Žabljak
Pretežno oblačno
14.8 °C
Pljevlja
9
15.2 °C
Herceg Novi
Pretežno vedro
25.0 °C
Nikšić
Vedro
18.3 °C
Cetinje
Pretežno oblačno
24.8 °C
Bar
Vedro
29.1 °C
Podgorica
Vedro
27.9 °C
Ulcinj
Umjereno oblačno
26.0 °C
Kolašin
Malo oblačno
17.1 °C

Ditari

20. 06. 2019.   >>  19:23 0

Ditari 20.06.2019

20.06.2019

Besoj se do të njihet Kisha autoqefale malazeze

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka shprehur besimin se patrikana e Konstantinopojës do të njohë pavarësinë e Kishës ortodokse autoqefale malazeze. Ai në intervistën për televizionin N1, ka pohuar se do të befasohej sikur të ndodhte ndryshe. Gjukanoviq po ashtu, ka thënë se as që bëhet fjalë se gjoja përmes miratimit të ligjit të ri, tentohet grabitja e kishave dhe manastireve të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe që ato ti jepen Kishës Ortodokse Malazeze (KOM). “Fjala është për manipulim të shëmtuar politik sepse askush, andaj as Qeveria e Malit të Zi, si propozues i Ligjit për lirinë e besimit nuk kanë planifikuar të marrin pasurinë e huaj”, ka pohuar Gjukanoviq, duke shtuar se fjala është për qëllimin që shteti i Malit të Zi, të fitoj një ligj të ri bashkëkohorë krahasuar me atë nga viti 1976. “Përsërisë, kjo do të ishte në kundërshtim me të drejtën kanonike, do të ishte në kundërshtim me principin themeltarë të etnofiletizmit. Rikujtoj se, siç kemi mbetur pa shtet në vitin 1918, e më pastaj, pa marrë parasysh se kjo ka qenë e dhunshme, logjikisht në vitin 1920 kemi mbetur edhe pa kishë. Në vitin 2006 rrethanat kanë ndryshuar. Mali i Zi është bërë shtet i pavarur. Në pajtim me këtë princip që ua kam përmendur, pra organizimi i Kishës Ortodokse përcjell organizimin e shtetit”, ka thënë Gjukanoviq. Presidenti Gjukanoviq përkujton se me katër eparhitë e veta në Mal të Zi, nga të cilat tri janë jashtë kufijve, Kisha Ortodokse Serbe në të vërtetë vizaton hapësirën e Serbisë së Madhe dhe në fakt ajo në këtë mënyrë nënvizon atë që është misioni i saj. “Misioni i saj është që nëse politikat shtetërore bëjnë gabime, e sipas tyre gabim është pavarësia e Malit të Zi dhe është gabim që këtë e ka lejuar Serbia, këtu hyn Kisha që me kohë këtë ta rregullojë”, theksoi Gjukanoviq. Ne dëshirojmë të ruajmë atë që është grabitur në Mal të Zi, pohoi ai duke vlerësuar se Kisha Ortodokse Serbe është më pak fetare dhe më shumë organizatë politike pasi ajo merret më shumë me çështjet politike se sa me ato fetare. Është e logjikshme që shteti i ri, Mali i Zi i pavarur, të sjellin ligjin i cili do të definoj raportet ndërmjet kishës dhe shtetit, pohoi presidenti duke sqaruar se të gjitha bashkësitë tjera fetare e kuptojnë këtë, përveç njërës.

