dhe të miratohet në seancën e veçantë të Parlamentit. Pasi që  është paraparë me procedurën parlamentare se duhet të kalojnë së paku 15 ditë duke filluar nga dorëzimi i propozimit të Qeverisë derisa të mbahet mbledhja e veçantë, vlerësohet se ligji i pritur tash një kohë të gjatë do të mund të gjendet në rend të ditës së Parlamentit me 23 ose 24 dhjetor. Antena M përkujton se Kisha Ortodokse Serbe bënë ç'është e mundur që të pengojë miratimin e këtij ligji sepse ajo, siç thekson, nuk mund të pajtohet me faktin se me, “ligjin për lirinë e fesë” mbrohet si pasuri kulturore prona shtetërore të cilën e shfrytëzojnë bashkësitë fetare. Qeveria, sipas informatave të Antena M, në tekstin e përmirësuar të “propozim ligjit për lirinë e fesë” në tërësi i ka aprovuar rekomandimet e komisionit të Venecias. Autorët e ligjit e konsiderojnë atë si ligjin më liberal në rajon, sepse garanton më tepër të drejtat dhe liri si besimtarëve edhe atyre që nuk janë besimtarë por mbron edhe pasurinë kulturore.

 

U bëhet ftesë subjekteve opozitare që të përkrahin ligjin për qeverinë

Mali i Zi Demokratik i ka ftuar të gjitha subjektet politike opozitare që të përkrahin ligjin për Qeverinë të cilin e kanë prezantuar më parë dhe me të cilin, siç pohojnë, sigurohet zbatimi i reformës gjithë përfshirëse të legjislacionit zgjedhor. Në kumtesën e Demokratëve theksohet se ligjin për Qeverinë e konsiderojnë si akt kryesor në tërë pakon e aranzhmaneve dhe ky ligj bazën e vetë e gjen në nenin 11 të planit të Brukselit, i cili trajton mekanizmat kontrollues në zbatimin e reformës së legjislacionit zgjedhor dhe të legjislacionit tjetër. Me ligjin, të cilin Demokratët  e kanë prezantuar para do kohe së bashku me DEMOS-in dhe deputetin e pavarur Negjelko Rudoviq, është paraparë që për zgjedhjet e para parlamentare qeveria të zgjedhet në pajtim me marrëveshjen për të ardhmen, menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij akti. Demokratët kanë përsëritur se ky ligj gjithë përfshirës është në interesin e të gjitha forcave opozitare të cilat kanë për qëllim zgjedhje të lira e të ndershme.

 

Dëgjim kontrollues për mbrojtjen e personave me invaliditet

Këshilli për të drejtat dhe liritë e njeriut do të mbajë në javën e ardhshme  një seancë dëgjimore për realizimin e Strategjisë për mbrojtjen e personave me invaliditet nga diskriminimi dhe promovimin e barazisë nga viti 2017-2021. Është paralajmëruar që në këtë temë do të dëgjohen Ministrat për të drejtat e njeriut dhe të pakicave dhe për administratën publike Mehmed Zenka dhe Suzana Pribilloviq. Në raportin e Komisionit Evropian për Malin e Zi për këtë vit, theksohet se është shënuar progres i vogël sa u përket lirive të personave me invaliditet, përfshirë këtu harmonizimin e legjislacionit me konventën e OKB për të drejtat e personave me invaliditet. Mali i Zi akoma nuk e ka miratuar Planin aksionar për miratimin e rekomandimeve të Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me invaliditet. “Plotësimet dhe ndryshimet e ligjit për rehabilitimin profesional janë përgatitur në vitin e kaluar por nuk janë miratuar akoma”, thuhet në raport. Vlerësohet se Mali i Zi duhet të sigurojë shpenzimin adekuat dhe transparent nga Fondi i ardhshëm për rehabilitimin profesional kurse për implementimin e suazës strategjike dhe juridike duhet të ndahet një buxhet adekuat.

 

