Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

03. 07. 2019. 18:33   >>  18:36

Ditari 03.07.2019

03.07.2019

UE ka forcuar dhe zgjeruar sferën e ndikimit

Kryenegociatori i Malit të Zi me UE, Aleksandër Drleviq ka vlerësuar se UE pas ngjarjeve të mbrëmshme të cilat kanë luhatur themelet e saj, ka forcuar dhe zgjeruar sferat e ndikimit në planin global. Ai, gjatë takimit me diplomatët e rinj nga 30 shtete, ka theksuar se vendet e Ballkanit perëndimorë duhet së bashku të theksojnë rëndësinë e pranisë të UE në rajon dhe të rikujtojnë se gjithnjë janë pjesë e Europës. Drleviq duke folur në panelin, në kuadër të Shkollës së 12-të verore për diplomatët e rinj, “Gavro Vukoviq”, e cila në Kollashin ka tubuar 50 diplomatë të rinj nga 30 shtete, ka theksuar se politika e zgjerimit përmes historisë së UE është e njohur si një ndër mekanizmat kryesorë të fuqizimit të unitetit, frymës evropiane dhe bashkëpunimit si dhe të kultivimin e dallimeve. Ai poashtu tha se nevojitet të kuptohet se Unioni dhe shteteve anëtare, politika e zgjerimit nuk është gjithmonë në kulmin e prioriteteve, sepse kanë nevojë ti kthehen qytetarëve të vet dhe marrëdhënieve të ndërsjella.

 

Delegacioni i Malit të Zi në samitin e Poznanj

Delegacioni i Qeverisë së Malit të Zi i kryesuar nga kryeministri Dushko Markoviq do të marrë pjesë në Samitin e Ballkanit perëndimorë në Poznanj të Polonisë, i cili mbahet prej sot deri me 5 korrik. Markoviq në Poznanj do të shkojë nesër pasdite, që të premten me ftesë të kryeministrit polak, Mateush Moravjecki, do të marrë pjesë në Samitin e presidenteve të shteteve dhe kryetarëve të Qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimorë, në kuadër të Procesit të Berlinit. Ministrat e punëve të jashtme dhe të brendshme, Sërgjan Darmanoviq dhe Mevlludin Nuhoxhiq, si dhe Sekretari shtetërorë në Ministrinë e ekonomisë, Millan Serzentiq, do të marrin pjesë nesër në tri takime të ndara të Ministrave të ekonomisë, për punë të jashtme dhe të brendshme. Anëtari i delegacionit i cili do të shkojë në Poznanj është edhe Ministrja e shkencës, Sanja Damjanoviq. Rëndësi të veçantë për pjesëmarrje të delegacionit malazez në Samit është edhe nënshkrimi i Memorandumit për bashkëpunim në vendosjen e Institutit ndërkombëtar për teknologji të qëndrueshme në territorin e Evropës juglindore, gjë që njëkohësisht është iniciative malazeze.  

Policitë rajonale në bregdetin e Malit të Zi gjatë sezonit turistik

Drejtori i drejtorisë së policisë së Malit të Zi, Veselin Veloviq dhe drejtori i Policisë shtetërore të Shqipërisë, Ardi Veliu, kanë nënshkruar sot protokollin për bashkëpunim gjatë sezonit veror turistik, në bazë të të cilit, si edhe në vitet e kaluara, policia e Shqipërisë së bashku me kolegët edhe nga pesë shtetet tjera të rajonit, do të qëndrojnë për punë në bregdetin malazez gjatë kësaj vere. Veloviq dhe Veliu kanë vlerësuar se policia malazeze dhe shqiptare në kontinuitet kanë bashkëpunim kualitativ dhe profesional me rezultate konkrete. Ata janë pajtuar se lufta e përbashkët kundër të gjitha formave të kriminalitetit ndërkufitar, migrimeve ilegale dhe sfidave të tjera të sigurisë, janë aspekt i rëndësishëm i veprimit i cili në periudhën e ardhshme do të intensifikohet. Veloviq dhe Veliu janë pajtuar se  patrullat e përbashkëta kufitare të policisë malazeze dhe shqiptare kanë kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e sfidave të sigurisë në hapësirat e dy shteteve, si dhe në drejtimin e problematikës së migrimeve ilegale. Përveç nga Shqipëria, policia malazeze me qëllim të realizimit të bashkëpunimit ndërkombëtar më efikas policorë, edhe këtë sezon turistik do të pres kolegët nga Italia, Kroacia, Serbia, Maqedonia e veriut, dhe për herë të parë, kolegët nga Rumania.

