Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

11. 06. 2019. 19:57   >>  20:04

Ditari 11.06.2019

11.06.2019

Deputetët, filluan debatin për propozim strategjinë e mbrojtjes

Në Strategjinë e propozuar të mbrojtjes, shqyrtimi i të cilës ka filluar sot në Parlament, thuhet se kërcënimet ushtarake ndaj Malit të Zi, janë zvogëluar dukshëm si pasojë e integrimit të vendit në NATO dhe zvogëlimit të efektivëve ushtarak në rajon, por në të ardhmen nuk duhet  lënë pas dore.

Siç është vlerësuar, siguria e shtetit mund të jetë e  kërcënuar drejtpërdrejtë por edhe në mënyra tjera, përmes konflikteve që ndodhin jashtë kufijve të tij apo jashtë kufijve të rajonit, respektivisht të kontinentit  në të cilin ndodhet e që nënkupton ndryshime të dukshme edhe në qasjen e mbrojtjes. Edhe pse gjasat për për shpërthimin e ndonjë konflikti konvencional  në rajon janë të vogla, ato nuk duhet përjashtuar plotësisht, thuhet në këtë dokument.

Po ashtu, siç thuhet, në planin global, sfidat dhe kërcënimet për sigurinë nacionale nuk janë ngushtë të lidhura vetëm me përdorimin e forcës ushtarake, duke veçuar mes tjerash, edhe migrimet ilegale masive, avancimi i armatimit konvencional për shkatërrimin në mas, kërcënimi i sigurisë së sistemeve ekonomike dhe të energjisë si dhe elementëve të infrastrukturës kritike.

Të rikujtojmë se deputetët, dje, kanë miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për simbolet shtetërore dhe Ditën e Shtetësisë, me të cilat janë paraparë dënime me të holla për mos respektimin e stemës, flamurit dhe himnit shtetëror.

Mali i Zi, si partner kredibil i Aleancës, kontribuon vlerave të përbashkëta

Mali i Zi, ka avancuar dukshëm në reforma, ka treguar që si anëtar i NATO-s, është partner kredibil duke i kontribuar vlerave të përbashkëta dhe mbetet i përkushtuar arritjes së përparimit të mëtejmë, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit,  është kumtuar gjatë  takimit të kryeministrit Dushko Markoviq dhe ambasadorit të Mbretërisë së Holandës, Hendrik Van Den Dol. Me këtë rast, Markoviq, theksoi se Mali i Zi, ka arritur rritje të madhe ekonomike dhe se aktivitetet të cilat janë ndërmarrë  me qëllim të rritjes së konkurrencës, kanë përmirësuar ambientin e biznesit dhe përparimin e efikasitetit të administratës. Ambasadori, Doll, ka theksuar se Mali i Zi, ka realizuar përparim të madh edhe pse, ende,  mbeten sfida të caktuara. Ky përparim, siç tha ai, mund të shihet me sy të thjesht dhe sa më tej që Mali i Zi të avancoj drejtë BE, detyrat do të jenë edhe më të mëdha por që Holanda është aty të ndihmoj, ka thënë ambasadori Doll   

Mali i Zi, është duke avancuar në standardet e Shengenit

Mali i Zi, ka arritur përparim në standardet e Shengenit, që kanë të bëjnë me harmonizimin e kornizës juridike, infrastrukturës dhe sistemeve të komunikimit dhe informacionit kurse kujdes i veçantë i është kushtuar edukimit dhe përforcimit të kapaciteteve kadrovike të policisë kufitare, ka deklaruar ministri i punëve të brendshme, Mevludin Nuhoxhiq, gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Sllovenisë. Ai, gjatë qëndrimit në këtë vend, ka vizituar vendkalimin më frekuent kufitar, Obrezhje, në kufi me republikën e Kroacisë.

Vizita ishte rast i mirë që delegacioni malazez të njoftohet nga afër me procedurat të cilat zbatohen në kuadër të verifikimeve kufitare në pajtim me standardet e Shengenit, duke marrë  parasysh se, Sllovenia, para disa dekadave është bërë pjesë e hapësirës Shengen, është kumtuar nga Ministria e brendshme. 

Ministri, Nuhoxhiq, ka lavdëruar bashkëpunimin me Republikën e Sllovenisë, gjatë realizimit të tvining projektit “ Përkrahje vendosjes së frymës juridike të Shengenit”, në kuadër të cilit është hartuar plani aksionist i Shengenit e të cilin e ka miratuar Qeveria, në vitin 2017.

 

Të fillohen konsultimet për zgjedhjen e avokatit të popullit

Aleanca qytetare, ka ftuar presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, që sa më parë të zhvillojë konsultimet me institucionet shkencore dhe profesionale si dhe me organizatat joqeveritare, veprimtaria kryesore e të cilave është mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut, lidhur me zgjedhjen e Ombudsmanit të ri. Mbrojtësi i të drejtave edhe lirive të njeriut, Shuqko Bakoviq, ka njoftuar Parlamentin se janë plotësuar  kushtet për pushimin e funksionit të tij para skadimit të mandatit, për shkak të plotësimit të kushteve për pensionim. Të përkujtojmë se, Bakoviqit mandati i përfundon me 30 të këtij muajit, kështu që Kuvendi, është i obliguar të vërtetoj se  atij i pushon mandati në këtë funksion. Drejtori programor i Aleancës qytetare, Millan Radoviq, ka deklaruar për agjencinë Mina, se procedura për emërimin e Ombudsmanit të ri, fillon më së largëti, 60 ditë para përfundimit të mandatit aktual, kështu që konsultimet duhet filluar menjëherë.   