E kemi për detyrë që fëmijëve tu sigurojmë zhvillim të sigurtë

Ministri i punëve të brendshme, Mevlludin Nuhoxhiq, ka deklaruar se fëmijët kanë të drejtë në siguri, të jenë të mbrojtur nga të gjitha format e dhunës, kurse është detyrë, jo vetëm e Ministrisë për punë të brendshme dhe e Drejtorisë së policisë, por e tërë shoqërisë që fëmijëve tu mundësojë fëmijëri pa brenga dhe zhvillim të sigurt. Ai në Twiter-in e Ministrisë së brendshme ka theksuar se “të gjithë së bashku duhet të punojmë shumë më tepër në edukim dhe preventivë”. “Ky është edhe shkaku që kam inicuar këtë program, që nëpunësit policorë, së bashku me shkollat dhe prindërit të punojnë në përparimin e sigurisë së fëmijëve. Ajo që është më e rëndësishme është se fëmijët që nga mosha më e re do ti mësojmë se çdo formë e dhunës është e pa pranueshme se ndaj dhënës nuk duhet përgjigjur me dhunë”, ka theksuar Nuhoxhiq. Me përkrahjen e prindërve, të arsimtarëve, të shoqërisë, të sektorit civil dhe të mediave, policia, konsideron ai, punën e vetë do ta kryej më mirë sepse nuk ka gjë më të rëndësishme se sa fëmijët tonë të rriten të sigurt.

 

Darmanoviq në mbledhjen e Këshillit ministrorë të OSBE-së

Ministri i punëve të jashtme të Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq, merr pjesë në seancën e 26-të të Këshillit ministror të OSBE-së, e cila sot dhe nesër mbahet në Bratisllavë. “Në fokusin e Këshillit të sivjetmë ministrorë do të jetë zvogëlimi i pasojave të konflikteve, lufta kundër radikalizmit dhe terrorizmit, forcimi i kapaciteteve të OSBE-së si dhe kontributi i Organizatës në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm”, thuhet në kumtesë. Në margjinat e seancës të Këshillit ministror janë paraparë edhe takimet bilaterale të ministrit Darmanoviq me shefat e delegacioneve të Holandës, Austrisë, Irlandës dhe Italisë. Në këtë mbledhje marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë të Kombeve të Bashkuara, të Këshillit Evropian dhe të NATO-s.

 

Nuk jam optimist për kompromis me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk është optimist për arritjen e një kompromisi midis Beogradit e Prishtinës, që do të sillte, siç tha ai, zgjidhje përfundimtare për Kosovën. Vuçiq i bëri këto komente në Soçi të Rusisë, pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai e falënderoi Putinin edhe për, siç tha, "qëndrimin parimor të Rusisë ndaj Kosovës". Dy presidentët iu drejtuan mediave, duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të bashkëpunimit Serbi-Rusi në sferat ekonomike, politike dhe mbrojtëse. "Marrëdhëniet tona po zhvillohen shumë pozitivisht. Partneritetin tonë strategjik e konfirmon puna jonë e përditshme", tha Putin. Takimi i Soçit është i treti midis presidentëve të Rusisë dhe Serbisë këtë vit dhe i shtatëmbëdhjeti në përgjithësi, tha Presidenca e Serbisë.

 

Duam njohje të ndërsjellë Kosovë- Serbi

I dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha se SHBA-ja dëshiron të shohë normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që do të nënkuptonte njohje të ndërsjellë. "Sikur ta njihnin njëra-tjetrën, ato do të mund t'i zgjidhnin çështjet e diskutueshme si fqinj", tha Palmer për një televizion në Sarajevë. Sipas tij, Prishtina dhe Beogradi "duhet të ulen në tryezë, të arrijnë marrëveshje dhe bashkë të përcaktojnë rrugën kah e ardhmja evropiane". "Është e nevojshme një marrëveshje që do të pranohej nga publiku në të dyja anët dhe do të mbështetej si rruga më e mirë përpara", tha Palmer, për të shtuar se marrëveshja do të duhej të ishte "e zbatueshme, e drejtë dhe e qëndrueshme". Palmer po ashtu tha se ka një marrëdhënie shumë të mirë me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Emërimi i Palmerit në gusht dhe i Grenellit pak muaj më vonë janë parë si shenjë e përfshirjes gjithnjë e më të madhe të Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi. Ky dialog është ndërprerë qysh në fund të vitit të kaluar, kur Kosova ka nisur me aplikimin e një takse mbi mallrat e importuara nga Serbia. Përkundër thirrjeve të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian - si ndërmjetësues i dialogut - Kosova nuk e ka hequr taksën, ndërsa Serbia ka kundërshtuar vazhdimin e dialogut pa heqjen e taksës.