Bingullac ftohet në bisedime në MPJ të MZ

Ambasadori i Republikës së Serbisë, Zoran Bingullac, është ftuar sot në bisedime në Ministrinë e punëve të jashtme të Malit të Zi për shkak të, siç është kumtuar nga ky resor, “deklaratave negative të zyrtarëve serbë mbi çështjet e brendshme të vendit tonë, që kanë kulmuar me deklaratën e anëtarit të Qeverisë së Republikës së Serbisë, Nenad Popoviq”. Siç është kumtuar nga Ministria e punëve të jashtme, me këtë rast sekretari shtetëror, ambasadori Zoran Jankoviq e ka vlerësuar si brengosëse dhe të pashembullt deklaratën e Ministrit të Qeverinë e Republikën e Serbisë, dhe ka transmetuar pritjet se Beogradi zyrtar do të distancohet nga deklaratat e këtilla. “Kualifikimet e renda të shprehura në llogari të presidentit të Malit të Zi janë të papranueshme, nuk janë në linjën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe nuk kontribuojnë në bashkëpunim midis dy vendeve”. Gjithashtu, ambasadori Jankoviq, siç thuhet në kumtesë e ka vlerësuar të pashembullt fushatën intensive dhe negative e cila zhvillohet pa arsye dhe pa argumente në Serbi, lidhur me projekt ligjin mbi lirinë e besimeve fetare në Mal të Zi.

Nuk mjaftuan votat për anëtarët e Këshillit gjyqësorë, emërohet Këshilli i RT të MZ

Kuvendi i Malit të Zi e vazhdoi sot seancën me shqyrtimin e pikave tjera të rendit të ditës, të parapara për seancën rrjedhëse. Derisa deputetët dje kanë përfunduar debatin për propozimin e anëtarëve të Këshillit gjyqësor nga radhët e juristëve eminent e që Parlamentit ia ka propozuar Këshilli për sistemin politik. Deputetet e shumicës parlamentare votuan sot për emërimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësorë, mirëpo pasi që nevojitet shumica prej dy të tretave, nuk arritën që të sigurojnë shumicën e duhur, pasi që nga opozita kanë paralajmëruar se ata nuk do ti përkrahin kandidatët e propozuar. Ndërkaq deputetët po dje kanë përfunduar debatin edhe për kandidatët e propozuar për anëtarë të Këshillit të RTMZ. Gjatë votimit të sotëm në Kuvend me votat e deputetëve të koalicionit në pushtet janë zgjedhur tetë anëtarë të Këshillit të Radiotelevizionit të Malit të Zi, kurse më vonë do të zgjedhet edhe anëtari i nëntë të cilin do ta propozojnë Organizatat Joqeveritare nga lëmia e mbrojtjes të të drejtave dhe lirive të njeriut. Kuvendi sot poashtu miratoi edhe plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për tregtinë e brendshme, me të cilat parashihet që tregtia me pakicë dhe shumicë nuk mund të zhvillohet ditëve të dielave dhe gjatë festave. Për ndryshimet dhe plotësimet e këtij ligji kanë votuar 44 deputetë, derisa nuk pati të përmbajtur dhe as kundër. Kuvendi miratoi edhe Strategjinë e mbrojtjes së Malit të Zi si dhe raportet e Këshillit gjyqësorë, Këshillit prokurorial dhe të Prokurorisë dhe të Agjencisë për pengimin e korrupsionit, për vitin e kaluar. Ndërsa, Këshilli kuvendor për antikorrupsion ka shpallur sot Konkursin e ri publik për zgjedhjen e pesë anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për pengimin e korrupsionit. Në Konkursin e parë nga 12 kandidatët e paraqitur, kushtet i ka plotësuar vetëm një kandidat.

E diela dhe festat ditë pushimi

Për tregtarë në Mal të Zi e diela do të jetë ditë pushimi, pasi deputetët në Kuvendin e Malit të Zi votuan për ndryshime të ligjit mbi tregtinë e brendshme. Në sektorin e tregtisë, ku janë të punësuar 37 mijë persona, e diela, përmes zgjidhjes ligjore do të shpallet ditë pushimi, kurse përmes akteve nënligjore do të sillen vendimet për përjashtime, duke u bazuar në nevojat themelore jetësore të qytetarëve. Nga Ministria e ekonomisë kanë sqaruar se zbatimi i ligjit do të fillojë tre muaj pas publikimit në gazetën zyrtare. Me futjen e të dielës së lirë, punëdhënësit do të mund ta rrisin produktivitetin e punës në masë të konsiderueshme, t’i zbresin shpenzimet e mirëmbajtjes dhe shpenzimet e rregullta të shërbimeve, ashtu që kjo zgjidhje ligjore nuk mund të ndikojë në zbritjen e numrit të punëtorëve, por punët mund të shpërndahen në mënyrë lineare në ditët e punës. Ndërkaq, të punësuarit në shitore do të kenë të dielën e lirë, siç e kanë edhe të punësuarit në sektorët e tjerë, është kumtuar nga Ministria e ekonomisë.

