Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

30. 09. 2019. 17:28 >> 17:42

Ditari 30.09.2019

30.09.2019

Mediet profesioniste, themeli shoqërisë demokratike

“Mediet e përgjegjshme dhe profesioniste janë fondamentale për funksionin e çdo demokracie dhe themel i shoqërisë demokratike”, ka theksuar kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq, në hapjen e Forumit Parlamentarë të Cetinës. Në këtë takim marrin pjesë deputet dhe përfaqësues të shtëpive mediatike nga Mali i Zi dhe nga rajoni, përfaqësues të organizatave relevante ndërkombëtare dhe jo qeveritare, të Bashkësisë Akademike dhe të korit diplomatik. Forumin Parlamentarë të Cetinës e organizon Kuvendi i Malit të Zi. “Roli i parlamentit është që me ligj të rregullojë kushtet, kurse roli tjetër real i mediave është që të ofrojë informata të vërteta dhe me kohë, të përkrahin klimën e tolerancës dhe respektimin e llojllojshmërisë, duke mos shpërdoruar forcën dhe ndikimin të cilën ato e kanë “, ka theksuar Brajoviq. Sipas fjalëve të tij është në interes të Parlamentit dhe të deputetëve që puna e tyre të shihet në mënyrë që qytetarët ti prezantojnë me dinjitet dhe të arsyetojnë besimin e dhënë. Në Forum, siç është kumtuar nga Parlamenti, do të mbahen sesione me titull, “Përgjegjësia e parlamenteve dhe e shërbimeve publike në promovimin e kulturës së dialogut politikë” dhe “Roli i zgjidhjeve ligjore në forcimin e lirisë dhe profesionalitetit të punës së mediave”.

Seanca e Parlamentit do të mbahet me 8 tetor në Cetinë

Parlamenti i Malit të Zi mbledhjen e vetë të parë të rregullt të vjeshtës me 4 pika të rendit të ditës, do ta mbajë me 8 tetor në Cetinë. Deputetet do të shqyrtojnë Propozim ligjin për vërtetimin e protokollit nga viti 2005 për ndryshimet dhe plotësimet e protokollit për ndalimin e veprave të pa ligjshme kundër sigurisë së platformave të patundshme të cilat gjenden në rripin epikontienental. Seanca do ti kushtohet edhe Propozimit të ligjit për vërtetimin e protokollit nga viti 2005 për ndryshimet dhe plotësimet e konventës për ndalimin e aktiviteteve jo ligjore kundër sigurisë së lundrimit detar dhe propozim vendimit për sjelljen e ndryshimeve dhe të plotësimeve të studimit shtetëror të lokalitetit “Arsenall” në Tivat. Në rend të ditës do të jenë edhe zgjedhjet dhe emërimet.

Policia të mbrojë pa kompromis shtetin dhe individin

Kryeministri Dushko Markoviq u ka thënë udhëheqësve të Shërbimit të sigurimit se kërkon nga ata që pa kompromis të mbrojnë shtetin dhe çdo individ të rrezikuar nga aktivitetet kriminale dhe të sigurojnë që të gjithë përveç kriminelëve në Mal të Zi të jetojnë të qetë. Markoviq në Kolegjiumin e drejtorisë së policisë ka vlerësuar se shërbimet e sigurimit gjatë historisë kanë qenë të parat në mbrojtjen e lirisë së qytetarëve të Malit të Zi dhe kanë luajtur rol të rëndësishëm, bile rol vendimtar në ruajtjen e stabilitetit të brendshëm të Malit të Zi. Ai ka theksuar se këto shërbime sot ballafaqohen me sfida komplekse të sigurisë për zgjidhjen e të cilave janë të domosdoshme njohuri dhe teknologji të reja. Kryeministri u ka rekomanduar strukturave udhëheqëse të Shërbimit të sigurisë se kërkon nga ata që të sigurojnë funksionimin e sektorit të sigurisë në pajtim me nevojat dhe pritshmërinë e qytetarëve të Malit të Zi. Ai ka vlerësuar se gjatë viteve të fundit është avancuar dukshëm raporti i besimit reciprok ndërmjet policisë dhe qytetarëve dhe për këtë flasin rezultatet e të gjitha sondazheve duke duke shtuar se në këtë drejtim duhet punuar vazhdimisht.