Vërejtjet për Ligj të paraqiten gjatë debatit publik

Të gjitha vërejtjet eventuale në Ligjin për të dhënat sekrete mund të paraqiten gjatë debatit publik, lidhur me këtë akt, i cili është në vazhdim, është kumtuar nga Ministria e mbrojtjes. 36 organizatat joqeveritare malazeze, e kanë ftuar Ministrinë e mbrojtjes që ti tërheq nga procedura disa rregullore kontestuese të Ligjit për të dhënat sekrete, me të cilat siç theksohet, parashihet fshehja e të dhënave kundër ligjit, nga opinioni. Nga Ministria e mbrojtjes kanë kumtuar se disa OJQ në ditë të kaluara në media po zhvillojnë fushatë të pashembullt për Ligjin në fjalë. “Të gjitha vërejtjet eventuale mund ti paraqesin me procedurë të rregullt gjatë këtij debati publik dhe të njëjtat vërejtje do të shqyrtohen në tryezën e rrumbullakët me përfaqësuesit e Drejtorisë për mbrojtjen e të dhënave sekrete dhe të Ministrisë”, theksohet në reagimin e Ministrisë së mbrojtjes. Çdo gjë tjetër, siç konsiderojnë nga kjo Ministri, është propagandë e cila nuk do të sjellë përmirësim për tekstin e Ligjit, gjë që është edhe qëllimi i këtij resori.

 

Medenica propozohet për kryetare të Gjyqit suprem

Në mbledhjen e përgjithshme të Gjyqit suprem, e cila u mbajt sot, është vërtetuar propozimi që për kryetare të këtij Gjyqi të zgjedhet Vesna Medenica. Siç është kumtuar, propozimin për zgjedhjen e Medenicës njëzëri e kanë përkrahur gjyqtarët e Gjyqit suprem, dhe kjo e vërteton vullnetin e qartë të shprehur të Gjyqit më të lartë shtetërorë, ti propozojë Këshillit gjyqësorë kandidaten, e cila në mandatin e kaluar ka realizuar rezultatet shumë të mira. “Duke vlerësuar programin e punës, si pjesë përbërëse e strategjisë profesionale e orientuar në zgjidhjen e sfidave ekzistuese në praktikë, dhe përparimin e kualitetit, efikasitetin dhe transparencën e punës së Gjyqeve si dhe fuqizimin e sistemit juridik të bazuar në sundimin e ligjit, kandidatja e ka fituar përkrahjen e të gjithë 18 gjyqtarëve të Gjyqit suprem”, thuhet në kumtesë.

Turqit në Mal të Zi kanë investuar 187 milion euro

Në ekonominë malazeze nga Turqia prej vitit 2010 janë investuar 187 milion euro, nga të cilat 84 milion në vitin 2018, për ç'gjë ky vend është investuesi i pestë më i rëndësishëm, është kumtuar në takimin e kryetarit të Odës ekonomike të Malit të Zi, Vllastimir Golluboviq dhe ambasadores së Turqisë në Podgoricë, Songull Ozan. Siç është kumtuar nga Oda ekonomike, në katër muajt të parë të këtij viti shënohet shkëmbimi i tregtisë së jashtme me Turqinë në vlerë prej 45 milion euro. Në vendin tonë veprojnë 2 mijë  e 282 ndërmarrje turke, tregojnë të dhënat e Regjistrit qendrorë të Odës ekonomike. Në takimin e kryetarit të Odës ekonomike të Malit të Zi dhe ambasadores turke, është kumtuar se vlera e shkëmbimit të mallrave mes Malit të Zi dhe Turqisë në vitin 2018 ishte më e lartë se 100 milion euro. Vendin tonë e kanë vizituar 45 mijë turistë nga Turqia të cilët kanë realizuar 110 mijë bujtje. “E gjithë kjo fletë për një ambient të volitshëm për investime dhe afarizëm në Mal të Zi, që jam i bindur, në periudhën e ardhshme do të avancohet edhe më shumë”, ka thënë Golluboviq. Ambasadorja Ozan ka thënë me këtë rast se intencat janë që në Mal të Zi të tërhiqen investues serioz nga Turqia, të cilët do të hapin vende të reja të punës dhe të përcjellin përvojën e pasur afariste dhe know- how. “Kompanive turke ju rekomandojmë të iniciojnë punë të qëndrueshme afatgjate në dobi të ekonomisë të dy vendeve”, ka thënë ambasadorja Ozan. 

