Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

10. 10. 2019. 18:09 >> 18:11

Ditari 10.10.2019

10.10.2019

Projektligjet e para deri me 22 tetor

Projekt ligjet e para për të cilat do të debatohet duhet të dorëzohet deri me 22 tetor është theksuar në mbledhjen e sotme të Këshillit për reformën e legjislacionit zgjedhor. Siç është kumtuar, afati i vendosur më parë, 15 tetori nuk ka qenë real. Poashtu njëzëri është miratuar propozimi që për punën e Këshillit do të  nevojiten 8 prej 14 anëtarëve, kurse për miratimin e vendimeve 11 prej 14 votave. “Puna e Këshillit duhet të jetë efikas dhe legjitim”, ka vlerësuar Dragan Koprivica nga Qendra për Tranzicionin Demokratik. Kohë më parë kryetari i Parlamentit Ivan Brajoviq ka theksuar se Këshilli për reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore mund ta kryej shumë lehtë këtë punë nëse ekziston vullneti i opozitës. “Që të sjell vendime dhe të përgatis akte kurse pastaj do të merremi vesh nëse duhet vazhduar puna e Këshillit për një kohë të caktuar“, ka konkluduar Brajoviq. Është me rëndësi, siç ka theksuar ai, që Këshilli të fillojë punën në përbërje të plotë dhe pastaj siç ka theksuar, do të arrihet marrëveshja për vazhdimin e afatit.

FD e braktis Këshillin për reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore

Fronti Demokratik (FD) do të dalë nga Këshilli për reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore, kurse anëtarët Strahinja Bullaiq, Branka Boshnjak dhe Predrag Bullatoviq do t'ia dorëzojnë Parlamentit dorëheqjet si anëtarë të këtij trupi, ka vendosur kjo aleancë politike. Siç theksohet, duke sjell këtë vendim, FD ka pas parasysh faktin që Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) deri tani nuk e ka dëshiruar dialogun dhe se ligjet e dobëta zgjedhore esencialisht ndryshohen përmes këtij këshilli. Në kumtesë theksohet se shkak i veçantë që të braktiset pjesëmarrja në këtë Këshill është akt vendimi i Gjyqit themelor në të cilin u përcaktohet dënimi penal me burg i liderëve dhe funksionarëve të FD për incidentin verbal në Kuvend i cili ka ndodhur pas seancës të mbajtur me 15 shkurt të vitit 2017.

 

Darmanoviq në forumin rajonal të Unionit për Mesdheun

Ministri i punëve të jashtme të Malit të Zi Sërgjan Daramanoviq merr pjesë në Barcelonë në Forumin rajonal të Unionit për Mesdheun. Nga Ministria kanë kumtuar se pjesëmarrja në Forum me titull, “Trasimi i rrugës para nesh”, do të jetë rast që Mali i Zi vërtetoi përkushtimin e vetë politikë në përparimin e bashkëpunimit dhe të integrimeve në rajon. “Mali i Zi në Forum do të këtë rastin që të prezantojë progresin e arritur si dhe të shqyrtojë prioritetet strategjike të Unionit për Mesdheun dhe zhvillimin e mëtejmë të rajonit Mesdhetarë, thuhet në kumtesë.

Politika banesore të jetë transparente dhe sipas meritave

Politika qeveritare për ndarjen e banesave dhe të kredive për funksionarët me kushte të volitshme duhet të jenë sistem transparent, i bazuar në merita, ka theksuar shefi i njësisë për Malin e Zi në  Drejtorinë e përgjithshme të Komisionit Evropian për politikën fqinjësore dhe bisedimet për zgjerim Tomas Hagllajtner. Sipas fjalëve të tij, në vazhdën e vizitës në Podgoricë do të diskutojë për këtë temë. Ai konsideron se është me rëndësi që ky sistem të jetë transparentë dhe i bazuar në merita. “Ky proces  duhet të jetë transparent dhe i bazuar në merita”, ka theksuar Hagllajtner  në Konferencën me rastin e takimit të 9-të të Nënkëshillit për drejtësi, liri dhe siguri ndërmjet përfaqësueseve të Malit të Zi dhe të Komisionit Evropian. Ai ka theksuar se institucionet  duhet ti hetojnë akuzat dhe të japin rezultatet. Anëtarja e grupit negociator për Kapitujt 23 dhe 24, Marijana Llakoviq- Drashkoviq, me rastin e mbajtës së takimit të nNnkëshillit për drejtësi, liri dhe siguri ka theksuar se me prezantimin e rezultateve konkrete janë bindur se forcimi i pavarësisë dhe i përgjegjësisë në gjyqësor, lufta kundër kriminalitetit të organizuar dhe të korrupsionit në nivel të lartë ashtu si edhe avancimi i lirisë së mediave, janë  në krye të agjendës së tyre. Hagllajtner ka vlerësuar se sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, aspektet bazë të Bashkimit Evropian, janë elemente të domosdoshme në procesin e zgjerimit.

