Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

18. 06. 2019. 18:38 >> 18:41

Ditari 18.06.2019

18.06.2019

Kuvendi sot debatoi për Agjencinë për Pengimin e Korrupsionit

Gjatë debatit në Kuvend, përfaqësuesit e Agjencisë për Pengimin e Korrupsionit kanë kumtuar së është bërë përparim në të gjitha fushat dhe janë dorëzuar më shumë se 400 fletëpadi. Pushteti e përkrah punën e Agjencisë, por edhe tërheq vërejtjen se duhet të përparojë lufta kundër korrupsionit. Nga ana tjetër, deputetet e opozitës konsiderojnë se Agjencia është ajo e cila ngadalëson luftën kundër korrupsionit dhe se mungojnë raste të arrestimeve të personave me rëndësi, e jo vetëm të, siç thana ata, “të vegjëlve”. Fronti Demokratik ka konkluduar se detyra kryesore e Agjencisë është që të ndihmojë Prokurorinë të punojë kundër Frontit Demokratik, fakt të cilin kryetari i Agjencisë, Sreten Radonjiq absolutisht e demantoi. Radonjiq poashtu deklaroi se Fronti Demokratik nuk i ka arsyetuar shpenzimet e bëra gjatë zgjedhjeve, derisa nga Fronti konsiderojnë se parat janë marrë me qëllim. Derisa nga Partia Social demokratike tërheqin vërejtjen se Evropa po e kritikon punën e kësaj Agjencie, nga PDS potencojnë se Agjencia i ka kompetencat e veta dhe se nuk është Drejtori e Policisë.  Përndryshe, Partia Social demokratike kërkon nga shumica parlamentare që sa më parë të fusë në procedurë kuvendore ndryshimet e Ligjit për zyrtarët shtetërorë, me miratimin e të cilit do t'u mundësohej përfaqësuesve kredibil të sektorit civil që të kandidohen për anëtarë të Këshillit të Agjencisë për Pengimin e Korrupsionit.  Siç thonë ata, para do kohe Raporti i Unionit Evropian lidhur me gjendjen në Mal të Zi, Agjencinë për pengimin e korrupsionit e konsideron si institucion i cili vuan nga mungesa e pavarësimit dhe kredibilitetit, e të cilën e bën të pamundshëme që ti përgjigjet sfidave të korrupsionit, që sipas vlerësimit të UE, është dominant në të gjitha lëmitë.

Anëtarësimi në NATO, privilegj por edhe obligim për Malin e Zi

“Hyrja e Malit të Zi në NATO është hap i madh demokratik për vendin, i cili na ka mundësuar privilegje të shumta, por edhe obligime”, u tha në mbledhjen e delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Kolegjit mbrojtës të NATO-s nga Roma (NATO Defence College). Siç theksohet, anëtarësimi i plotë në Aleancë ka kontribuar në sigurinë rajonale, por edhe në sigurinë e qytetarëve. Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për politikën mbrojtëse, Ivica Ivanoviq, deklaroi se Mali i Zi me anëtarësim është bërë partner i organizatës më të zhvilluar politiko ushtarake, me ç’rast kemi fituar shansin që të jemi të barabartë në ruajtjen e sigurisë globale. “Në anën tjetër siguria e shtetit tonë është në agjendën e anëtarëve tjera të NATO-s, më nuk jemi të vetmuar në ballafaqimin e sfidave të sigurisë. Anëtarësimi na ka mundësuar që të tërheqim edhe më shumë turistë dhe investitor. Po ashtu është përmirësuar edhe standardi i qytetarëve”, deklaroi Ivanoviq.