Deficiti i buxhetit 61 milion euro

Qeveria e Malit të Zi në muajin prill ka zvogëluar deficitin e buxhetit në këtë vit për 7,4 milion euro, prandaj minusi në fund të çerekut të parë ka qenë 61,1 milion euro, tregojnë të dhënat më të reja të Ministrisë së Financave. Deficiti është zvogëluar për 7,4 milion, edhe pse suficiti i buxhetit në muajin prill ka qenë 10,1 milion euro, sepse të ardhurat kanë qenë 165, kurse shpenzimet afro 155 milion euro, shkruan gazeta “Dan”. “Në periudhën janar- prill të vitit rrjedhës, është realizuar deficit i buxhetit në shumë prej 61,1 milion euro ose 1,3% të Bruto Prodhimtarisë së Brendshme (BPB), që është për 119,5 milion euro më pak se sa ishte planifikuar, kurse në krahasim me periudhën e vitit të kaluar, më pak për 15,2 milion euro”, shkruan në dokument të Ministrisë së Financave, në krye të së cilës është Darko Radunoviq. Të ardhurat e buxhetit në periudhën janar- prill të këtij viti kanë qenë 536,4 milion euro, që në krahasim me planin, janë më të larta për 25,3 milion euro ose 5%, që në krahasim me periudhën e vitit të kaluar është më shumë për 52,1 milion euro, ose 10,8%.

Mendim i kushtëzuar për rregullshmërinë e punës së Agjencisë për të dhënat personale

Transaksionet financiare dhe aktivitete tjera të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Qasjen e Lirë të Informatave, nuk janë plotësisht në pajtim me Ligjin dhe rregulloret tjera të cilat janë identifikuar si kriteriume për revizion, u kumtua nga Institucioni Revizor i Shtetit. Ky Institucion sot ka shpallur raportin për revizionet financiare dhe revizionin e punës së rregullt të Agjencisë për vitin e kaluar. Siç është kumtuar, Kolegiumi përgjegjës ka shprehur mendim pozitiv duke tërhequr vërejtjen në Raportin vjetor financiar dhe mendimin e kushtëzuar në rregullshmërinë e punës së Agjencisë për vitin e kaluar. Me revizion financiar është vërtetuar se Raporti vjetor financiar i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Qasjen e Lirë të Informatave për vitin e kaluar, në të gjitha aspektet e rëndësishme materiale është hartuar dhe prezantuar në mënyrë objektive dhe të duhur, në pajtim me suazat e vlefshme të raportimit financiar. Gjithashtu theksohet se me revizionin e rregullshmërisë është vërtetuar se transaksionet financiare dhe aktivitetet tjera të Agjencisë “nuk janë nga aspekti material plotësisht në pajtim me Ligjin dhe rregulloret tjera të cilat janë identifikuar si kriteriume për revizion e lëndës”, thuhet në kumtesë.

Edhe Sutomora së shpejti komunë ???

Ministria e Administratës Publike ka dhënë mendim pozitiv mbi iniciativën për themelimin e komunës së Sutomores. Siç theksohet në kumtesën e Këshillit për themelim, gjegjësisht kthimin e statusit të Komunës së Sutomores, këtë iniciativë e kanë paraqitur qysh më 17 korrik të vitit 2014. Këshilli, siç theksojnë, mendimin e Ministrisë së Administratës Publike ia ka paraqitur kryetarit të Komunës dhe kryetarit të Kuvendit të Tivarit, që në pajtim me procedurë të sjellin vendimin për shpalljen e referendumit, që qytetarët e Bashkësisë lokale Sutomore të deklarohen mbi iniciativën për themelimin e kësaj komune. Mirëpo, sipas njoftimit të fundit nga Ministria e Administratës Publike, kjo informatë nuk është e saktë. Siç njoftojnë nga kjo Ministri, ata nuk e kanë dhënë mendimin pozitiv që Sutomore të fitojë statusin e komunës, u kumtua nga resori i Suzana Pribilloviq. “Themelimi i njësive të vetëqeverisjeve lokale kërkon punësime shtesë në administratë, e me këtë edhe shpenzime shtesë”, thonë ata, duke shtuar se “fuqizimi i qëndrueshmërisë së financave publike në periudhën e ardhshme afatmesme do të realizohet me vazhdimin e implementimit të masave të konsolidimit fiskal, si dhe me reformat e planifikuara në sistemin e financave publike”.