 

Protestë drejtuar Shqipërisë me rastin e incidentit ekologjik

Qeveria e Malit të Zi i ka dërguar protestë Republikës së Shqipërisë me rastin e incidenteve të fundit ekologjike në rrjedhën e lumit Buna. Siç është kumtuar nga Ministria e zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit, protesta është postuar përmes Ministrisë së punëve të jashtme me iniciativën e nënkryetarit për Politikën ekonomike dhe sistemin financiar, Millutin Simoviq, dhe të ministrit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit Pavle Radulloviq. Nga kjo Ministri kanë theksuar se incidentet e tilla e rrezikojnë imazhin e këtij destinacioni prestigjioz turistik. “Qeveria e Malit të Zi në pajtim me politikën e fqinjësisë së mirë, duke u bazuar në kujdesin e përbashkët për resurset, në komunikimin e vazhdueshëm me palën shqiptare, insiston me konsekuencë në zbatimin e të gjitha konventave ndërkombëtare. Në pajtim me këtë, pala malazeze është e detyruar që për çdo gjë ti njoftojë partnerët e vetë ndërkombëtarë gjë që do të kryhet në procedurë urgjente zyrtare”, thuhet në kumtesë.

 

Për talentet 500 mijë euro

Buxheti i Fondit për cilësi dhe talente nga i cili ndahen shpërblime për nxënësit dhe mësimdhënësit më të mirë do të jetë rreth 500 mijë euro, kurse çmimi mesatarë do të jetë 1 mijë euro, ka deklaruar ministri i arsimit Damir Shehoviq. Nga Ministria e arsimit është kumtuar se Shehoviq në shënimin e sotëm të fillimit të fushatës ka theksuar se do të ndahen rreth 500 shpërblime. Konkursi për ndarjen e sivjetme të shpërblimeve është në vazhdim dhe do të zgjas deri në fund të tetorit kurse vendimi për laureatët do të sillet deri në fund të nëntorit.

 

Paraqitja e punëdhënësve deri me 15 tetor

Punëdhënësit të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në programin e aftësimit profesional për personat me arsimim të lartë mund të paraqiten deri me 15 tetor, është kumtuar nga Ministria e arsimimit. Ky program do të realizohet për të 8 vit me radhë, kurse ftesa për punëdhënësit nga sektori publik dhe ai privat i Malit të Zi është shpallur me 15 shtator. “Pas procedurës përfundimtare të paraqitjeve dedikuar punëdhënësve, në pajtim me ligjin për aftësimin profesional të personave me arsimim të lartë, shfrytëzuesit potencial do të kenë rastin që të paraqiten për pjesëmarrje në këtë program brenda afatit 30 ditor”, thuhet në kumtesë.

 

Procesi do të vazhdojë kah mesi i nëntorit

Vazhdimi i procesit gjyqësor kundër ish kryebashkiakut të Podgoricës Miomir Mugosha, lidhur me rastin Carine, është caktuar për me 14 nëntor deri kur kolegji special i Gjyqit të lartë duhet të vendos për propozimin e mbrojtjes për një ekspertizë të re. Avokati Mitar Mugosha ka kërkuar në procesin e sotëm që Gjyqi të realizojë ekspertizë të re të cilin do ta bënte instituti për ekspertizë, në mënyrë që të deklarohet për çmimin në treg të një metër katrorë të truallit në kohën e nënshkrimit të çështjet juridike në vitin 2011. Hetimet kundër ish kryebashkiakut të Podgoricës janë inicuar pasi  që ekspertët gjyqësor kanë bërë vlerësimin e dëmit të shkaktuar në vitin 2007 lidhur me çështjen të cilën Komuna e ka nënshkruar me kompaninë, “Carine”, pronar i të cilës është Çedomir Popoviq.