Ligji për qasjen e lirë të informatave të jetë mbi ligjet tjera

Ligji për qasjen e lirë të informatave duhet të jetë mbi ligjet tjera, sepse rregullon të drejtën kushtetuese të qytetarëve që nuk duhet të rrezikohet me aktet tjera, u rekomandua në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar, MANS. Tryeza e rrumbullakët, “Që publikja të mos jetë sekrete”, është organizuar me përkrahjen e Delegacionit të Unionit Evropian në Mal të Zi në partneritet me organizatën, “Access Info Europe”, në prag të ndryshimeve të Ligjit për Qasjen e Lirë të Informatave. Shefi i delegacionit të UE në Mal të Zi, Aivo Orav tha se e drejta mbi qasjen e lirë të informatave është indikator shumë i rëndësishëm në procesin e hyrjes në UE. Ministrja e drejtorisë publike, Suzana Pribilloviq tha me këtë rast se e drejta në qasjen e lirë të informatave është pranuar në forma të gjera si e drejtë themelore e njeriut, e mbrojtur me standardet ndërkombëtare dhe si e tillë paraqet bazë e çdo shoqërie demokratike.

Singjeliq kërkon azil politik

Shtetasi serb Sasha Singjeliq, dëshmitar i Prokurorisë në rastin e terrorizmit në tetor të vitit 2016, dje në mëngjes ka hyrë ilegalisht në Mal të Zi. “Singjeliq ka deklaruar se ka dy javë që është kërcënuar, bile edhe me vrasje”, ka deklaruar Kryeprokurori special Milivoje Katniq. Ai përmes shtigjeve jashtë kalimit kufitar edhe kalimeve të rregullta ka ikur në Mal të Zi, çka mund të vërtetohet nga lëndimet që ka në trupin e tij, kanë njoftuar përfaqësuesit e policisë të kufirit në Rozhajë. Katniq ka deklaruar se azilkërkuesi ka kërkuar të bisedojë me të dhe se pas hetimeve do të vendos procedurën e mëtejme. “Ajo që është faktike është se ai gjendet në Mal të Zi dhe ka deklaruar se kërkon azil politik sepse është i kërcënuar në vendbanimin e tij”. Të përkujtojmë se Aleksandar Singjeliq është dëshmitar i prokurorisë në procesin kundër 14 të akuzuarve në rastin e tentim terrorizmit.

 

Singjeliq nuk ka ikë nga Serbia, thonë nga FD

Fronti Demokratik ka njoftuar se deklaratat e disa medieve mbi ikjen e Aleksandar Singjeliq nga Serbia në Mal të Zi absolutisht janë të pavërteta, sepse ai, siç pohojnë, “në Podgoricë ka ardhur para 10 ditësh, ku prokurori special Milivoje Katniq me ditë të tëra e përgatit për konferencë për shtyp”. Sasha Singjeliq, mbrëmë i arratisur nga Serbia, përmes shtigjeve duke ikur nga shërbimet sekrete dhe të sigurisë të Serbisë, paraqet tentim të tërheqjes së vëmendjes nga deklaratat skandaloze të Milivoje Katniqit në Kuvend. Nga Fronti kanë apeluar që të publikohen fotografitë e Singjeliqit. Ata pohojnë se “Serbia nuk dëshiron të dorëzojë shtetasin e vet Kroacisë për shkak të vrasjes për të cilën është dënuar më 20 vjet burg, prandaj në mënyrë të heshtur i është mundësuar që të kalojë kufirin me Malin e Zi”, thuhet në reagim.

Arrestime për vrasjen e Bogdan Miliq

Tre persona janë arrestuar për shkak të dyshimit se kanë marrë pjesë në vrasjen e cetinasit, Bogdan Miliq, i cili është likuiduar më 11 qershor në Cetinë, thuhet në pres konferencën e Prokurorisë speciale shtetërore.  Shefi i Qendrës së Sigurisë së Podgoricës, Milivan Paviqeviq, ka deklaruar në konferencë për shtyp se janë arrestuar të rinjtë me iniciale L.N. 20 vjeç, Zh.P. 19 dhe M.P. 18. “Atyre, pas marrjes në pyetje në prokurori, u është caktuar paraburgimi deri në 30 ditë, kurse gjatë arrestimit u është gjetur arma e cila është shfrytëzuar me rastin e kryerjes së veprës penale, pastaj, maska, kapuça e tjerë”, deklaroi Paviqeviq. Të rinjtë në fjalë janë akuzuar për formimin e organizatës kriminale, vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje dhe materiale eksplozive. Bogdan Miliq 37 vjeç nga Cetina është vrarë më 11 qershor me shkrepjen e armëve e cila ka ndodhur në lokalin “Portun” në qendër të Cetinës, kurse tre persona të tjerë janë lënduar rëndë.

