Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

01. 07. 2019. 17:59 >> 18:04

Ditari 01.07.2019

01.07.2019

“Qeveria do të ndihmojë , por edhe komunat duhet të angazhohen” 

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, i ka rekomanduar udhëheqjes së Komunës së Rozhajës, se qeveria është e vendosur në realizimin e projekteve zhvillimore, sidomos në rajonin e veriut, por pushteti lokal duhet të gjejë zgjidhje për sfidat e përditshme duke propozuar projekte të reja. Markoviq, i ka rekomanduar udhëheqjes komunale të Rozhajës, në krye me kryetarin e komunës, Ejup Nurkoviq, dhe me kryetarin e Kuvendit komunal, Allmir Abdiq, se qeveria është e vendosur në realizimin e projekteve zhvillimore të cilat paraqesin vlerë të re për ekonominë e vendit, se Qeveria në veçanti i është përkushtuar zhvillimit të rajonit verior, por pushteti lokal duhet të gjej zgjidhje për sfidat me të cilat ballafaqohet dhe duhet të propozojë projekte të reja. Ai, ka theksuar se në mungesën e projekteve zhvillimore nuk mund të ketë as progres. Markoviq, ka theksuar se qeveria është e fokusuar në veriun e vendit dhe në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve duke tërhequr vërejtjen se nuk është e qëndrueshme zgjidhja që të punësuarit në administratën lokale dhe ndërmarrjet publike, nuk i marrin rrogat në rregull. Nënkryetari i Qeverisë, Rafet Husoviq,  ka kërkuar nga udhëheqja komunale që ti propozojë qeverisë modelin e tejkalimit të situatës aktuale duke shtuar se  qëllim i përbashkët duhet të jetë që të punësuarit në administratën lokale dhe në ndërmarrjet publike prej 1 janarit të vitit të ardhshëm, ti marrin rregullisht të ardhurat mujore. Gjatë takimit, është fol edhe për projektet e reja të cilat duhet të kontribuojnë në krijimin e kushteve për zhvillimin e biznesit, siç është projekti i biznes zonës. Në këtë takim, kanë marrë pjesë edhe ministri  për komunikacion dhe detari, Osman Nurkoviq, dhe drejtorët e drejtorive të punëve publike, Reshad Nuhoxhiq, dhe i drejtorisë për punët inspektive, Alia Koshuta.

Reforma e re e ligjit për këshillin gjyqësor

Ministria e drejtësisë, ka formuar grupin punues i cili do të merret me ndryshimet e ligjit për kolegjin gjyqësor dhe për gjykatësit, ka deklaruar anëtarja e kolegjit, Ana Peroviq Vojinoviq. Anëtarët e grupit punues, përveç Vojinoviq, janë kryetarja e gjyqit administrativ, Branka Llakoçeviq, dhe gjykatësi i gjyqit suprem, Mirash Radoviq.

Peroviq – Vojinoviq, në tryezën e rrumbullakët në të  cilën është prezantuar raporti “Zgjedhja dhe avancimi i gjykatësve dhe i prokurorëve në Mal të Zi“, të aksionit për të drejtat e njeriut, ka deklaruar se grupi punues është formuar por akoma nuk janë mbajtur takimet formale. Drejtorja ekzekutive e iniciativës për të drejtat e njeriut, Tea Gorjanc- Preleviq, ka vlerësuar se reforma e gjyqësorit akoma nuk ka dhënë  rezultatet e duhura. Ajo, ka shtuar se në kolegjin gjyqësor gjithnjë gjendet ministri i drejtësisë dhe juristët eminent për të cilët nuk janë paraparë kriteret e mjaftueshme të pavarësisë që do të përjashtonte ndikimin politikë.

Ajo, ka shtuar se shpreson që grupi punues i cili do të merret me ligjin për kolegjin gjyqësor dhe gjykatësit me ndryshimet e parapara, do ti fus edhe këto kritere.

 

Çështja e Kishës autoqefale është hapur në bazë të fakteve

PDS,  nuk e ka hapur çështjen e Kishës autoqefale malazeze, në bazë të emocioneve ose dëshirave të fshehta, por në bazë të fakteve, në bazë të lëndës së pasur historike dhe dëshmive të shumta, ka theksuar anëtari i kryesisë së PDS, Petar Ivanoviq, në konferencën zgjedhore komunale në Tivar.