Singjeliq ende nuk ka paraqit kërkesën për azil

Dëshmitari bashkëpunues lidhur me çështjen e tentim terrorizmit në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, në tetor të vitit 2016, Aleksandar – Sasha Singjeliq, nuk ka paraqitur kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare në Ministrinë e punëve të brendshme. Nga Ministria e punëve të brendshme i kanë thënë Agjencisë MINA se, në pajtim me Ligjin për mbrojtje ndërkombëtare dhe të përkohshme të të huajve, çdo shtetas i huaj pas paraqitjes së kërkesës te sektori i Policisë kufitare është i obliguar të paraqesë kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare në Ministri, në afat të shkurtër kohor, e më së voni brenda 15 ditësh. Nga Ministria e punëve të brendshme kanë thënë se Singjeliq është në regjim të veçantë mbikëqyrjeje dhe mbrojtjeje, të cilës i nënshtrohet çdo i huaj që vjen në Mal të Zi dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme paraqet kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare.

Liderët e BE-së sot konfirmojnë konkluzionet mbi zgjerimin

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) sot do të konfirmojnë konkluzionet e arritura nga ministrat e Jashtëm dhe të Çështjeve Evropiane mbi zgjerimin gjatë Samitit të Brukselit. Këshilli thekson se bëhet fjalë vetëm për konfirmimin e konkluzioneve pa diskutim, apo vendime të tjera nga drejtuesit e shteteve anëtare për procesin e zgjerimit. Samiti i liderëve të BE-së në Bruksel fillon pas dite dhe aty pritet miratimi i konkluzioneve mbi buxhetin afatgjatë të BE-së, ndryshimet klimatike, dezinformimin dhe kërcënimet hibride. Presidentët dhe kryeministrat e BE do të diskutojnë gjithashtu për çështjet e jashtme dhe një vendim pritet të shtrijë sanksionet ndaj Rusi edhe për gjashtë muaj. Në pjesën e parë të takimit pritet konfirmimi i konkluzioneve ministrore mbi zgjerimin. Në fund të takimit, kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk dhe kryetari i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker do të informojnë krerët e BE-së mbi zhvillimet më të fundit në lidhje me Brexit-in, duke përfshirë përgatitjen e BE-së për skenarin që Britania largohet nga BE-ja pa marrëveshje.

99 për qind nuk do të mbahet Samiti i Parisit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Samiti i ardhshëm i Parisit nuk pritet të mbahet. Ai ka theksuar se detyra e tij kryesore është që në mënyrën më të mirë të mundshme të zgjidhë çështjen e Kosovës. “Mendoj se nuk do të mbahet takimi në Paris, por ne do ta presim presidentin Macron në Beograd pas rreth një muaji”, deklaroi Vuçiq. “Ju them për 99 për qind, kjo është gati e sigurt. Ndoshta mund të ndodh ndonjë mrekulli dhe dikush i ndryshon qëndrimet e tij brenda tri ditësh, por mendoj se për këtë ka pak mundësi”, shtoi ai. “Mendoj se shqiptarët nuk janë të gatshëm për bashkëpunim, por mendoj se gjermanët dhe francezët e kanë kuptuar këtë mesazh. Serbia është duke u sjellur në mënyrë konstruktive, dëshirojmë dialog, por nuk dëshirojmë të hyjmë në bisedime ku pritet ta njohim pavarësinë e Kosovës”, theksoi Vuçiq. Përfaqësuesit e Berlinit dhe Parisit gjatë kësaj jave do të zhvillojnë disa takime jozyrtare me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidentin Hashim Thaçi në përgatitje të Samitit të Parisit më 1 korrik, ka bërë të ditur portali serb “Blic”, transmeton lajmi.net. Burime nga qarqet diplomatike kanë thënë se tashmë janë zhvilluar disa takime të tilla. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron nuk kanë më vend për gabime, edhe një takim i liderëve rajonalë pa ndonjë rezultat, si ai në Berlin, do të ishte debakël për ta, shkruan “Blic”. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ka mundësi të shtyrjes së Samitit të Parisit, në të cilin pritet të takohen më 1 korrik krerët e lartë shtetërorë të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij në Kosovë, ekziston një koordinim mes zyrtarëve që do të shkojnë në Paris dhe se, siç është shprehur kryeministri, ai vetë është kujdesur për një gjë të tillë. Edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka theksuar se Samiti i Parisit që është planifikuar të mbahet më 1 korrik mund të dështojë nëse spektri politik kosovar nuk i bashkon forcat.

