Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

09. 09. 2013. 17:31   >>  17:53

LAJMET 9.09.2013

9.09.2013

Zgjedhjet janë të mundshme në rast të politikës së gabuar për KAP

Partia Social Demokratike nuk do të përkrah mundësinë e barrës së mëtejme të qytetarëve të Malit të Zi, për dëmin të cilin e ka shkaktuar investitori strategjik, kompania qendrore evropiane e Aluminit, ka kumtuar lideri i kësaj partie, Ranko Krivokapiq. Ai ka thënë se nëse vazhdohet në insistimin e politikës së gabuar ndaj Kombinatit të Aluminit në Podgoricë, shteti duhet të vendos nëse dëshiron ta dëgjoj investuesin privat apo dëshirën e popullit, që sipas fjalëve të tij, kjo mund të shprehet vetëm në zgjedhje.

Në Mal të Zi ekziston mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, nëse qeveria vazhdon me politikë të gabuar ndaj KAP, ka deklaruar Krivokapiq. Ai, pas takimit me kryetarin e senatit kanadez Noell Kinsell, ka deklaruar se zgjedhjet e jashtëzakonshme mbeten mundësi e hapur dhe kushdo që do ta ketë shumicën në parlament mund të kërkojë shpalljen e tyre.

 

Zgjedhjet e përgjithshme, pas zgjedhjeve lokale në Podgoricë

Partitë në pushtet do të tentojnë shtyrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Podgoricë, përveç nëse PSD, do të vlerësoj se në zgjedhjet lokale në kryeqytet  mund të përfitoj  nga zgjedhjet e jashtë zakonshme parlamentare, ka vlerësuar analisti politik, Zllatko Vujoviq.

Duke komentuar paralajmërimet për daljen veçmas të PSD në zgjedhjet lokale, Vujoviq thekson se një gjë e tillë ishte e pritshme. Ai po ashtu ka rikujtuar se kjo parti, vite të tëra merr pjesë në zgjedhje në koalicion  në nivelin nacional, por në zgjedhjet lokale në shumicën e rasteve, ka dalë vetë në zgjedhje, sqaron Vujoviq.

 

Në muajt që vinë pritet hapja e kapitujve të ri për bisedime

Komisioni Evropian është i bindur se nëse Mali i Zi vazhdon dinamikën e harmonizimit të legjislaturës së vet me atë Evropiane, në muajt e ardhshëm mund të  pritet  hapja e kapitujve të ri në bisedimet me UE.  Zëdhënësi e eurokomisionerit për zgjerim, Peter Stano, ka vlerësuar se është normale që në këtë fazë të bisedimeve është  hapur  vetëm  numër i kufizuar  i kapitujve. Mali i Zi deri më tani, përkohësisht ka hapur dhe mbyllur kapitujt 25 dhe 26 të bisedimeve, e që kanë të bëjnë me arsimin, shkencën, hulumtimet dhe me kulturën, ka rikujtuar Stano, duke shtuar se qeveria e Malit  të  Zi, i ka miratuar planet aksioniste  për kapitujt 23 dhe 24, në fund të muajit qershor.

 

Kapitujt 23 dhe 24, kusht për fillimin e bisedimeve me UE

Me miratimin e amendamenteve Kushtetuese, parlamenti ka tentuar të kontribuoj hapjen e kapitujve 23 dhe 24, kurse tani institucionet tjera shtetërore duhet të zbatojnë ligjet, prej nga do të varet fillimi i bisedimeve me UE, kanë vlerësuar nga  Mali i Zi Pozitiv. Deputeti i kësaj partie, Dritan Abazoviq, ka rikujtuar se siç është paralajmëruar, procesi i bisedimeve do të fillojë me hapjen e kapitujve 23 dhe 24.

Ai, po ashtu ka vlerësuar se kapitujt që janë hapur dhe mbyllur deri më tani, nuk kanë  peshë të madhe politike, duke shtuar se  Malin e Zi e pret punë e madhe deri në fund të vitit dhe nëse nuk arrin, kjo do të jetë  mos sukses i qeverisë e jo kurrsesi i parlamentit i cili ka tentuar të jap kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim, ka thënë Abazoviq.