Ai, ka shtuar se nuk mund ti respektojnë të tjerët nëse nuk respektojnë veten. Ivanoviq, ka theksuar se kongresi i PDS dhe të gjitha aktivitetet në prag të mbajtjes së tij, paraqesin edhe një rast që të ndikohet në krijimin e të ardhmes. Ai, ka shtuar se askush më  mirë nuk mund ta vlerësojë lirinë se sa ai të cilit me pa të drejtë i ishte mohuar. Ivanoviq, me këtë rast ka theksuar se është hapur edhe një çështje shumë e rëndësishme e cila depërton thellë në identitetin tonë, çështja e kishës autoqefale malazeze.

Vdes, Momir Bullatoviq, ish presidenti i Malit të Z 

Momir Bullatoviq, ish president i Malit të Zi, nga viti 1990 deri në vitin 1998, e kryeministër i qeverisë të RFJ, prej vitit 1998 deri në vitin 2000, ka vdekur dje në moshën 63 vjeçare, në Kuç. Bulltoviq, u lind në vitin 1956, në Beograd, në një familje ushtarake, kurse shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në Zarë. Në Mal të Zi, vjen në vitin 1975, ku regjistron fakultetin ekonomik dhe më vonë magjistron shkencat ekonomike. Në vitin 1989, zgjedhet kryetar i kryesisë të KQ të LK të Malit të Zi, kurse president i Malit të Zi zgjedhet në vitin 1990, në zgjedhjet e para shumë partiake.

Pas 8 viteve në krye të republikës dhe të konfliktit në kreun e PDS, Bullatoviq, i humb zgjedhjet presidenciale nga bashkëpunëtori i tij i deri atëhershëm e kryeministër i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Menjëherë pas ndryshimeve në vitin 1998 pason ftesa e Sllobodan Millosheviqit, që Bullatoviq ta formojë kabinetin e ri në nivelin federal .

Bullatoviq, në këtë funksion ka qëndruar gati dy vjet.

Nesër, mbledhja konstituive e Këshillit të RTMZ

Mbledhja konstitutive e përbërjes së re të Këshillit të Radio Televizionit të Malit të Zi, do të mbahet nesër në parlament. Mbledhjen, në bazë të ligjit për emetuesit publikë nacional të RTMZ, e ka caktuar kryetari i parlamentit, Ivan Brajoviq. Parlamenti i Malit të Zi, për anëtarë të Këshillit të RTMZ, ka zgjedhur Ivan Jovetiq , Ilija Despotoviq, David Dalibashiq, Pavle Radovanoviq, Millan Radoviq, Goran Sekulloviq, Nikolla Tatar, dhe Predrag Marseniq. Këshillli administrativ, me 14 qershor ka shpallur ftesën publike për OJQ nga sfera e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, për zgjedhjen edhe të një anëtari të Këshillit të servisit publikë. Të theksojmë se përbërjes së mëparshme të Këshillit të RTMZ , mandati i ka skaduar me 19 qershor.

Shpallet konkursi për 50 policë

Akademia e policisë në Danillovgrad,  ka shpallur konkursin për regjistrimin e 50 vijuesve të cilët do të shkollohen sipas programit arsimor për profesionin e policit. Kandidatët duhet të kenë të kryer shkollën e mesme, shkallën e katërt dhe nuk mund të jenë të moshës mbi 28 vjeçare, përfundimisht, me ditën e mbylljes së konkursit.

Siç theksohet në konkurs, kandidatët duhet të jenë nënshtetas të Malit të Zi, të mos jenë të penalizuar dhe që kundër tyre te mos zhvillohet  procedurë  për vepra penale dhe që janë të denjë për të ushtruar punën e policit në pajtim me ligjin.

Kandidatët duhet të plotësojnë edhe kushtet e veçanta; të kenë provimin për vozitës të kategorisë B, njohuri bazë nga gjuha angleze dhe informatikën. Konkursi është i hapur deri me 30 korrik kurse testimi do të fillojë me 17 shtatorë.

 

Afati i dytë i regjistrimit, më 9 korrik

Konkursi për afatin e dytë të regjistrimeve në Universitetin e Malit të Zi, do të shpallet të hënën, me 8 korrik, kurse dorëzimi i dokumenteve do të bëhet me 9 korrik. Dorëzimi i dokumenteve do të jetë me 9 korrik në fakultetet në të cila kanë mbetur vende të lira pas afatit të parë të regjistrimeve.