 

Me zvogëlimin e tatimeve dhe kontributeve rritet buxheti

Me zvogëlimin e tatimit në sigurimin shëndetësorë, edhe pse është krijuar në atë mënyrë që të lehtësojë punëdhënësit, në fund të fundit do të mund të rriten rrogat e të punësuarve, u vlerësua nga Unioni i punëdhënësve. Ata konsiderojnë se duhet të vazhdohet të bisedohet për zvogëlimin e tatimeve dhe kontributeve, dhe për rritjen e rrogës minimale dhe të zbatohen shembujt nga rajoni, ku krahas të ardhurave të cilat nuk u nënshtrohen tatimeve, shteti refundon, ose kthen mbrapa deri në 70% të tatimeve dhe kontributeve në pjesën e rrogës së shtuar. Punëdhënësit nga 1 qershori, sipas vendimit të Qeverisë, por edhe në bazë të marrëveshjes me partnerët social, në mënyrë të re do të llogarisin të ardhurat e punëtorëve. Konkretisht, me llogaritje të re do të rritet rroga minimale, do të zvogëlohen kontributet në të ardhurat bruto për sigurimin shëndetësorë nga 4,3 në 2,3%. “Nuk është ndonjë zvogëlim i dukshëm, mirëpo do të ketë efekte pozitive, sidomos për punëdhënësit të cilët paguajnë të ardhura më të larta se rroga minimale”, vlerësoi këshilltari për çështjet juridike dhe dialogun social në Unionin e punëdhënësve, Filip Llazoviq.

 

BE-ja diskuton për zgjerim, Kosovës i kërkohet heqja e taksës

Këshilli për Çështje të Përgjithshme në Bashkimin Evropian po diskuton sot në Luksemburg çështjen e zgjerimit të bllokut evropian. Në paketën e zgjerimit të publikuar nga Komisioni Evropian javë më parë, Kosova është kritikuar për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind në importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, derisa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë rekomandim pozitiv të hapje të bisedimeve. Shqipërisë i është dhënë statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2014 derisa Maqedonisë së Veriut më 2015. Maqedonisë i ishte kushtëzuar hapja e bisedimeve me zgjidhje të kontestit të emrit me Greqinë dhe pas zgjidhjes së këtij problemi, institucionet maqedonase kanë pritur që ky rezultat të kurorëzohet me nisje të negociatave në muajin qershor, mirëpo duket se aktualisht nuk ka pajtueshmëri të të gjitha vendeve anëtare për një gjë të tillë.  Lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel, është thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të kontribuuar në këtë proces, duke i kërkuar Kosovës që të pezullojë taksën dhe të dyja vendet të frenohen nga ndonjë akt që mund të konsiderohet si provokim. Sipas Këshillit, dialogu mes këtyre dy shteteve duhet të fillojë sa më shpejt që është e mundur dhe një marrëveshje ligjërisht obliguese duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, dhe t’u kontribuojë stabilitetit rajonal. Ky dialog njëherësh është konsideruar tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë, në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Siç njoftojnë mediat rajonale, Ministrat e Jashtëm të BE, nga ky takim, pritet të nxjerrin vetëm një deklaratë për rëndësinë strategjike të Ballkanit për Evropën e nuk do të japin një datë përfundimtare për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

 