Asociacioni, çështje e ngrirë deri në vazhdimin e dialogut

Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndonëse e pazbatuar, vazhdon të cilësohet nga Bashkimi Evropian si një nga të arriturat në procesin e gjatë të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuara nga BE-ja. Por, për këtë Asociacion, shumë pak flitet si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, pasi që autoritetet e të dyja vendeve janë më tepër të përqendruara në arritjen eventuale të një marrëveshjeje finale. Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, ka kritikuar institucionet e Kosovë dhe ka shprehur keqardhje që Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe ende nuk është zbatuar nga autoritetet e Kosovës. Këshilli ka kërkuar po ashtu që marrëveshjet e arritura në dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zbatohen nga të dyja palët. Kryesisht bëhet fjalë për marrëveshje që ishin nënshkruar në fazën e hershme të bisedimeve, qysh në vitin 2013. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë deklaruar së fundmi se nuk do të themelohet kurrfarë Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë,, përderisa nuk arrihet edhe marrëveshja finale me Serbinë, ku Asociacioni mund të jetë një nga pikat e saj.

Partitë tjera ta ndjekin shembullin e PDK-së

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka mirëpritur vendimin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli për largimin nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale zyrtarët e kësaj partie që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë. “E mirëpres vendimin e lidershipit të PDK-së që t’i largojë nga postet publike anëtarët e kësaj partie ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza. Pres që ta shoh që ky standard të aplikohet në gjithë spektrin politik dhe nga të gjiha partitë politike në Kosovë”, ka shkruar Apostolova në Twitter. Veseli dje gjatë ditës ka thënë se ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit e PDK-së që kanë aktakuza dhe që mbajnë pozita në institucionet publike. Me këtë vendim dje janë liruar nga detyra Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, zëvendësministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) Agim Çeku si dhe këshilltari i kryeparlamentarit Nijazi Kryeziu. Siç njoftojnë mediat kosovare, kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj ka thënë se ka pranuar dorëheqjen e ministrit Besim Beqaj, ndërsa ka theksuar se ende nuk e ka liruar nga detyra zëvendësministrin e Mbrojtjes Agim Çekun. Haradinaj në një konferencë për media, ka thënë se është duke e pritur edhe një shkresë zyrtare nga kryeparlamentari Kadri Veseli për të ndërmarrë një hap të tillë.

 

Ministri Besim Beqaj jep dorëheqje

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj ka njoftuar sot se i ka dorëzuar kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dorëheqjen e tij nga posti i ministrit. Dorëheqja e Beqajt, vjen një ditë pas vendimit të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës , Kadri Veseli për largim nga detyra të të gjithë anëtarëve të kësaj partie politike, që mbajnë poste publike, por njëkohësisht janë të akuzuar nën dyshime për korrupsion dhe nepotizëm. Besim Beqaj akuzohet për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës se Kosovës. Në një konferencë për media, Beqaj ka thënë se vepra penale për të cilën është duke u gjykuar nuk ka elemente të veprës së korrupsionit. Ndryshe, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se vendimi për largimin e njerëzve nën akuza nga postet publike, nuk e paragjykon fajësinë e zyrtarëve të kësaj partie politike, që janë në procese gjyqësore, por i ofron mundësi drejtësisë të kryejë punën e vet.