Përpjekje të përfitojnë nivel më të lartë të besimit të qytetarëve

Ministria e punëve të brendshme dhe Drejtoria e policisë do të përpiqen të realizojnë nivel akoma më të lartë të besimit të qytetarëve, ka deklaruar ministri kompetent, Mevludin Nuhoxhiq duke shtuar se propozimet e qytetarëve janë motiv shtesë për shënimin e rezultateve akoma më të mira. Ai, në manifestimin “Dita e dyerve të hapura”, ka theksuar se njëri nga qëllimet e MPB dhe të drejtorisë së policisë është që më me intensitet të komunikojnë me qytetarët. Siç ka theksuar Nuhoxhiq gjatë ditëve të dyerve të hapura, nënpunësit e MPB dhe të drejtorisë së policisë bisedojnë drejtpërdrejtë me qytetarët për punën të cilën e ushtrojnë në interes të tyre. Sipas fjalëve të tij qasja kritike dhe propozimet e qytetarëve janë motivacion shtesë për Ministrinë e brendshme dhe Drejtorinë e policisë që punën ta kryejnë shumë më mirë dhe në interes të sigurisë të gjithë qytetarëve të Malit të Zi.

Projektet tej kufitare model i mirë për tejkalimin e sfidave

Projektet e bashkëpunimit ndërkufitarë, të cilat shtetet e Ballkanit Perëndimor i kanë realizuar se bashku janë nxitje e fortë në procesin e integrimeve evropiane dhe mënyrë e mirë për tejkalimin e sfidave në rrugën drejtë BE, është theksuar me rastin e shënimit të Ditës së bashkëpunimit evropian. Sot në Podgoricë në kuadër të shënimit të ditës së bashkëpunimit evropianë është hapur ekspozita e fotografive të cilat ilustrojnë rezultatet e projekteve të bashkëpunimit evropian. Bashkëbiseduesi kryesor Aleksandar Drleviq ka theksuar se ky event në Mal të Zi është nxitje esenciale e integrimeve evropiane dhe ka përkujtuar se prej vitit 2007 deri në vitin 2013 shteti ka marrë pjesë në 227 projekte vlera e të cilave e kap shumën e 38 milion euro. Zëvendësja e shefit të sektorit për bashkëpunim në delegacionin e BE në Mal të Zi, Odron Urbanaviqute, ka theksuar se kjo traditë e shënimit të ditës të bashkëpunimi evropian ka filluar në vitin 2012, por bashkëpunimi ndërmjet shteteve në BE dhe shteteve fqinje është e gjatë mbi 20 vite. “Aktualisht janë në implementim 104 projekte të bashkëpunimit ndërkombëtarë të cilat financohen përmes programeve të ndryshme të bashkëpunimit territorial në të cilat merr pjesë edhe Mali i Zi”, ka theksuar Urbanaviqute.

Pribilloviq në dialogun politikë në Lublanë

Ministrja e administratës publike, Suzana Pribilloviq, do të marr pjesë në dialogun politik të nivelit të lartë i cili sot dhe nesër mbahet në Lubjanë. Nga kjo Ministri kanë kumtuar se Pribilloviq me kolegun slloven, Rudi Medvedev, do të nënshkruaj memorandumin për mirëkuptim ndërmjet Ministrisë së administratës publike të dy shteteve nga fusha e reformës së administratës publike. “Dialogu politik i është kushtuar reformës së administratës publike dhe është rast që ministrat e obliguar për reformën e administratës publike të bisedojnë për çështjet dhe modalitetet e shumta të bashkëpunimit të mëtejmë në nivelin rajonal dhe më gjerë”, thuhet në kumtesë. Nga Ministria kanë kumtuar se në kuadër të dialogut do të prezantohen përvojat sllovene në modernizimin e administratës publike si dhe të arriturat dhe sfidat në procesin e reformimit të administratës publike në Ballkanin Perëndimor. Dialogun politik në nivelin e lartë e organizon shkolla rajonale për administratën publike.