Fakultetet të cilat zbatojnë provimet pranuese, do ti organizojnë ato të mërkurën dhe të enjten, me 10 dhe 11 korrik, kurse regjistrimi i studentëve do të bëhet me 12 korrik.

Siç theksohet në kumtesën e Universitetit të Malit të Zi, njësitë universitare janë të detyruara që, përfundimisht, me 16 korrikun t'ia dorëzojnë Universitetit të Malit të Zi , komisionit qendror të regjistrimeve, regjistrat definitiv të studenteve të regjistruar për vitin akademikë 2019/2020.

 

Çmimet e romingut kanë rënë deri në 99 %

Këshilli  për bashkëpunimin rajonal ka publikuar se çmimet e romingut, në tërë Ballkanin Perëndimor, prej sot kanë rënë në mënyrë drastike.

Mesatarisht, çmimet e thirrjeve telefonike, kanë rënë 65 për qind kurse çmimi i përdorimit  të  internetit, ka rënë 78 për qind, por në disa raste edhe deri në 99%.

Përveç kësaj, pritet edhe kontrata e re me BE, e cila mundëson uljen e çmimit të romingut  për Ballkanin Perëndimor. Me marrëveshjen e parë për uljen e çmimeve të romingut, në nënshkrimin e të cilës ka ndërmjetësuar Këshilli për bashkëpunimin rajonal në vitin 2014, ishin të përfshira BH, Mali i Zi, Republika e Maqedonisë Veriore dhe Serbia, kurse kësaj marrëveshje gjatë këtij viti i janë bashkuar edhe Shqipëria dhe Kosova, të cilat kanë nënshkruar marrëveshjen e re rajonale për uljen e çmimeve ë romingut.

Zgjedhjet lokale, pa opozitën dhe me pjesëmarrja të ulët të zgjedhësve

Dje në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet e para lokale në të cilat që nga pluralizmi i viteve të 90-ta, nuk ka marr pjesë opozita. Edhe pse janë konsideruar si të rrezikshme dhe të tensionuara, zgjedhjet e djeshme kaluan në një atmosferë shumë të qetë dhe pa ndonjë incident të theksuar, aq sa disa i quajtën edhe zgjedhjet më të qeta nga fillimi i pluralizmit në këtë vend. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas mbylljes së vendvotimeve në ora 19, i kumtoi edhe rezultatet e para të daljes. Zëdhënësja e këtij komisioni, Drilona Hoxha, mbrëmë tha se dalja në nivel vendi ka qenë rreth 21.6 %, respektivisht se të drejtën e votës në këto zgjedhje, nga 3.5 milion zgjedhës të regjistruar në regjistrin zgjedhor, e kanë shfrytëzuar 771 mijë e 863 votues. Pas mbylljes së vendvotimeve qytetarëve  iu drejtuan edhe kryeministri Edi Rama si dhe lideri i opozitës Lulzim Basha. Kryeministri Rama tha se këto zgjedhje ishin zgjedhje historike, zgjedhje për të ardhmen dhe shpresë për Shqiptarët. “Këto zgjedhje nuk ishin vetëm betejë për mandate por edhe luftë që njëherë e për gjithmonë të fitohet e drejta të zgjedhjesh dhe e drejta për zgjedhje”. Siç tha ai, kjo ishte një fitore e Shqipërisë evropiane i cili njëkohësisht i falënderoi SHBA, delegacionin e UE dhe misionin e OSBE-së në Tiranë, të cilët u ofruan përkrahje qytetarëve të Shqipërisë në të drejtën për zgjedhje dhe që ky proces zgjedhor të zhvillohet siç edhe duhet. Rama njëkohësisht theksoi se prej sot është i gatshëm në dialog me opozitën por pa parakushte, për një Shqipëri ndryshe, për një Shqipëri të integruar në UE. Nga ana tjetër qytetarëve mbrëmë iu drejtua edhe lideri i opozitës Lulzim Basha i cili e akuzoi shumicën parlamentare se edhe këto zgjedhje i manipuluan. mirëpo, edhe krahas presionit të madh ndaj qytetarëve nga ana e funksionarëve dhe administratës lokale të partisë në pushtet, 85% të shqiptarëve i refuzoi zgjedhjet moniste të Partisë Socialiste dhe politikën dështuese  të kryeministrit dhe partisë së tij. Për ndryshe zgjedhjet e djeshme lokale ishin diçka më karakteristike se normale, pasi që opozita parlamentare nuk mori pjesë në to, kështu që për 61 bashki, në 35 prej tyre ishin vetëm kandidatët e PS, derisa në listën e 26 bashkive tjera ishin edhe disa emra të partive më të vogla të opozitës por edhe kandidatë të pavarur. Partia Demokratike por edhe disa parti tjera opozitare parlamentare zgjedhjet e djeshme i kanë bojkotuar duke e paralajmëruar se do të vazhdojnë betejën politike për shpalljen e zgjedhjeve të reja në të gjitha nivelet duke shprehur besimin se pas konstituimit të Gjyqit Kushtetues, këto zgjedhje do ti shpallë jo kushtetuese. Zgjedhjet e djeshme presidenti i Shqipërisë Ilir Meta në javën e kaluar me një dekret i shtyri për me 13 tetor, por shumica parlamentare këtë dekret të presidentit e shpalli jo kushtetues dhe ka inicuar  shkarkimin e tij. Zgjedhjet e djeshme në Tiranë u përkrahen nga SHBA, UE dhe OSBE, të cilat i përcjellën 1500 vëzhgues si nga vendi ashtu edhe ndërkombëtarë. Për sigurimin e rendit dhe qetësisë ishin të angazhuar rreth 8 mijë efektiv policorë, nga të cilët mbi 5 mijë në pikat e votimit. Të theksojmë në fund se zgjedhjet e djeshme nga shumë analistë u vlerësuan vetëm si proces votimi e jo zgjedhje.