Janë mbledhur 58 nënshkrime për mocion për rrëzim të Qeverisë

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në një konferencë për media kanë bërë të ditur se ‘janë duke pritur momentin më të mirë për të dërguar qeverinë aktuale në shtëpi’, ndërsa nuk kanë dashur të komentojnë incidentet e fundit që kanë ndodhur brenda kësaj partie. Deputeti Naser Rugova tha se janë mbledhur 58 nënshkrime për mocionin e rrëzimit të Qeverisë së Kosovës. "Janë 58 nënshkrime dhe po presim momentin më të mirë që këtë qeveri më të dobëtën ta çojmë në shtëpi", tha Rugova. Megjithatë, ai nuk është përgjigjur në lidhje me përleshjet e fundit në kuvendet zgjedhore të LDK-së, ndërmjet përkrahësve të dy kandidatëve të kësaj partie. Kujtojmë, se ditëve të kaluara ka pasur takime mes PSD-së, VV-së e LDK-së për bashkërendimin e veprimeve për rrëzimin e Qeverisë. Tash e një kohë, zyrtarë nga këto parti kanë deklaruar se për rrëzimin e Qeverisë nuk shpresojnë në votat e Listës Serbe. Shpresë e vetme e opozitës për rrëzimin e Qeverisë është pikërisht koalicioni qeverisës, nga ku ata presin votat e nevojitura. Ndryshe, koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se gjatë këtij viti do të miratohet Ligji për qeverinë. Ai ka thënë se me këtë ligj qeveria nuk do të ketë më shumë se 15 ministri, 30 zëvendësministra si dhe nuk do të ketë zëvendëskryeministra pa portofol. Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka deklaruar se ky ligj përmirëson efikasitetin dhe funksionalitetin e ekzekutivit.

Socialistët kërkojnë zyrtarisht shkarkimin e Presidentit Meta

Një grup prej 55 deputetësh socialistë i kërkuan parlamentit të shkarkojë Presidentin e Republikës, Ilir Meta, për shkak të anullimit të datës së zgjedhjeve vendore. Ata deklaruan se ky akt i presidentit është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të një Republike Parlamentare, me funksionet e postit të tij dhe me ushtrimin normal të sovranitetit nga populli. Deputetët socialistë shtuan se presidenti dekretoi datën e zgjedhjeve dhe mbi bazën e atij dekreti, nisën një seri përgatitjesh të procesit zgjedhor, të cilat ai nuk mund t’i prapsojë më. Ata cituan një varg nenesh të Kushtetutës dhe komentesh, sipas të cilëve, presidenti ka shkelur parimin kushtetues se sovraniteti i takon popullit. Presidenti i Shqipërisë ndërkohë ka nisur konsultimet me partitë politike për një datë të re zgjedhjesh vendore. Ai ka zhvilluar takime me disa parti të opozitës, por socialistët po vazhdojnë fushatën për të realizuar zgjedhjet më 30 qershor. Presidenti Meta ka zhvilluar një takim me ambasadorët e Bashkimit Europian, ku ka shpjeguar hapat e tij për shtyrjen e zgjedhjeve vendore. Sipas njoftimeve të medias vendase, gjatë takimit u diskutua kriza politike dhe rreziku i konfliktit civil mes palëve pro dhe kundër zgjedhjeve vendore.  Propozimi për shkarkim duhet bërë nga një e katërta e deputetëve dhe duhet të mbështetet nga dy të tretat e tyre, ose 94 vota, të cilat socialistët formalisht nuk i kanë.

Tërmet vdekjeprurës godet Kinën

Një tërmet i fuqishëm në jugperëndim të Kinës la së paku 12 njerëz të vrarë dhe mbi 130 të plagosur, thanë zyrtarët. Tërmeti goditi pranë qytetit Jibin, në provincën Sihuan. Mbi 4,000 njerëz u evakuuan nga shtëpitë e dëmtuara. Tërmeti u pasua nga së paku katër dridhje të tjera. Në provincën Sihuan ka shpesh tërmete. Në vitin 2008, një tërmet prej 7.9 ballësh atje ka lënë 87,000 njerëz të vdekur ose të zhdukur.