 

Dënohet ish-ministri që e quajti "trillim" masakrën e Reçakut

Ish-ministri i Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijeviq, u dënua të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë me dy vjet burgim, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë avokati i tij, Nebojsha Vllajiq. "Aktgjykimi është i padrejtë, i paligjshëm dhe duhet të shfuqizohet. Është i shkallës së parë dhe jopërfundimtar deri në vendimin e Gjykatës së Apelit", tha Vllajiq. Teodosijeviq u dënua për një deklaratë të bërë në mars, me rastin e 20-vjetorit të bombardimeve të NATO-s në caqet e ish-ushtrisë jugosllave - fushatë kjo që i dha fund luftës në Kosovë. Me atë rast, Teodosijeviq tha se "arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”. Kryeministri i Kosovës, tashmë në detyrë, Ramush Haradinaj, e shkarkoi atë rreth dy javë pas deklaratës. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se Teodosijeviq u dënua sepse "tha atë që secili serb e di dhe e ndjen". Sipas rregullave, ekzekutimi i dënimit me burg pritet të bëhet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

 

BE i ndan ndihmë financiare Shqipërisë pas tërmetit

Komisioni Evropian i ndau 15 milionë euro ndihmë humanitare Shqipërisë, pas tërmetit që e goditi këtë vend më 26 nëntor. Lajmi u bë i ditur nga komisionari evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili foli në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Varhelyi po ashtu tha se Bashkimi Evropian do të organizojë një konferencë donatorësh për t'i ndihmuar Shqipërisë të rindërtojë vendbanimet e shkatërruara nga tërmeti.

Shqipërinë sot e vizitoi komisionari evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç. Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, Lenarçiç do të takohet me ekspertë nga Ekipi Evropian i Mbrojtjes Civile, si dhe inxhinierë italianë dhe grekë. Tërmeti prej 6.3 shkallësh të Richterit, i cili e goditi Shqipërinë me 26 nëntor,  la mbi 50 persona të vdekur dhe qindra të plagosur.

 

Duhet t'i tregojmë Ballkanit Perëndimor se e duam në anën tonë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të zhvillohet paralelisht me procesin e reformave të brendshme të institucioneve evropiane."Është absolutisht e rëndësishme që t'iu tregojmë vendeve të Ballkanit Perëndimor sa më qartë se i duam në anën tonë dhe se kemi interes të madh në përafrimin e tyre me Bashkimin Evropian", tha Von der Leyen në paraqitjen e parë para mediave prejse ka marrë detyrën e shefes së Komisionit Evropian, më 1 dhjetor. Von der Leyen mbajti dje edhe takimin e parë të rregullt të kabinetit të Komisionit. Me këtë rast, ajo tha se vendimi i fundit i Këshillit Evropian për moshapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ka qenë "gabim strategjik" i BE-së. Komisioni Evropian ka të ngjarë të paraqesë propozime të reja për nisjen e negociatave të pranimit në muajin janar.

 

Samiti i Londrës, një sukses

Udhëheqësit e NATO-s lanë mënjanë fyerjet publike me fjalë si “kriminale”, “vdekje klinike”, apo “dyfytyrësh”, duke deklaruar se do të qëndrojnë të bashkuar kundër një kërcënimi të përbashkët nga Rusia dhe në përgatitje të rritjes së Kinës. Zyrtarët këmbëngulën se samiti ishte një sukses, ndërsa më e rëndësishmja, Presidenti turk Tayip Erdogan u tërhoq nga kërcënimi për të bllokuar planet e mbrojtjes së Evropës Veriore dhe Lindore, me kusht që aleatët t’i shpallin si terroristë luftëtarë kurdë në Siri. Në një deklaratë të përbashkët, 29 udhëheqësit e aleancës thanë se "veprimet agresive të Rusisë përbëjnë një kërcënim për sigurinë Euro-Atlantike; terrorizmi në të gjitha format dhe manifestimet e tij mbetet një kërcënim i vazhdueshëm për të gjithë ne".  Megjithë mosmarrëveshjet, zyrtarët thanë se ishin arritur vendime të rëndësishme, përfshirë një marrëveshje për të garantuar sigurinë e komunikimeve, përfshirë rrjetet e reja të telefonisë celulare G5.  Samiti gjysmë ditor në periferitë e Londrës me rastin e 70-vjetorit të NATO-s, gjithnjë pritej të ishte i komplikuar, por zyrtarët shpresonin të shmangnin kritikat e befta si ato në takimin e tyre vitin e kaluar kur Presidenti Trump u ankua për aleatët që nuk ndanin barrën e sigurisë kolektive.