 

Vuçiq, Rama, Zaev nënshkruajnë deklaratë për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit në Novi Sad me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se është nënshkruar deklarata e përbashkët, e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve. Në konferencën e përbashkët për media, Vuçiq tha se synim i kësaj nisme është që deri në fund të vitit 2021 të krijohen kushtet që qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të kalojnë kufijtë e tri vendeve me letër-njoftime. Ai tha se me masa "më konkrete" të zbatimit të kësaj nisme, përfaqësuesit e tri vendeve do të dalin në takimin e ardhshëm, që do të mbahet në Ohër, më 10 nëntor. Rama, në anën tjetër, tha se çështjet e hapura midis vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet t'i pengojnë marrëveshjet për mirëqenien e të gjithë qytetarëve. "Synimi që na ka bashkuar në këtë format ka rëndësi të madhe", tha Rama, duke iu bërë thirrje të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që të bashkohen në këtë nismë. Zaev tha se Maqedonia e Veriut e mbështet nismën, sepse "duhet të bëhet shumë më tepër për përafrimin ekonomik". Vuçiq qysh më herët ka dalë me idenë e një qasjeje të përbashkët të këtyre vendeve, ngjashëm sikurse Grupi i Vishegradit, i cili përbëhet nga Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia. Sipas Vuçiqit, të vepruarit si bllok do t’iu jepte vendeve të Ballkanit reputacion më të mirë në Evropë.

Askush nuk është i përjashtuar

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja Hercegovina nuk iu bashkuan takimit të Novi Sadit, në të cilin morën pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, dhe që synon krijimin e një “Shengeni Ballkanik”. Në konferencën e përbashkët me Aleksandar Vuçiç dhe Zoran Zaev, kryeministri Edi Rama tha se të treja shtetet e tjera të Ballkanit të Perëndimor janë të mirëpritura në takimin e radhës që do të zhvillohet më 10 nëntor në Ohër. “Nuk janë absolutisht as të përjashtuar dhe as të vendosur në një korsi tjetër. Janë të mirëpritur qysh në takimin tjetër që të na bashkohen dhe ne jemi në dispozicion. Kam dëgjuar shumë kritika të cilat nuk sjellin alternativa, por nisen nga ‘status quo’-ja dhe nga e shkuara”, tha Rama. Duke iu referuar ekonomisë, Rama theksoi se “ne nuk mund të mbyllim sytë përpara shifrave”. Pas takimit të 10 nëntorit në Ohër, do të jetë Shqipëria vendi i radhës ku do të mblidhen liderët e tre vendeve.

 

Palmer qëndron javën e ardhshme në Beograd

Diplomati amerikan, Mathew Palmer do të marrë pjesë në Forumin e nëntë të Sigurisë, i cili do të mbahet në Beograd nga data 16 deri më 18 tetor, njoftoi kjo organizatë joqeveritare. Më 30 gusht, Palmer është emëruar i dërguar i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Rreth një muaj më vonë Shtëpia e Bardhë ka emëruar Richard Grenellin, aktualisht ambasador i SHBA-së në Gjermani, të dërguar të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë që analistët politikë në Prishtinë thonë se Shtetet e Bashkuara kanë rritur ndjeshëm interesimin për Ballkanin dhe arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Aktualisht ky proces i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është pezulluar për shkak të taksës 100 për qind që autoritetet e Kosovës kanë vënë në mallrat e Serbisë dhe Bosnjës në nëntor të vitit të kaluar. Kjo pasi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka përmendur këtë masë si arsyetim për mosvazhdim të dialogut. Heqjen e taksës e kanë kërkuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Vetëvendosje dhe LDK pajtohen për krijimin e koalicionit qeverisës

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhje Demokratike e Kosovës pas një takimi të mbajtur  janë pajtuar sot për fillimin e bisedimeve për krijimin koalicionit qeverisës. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, tha se janë pajtuar që të qeverisin bashkë me LDK-në. “Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta. Pa humbur kohë ne kemi filluar bisedimet duke nisur me idenë e përbashkët për një qeverisë sa më efikase dhe një shtet sa më të fuqishëm, synimi jonë është që t’i dalim zot nevojave të qytetarëve dhe ta orientojmë shtetin nga drejtësia, zhvillimi”, tha Kurti. Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani, tha se te dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë. “Sapo zhvilluam takimin tonë të parë me LVV-në për të diskutuar mundësitë e bashkë qeverisjes. Sot kemi diskutuar në nivel të parimeve jo të detajeve më e rëndësishmja se të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë dhe vullnetin e mirë për të punuar në interes të qytetarëve”, tha Osmani. Ajo ka shtuar se do të presin numërimin edhe të votave me postë , votave me kusht para arritjes së një marrëveshje finale. Gjatë këtij takimi, Kurti dhe Osmani kanë bërë të ditur se është diskutuar sa i përket reduktimit të numrit të ministrive dhe zëvendësministrave. Po ashtu, ata kanë bërë të ditur se do të krijohen grupet punuese të të dyjave partive për të diskutuar detajet dhe për të harmonizuar programet. Në zgjedhjet e fundit, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani janë parë si dy figurat kryesore për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Ndërkaq tani kur rezultati zgjedhor e favorizon liderin e Vetëvendosjes, Osmani është shprehur e gatshme të bashkëpunojë me Kurtin për krijimin e qeverisë së koalicionit. Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend. Koalicioni apo partia fituese, kryesisht llogaritë në koalicione paszgjedhore edhe në pakicat, si kategori kushtetuese e domosdoshme për përfshirje në qeveri.