Trump kërcënon me dëbimin e miliona migrantëve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërcënoi me dëbimin e miliona njerëzve që jetojnë ilegalisht në SHBA. Në një seri postimesh në Twitter, Trump tha se zyrtarët e migracionit do të nisin, javën e ardhshme, procesin për "largimin e miliona të huajve të paligjshëm, që kanë gjetur rrugën për të hyrë në Shtetet e Bashkuara". "Ata do të dëbohen sa më shpejt", tha Trump. SHBA-ja përballet me një fluks të madh migrantësh nga Amerika Qendrore. Numri i tyre thuhet se i ka tejkaluar kapacitetet e autoriteteve amerikane për të akomoduar dhe përpunuar të dhënat. Migrimi ka qenë temë qendrore e fushatës së Trumpit në vitin 2016. Trump pritet të shpallë sot kandidaturën për rizgjedhje në vitin 2020 dhe migrimi pritet të dominojë sërish fushatën.

 

Arrestohet ish-kreu i UEFA-s, Michel Platini

Ish-presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA), Michel Platini, është arrestuar për caktimin e dyshimtë të Katarit si organizator i Kupës Botërore më 2022. Platini ishte kreu i UEFA-s, gjatë viteve 2007-2015, kur u pezullua nga komiteti i Etikës i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA). Agjencia franceze Mediapart raporton se Platini u arrestua të martën, në mëngjes, në periferi të Parisit, si pjesë e hetimit për manipulim të votave gjatë përzgjedhjes së Katarit si organizator i Botërorit. Ish-mesfushori francez dhe tre herë fituesi i Topit të Artë ka mohuar çdo keqbërje. Katari fitoi të drejtën e organizimit në vitin 2010. Në garë ishin edhe SHBA-ja, Australia, Koreja e Jugut dhe Japonia.

 

Kuvendi miraton Statutin e komunës së Tuzit

Kuvendi i komunës së Tuzit, mbajti dje seancën e radhës dhe ashtu, siç ishte paralajmëruar më parë, këshilltarët debatuan dhe më pas miratuan propozim statutin e komunës, pasi në periudhën e mëparshme Tuzi ishte komunë urbane dhe vepronte vetëm në bazë të vendimit statutar. Për këtë dokument përveç, koalicionit qeverisës në përbërje ASH, UDSH dhe LDSH, votuan edhe këshilltarët e Partisë Boshnjake si dhe përfaqësuesi i demokratëve. Ndërkaq, këshilltarët e PDS ishin të përmbajtur, kurse këshilltari i Socialdemokratëve, votoi kundër. Pushteti vendor, kishte paralajmëruar edhe më parë se njëri ndër prioritetet në fillim të mandatit rrjedhës do të jetë hartimi dhe miratimi i Statutit të komunës, si parakusht për funksionimin e komunës në kapacitet të plotë. Edhe pse disa nga zgjidhjet e propozuara me këtë dokument shkaktuan debate të shumta mes këshilltarëve, me miratimin e tij, pushteti vendor vazhdon të funksionoj sikur të gjitha njësit tjera të vetëqeverisje lokale në Mal të Zi. Ndërkohë, përveç kësaj pike të rendit të ditës, këshilltarët kanë zgjedhur Leonora Gjeloshaj, përfaqësuese të administratës lokale në Këshillin mbikëqyrës të Organizatës turistike të Tuzit. Propozimi për zgjedhjen e saj u përkrah unanimisht nga të gjitha klubet e këshilltarëve në Kuvend.

përgatiti, Gj.Dukaj, gazetar i RTMZ

 

Nesër mot i ndryshueshëm

Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht i kthjellët vende-vende me vranësira mesatare, në veri me shi të dobët. Frynë erë e lehtë e drejtimeve të ndryshme. Temperaturat në ora 13 u shënuan: në Herceg Novi 32  gradë, Podgoricë e Ulqin 31, Tivar 30, Cetinë 27, Nikshiq 26, Kollashin 21, Plevle 18 dhe në Zhablak 17 gradë.

Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot të ndryshueshëm, kryesisht i vranët me intervale të gjata me diell, por edhe kushte për shi të dobët të përcjellë me bubullimë, posaçërisht në pjesët kontinentale të vendit. Do të fryjë erë e lehtë deri e mesme e drejtimeve të ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 10 deri në 22, kurse më e larta e ditës prej 21 deri në 33 gradë celsius.

 

Ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се