Rreth 2 mijë të punësuar në sektorin publik duan ndërprerje të punës me kontratë

Vendimi për kompensime për ndërprerje me marrëveshje të marrëdhënieve të punës në sektorin publik është i gatshëm dhe këtë javë do të gjendet para ministrave në mbledhjen e Qeverisë, njofton agjencia CDM. Të gjithë ata të cilët do ta ndërpresin me marrëveshje marrëdhënien e punës, u takon kompensimi deri në 12 bruto paga mujore. Siç njofton kjo agjenci, ideja është që për çdo vit përvojë punë të ndajë edhe gjysmë page bruto, me kusht që nuk mund të tejkalojë 12 paga mujore bruto. CDM njofton se, sipas të dhënave të disponueshme të Ministrisë të administratës publike, ndërprerjen e marrëdhënies të punës me kontratë e kanë shprehur 1,153 të punësuar në nivelin qendrorë dhe 826 të punësuar në nivelin lokal. E gjithë kjo po realizohet në kuadër të planit të optimizimit të administratës publike 2018- 2020, të cilën Qeveria e ka miratuar me propozim të Ministrisë të administratës publike në muajin qershor të vitit të kaluar. Ministrja Suzana Pribilloviq më herët në një intervistë dhënë portalit të CDM, ka thënë se qëllimi i këtyre masave nuk është vetëm të zvogëlojnë punësimin e përgjithshëm, por të kryejnë orientime të caktuara nga sektori publik në atë privat. Në fund të muajit prill të këtij viti, nga Ministria e administratës publike është kumtuar se më shumë se 51 janë të punësuar në administratë publike, nga të cilët 40.4 në nivel shtetërorë, kurse 11 mijë në nivelin lokal.

 

Shumica e re nëse zgjedh kryetarin e Kuvendit komunal të Kotorrit

Ushtruesi i detyrës të kryetarit të Kuvendit Komunal të Kotorrit, Zhelko Avramoviq ka caktuar për nesër në mesditë mbledhjen e Parlamentit lokal. “Mbledhja e 12-të e Kuvendit Komunal të Kotorrit do të mbahet me 4 korrik në sallën e Kuvendit të këtij qyteti”, thuhet në njoftimin e Avramoviq. Rikujtojmë se më herët është kumtuar se përbërja e re e Kuvendit në Parlamentin e Kotorrit, të cilin e përbëjnë 17 këshilltarë të Partisë Demokratike të Socialistëve, Social Demokratët, Partisë Liberale, Iniciativës Qytetare Kroate dhe këshilltarja, Bruna Llonçareviq, kanë caktuar mbledhjen e re për nesër, në të cilën do ta zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit, pasi që javën e kaluar kanë shkarkuar kryetaren e Kuvendit Komunal, Dragica Peroviq.  Avramoviq dje nuk deshi të zbulojë se kush do të jetë kandidat për kryetar të ri të Kuvendit Komunal të këtij qyteti. “Qeveria e Malit të Zi është e obliguar me ligj që në mbledhjen e parë të rrallës, nesër me 4 korrik, të shpërbëjë Kuvendin komunal dhe të emërojë Këshillin e komunës, të cilët do të miratojnë buxhetin dhe të gjitha vendimet tjera, në mënyrë që të mundësojë financimin pa pengesë të qeverisjes lokale, pagat për të punësuarit, mbajtjen e e manifestimeve kulturore dhe funksionimin ligjor të Kotorrit, deklaroi kryetari i Komunës, Vlladimir Jokiq.