 

Nesër vazhdon mbledhja e grupit punues

Grupi punues për ndërtimin e besimit në procesin zgjedhor do ta vazhdojë nesër mbledhjen, ndërsa anëtarja e këtij grupi Branka Boshnjak vlerëson se puna kryesore vetëm se ka përfunduar, por , sipas saj ka mbetur pa u definuar edhe marrëveshja kyçe lidhur me Komisionin Shtetërorë Zgjedhor. Boshnjak tha se afati që ky trup kuvendor të gjitha ndryshimet dhe propozimet eventuale të rregullores t’ia dorëzoj kuvendit ishte 10 shtatori, duke shtuar se grupi punues është verifikuar në mbledhjen e rrallës. Anëtarët e grupit punues do të duhej që nesër të shqyrtojnë propozim ligjet për regjistrin unik zgjedhor, zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve, regjistrat e vendbanimit dhe qëndrimit, shtetësinë malazeze, letërnjoftimin, financimin e partive politike dhe fushatës zgjedhore.

 

Përparim në realizimin e qëllimeve kryesore

Mali i Zi duke falënderuar përkrahjen e Britanisë së Madhe, ka përparuar në zhvillimin e përgjithshëm demokratik dhe ekonomik, vlerësoi kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq gjatë takimit me ambasadoren britanike në Podgoricë Ketrin Najt Sends. Gjukanoviq bisedoi me Sends lidhur me marrëdhëniet bilaterale të Malit të Zi dhe Mbretërisë së Bashkuar, për proceset integruese si dhe për  gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në Mal të Zi.

Kryeministri i Malit të Zi, siç u kumtua nga kabineti i tij, ka falënderuar Najts Sends për kontributin e saj lidhur me përparimin e bashkëpunimit të dy shteteve, duke potencuar kualitetin e lartë të marrëdhënieve ndërmjet Malit të Zi dhe Britanisë së Madhe si dhe mbështetjen të cilën Britania në kontinuitet i ofron Malit të Zi.

 

Në 24 orët e fundit diçka më pak pacientë

Mjekëve në Beranë prej fillimit të epidemisë deri sot në ora 7 të mëngjesit u janë paraqitur 1 mijë e 482 pacientë me dhimbje barku, prej të cilëve 15 gjatë 24 orëve të fundit. Nga shtëpia e shëndetit të Beranës u kumtua se në repartin e fëmijëve janë të hospitalizuar 15 fëmijë, prej të cilëve vetëm një në 24 orët e fundit,  kurse në atë infektive 2 persona me probleme dhe dhimbje në bark. Shërbimi epidemiologjiko-higjienik i shtëpisë së shëndetit në Beranë në bashkëpunim me institutin për shëndetin publik të Malit të Zi edhe sot ka vazhduar me realizimin e anketimit epidemiologjik të banorëve me dhimbje barku si dhe me marrjen e mostrave nga pacientët për diagnostifikimin mikrobiologjik. Vazhdon apeli ndaj banorëve të Beranës që për pije ende të shfrytëzojnë ujin e blerë në shishe përmes masave të shtuara higjienike.

 

Nuk heqim dorë nga oferta e fundit

Grupi i punëtorëve të minierës së boksiteve në Nikshiq ka shprehë pakënaqësi edhe sot, duke u tubuar në sektorin e transportit dhe duke paralajmëruar se nuk heqin dorë nga oferta e fundit, që para fillimit të eksportit të xehes të të punësuarve tu paguhen nga 500 euro. Ata kështu kushtëzojnë eksportin e xehes nga ndërmarrja me pagesën prej 500 eurosh, ndërsa mjetet tjera që kapin shumë prej 1000 eurosh, tu paguhen në dy këste, në periudhën prej 15 ditëve, pas pagesës së parë.  Përfaqësuesi i punëtorëve Ilia Gjillas ka deklaruar për agjencinë Mina se punëtorët nuk do të heqin dorë nga kërkesa në fjalë dhe se kanë treguar gatishmëri për kompromis, por siç bëhet me dije, askush nga kompetentët e ndërmarrjes deri tani nuk u është drejtuar.