 

KQZ vendos për rinumërim të votave në 313 vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka marrë vendim që votat të rinumërohen në 313 vendvotime. Sipas Komisionit 303 vendvotime do t’i nënshtrohen rinumërimit pasi janë evidentuar gabime teknike në formularët në të cilët janë bartur votat, ndërsa në10 vendvotime tjera është vërejtur mungesa e votave të kandidatëve, të disa fletëve të formularëve të rezultateve si dhe disa mungesa të nënshkrimeve. Rinumërimin e këtyre vendvotimeve në mbledhjen e KQZ-së e ka rekomanduar Qendra e Numërimit të Rezultateve. Një ditë më parë,Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë kërkesën e disa partive tjera  për rinumërimin e të gjitha votave në nivel vendi. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës u mbajtën më 6 tetor në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2545 vendvotime. Nga rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 25.49 për qind të votave, pasur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 për qind të votave. Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Zgjerim ose jo i BE-së, ambasadorët mblidhen në Bruksel

Para takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE më 15 tetor dhe para samitit të liderëve, më 17-18 tetor, janë ambasadorët e përhershëm të BE ata që janë mbledhur në Bruksel për të diskutuar për çështjen e zgjerimit. Në qendër të diskutimit do të jetë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe qëndrimi i Francës dhe Holandës për hapjen ose jo të negociatave për anëtarësimin e këtyre dy vendeve. Holanda tashmë duket se është lëkundur pakëz nga “Jo” kategorike për Shqipërinë dhe duket se do të jetë vendimi i Francës ai që do të ndikojë tek vendimi final i saj. Në takimin e ministrave të jashtëm, më 15 tetor, ministri holandez Stef Blok do të mungojë për shkak të një angazhimi tjetër të tij dhe vendi do të përfaqësohet në rang ambasadori. E aty do të mësohet qëndrimi i Francës, që pritet të ndikojë edhe në vendimin e Holandës. Deri më tani, Franca ka hezituar të japë dritën jeshile për Shqipërinë ndërkohë që Gjermania ka thënë “Po” me kushte për Tiranën dhe “Po” të pastër për Maqedoninë. Në rast se ministrat e jashtëm nuk do të mund të bien dakord, atëherë debati do të zhvendoset në samitin e liderëve, më 17 dhe 18 tetor.

 

Biden kërkon shkarkimin e Trumpit

Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka bërë thirrje për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump, duke thënë se ai ka “tradhtuar” SHBA-në. Trump në anën tjetër ka parashikuar se vetëm Gjykata Supreme do ta zgjidhë këtë çështje. “Për të ruajtur kushtetutën, demokracinë dhe integritetin bazik, ai duhet të shkarkohet”, u ka thënë Biden mbështetësve të tij në një marsh në Nju Hempshir. Ndërkohë një sondazh i kanalit televiziv, Fox News, që konsiderohet se ka simpati për presidentin, ka treguar se rreth 51 për qind e votuesve kërkojnë që Trump të shkarkohet apo të largohet nga zyra e presidentit, transmeton agjencia e lajmeve, AFP. Mirëpo presidenti amerikan nuk ka dhënë shenja se do ta ndryshojë qasjen. Trump ka kërcënuar me krizë kushtetuese, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetimet e Kongresit, andaj ka parashikuar se ky rast do të përfundojë në Gjykatën Supreme. Ai u ka thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se Partia e tij Republikanë është “trajtuar shumë keq”. Hetimet ndaj tij kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy. Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”. Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi.

 

Nesër kthjellim gradual

Sot në Mal të Zi mban mot me vranësira të ndryshueshme por kryesisht i thatë. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Budvë 27 gradë, Podgoricë, Tivar e Ulqin 26, Herceg Novi 25, Cetinë, Bijello Pole e Plavë 22, Beranë e Rozhaj 21, Plevle 20, Nikshiq e  Kollashin 18 dhe në Zhablak 15 gradë.

Për nesër parashihet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe gjatë ditës kthjellim gradual. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 6 deri në 18, kurse më e larta e ditës prej 15 deri në 26 gradë celsius.

 

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се