Kongresisti Eliot Engel po qëndron në Serbi

Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, njëherësh kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve, po qëndron në Beograd ku u takua edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në një njoftim të ambasadës amerikane në Beograd, thuhet se ai bisedoi me presidentin serb lidhur me bisedimet me Kosovën, arritjen e paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate në Ballkan dhe vënien e drejtësisë për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë. Presidenti serb, tha pas takimit se është diskutuar sa “i rëndësishëm është vazhdimi i bisedimeve, sa është e rëndësishme për marrëdhëniet serbo-shqiptare dhe për qëndrueshmërinë e tërë rajonit”. Ai tha se është diskutuar edhe për rastin e vëllezërve Bytyçi, tre shqiptaro-amerikanë , trupat e të cilëve u gjetën 18 vjet më parë në një varrezë masive në Serbi. Ligjvënësi Engel, pas vizitës në Beograd, pritet të qëndrojë edhe në Luginën e Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë dhe më pas në Kosovë ku do të marrë pjesë në manifestimet me rastin e ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe përurimin e ndërtesës së ambasadës amerikane në Prishtinë. Ai po ashtu do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të një rruge që do të mbajë emrin e tij. Engel njihet si një nga miqtë e mëdhenj të shqiptarëve dhe mbështetës i fuqishëm i zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

 

Objektivi kryesor i Prishtinës është ta marrë veriun

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se situata në veri të Kosovës, është komplekse dhe po bëhet gjithnjë e më e vështirë, veçanërisht në spitalin e Mitrovicës së Veriut. Vuçiq tha se vështirësitë më të mëdha të furnizimit në atë pjesë janë për shkak të taksës së vendosur nga Prishtina, ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Duke komentuar hapjen e pikave të shitjes nga ana e autoriteteve të Prishtinës, pasi për dy ditë me radhë, afaristët serbë i mbyllen dyqanet, presidenti Vuçiq tha se kjo është bërë me qëllim që “serbët të harrojnë lidhjen me atdheun e tyre”. "Objektivi kryesor i këtyre masave të Prishtinës, është ta marrë veriun e Kosovës, dhe të dëbojë popullsinë serbe nga mbarë Kosova", tha Vuçiq. Të hënën, afaristët serbë në veriun e Kosovës, i mbyllën dyqanet pasi thanë se nuk posedojnë furnizim me mallra, për shkak të taksës 100 për qind të vendosur nga autoritetet në Prishtinë për mallrat nga Serbia. Qeveria e Kosovës më pas vendosi të hapë pika të shitjes mobile për banorët e asaj pjese.

Kosova, anëtare e besueshme e BE-së në luftë kundër terrorizmit

Ministri kosovar i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka pritur sot në takim delegacionin e ekspertëve të Bashkimit Evropian, që po qëndrojnë në vizitë në Kosovë për të diskutuar veprimet e Kosovës në zbatimin Planit të Përbashkët kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor. Ministri Tahiri ka njoftuar delegacionin për ndryshimet ligjore, nisur nga ndryshimi i Kodit të ri Penal si dhe Kodit të ri të Procedurës Penale, që tashmë parasheh edhe gjykimin në mungesë dhe zgjatjen e hetimit për veprat e tilla, dhe që do të ndihmojnë Kosovën në luftim më efikas të këtyre dukurive. Këto ndryshime ligjore, sipas ministrit të drejtësisë kosovare, kanë mundësuar edhe krijimin e Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe në Gjykatën e Apelit, që do të trajtojnë lëndët e Prokurorisë Speciale, duke dëshmuar përkushtimin dhe vendosmërinë e institucioneve për luftë të pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

 