 

Shtrenjtohen të gjitha derivatet e naftës

Në Mal të Zi prej sonte në mesnatë, do të shtrenjtohen të gjitha llojet e derivateve të naftës, prej 3 deri në 4 cent, është kumtuar nga ministria e ekonomisë, njofton agjencia Mina. Çmimi i euro-super pa plumb 98 dhe 95 do të jetë më i lartë 3 cent dhe do të kushtojë 1,44 euro, respektivisht 1,41. Eurodizelli brenda 15 ditëve të ardhshme do të jetë 3 cent më i lartë dhe do të kushtojë 1,32 euro, ndërsa për qëllime komerciale, do të jetë më i shtrenjtë për 4 cent, dhe do të kushtojë 1,11 euro. Prej mesnate do të rritet edhe çmimi i vajgurit 3 cent, dhe do të kushtojë 1,01 euro, respektivisht 1,29 euro. Çmimet e derivateve të naftës në mal të zi janë ndryshuar me 17 korrik, kur është shtrenjtuar nafta dhe vajguri, 4 dhe 5 cent.

 

Eshton përshëndet arritjen e marrëveshjeve Kosovë-Serbi

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të jashtme dhe Siguri në BE, Ketrin Eshton ka përshëndetur marrëveshjet e arritura mbrëmë në Bruksel. Eshton ka thënë se mbrëmë u zhvillua rundi i 16-të të diskutimeve që prej arritjes së marrëveshjes së prillit. Kryeministrat me ekipet e tyre kanë qenë në gjendje që të finalizojnë marrëveshje të rëndësishme, për Telekomin dhe Energjinë. Eshton theksoi gjithashtu se mbrëmë kanë pasur diskutime të rëndësishme edhe për zgjedhjet lokale të nëntorit.

“Është shumë e rëndësishme që sa më shumë njerëz të marrin pjesë në procesin zgjedhor. Tashmë janë disa çështje praktike që duhet të zgjidhen. Ne kemi punuar shumë me OSBE-në që e luajnë një rol shumë të rëndësishëm për këto zgjedhje, të cilët gjithashtu na janë bashkuar mbrëmë gjatë një pjese të takimit”, ka thënë mes tjerash përfaqësuesja e UE, Ketrin Eshton.

 

Kosova dhe Serbia merren vesh për telekomunikacionin dhe energjinë

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për telekomunikacionin dhe energjinë. Pajtimi u arrit në takimin e gjashtëmbëdhjetë me radhë ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.  Po ashtu ata janë pajtuar që gjatë ditëve në vijim grupet punuese të të dyja palëve të vazhdojnë diskutimet lidhur me procesin e zgjedhjeve për pushtetin komunal në Kosovë që do të mbahen më tre nëntor.  kryeministri Hashim Thaçi, i cili e cilësoi me rëndësi arritjen e marrëveshjeve, ndërsa lidhur me zgjedhjet tha se është diskutuar që ato të jenë gjithëpërfshirëse, të lira dhe demokratike. Ndërsa kryeministri serb, tha se është shënuar përparim i dukshëm në zbatimin e përgatitjeve për zgjedhjet lokale. Po ashtu është arritur marrëveshje në fushat e telekomunikacionit dhe energjisë dhe Serbia ka përmbushur detyrimet e saj, tha kryeministri serb, duke shfaqur besimin se me së largu në fund të janarit do të fillojnë bisedimet e Serbisë për anëtarësim me Bashkimin Evropian. Asnjëri nga bashkëbiseduesit nuk ka dhënë hollësi rreth marrëveshjeve të reja, sipas të cilave Kosova do të fitojë kodin e saj telefonik. Ende nuk dihen hollësi as rreth marrëveshjes mbi energjinë rreth së cilës ka pasur mospajtime për disa çështje siç është kërkesa e Beogradit për një operator të veçantë për furnizimin e komunitetit serb me energji elektrike. Daçiq tha se takimi i radhës nuk mund të pritet deri pas përfundimit të zgjedhjeve për pushtetin komunal në Kosovë. Mbi 100 subjekte politike janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe nga ky numër 18 subjekte janë nga radhët e komunitetit serb, përfshirë edhe veriun e banuar me shumicë serbe.