Nuk do të tërhiqem para individëve nga fletë arresti

Prokurori suprem i shtetit, Ivica Stankoviq, ka kumtuar se nuk do të tërhiqet nga presioni i personave në fletarreste. Ai këtë e ka deklaruar për gazetën “Dan”, duke u përgjigjur në pyetjen nëse do të tërhiqet nga funksioni në mënyrë që të mundësojë hetimin pa pengesë për inçizimet e gjoja korrupsionit në prokurori. “Gjatë tërë jetës së deritashme dhe stazhit tim punues e kam jetuar dhe kam vepruar në mënyrë të drejtë dhe të ndershme. Kështu edhe do të pensionohem kur të jetë koha”, ka theksuar Stankoviq. Të gjithë prokurorët e Prokurorisë të shtetit në mbledhjen e zgjeruar, në prag të Kolegjit të prokurorisë, janë deklaruar se nuk dëshirojnë të jenë ushtrues të detyrës të Prokurorit suprem të shtetit. Ata, siç i është thënë gazetës “Dan”, konsiderojnë se Stankoviq duhet ta ushtrojë këtë funksion deri në zgjedhjen e prokurorit kryesor të ri të shtetit. Të theksojmë se Stankoviqit mandati i skadon me 7 tetor kur Kolegji i prokurorisë duhet të vendos për ushtruesin e detyrës.

Protesta e lëvizjes Rezisto para ndërtesës së prokurorisë

Protesta e lëvizjes “Rezisto”, do të mbahet sonte para ndërtesës së Prokurorisë supreme të shtetit në Podgoricë. Përfaqësuesit e Lëvizjes u kanë bërë ftesë qytetarëve dhe deputetëve opozitarë që, siç kanë theksuar, së bashku ta kundërshtojnë regjimin e korruptuar. Ata kanë theksuar se presin që në protestë të marrin pjesë të gjithë deputetet opozitarë. “Protestën do ta vazhdojmë si reprizë të protestës së 2 shkurtit”, kanë theksuar nga Këshilli organizativ. Siç shtohet, presim që ftesës për protestë do të përgjigjet edhe një numër i madh i qytetarëve.

Shënohet dita ndërkombëtare të moshuarve

Kryqi i Kuq do të shënojë nesër “Ditën ndërkombëtare të personave të moshuar”, me aktivitete të shumta në disa komuna të Malit të Zi me qëllim të avancimit të pozitës së tyre dhe ruajtjes së dinjitetit, është kumtuar nga kjo organizatë me qëllim që të përmirësohet pozita e të moshuarve dhe që të ruhet dinjiteti i tyre dhe të rritet pjesëmarrja e tyre në Bashkësi. Siç kanë theksuar, kjo datë është me rëndësi të madhe për organizatën e cila në vazhdimësi kujdeset për të moshuarit më të rrezikuar me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së tyre.

Kabineti i Gjukanoviqit s'i komenton deklaratat e Irinejit për Kosovën

Kabineti i presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kumtoi se nuk do t'i komentojë "pritjet" e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, që Mali i Zi të tërheqë njohjen e Kosovës. "Mali i Zi ka politikë të jashtme të qëndrueshme, të bazuar në interesat e tij shtetërore dhe kombëtare, e cila, sipas vlerësimeve nga adresat më të rëndësishme evropiane dhe botërore, i kontribuon edhe stabilitetit në rajon", njofton shërbimi për informim i Gjukanoviqit, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë. Dy ditë më parë, gjatë qëndrimit në Mal të Zi, kreu i Kishës Ortodokse Serbe tha se është i bindur se Gjukanoviq do ta tërheqë njohjen e, siç u shpreh, "shtetit të rremë të Kosovës" dhe se ai "do t'iu kthehet vlerave të vërteta". Mali i Zi e ka njohur Kosovën në tetor të vitit 2008, vetëm disa muaj pasi Kosova ka shpallur pavarësinë. Serbia, tash e sa kohë, thuhet se është angazhuar në një fushatë për të bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën që të zmbrapsen nga një hap i tillë.

Ambasadori amerikan ka një apel për qytetarët

Më 6 tetor do të mbahen zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Kosovë. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kossnet, ka inkurajuar mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Twitter ai ka shpërndarë linkun e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ku thekson se ky institucion i merr seriozisht parregullsitë e raportuara nga qytetarët. “Një pjesë të zgjedhjeve të drejta përfshijnë institucionet qeveritare si Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e cila i merr seriozisht të gjitha ankesat e bëra drejtpërdrejt”,shkruan Kossnet. Duhet theksuar se, zgjedhjet që do të mbahen këtë të diel më 6 tetor, janë zgjedhje të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt.