 

Franca pritet të përfshihet nga greva dhe protesta masive

Franca po përgatitet sot për greva dhe protesta masive kundër reformave në pensione, të planifikuara nga presidenti Emmanuel Macron. Transporti pritet të goditet më së keqi sepse fluturimet dhe udhëtimet me trena dhe autobusë do të anulohen, ndërsa pjesa më e madhe sistemit të metrosë në Paris do të ndërpritet. Stafi i shkollave dhe spitaleve do të marrë po ashtu pjesë në protestë. Macron planifikon një sistem "universal" të pensioneve, që do të eliminojë dhjetëra të ashtuquajtura regjime të posaçme për sektorët që shpesh u japin punëtorëve pensione më të larta ose pensione të parakohshme. Sindikatat ankohen se reforma e tillë do të kërkojë nga miliona punëtorë që të punojnë përtej moshës së pensionit ligjor, 62 vjeç, ose do të përballen me pensione të zvogëluara. Qeveria franceze tha se afro 250 demonstrata priten në të gjithë vendin dhe paralajmëroi se disa mund të shndërrohen në të dhunshme. Rreth 6,000 pjesëtarë të forcave të sigurisë do të vendosen vetëm në Paris.

 

Shitja e tokës në “Pyllin e Pishave”, përfaqësuesi i qeverisë ofroi 3,55 milion euro

Kuvendi Komunal i Ulqinit para një muaji solli vendimin për shitjen e pronës publike quajtur “Pylli i pishave”, me qëllim shlyerjen e borxhit, pa marrë parasysh në asnjë moment protestat e qytetarëve. Poashtu gjatë ditëve të kaluara u shpall edhe ankandi publik dhe ashtu siç edhe ishte paralajmëruar blerësi i kësaj pjese të “Pyllit të pishave” ështe Qeveria. Qeveria tashmë ka bërë pagesën e 3, 5 milion euro, pas së cilës pritet që të debllokohet llogaria e Komunës së Ulqinit nga prej ku të punësuarit nuk marrin paga që gjysmë viti, transmeton Ulqini Online. Përfaqësuesi i Qeverisë së Malit të Zi, përmes Drejtorisë për Pronë, dje në ankandin e mbajtur në ndërtesën e Komunës së Ulqinit ishte i vetmi ofertues për blerjen e pesë parcelave kadastrale me sipërfaqe të përgjithshme prej 7.902 metër katror të cilat gjenden në Pyllin e Pishave, njoftoi më parë Portali Ul-info.  Në këtë mënyrë Qeveria e Malit të Zi do të ketë në në pronësi rreth 8000 m2 tokë në pjesën më atraktive të qytetit të Ulqinit. Toka për të cilën bëhet fjalë shtrihet në mes të ish hotelit Galeb dhe hotelit Albatros. Në Komunën e Ulqinit presin që pas realizimit të këtij transaksioni, gjegjësisht për dhjetë ditë do të dalin nga bllokada e xhiro llogarisë, e cila zgjatë nga mesi i korrikut.

 

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë vizitoi komunën e Tuzit

Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, nëkryetari i komunës, Ivan Ivanaj dhe kryetari i kuvendit, Fadil Kajoshaj, kanë pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Mal të Zi, dr Robert Veber.

Fillimisht kryetari Gjeloshaj njoftoi Ambasadorin për punën dhe funksionimin e Komunës së Tuzit, si dhe për projektet të cilat janë në plan të realizohen. Gjeloshaj gjithashtu theksoi edhe marrëdhëniet e mira me Gjermaninë si përkrahëse e Malit të Zi dhe shteteve te rajonit drejt aderimit në Bashkimin Europian. Ambasadori Veber, u shpreh i kënaqur për këtë vizitë dhe përgëzoi udhëheqësin e komunës për angazhimin dhe punën e arritur deri më tani. Gjithashtu gjatë këtij takimi, u shpreh edhe gatishmëria e të dy palëve për bashkëpunim, duke theksuar se marrëdhëniet me Ambasadën Gjermane janë shume të mira dhe miqësore. Udhëheqësit e komunës së Tuzit falënderuan Ambasadorin gjerman për vizitën dhe interesimin e treguar në të gjitha sfidat qe ka Komuna më e re në Mal të Zi, Tuzi, duke shpresuar se në të ardhmen bashkëpunimi do të rritet.

Shërbimi për informim i Komunës së Tuzit

 

Nesër mot i ndryshueshëm

Sot në Mal të Zi ka mbajtur mot kryesisht i kthjellët. Frynë erë e dobët deri mesatare jugore dhe lindore. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Budvë 18 gradë, Tivar 16, Herceg Novi 15, Ulqin 13, Cetinë 12, Podgoricë 11, Nikshiq 10, Zhablak 6, Guci 5, Bijello Pole e Rozhaj 4, Plavë 3, Beranë e Nikshiq 2, dhe në Plevle 0 gradë.

Për nesër parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe gjatë ditës vende vende me reshje të shiut e bubullimë. Në viset veriore dhe viset e larta priten reshje të dobëta të skllotës dhe të borës. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare kryesisht nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -6 deri në 11, kurse më e larta e ditës prej 5 deri në 15 gradë celsius.

 

 

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се