 

Veriu, neutral ndaj statusit edhe pas zgjedhjeve

Heqja e logos shtetërore nga fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit mund të jetë vetëm hapi i parë i neutralitetit të komunave veriore në raport me statusin e Kosovës. Kjo gjendje neutrale në veri, sipas gazetës “Tribuna”, vjen si rezultat i dialogut dhe marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Një model afërsisht i ngjashëm ishte proklamuar edhe para nisjes së dialogut politik, fillimisht përmes 6 pikave të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki moon e më pas edhe nga ana e Bashkimit Evropian në planin që atëherë ishte quajtur si drafti i Gjentilinit. I pari parashihte ndarjen e pushtetit në mes Prishtinës dhe Beogradit, kurse i dyti e prezantonte modelin për veriun neutral dhe rajon evropian. Përndryshe, situata e sigurisë gjatës javës së fundit në veri të Mitrovicës ka qenë e qetë por jo edhe e qëndrueshme. Kështu u vlerësua sot në takimin e rregullt të Komitetit lokal për siguri publike që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Nga ky takim u kërkua që strukturat e sigurisë të shtojnë masat e sigurisë gjatë kohës së fushatës zgjedhore në veri, meqë disa grupe ekstremiste janë duke tentuar që të krijojnë probleme për mbajtjen e tyre. 

 

Bllokada, Maqedonia dëmtohet rreth 1 milionë dollarë në ditë

Ka hyrë në fuqi nga mesnata vendimi i Qeverisë së Kosovës për bllokimin e të gjitha mallrave “Made in Macedonia”. Vendimi i tillë i Prishtinës zyrtare erdhi si reagim i masës së Shkupit për aplikimin e taksës për hyrje, që detyron shtetasit e Kosovës të paguajnë në mbërritje nga 2 euro për person, 5 euro për makinë dhe 10 euro për kamionë. Ministrja kosovare e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari – Lila ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se ende nuk ka pasur ndonjë komunikim zyrtar me autoritetet e Maqedonisë. Megjithatë, Kusari – Lila shpreson se në një periudhë të shkurtër, Qeveria e Maqedonisë do të marrë vendim për heqjen e masave që ka aplikuar për qytetarët e Kosovës, i cili, sipas saj, do të pasohej me heqjen e masave nga ana e Kosovës për produktet maqedonase. Sipas njoftimit, takimi mes dy ministrave homolog pritet të zhvillohet gjatë ditës. Gjatë ditës së sotme, në përpjekje për të ftohur “gjakrat”, një delegacion i Qeverisë së Shkupit pritet të udhëtojë për në Prishtinë, për të takuar autoritetet e atjeshme. Nëse nuk tërhiqet vendimi i Kosovës për të bllokuar të gjitha mallrat e Maqedonisë, ekonomia e kësaj të fundit vlerësohet të pësojë humbje disamilionëshe. Një përllogaritje e thjeshtë me shifrat e fundit të shkëmbimit tregtar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, thotë se vendi ynë mund të dëmtohet me 900 mijë dollarë në ditë. Nga janari në qershor, kompanitë vendase kanë eksportuar madje 160 milionë dollarë mall në Kosovë, duke e radhitur atë të dytën pas Gjermanisë, si vend partneri numër një për sa i përket shkëmbimit tregtar, njofton Zhurnal. Ngërçi tregtar në mes dy vendeve pasoi vendimin e Shkupit për të ndaluar importin e miellit nga shtetet e CEFTA-s. Dhe është tani pikërisht masa për taksë që ka aplikuar Shkupi zyrtar, e cila ka precipituar situatën, meqë ajo pengon lëvizjen e lirë dhe dëmton drejtpërsëdrejti qytetarët e Kosovës.