Shqipëria s’ka shkelur asnjë kriter

Pak minuta pas njoftimit nga ana e Ambasadorit të BE në Tiranë, Luigi Soreca për refuzimin e kërkesës së Holandës për rikthimin e vizave për shtetasit shqiptare që udhëtojnë në hapsirën Shengen, kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale.“Ja dhe vizat s’u rikthyen siç predikuan e trumpetuan lajmësit e qametit që s’ndodhi! Komisioni Europian e refuzoi kërkesën e qeverisë holandeze dhe e vërteta doli fiks siç ishte kur e thamë e shumëkush s’e besoi: Vizat nuk rikthehen sepse Shqipëria s’ka shkelur asnjë kriter”, shkruan Rama në Twitter. Ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca ka konfirmuar vendimin e Komisionit të KE për të mos pranuar kërkesën e Holandës për rikthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë. “Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së kërkesës së Holandës dhe bazuar në të dhënat përkatëse të informacionit në dispozicion, Komisioni Evropian ka vendosur që në situatën aktuale nuk janë plotësuar rrethanat për të vënë në lëvizje mekanizmin e pezullimit të vizave” shkruan Soreca në Twitter. Por sipas tij Komisioni sigurisht do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza. Për ambasadorin e BE në Tiranë, tani është koha që, pas këtij konfirmimi, Shqipëria të çojë më tej arritjet e saj të rëndësishme të vitin 2010 dhe për të ecur përpara, duke pasur parasysh vendimin e rëndësishëm të Komisionit Evropian në muaji tetor.

Të përsëriten zgjedhjet vendore

Njohësi i çështjeve të Ballkanit analisti David Philips, ka një qëndrim tejet kritik mbi mënyrën se si u mbajtën zgjedhjet vendore në Shqipëri, prej qasjes së mazhorancës tek roli i opozitës. Ai thotë se 30 qershori nuk ishte tregues për një vend demokratik. Philips propozon përsëritjen e zgjedhjeve lokale në Shqipëri si e vetmja mënyrë që vendi të dalë nga situata e pazakontë në të cilën ndodhet. Sipas tij procesi i 30 qershorit ishte një farsë zgjedhore, pa mundësi zgjedhjeje, e tipit që do të organizonte një parti-shtet. Analisti propozon gjithashtu edhe një rishikim të qasjes së administratës amerikane ndaj Shqipërisë, për të cilën thotë se ka mbyllur sytë përballë problemeve reale që po kalon vendi.  Ai ndan bindjen se Uashingtoni bëri një gabim duke mos pranuar mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve në emër të stabilitetit për vendin. Duke i qëndruar fort logjikës se procesi i 30 qershorit ishte një farsë zgjedhore, analisti propozon ripërsëritjen e procesit. Sipas Phillips opozita duhet të hyjë në dialog me kryeministrin Edi Rama duke propozuar përsëritjen e zgjedhjeve si dhe të përcaktohen kushtet nën të cilat ky proces do të zhvillohet.

 

Italiani David Sassoli zgjidhet kryetar i Parlamentit Evropian

Parlamenti Evropian, zgjodhi ligjvënësin socialist italian, David Sassoli, për president të tij për dy vjet e gjysmë. Sassoli, 63 vjeçar, u zgjodh pas dy raunde votimesh në sesionin e parë të punës së parlamentit që doli nga zgjedhjet e muajit maj.  Sassoli, një ish gazetar nga Firence, është deputet i Parlamentit Evropian për një dekadë. Një natë më parë, udhëheqësit e Bashkimit Evropian, zgjodhën drejtuesit e disa institucioneve të bllokut prej 28-vendesh për të paktën pesë vitet e ardhshme, duke tejkaluar mosmarrëveshjet e shkaktuara nga ndarjet e thella brenda BE-së. Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk tha  se Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen është emëruar presidente e Komisionit Evropian ndërsa Kryeministri belg Charles Michel, president i këshillit. Ekspertja monetare francez Christine Lagarde u emërua shefe e Bankës Qendrore Evropiane ndërsa ministri i Jashtëm spanjoll Josep Borrell u zgjodh shef i punëve të jashtme të BE-së.