Përgatiti, Senad Gilaj, gazetar i RTMZ

Pompmeo, përgëzon presidentin Thaçi për krijimin e listës

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka përgëzuar vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për krijimin e listës vendore të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, të cilat do i nënshtrohen masave kufizuese në territorin e Republikës së Kosovës.

Pompeo theksoi se Shtetet e Bashkuara e mirëpresin emërtimin e Hezbollahut si organizatë terroriste nga autoritetet e Kosovës dhe bëri thirrje që të gjithë t’i bashkohen kësaj iniciative.

Thaçi, ditë më parë tha se deri në krijimin e listës vendore, institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës do t’a zbatojnë Listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, e cila është rifreskuar më 8 janar 2019. Siç thuhej në njoftimin e presidencës, Republika e Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë për eliminimin e çfarëdo rreziku që i kanoset Kosovës dhe partnerëve të saj.

 

Kuvendi, debaton lidhur me situatën e shqiptarëve në Luginë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët po diskutojnë për situatën aktuale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës në seancën e jashtëzakonshme, kanë kërkuar që të zgjidhet çështja e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, shkruan lajmi.net.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Nait Hasani, i cili njëherësh është edhe anëtarë i Komisionit për Administratë Publike, ka kërkuar që shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të gëzojnë të drejta ashtu si i gëzojnë serbët në Kosovë.

Ai ka treguar se pas vizitës që ka bërë me anëtarët e Komisionit për Administratë Publike në këto treva, janë njoftuar edhe me kërkesat që kanë pasur shqiptarët.

Hasani ka thënë se kërkesë e shqiptarëve të Preshevës ka qenë që ata të jenë pjesë e dialogut me Serbinë, por që sipas tij, këto janë çështje politike që vështirë që do të mund të realizohen.

Ndërsa, deputeti nga radhët e LDK-së, Arban Abrash ka kërkuar nga deputetët që të marrim hapa për të kthyer shpresën te shqiptarët, duke u ofruar siguri e përkrahje.

Në anën tjetër, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi në seancën e jashtëzakonshme, ka thënë se  nëse institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë nuk i përkrahin shqiptarët në këto treva, atëherë ata do të ikin nga vendi i tyre.

 

Mbyllen shitoret në veri të Mitrovicës

Shitoret në veri të Mitrovicës janë të mbyllura, që nga mëngjesi i ditës së hënë. Në shenjë solidarizimi, nuk punojnë as kafiteritë, pompat e derivateve dhe taksitë.

Shtatë muaj pasi qeveria e Kosovës vendosi një taksë prej 100 përqind, për mallrat nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, Mitrovica e Veriut thotë se nuk ka më mallra për shitje, veçanërisht produktet e qumështit, miellit, vajit si dhe produkte tjera. Radosh Petroviq, një përfaqësues i Shoqatës së Biznesmenëve nga veriu i Kosovës në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, tha se shitoret u mbyllën për shkak të taksës dhe pamundësisë së biznesmenëve nga Kosova veriore për t'u marrë me aktivitetet e tyre. Ai nuk bëri të ditur se deri kur do të jenë të mbyllura dyqanet, duke thënë se “kjo varet nga situata në terren”. Autoritetet serbe kanë thënë vazhdimisht se veriu është i kërcënuar nga një "katastrofë humanitare", ndërsa zyrtarët në Prishtinë kanë thënë se ky është vetëm inskenim i një krize humanitare. Në periudhën e fundit autoritetet e Kosovës kanë rritur kontrollin mbi kalimet alternative, të paligjshme, midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat përdoreshin për të transportuar mallrat serbe.