 

Nimic viziton për emrin Athinën e Shkupin

Sipas njoftimit të OKB, Methju Nimic, i dërguari personal i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të bashkuara në bisedimet për emrin, prej sot do të jetë për vizitë zyrtare në Greqi dhe Maqedoni.  Ambasadori Nimic gjatë vizitës së tij në Athinë e Shkup do të takohet me qeveritarë të lartë të të dy vendeve, me objektiv përshpejtimin e procesit për gjetjen e një zgjidhjeje reciprokisht të pranueshme në çështjen “e emrit”, thuhet në njoftim.

Për momentin nuk dihet nëse Nimic ka argumente të reja për të gjetur terren të përbashkët në Maqedoni dhe Greqi, apo për të lëvizur vijat e kuqe të Athinës. Kryeministri grek Antonis Samaras, gjatë fundjavës, tha se "Greqia nuk ka për të negociuar kurrë identitetin historik të Maqedonisë greke".  Deklarata e tij është interpretuar si një mesazh i drejtpërdrejtë në OKB dhe Maqedoninë se Greqia nuk do të ndryshojë qëndrimin për emrin.

 

Shqipëria pa qeveri, dorëhiqet qeveria "Berisha"

Prej ditës së sotme, zyrtarisht Shqipëria është pa qeveri. Qeveria “Berisha” ka dorëzuar dorëheqjen tek Presidenti i Republikës, Bujar Nishani sot në mesditë.  Pas këtij veprimi, me konstituimin e parlamentit të ri, Nishani pritet të mandatojë kreun e mazhorancës së majtë, Edi Rama, për të formuar qeverinë e re.
Kushtetuta parashikon se, kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, Kryeministri i ri propozohet nga partia apo koalicioni që ka shumicën në Kuvend dhe presidenti e emëron. Pas kësaj, Kryeministri i ri duhet të miratohet nga Kuvendi brenda 10 ditëve. Pas zgjedhjes së kreu të ri të qeverisë, Kryeministri i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij.

Sali Berisha ka dorëzuar në Presidencë dorëheqjen si Kryeministër. Berisha duke dalë nga zyrat e reja të selisë së PD-së, ku u mbajt mbledhja e grupit parlamentar të saj, tha se ka vendosur të “mbajë grevë heshtjeje për 24 orë”. “Mbylljet ndaj medieve dhe urdhërimi i dikastereve për të mos komunikuar me mediet. E ka këtë të Eta Xhejms, të Kristian Grejt apo e ka instinkt të etërve të vetë, e dinë ata. Unë këtë gjë nuk e pranoj”, tha Berisha për mediet pas përfundimit të mbledhjes së grupit të PD-së, i cili ka mbajtur postin e kryeministrit për tetë vjet.

 

Seancën e parë të Parlamentit të ri të Shqipërisë e drejton Namik Dokle

Në Shqipëri sot 140 të zgjedhurit nga gara e 23 qershorit do të mblidhen ne seancën e parë parlamentare, që sipas njoftimeve të mëparshme do të duhej të filloj në ora 18.   Nën interes të lartë të vëmendjes së opinionit publik, medias dhe prezencës së të gjithë trupës diplomatike të akredituar në Tiranë, parlamentarët do të hyjnë në seancën, që jo vetëm çel sezonin kuvendor të vjeshtës, por shënon edhe ndërrimin e pushteteve në reflektim të votes së 23 qershorit. Është përcaktuar tashmë që, pas ekzekutimit të himnit kombëtar, kjo seancë të drejtohet nga deputeti socialist Namik Dokle, si më i vjetri pas Sali Berishës, të cilit për shkak të moshës i takonte me rregullore të drejtonte seancën, por që hoqi dorë vullnetarisht.