U regjistruan 129 nxënës në klasë të parë

Shkolla Fillore, “Mahmut Lekiq” ka regjistruar 129 nxënës në klasë të parë. Nga ky numër, siç ka theksuar drejtori i kësaj shkolle, Rexhep Gjokaj, 93 nxënës janë regjistruar në shkollën e Tuzit, 62 prej të cilëve mësimin do ta ndjekin në gjuhën malazeze, kurse 31 nxënës në gjuhën shqipe. Në paralelet e ndara të kësaj shkolle, në Milesh dhe Sukruq janë regjistruar nga 14 nxënës, kurse në shkollën e Vuksanlekajve 8 nxënës. Shkolla amë do të ketë pesë klasë të para, kurse në paralelet e ndara nga një klasë, që në total janë tetë klasë të para për këtë vit.

 

Marrëveshje për përmirësimin e  furnizimit me ujë të pijshëm

Temperaturat e larta këtyre ditëve nuk janë befasuese për këtë periudhë të vitit pasi në këto hapësira, rëndom stina  e verës është e e nxehtë, me temperatura të cilat arrijnë deri në 40 gradë dhe madje edhe më tepër. Andaj, në kohërat më të reja duke ndryshuar kushtet e jetës kërkohet kujdes i shtuar edhe për banorët, për tu ruajtur nga pasojat e  mundshme nga temperaturat e  larta të motit. Mirëpo, ajo është e vështirë të përballohet në kushtet e këtilla të motit, është mungesa e ujit të nevojshëm për amvisëri e që në këto hapësira është dukuri mjaft e shpeshtë. Aq më parë pasi në zonat urbane dhe përreth tyre është koncentrimi  më i madh i popullsisë andaj edhe nevojat e banorëve për ujë të pijshëm janë gjithnjë e më të mëdha. Ngjashëm është edhe në komunën e Tuzit, në të cilën furnizimi me ujë të pijshëm është problem në vazhdimësi, sidomos i banorëve  në zonat përreth, në pjesën  malore ku nuk ekziston rrjeti i ujësjellësit  kurse burimet tjera të ujit janë shumë modeste. Viteve të fundit  në disa nga zonat rurale janë ndërmarr hapa konkret në përmirësimin e  gjendjes mirëpo projektet e tilla nuk janë jetësuar ende plotësisht për të ndryshuar situatën ekzistuese.  Këtyre ditëve, respektivisht tashmë një periudhë mjaft të gjatë, edhe banorët në pjesën fushore të komunës, përballen me probleme mjaft të theksuara në furnizimin me ujë të pijshëm nga rrjeti ekzistues i ujësjellësit. Madje, me probleme të tilla përballen edhe banorët në pjesën më të afërt qendrës por, siç njoftuan nga pushteti vendor, ditëve të fundit kanë bërë angazhime shtesë në përmirësimin e gjendjes. Në komunikim të drejtpërdrejtë me drejtuesit e ndërmarrjes  publike Ujësjellësi dhe kanalizimi i Podgoricës, është arritur marrëveshja për rritjen e kapacitetit të furnizimit me ujë për 15 litra shtesë në sekondë. Siç njoftojnë nga komuna, kjo do të ndikojë  dukshëm në përmirësimin e gjendjes aktuale dhe, siç paralajmërojnë, me kalimin e  kompetencave të kësaj ndërmarrje në komunën e Tuzit, do të  veprohet në gjetjen e zgjidhjeve afatgjatë në furnizimin e  banorëve me ujë të pijshëm.  

përgatiti, Gjokë Dukaj

 

Edhe nesër mot i nxehtë

Në Mal të Zi sot po mban mot i kthjellët dhe i nxehtë, ne veri me vranësira të pakta lokale. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë 38 gradë, Cetinë 35, Nikshiq 34, Shavnik 33, Ulqin e Budvë 32, Herceg Novi, Petrovac, Andrijevicë e Beranë 31, Plavë e Rozhajë 30, Tivar e Plevle 29, Bijello Pole, Kollashin e Plluzhinë 28 dhe në Zhablak 24 gradë.

Edhe për nesër parashihet të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë. Pasdite dhe në orët e mbrëmjes në pjesët kontinentale vranësira gradual dhe reshje të mundshme të shiut. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 9 deri në 22, kurse më e larta e ditës prej 23 deri në 37 gradë celsius.     

 

Ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се