Mos krijoni imazh të keq tek të huajt

Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Johan Sattler nga Shkodra tha se Shqipëria është në një krizë më të madhe se zakonisht, ndërsa shtoi se ka ardhur koha për t’u ulur dhe për të parë se çfarë duhet rregulluar. “Kryetarët e partive të ulen së bashku. Djegia e shkollave nuk është aspak e këndshme”, tha ai. Satler tha se nëse vazhdohet me këtë mënyrë imazhi i Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve do përkeqësohet. Ndërkohë në Tiranë në një kohë kur situata politike është shumë e ndezur në Shqipëri, ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman ka zhvilluar sot paradite një takim me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Takimi i tyre ka qenë pa praninë e medieve por dyshohet se në fokus të diskutimit është situata politike. Përndryshe, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka paralajmëruar një takim elektoral në Shkodër në orën 19:00, por bashkia nuk ia ka miratuar lejen. Në përgjigjen zyrtare bashkia sqaron se ky vendim vjen pasi po zbatohet dekreti i presidentit për anulimin e zgjedhjeve. Gjithashtu në përgjigjen e saj, bashkia sqaron se në të kundërt policia bashkiake do jetë e detyruar të realizojë detyrën e saj funksionale. Nga ana tjetër, policia nuk ka humbur kohë për të vënë përpara përgjegjësisë personat që sulmuan Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve në disa rrethe. Sot ajo ka bërë publike listën e personave të arrestuar dhe proceduar në gjendje të lirë. Arrestimet u bënë pas veprimeve hetimore, identifikimit të personave me anë të pamjeve filmike dhe fotografike të administruara nga policia.

Studiuesit propozojnë reformë kushtetuese para se kriza politike të sjellë pasoja afatgjata

Studiues të jetës politike në Shqipëri pohojnë se partitë politike me krizën e fundit përsëri po i vendosin interesat partiake mbi interesat kombëtare të zhvillimit dhe mirëqenies në një sistem demokratik të qëndrueshëm. Ata propozojnë edhe rrugëdalje nga kjo gjendje e pazakontë, nisur nga përvojat e krizave të shpeshta politike në vend. Të dy palët po e acarojnë gjendjen qëllimisht, thotë studiuesi i çështjeve politike, Roland Lami. Ai thotë se opozita me ndjekësit e vet të pamundësojë votime në 30 qershor, ndërsa socialistët me forcat policore të kryejnë votime me detyrim në fund të muajit. Nëse vazhdohet kështu, përplasjet fizike më 30 qershor janë të pashmangshme dhe pasojat do të jenë afatgjata, thotë ai. Drejtuesi i Institutit për Zhvillimin e Sistemeve Zgjedhore, prof.dr. Kristaq Kume, është ndër të paktët figura me ndikim të shoqërisë civile, që sjell vazhdimisht propozime racionale për të tejkaluar krizat e shpeshta politike në vend. Ai thotë se forcat politike e kanë keqpërdorur Kushtetutën qysh nga viti 2008, kur bënë ndryshime në të, po ashtu ligjet dhe Kodin Zgjedhor, duke shkelur parimet kryesore të demokracisë me përfaqësim dhe demokracisë së drejtpërdrejtë, ndaj edhe mungon sot shteti ligjor. Studiuesit mendojnë se kriza aktuale është shumë- përmasore dhe pasojat e qëndrimeve të skajshme të palëve mund të jenë të rënda e të paparashikueshme si në aspektin njerëzor ashtu edhe në atë demokratik e shtetëror.