Dokle pritet të urojë të zgjedhurit nga gara e 23 qershorit dhe do të hapë procedurën për ngritjen e komisionit të përkohshëm të verifikimit të mandateve, i cili verifikon përputhshmërinë me kërkesat ligjore të çdo emri në Parlamentin e ri. Afati maksimal ligjor për këtë procedurë është 48 orë, por nga praktikat e mëparshme këtij komisioni i janë dashur më pak se 24 orë për hartimin e raportit për verifikimin e mandateve. Kuvendi, që mbetet i thirrur në seancë, vijon punimet të martën paradite, ku pritet të bëhet betimi i të zgjedhurve, që vetëm pas këtij momenti do të jenë zyrtarisht deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo i hap rrugën një sërë procedurave të tjera. Zgjedhja e kryetarit të ri të Parlamentit me votën e deputetëve, i përcaktuar tashmë nga shumica e re, Ilir Meta, bëhet menjëherë pas betimit të deputetëve, e më tej zgjedhja e nënkryetarëve.

 

Sot në Norvegji po mbahen zgjedhjet parlamentare

Norvegjezët u janë drejtuar kutive të votimit për zgjedhjen e parlamentit të ri, që pritet t’i japin të drejtën e qeverisjes partive të qendrës së djathtë. Kryeministri Jens Stoltenberg është duke kërkuar një mandat të tretë, por sondazhet po japin rezultate, që thonë se Partia e tij Liberale dhe aleatët ndoshta nuk do të mund të fitojnë mjaftueshëm mandate për të krijuar qeverinë e re.

Aleanca e tij e majtë është përballur me kritika rreth politikave ekonomike dhe vrasjes së 77 njerëzve, kryesisht përkrahës të liberalëve, në sulmin me bombë dhe armë zjarri nga Anders Beivik në vitin 2011. Sfiduesja kryesore e tij për postin e kryeministrit është liderja e partisë Konservatore, Erna Solberg. Një fitore për Solberg mund t’i hapte udhën për tu bërë pjesë e pushtetit edhe Partisë së Progresit që promovon politika kundër imigrantëve. Breivik më parë ka qenë pjesëtar i kësaj partie. Partia e Progresit, megjithatë, e ka dënuar Breivikun dhe qëndrimet e tij.

 

Navalni akuzon për manipulim të rezultatit zgjedhor

Lideri opozitar rus, Aleksei Navalni, ka shprehur dyshimet e tij se rezultati i zgjedhjeve për kreun e Moskës janë falsifikuar. Navalni i ka bërë këto akuza derisa po afrohet numërimi përfundimtar i votave, rezultati i të cilave tregon se kandidati i përkrahur nga pushteti, Sergei Sobyanin, ka fituar rreth 51 për qind të votave, ndërsa Navalni 27 për qind. Me mbi 50 për qind të votave të fituara, Sobyanin do të shpallej fitues pa pasur nevojë për një raund të dytë përballë Navalnit. Aleksei Navalni ka thënë se numërimi i votave është manipuluar, ndërsa është kërcënuar se do të realizojë protesta nëse autoritetet nuk tregojnë se Sobyanin ka fituar më pak se 50 për qind. Pjesëmarrja në zgjedhjet për kreun e Moskës raportohet se ka qenë 26 për qind.

 

Administrata intensifikon fushatën informative

Administrata e presidentit amerikan Barak Obama vazhdon fushatën për të bindur publikun për nevojën që të ndërmerren sulme ushtarake për të ndëshkuar regjimin sirian për përdorimin e armëve kimike. Zyrtarë të administratës shfrytëzuan transmetimet e medias dy ditë para se Presidenti Obama të flasë para kombit për të nxitur Kongresin që të mbështesë planin për veprim ushtarak. Presidenti Obama paraqiti argumentet e tij për sulm ushtarak në fjalimin e përjavshëm të shtunën dhe do ta bëjë të njëjtën gjë në transmetime televizive sot. Përpjekjet më të mëdha të administratës do të vazhdojnë edhe nesër me një fjalim drejtuar vendit.