Kandidatët për kryeministër për dialogun Kosovë-Serbi, ende asnjë ofertë konkrete

Qeveria e re e Kosovës pas zgjedhjeve te 6 tetorit, do të duhet të përballet me temën e dialogut me Serbinë, pavarësisht vështirësive dhe pengesave që mund të ketë në këtë proces. Kjo është një kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare e kryesisht e SHBA-së, e theksuar disa herë nga i ngarkuari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Metju Palmer. Kosova tani gjendet në fushatë zgjedhore dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është tema për të cilën kanë shfaqur pikëpamjet e tyre edhe kandidatët për kryeministër të Kosovës. Kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani, thotë se në rast fitoreje, dialogun me Serbinë do ta udhëheqë vetë ajo, ndërsa kandidati tjetër për kryeministër, Ramush Haradinaj i cili u dorëhoq nga posti i kryeministrit dhe që gjatë qeverisjes së tij u vendos taksa 100% ndaj mallrave të Serbisë, thotë se ky vendim për taksën i ka treguar Serbisë që Kosova nuk hyn në dialog me kushte, ashtu siç po kërkon Serbia. Lideri i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, thotë se në rast se zgjidhet kryeministër, fillimisht duhen rishqyrtuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun Kosovë-Serbi, duke shtuar se me qeverinë e tij do te formojë një ekip negociator ku do të shqyrtohet secila fushë. Derisa edhe kandidati i Nismës për kryeministër të Kosovës, Fatmir Limaj i kërkoi spektrit politik kosovar një unitet për t’iu qasur dialogut me Serbinë, kandidati i PDK-së Kadri Veseli akoma në këtë fazë nuk ka dalë me ndonjë qëndrim për dialogun e ardhshëm më Serbinë në rast se zgjidhet kryeministër. Në këtë fazë të fushatës ai është përqendruar në temën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Analistët politikë nga ana e tyre, thonë se ata nuk kanë parë ndonjë opsion të qartë në qasjen e kandidatëve për kryeministra lidhur me dialogun me Serbinë. Vendet e QUINT-it vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova pezullimin e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe rifillimin e dialogut, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese ndaj të dyja palëve.

Prishtina ka frikë nga Lista Serbe dhe presidenti Vuçiq

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që në zgjedhjet e ardhshme të 6 tetorit të votojnë për Listën Serbe sepse në këtë mënyrë votojnë lidhjen me Beogradin dhe Qeverinë serbe. Ai për “TV Pink” ka deklaruar se zyrtarët nga Prishtina kanë frikë nga Lista Serbe sepse e dinë se ajo listë do të jetë në raportet më të mira në lidhje me Beogradin.“Shqiptarët kanë frikë nga Lista Serbe dhe sinqerisht kanë frikë nga Aleksandar Vuçiq. Lista Serbe në bashkëpunim me Beogradin gjithmonë do të jetë me popullin dhe qeverinë e saj. Me kë tjetër duhet të jetë?”, deklaroi Vulin. “Të gjithë ata që mundohen të fitojnë vota nga shqiptarët dhe në atë mënyrë të paraqiten rrejshëm si përfaqësues të serbëve në mënyrë që të hyjnë në parlamentin e Kosovës dhe të mbështesin nesër qeverinë e shqiptarëve, nuk punojnë për Serbinë”, shtoi ai.

Opozita shpreson zgjedhje të parakohshme, qeveria dialog në institucione

Në Tiranë, Partia Demokratike e opozitës po përgatit degët e saj për zgjedhje të parakohshme, sipas të dhënave nga një mbledhjet e zhvilluara këtyre ditëve. Opozita ka vlerësuar se kriza politike mund të kapërcehet me zgjedhje parlamentare dhe vendore në të njëjtën ditë. Ndërsa Socialistët i kanë ftuar opozitarët për dialog në institucione, duke theksuar se zgjedhjet e radhës do të mbahen në afatin e parashikuar në fund të mandatit. Kryesia e Partisë Demokratike të opozitës dhe pjesëtarët e ish-grupit të saj parlamentar zhvilluan mbledhje, ku u diskutua angazhimi më i madh i strukturave vendore partiake. Kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha, sipas të dhënave nga mbledhja u ka kërkuar gjithë të pranishmëve të shpërndahen sa më shpejt në qarqe dhe të shtojnë e rijetësojnë anëtarësinë e partisë. Partia Demokratike ka thënë se komisioni parlamentar i reformës zgjedhore është jolegjitim, dhe ajo propozon një komision me përfaqësues nga partitë kryesore dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë. Shumica socialiste ka hedhur poshtë kërkesat e opozitës për një komision për reformë zgjedhore me pjesëmarrje të ndërkombëtarëve, dhe i fton opozitarët për dialog në institucione, duke mohuar edhe praninë e një krize politike në kryeqytet. Socialistët po vazhdojnë qeverisjen e tyre në nivel qendror dhe vendor, duke hedhur poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