 

Tramp, premton pauzë për vendosjen e sanksioneve ndaj Kinës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se bisedimet për tregti me liderin e Kinës, Xi Jinping, kanë shkuar “më mirë se që është pritur” dhe premtoi një pauzë për vendosjen e sanksioneve të reja për të lejuar vazhdimin e negociatave.
Në postimin e tij, Trump tha se Kina është pajtuar të blejë “produkte bujqësore nga fermerët tanë të shkëlqyeshëm”.
Ministria e Jashtme e Kinës ka cituar liderin Xi duke i thënë presidentit Trump se ka shpresuar që kompanitë kineze do të trajtohen mirë.

Presidenti Trump për një kohë të gjatë është ankuar lidhur me praktikat tregtare të Kinës dhe administrata amerikane po kërkon ndryshime nga Kina, sa i përket vjedhjes së pronës intelektuale amerikane dhe eliminimin e barrierave, që firmat amerikane dhe kompanitë e tjera të huaja, përballen në tregun e Kinës.  Pekini thotë se Uashingtoni po bën kërkesa të paarsyeshme dhe se duhet të bëjë konsensione.

Përleshje me protestuesit në Hong Kong

Policia në Hong Kong u përlesh me protestuesit në përvjetorin e kthimit të ish-kolonisë britanike nën sundimin e Kinës.

Ceremonia e ngritjes së flamurit u zhvillua nën masa të rrepta të sigurisë, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit që bllokuan një rrugë pranë. Udhëheqësit e Hong Kongut dhe mysafirët në ceremoni e përcollën nga brenda ngjarjen dhe jo nga jashtë, siç bëjnë zakonisht. Qeveria, megjithatë, tha se vendimi për të zhvendosur audiencën u mor për shkak të kushteve të motit. Pasdite, qindra protestues po ashtu bënë përpjekje për të hyrë në legjislaturën e Hong Kongut, ndërsa policia përdori sprej djegës për t'i shpërndarë ata. Në javët e fundit janë zhvilluar protesta masive në Hong Kong, për shkak të një ligji që do të lejonte ekstradimin e të dyshuarve në Kinë. Qeveria e ka pezulluar ligjin e propozuar për kohë të pacaktuar, por protestat vazhdojnë ende.

 

Një person i vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmi në Kabul

Zyrtarët afganë kanë njoftuar se së paku një person është vrarë dhe 65 persona janë plagosur nga një shpërthim i fuqishëm në Kabul.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Wahidullah Mayar, tha se të plagosurit, përfshirë nëntë fëmijë, janë dërguar në qëndrat spitalore. Agjencia Reuters, raporton se përgjegjësinë për sulmin e kanë marrë militantët talibanë. “Në shënjestër të sulmit ka qenë ministria e Mbrojtjes. Gjatë sulmit janë plagosur disa luftëtarë talibanë, civilë dhe punonjës qeveritarë”, thuhet në deklaratën e talibanëve.   Sulmi vjen dy ditë pasi negociatorët e SHBA-së dhe ata taliban kanë filluar rrethin e shtatë të bisedimeve në Katar. Bisedimet po zhvillohen si përpjekje për t’i dhënë fund luftës 17 vjeçare në Afganistan.

 

Edhe nesër mot me diell dhe shumë i nxehtë

Sot në Mal të Zi mban mot me diell dhe i nxehtë. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme.

Temperaturat: Podgoricë 35, Plevle e Shavnik 34, Ulqin 33, Cetinë e Budvë 32, Nikshiq, Beranë, Plavë e Plluzhinë 31, H. Novi, Kollashin, B. Pole e Rozhaj 30, Tivar 28, dhe në Zhablak 27.

Edhe për nesër parashihet të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura  e mëngjesit prej 11 deri në 24, kurse më e larta e ditës prej 28 deri në 38 g. c.

 

 

Ditarin e përgatiti, Gjokë Dukaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се