Anketat tregojnë se pjesa më e madhe e amerikanëve janë kundër operacioneve ushtarake kundër Sirisë dhe vetëm një përqindje e vogël ligjvënësish në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët janë shprehur se mbështesin planin e Presidentit. Sekretari amerikan i Shtetit,John Kerry, thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nuk po kërkojnë që të kontrollojnë luftën civile të Sirisë, nëse ndërmarrin goditjen ajrore të pritshme për të mos lejuar regjimin e Presidentit Bashar al-Asad që të përdorë përsëri gaz helmues. Por, ai shtoi se sulmi kimik i 21 gushtit për të cilin akuzohet qeveria siriane, kishte shkelur “një vijë të kuqe ndërkombëtare”. Ndërkohë sekretari i Jashtëm britanik William Hague shprehu besimin për nevojën e një përgjigjeje të fortë ndaj përdorimit të armëve kimike në Siri, edhe pse parlamenti britanik ka votuar kundër pjesëmarrjes në veprime ushtarake. Kerry u takua me homologët e tij të Lidhjes Arabe, ndërsa SHBA dhe Franca vazhdojnë përpjekjet për krijimin e një koalicioni ndërkombëtar për të nisur veprime ushtarake kundër regjimit sirian, pas sulmit me armë kimike të 21 gushtit.

 

Ende mungon dëshmia finale për sulmin kimik në Siri

Një këshilltar i lartë i presidentit amerikan, Barak Obama, ka thënë se është “mendim praktik” vënia e fajit qeverisë së presidentit, Bashar al Asad për sulmin me armë kimike. Mirëpo, shefi i stafit, Danis McDonough, e ka pranuar se SHBA-të nuk kanë “dëshmi të pakundërshtueshme, përtej ndonjë dyshimi të arsyeshëm” për këtë.

Deklarata e McDonough në një televizion amerikan është bërë pasi administrata e Obamës e ka vazhduar presionin ndaj ligjvënësve për të përkrahur masat që e autorizojnë një operacion ushtarak “të kufizuar” kundër qeverisë siriane. Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati pritet që sot ta fillojnë debatin formal, ndërsa mbetët ende e paqartë nëse ka përkrahje të mjaftueshme për ta kaluar këtë kërkesë. Në një intervistë të fundit dhënë një televizioni amerikan, Assad e ka përsëritur se forcat rebele janë përgjegjëse për sulmin. Uashingtoni thotë se nga sulmi janë vrarë më shumë se 1400 njerëz.

 

Sulmi amerikan në Siri do shkaktonte "shpërthim të terrorizmit"

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka paralajmëruar se çfarëdo sulmi ushtarak në Siri nga SHBA-të do të shkaktonte një “shpërthim të terrorizmit” dhe do të nxiste një valë të re të refugjatëve. Ai ka folur pas takimit me ministrin e jashtëm sirian, Valid al Muallem, i cili po qëndron në Moskë.

Komentet janë bërë në kohën kur presidenti amerikan, Barack Obama, po i vazhdon presionet mbi ligjvënësit amerikanë për të siguruar autorizimin për sulm ushtarak kundër qeverisë siriane, të cilën e bëjnë fajtor për sulmin kimik në luftën që po zhvillohet në Siri. Lavrov ka thënë se Rusia është duke i ndërmarrë hapat për të parandaluar atë që ai e ka quajtur “situatë e dëmshme” në Lindje të Mesme. Ai ka thënë se zgjidhja politike mbetët opsion dhe se regjimi sirian është ende i gatshëm për negociata për paqe. Muellem i ka përcjellur falënderimet personale të presidentit sirian, Bashar al Asad, për homologun e tij rus, Vladimir Putin, për përkrahjen e dhënë deri më tash.

 

Nesër destabilizim i motit

Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht i vranët. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Ulqin 27 gradë, Tivar e Budvë 26, Podgoricë, Herceg Novi e Tivat 25, Mojkovac 22, Plavë e Rozhajë 21, Nikshiq, Kollashin e Cetinë 20, Plevle e Zhablak 19 dhe në Bijello Pole e Beranë 18 gradë.

Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot kryesisht me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell. Pasdite dhe në orët e mbrëmjes vende vende me reshje të mundshme të shiut, kurse gjatë natës me reshje të shiut dhe bubullimë. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 7 deri në 20, kurse më larta e  ditës, prej 20 deri në 29 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се