 

Ditë zie kombëtare në Francë, i jepet lamtumira ish-Presidentit të vendit Jacques Chirac

Në Francë sot është dite zie kombëtare, ndërsa i jepet lamtumira ish-Presidentit të vendit Jacques Chirac i ndare nga jeta disa ditë më parë në moshën 86 vjeçare. Arkëmorti me trupin e pajete të politikanit të shquar francez, u vendos që dje në mesdite në Katedralen e Shën Luigjit në kompleksin memorial Invalides, në qendër të Parisit. Mijëra qytetarë francezë kanë qëndruar dje e sot para godinës në radhë për të hyrë brenda saj, për të nderuar kujtimin e Jacques Chirac duke u përkulur para arkivolit me trupin e tij. Në ceremoninë e funeralit të tij janë planifikuar nderime ushtarake në qendër të Parisit. Ceremonia e varrimit do të mbahet me vone gjate ditës, me rreth 30 shefa shtetesh dhe qeverish që pritet të jenë të pranishëm, mes të cilëve, presidenti rus, Vladimir Putin, ai gjerman Frank Valter Steinmeier, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker etj. Edhe pasuesit e tij, Nikolas Sarkozy dhe Fransua Hollandë do të jenë të pranishëm. Chirac do të prehet në Paris, në varrezat Montparnasse, ku gjendet edhe vajza e tij, Laurence, e cila humbi jetën më 2016.

Partia Popullore fituese e zgjedhjeve në Austri

Sebastian Kurz, udhëheqësi 33 vjeçar i Partisë Popullore austriake është në rrugë për të marrë sërish drejtimin e qeverisë, pasi që partia e tij doli fituese në zgjedhjet e parakohshme të së dielës. Partia e tij fitoi 37 për qind të votave, një ngrite prej 6 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara, por ende e pamjaftueshme për të ngritur në qeveri. Sipas rezultateve paraprake, të Gjelbrit siguruan 14 për qind të votave, një fitore e madhe derisa po rriten shqetësimet për ndryshmet klimatike. Ish aleatët e Kurz nga të djathtët e skajshëm të Partisë së Lirisë, janë humbësit më të mëdhenj në këto zgjedhje në të cilat Socialdemokratët e qendrës së majtë fituan 22 për qind të votave, rezultati më i keq i tyre, ndërsa liberalët NEOS fituan rreth 7 për qind të votave. Rreth 6.4 milionë veta kishin të drejtë vote.

Hungaria nuk do të largohet nga BE-ja

Hungaria nuk ka plane që të largohet nga Bashkimi Evropian, tha kryeministri hungarez, Viktor Orban. Orban shtoi se anëtarët lindorë dhe perëndimorë të bllokut, duhet të gjejnë një kompromis, lidhur me, siç tha ai, të ardhmen e bllokut. “Ne jemi anëtar të Unionit dhe do të vazhdojmë të jemi anëtar”, tha Orban, gjatë një tubimi të partisë së tij. Si duket, këto komente të Orbanit, janë kundërpërgjigje ndaj kritikave që disa shtete të BE-së i kanë bërë Hungarisë, lidhur me sundimin e ligjit. “Ky është shteti ynë, shtëpia jonë dhe askush, përveç hungarezëve, do të mund të vendosë për një gjë të tillë”, tha kryeministri hungarez, Viktor Orban. Hungaria është bërë anëtare e Bashkimit Evropian më 1 maj, 2004.