I dërguari amerikan niset në Lindjen e Mesme

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Iranin, Brian Hook, do të udhëtojë në rajonin e Gjirit Persik për të biseduar me aleatët rreth tensioneve me Iranin. Departamenti amerikan i Shtetit tha se Hook niset sot në turne, ndërsa do të zhvillojë takime në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt, Oman dhe Bahrejn. "I dërguari do të diskutojë agresionin rajonal të Iranit, përfshirë sulmet e fundit mbi dy cisterna të naftës në Gjirin e Omanit", thuhet në deklaratë. Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Teheranit janë tensionuar rëndë, prejse Shtetet e Bashkuara, vitin e kaluar, janë tërhequr nga një marrëveshje bërthamore dhe kanë rikthyer sanksionet ekonomike kundër Republikës Islamike. Tensionet e larta kanë rritur frikën nga një konflikt i armatosur në rajon, edhe pse Uashingtoni dhe Teherani kanë thënë se nuk janë të interesuar të fillojnë luftë. Ndërkohë, siç njoftojnë mediat iraniane dhe amerikane, Irani rrëzoi një fluturake amerikane pa pilot, në një incident që zyrtarët iranian thanë se ka ndodhur mbi territorin e tyre, por zyrtarët amerikanë thanë se ka ndodhur në hapësirën ajrore ndërkombëtare.

Trump përsërit se do të takojë Putinin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha sërish se do të takojë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në samitin e G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, që do të mbahet javën e ardhshme në Japoni. Në një intervistë për Fox News, Trump tha se do të takojë Putinin dhe presidentin e Kinës, Xi Jinping, në samitin në Osaka. Edhe më parë Trump u ka thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se do të takojë Putinin në G20, ndërsa Kremlini kishte kumtuar se nuk ka marrë konfirmim nga Uashingtoni për takimin e mundshëm. Trump dhe Putin janë takuar për herë të fundit në korrik të vitit 2018, në Helsinki. Presidenti amerikan e ka bërë të qartë se po përpiqet për marrëdhënie më të mira me Rusinë dhe me Putinin në mënyrë specifike. Pas samitit në Helsinki, ai është përballur me kritika të ashpra nga ligjvënësit amerikanë, përfshirë edhe disa republikanë të cilët kanë thënë se presidenti nuk e ka mbajtur përgjegjës Putinin për veprimet ruse, të tilla si ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016. Ndërsa, Uashingtoni dhe Pekini kanë konfirmuar se Trump dhe Xi do të takohen në samitin e G20-ës.

KKSH në Ulqin priti një delegacion kosovar të Këshillit për Bashkësitë Etnike

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) Faik Nika, së bashku me sekretarin i Këshillit, Lindon Gjelaj dhe Ilir Llazorja, përfaqësues i Këshillit Kombëtar pranë Drejtorisë për Diasporë të Malit të Zi, pritën sot në Ulqin delegacionin e Këshillit Konstitutiv për Bashkësitë Etnike pranë Kabinetit të Presidentit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Zhivojin Qirkoviq. Në takim, siç thuhet në kumtesën e KKSH, u diskutua për përvojat dhe të drejtat e pakicave nacionale në Kosovë dhe Mal të Zi. Në këtë takim siç thuhet në kumtesë, u bisedua edhe për disa tema tjera, si funksionimi i Këshillave të Pakicave, kompetencat e Këshillave, çështjet e përfaqësimit proporcional në institucione, përdorimin e gjuhëve të pakicave në institucione, informimin dhe mediat në gjuhët e pakicave, arsimimi në gjuhët e pakicave dhe çështje të tjera me interes për komunitetet e të dy vendeve. Gjithashtu u theksua nevoja e vazhdimit të bashkëpunimit dhe përpjekjet e vazhdueshme për transmetimin e përvojave më të mira kur është fjala për përmirësimin e kuadrit ligjor për të drejtat e pakicave në të dy vendet respektive.

përgatiti, Senad Gilaj

Edhe nesër mot i nxehtë

Sot në Mal të Zi po mban mot kryesisht i kthjellët. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë 32 gradë, Herceg Novi e Budvë 31, Tivar 30, Kollashin 29, Ulqin, Cetinë, Nikshiq, Beranë e Rozhajë 28, Bijello Pole 27, plevle 26 dhe në Zhablak 21 gradë.

Për nesër pritet mot kryesisht i kthjellët dhe i nxehtë, pasdite në veri me zhvillim të vranësirave mesatare, por kryesisht i thatë. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 10 deri në 22, kurse më e larta e ditës prej 23 deri në 35 gradë.

 

 

Ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se