Johnson thotë se Brexit-i do të ndodhë më 31 tetor

Boris Johnson u zotua se do të vazhdojë të jetë kryeministër i Britanisë së Madhe edhe nëse dështon që të arrijë një marrëveshje me Bashkimin Evropian, duke shtuar se vetëm qeveria e tij konservatore, mund ta respektojë datën 31 tetor, që është afati i fundit që vendi të largohet nga BE-ja. Johnson dëshiron që Britania të largohet nga BE-ja me ose pa marrëveshje. Por, Parlamenti britanik ka miratuar një ligj, që kërkon nga kryeministri që Brexit-i të shtyhet, nëse ai nuk siguron një marrëveshje me Brukselin në samitin e BE-së që do të mbahet më 17 dhe 18 tetor. Megjithatë, Johnson, gjatë një interviste për BBC, nuk shpjegoi se si planifikon që ta anashkalojë këtë ligj, të cilin ai e quan “akti i dorëzimi”. I pyetur se a do të jepte dorëheqje nga pozita e kryeministrit, nëse nuk arrin të sigurojë një marrëveshje të re, ai u përgjigj se ai ka marr udhëheqjen e partisë dhe të vendit në një kohë të vështirë dhe do të vazhdoj ta bëj një gjë të tillë. “Besoj se kjo është përgjegjësia ime”, tha Jonson. Kryeministri britanik, megjithatë, tha se ende është optimist se mund të arrijë “një marrëveshje të mirë” me Brukselin, por shtoi se ai nuk do të pretendojë se arritja e kësaj marrëveshjeje është një gjë e lehtë.

33,68 mijë të pa punësuar

Në Mal të Zi gjatë kësaj jave janë 33.68 mijë të pa punësuar ose 0.15% më tepër se në javën e kaluar, tregojnë të dhënat e Entit për punësim. Shkalla e papunësisë sipas raportit të Entit për punësim është rritur nga 14.49 sa ishte në javën e kaluar në 14.51%. Të theksojmë se shkalla më e lartë e papunësisë 32.7% ishte shënuar në korrik të vitit 2000, kurse shkalla më e ulët në muajin gusht të vitit 2009 me 10.1% të papunësuar. Enti për punësim nga fillimi i këtij viti ka evidentuar, 10.06 mijë persona të punësuar. Nga fillimi i këtij viti janë shpallur 26.17 mijë vende të lira të punës. Të theksojmë se rroga mesatare neto në muajin gusht krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur 1.2%.

Në muajin gusht 13.3% më tepër turistë

Në Mal të Zi në muajin gusht, në vendosjen kolektive kanë qëndruar 220.92 mijë turistë ose 12.3% më tepër se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga MONSTAT është kumtuar se numri i bujtjeve prej 1.05 milion është 8.1% më i lartë se në periudhën krahasuese. Vizitë e lartë këtyre ditëve është shënuar edhe në Ulqin, ku qëndrojnë më tepër se 6 mijë turistë, respektivisht dyfishi i mysafirëve krahasuar me të njëjtën periudhë nga viti i kaluar. Në vazhdimin e sezonit turistik, ka ndikuar koha e mirë gjatë kësaj periudhe dhe siç theksojnë, Ulqini është vend i përshtatshëm për pushime familjare. Gjatë 8 muajve të parë janë realizuar 17.2% më tepër turistë dhe 9.2% më tepër bujtje se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rriten çmimet e karburanteve

Çmimet e benzinës dhe të eurodizelit në Mal të Zi , prej sonte në mesnatë do të jen më të larta 5 cent, është kumtuar nga Ministria e ekonomisë. Gjatë 15 ditëve të ardhshme një litër euro super 95 dhe 98 do të kushtojë 1.34 gjegjësisht 1.38 euro. Ndërkaq një litër eurodizel gjatë dy javëve të ardhshme do të kushtojë 1.26 euro.

Nesër mot i ngjashëm me të sotmin

Sot në Mal të Zi mban mot me vranësira të ndryshueshme por kryesisht i thatë. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Beranë e Budvë 27 gradë, Podgoricë, Herceg Novi e Ulqin 26, Tivar, Plevle e Biejllo Pole 25, Rozhajë 24, Plavë 23, Cetinë e Kollashin 21, Nikshiq 20 dhe në Zhablak 19 gradë.

Edhe për nesër parashihet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe me intervale të gjata me diell. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 7 deri në 18, kurse më e larta e ditës prej 20 deri në 29 gradë celsius.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се