 

Darmanoviq, do të hap konsullatën në Trst

Ministri i punëve të jashtme të Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq, do të marr pjesë në mbledhjen e ministrave të jashtëm të Iniciativës së Evropës Qendrore, e cila do të mbahet nesër në qytetin Trst, në kuadër të kryesimit italian të kësaj Iniciative.

Ndërkohë, ministri Darmanoviq, do të hapin solemnisht Konsullatën e Malit të Zi, në krye me konsullin e nderit, Sven Biçler

Pjesëmarrja e ministrit Darmanoviq,në këtë takim, do të jetë rast i mirë për afirmimin e përkushtimit të Malit të Zi, bashkëpunimit rajonal si dhe në prezantimin e rezultateve të arritura në procesin e Integrimeve Evropiane, thuhet në kumtesë nga Ministria  e jashtme.   

Ndihmë për policinë nga gjashtë shtete

Është formuar Shtabi i aksionit operativ “Vera 2019”, detyra e të cilit është që të garantojë sigurinë për sezonin veror turistik, ndërsa policinë malazeze gjatë  sezonit që është në prag për aktivitete në bregdet, do ta ndihmojnë 16 kolegë të tyre nga gjashtë shtete, ka kumtuar ndihmës drejtori i Drejtorisë së policisë, Nikolla Janjusheviq.

Ai, për agjencinë Mina, ka deklaruar se drejtori i policisë, ka formuar shtabin qëllimi i të cilit është që të ndërmarr masa dhe aktivitete dhe të bashkëpunojë me organet dhe institucionet tjera, me qëllim që sezoni turistik veror të realizohet me sukses dhe të jetë i sigurt. Janjusheviq, po ashtu, ka përkujtuar se Drejtoria e policisë në vitin 2012, ka hyrë në projektin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor për ndihmën gjatë sezonit veror turistik, me organizatat policore nga Serbia, Kroacia dhe Shqipëria, derisa një vit më pas është arritur marrëveshja për bashkëpunim edhe me Maqedoninë  e Veriut dhe Italinë. Siç është njoftuar, gjatë këtij viti, përveç me këto pesë shtete do të realizohet marrëveshja e dhe me policinë e Rumanisë, kështu që përfaqësuesit  e gjashtë organizatave policore nga rajoni do të ndihmojnë policinë malazeze gjatë sezonit të ardhshëm veror turistik, ka kumtuar Janjusheviq.

 

“Ora qytetare” e Ministrisë së mbrojtjes dhe UMZ në Tuz

Në Tuz, në sallën e Kuvendit, sot u mbajt “Ora qytetare”, projekt ky të cilin Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi, e filloi në muajin e kaluar me qëllim të promovimit të thirrjes ushtarake dhe që  po realizohet në bashkëpunim me qeverisjet lokale, përmes kontaktit të drejtpërdrejtë dhe komunikimit me të rinjtë, të moshës nga 18 deri në 21 vjeç, e që pikërisht, ata janë  grupi i qëllimit për këtë projekt të Ushtrisë së Malit të Zi. Të pranishmëve, në fillim, ju drejtua Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, i cili i falënderoi të pranishmit dhe mysafirët nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Malit të Zi, për prezantimin e programit të kësaj Ministrie dhe të Ushtrisë për banorët e kësaj Komune dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunimin e mëtejshëm. Prezantimin e projektit dhe programit në Tuz  e bëri drejtori i Drejtorisë për resurset njerëzore pranë Ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi, Mihajllo Vollkov, i cili tha se ky projekt u kushtohet kryesisht të rinjve, por edhe atyre të cilët janë të interesuar të punojnë me dhe për Ushtrinë e Malit të Zi, duke shtuar se  kjo u siguron atyre punësim të garantuar dhe një të ardhme më të sigurt. “Këtu bëhet fjalë për kushtet për paraqitje për studime në Akademitë ushtarake ndërkombëtare, për shërbim vullnetarë ushtarak, ushtarë me kontratë, kampe verore ushtarake e tjera”, tha Vollkov.  Ai tha se përveç shërbimit ushtarak dhe regjistrimit në Akademitë më prestigjioze ushtarake në botë, nga ato në SHBA dhe Evropë, ekziston edhe mundësia e angazhimit civil edhe për profesionet tjera si: juristë, ekonomistë e degë tjera, por edhe shërbimet tjera civile, e që për të interesuarit e paraqitur do të organizohen kurse 6 dhe 12 mujore.

Përgatiti, Senad Gilaj, gazetar i RTMZ   

 

Ish presidenti Clinton, ka mbërritur në Prishtinë

Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, ka mbërritur në Aeroportin e Prishtinës  ku është pritur nga zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli. “Mirësevjen në familjen tënde, në Kosovë, zoti President”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”, ku ka postuar edhe disa fotografi të ardhjes së Bill Clintonit në  Prishtinë. Ndryshe, Clinton do të marrë pjesë në shënimin e 20-vjetorit të Çlirimit të Kosovës dhe hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, do të nderohet sot me dekoratë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, raporton RTKlive. Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, do të jenë prezentë në Kosovë për të kremtuar nesër (e mërkurë) së bashku me qytetarët 20-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s.

NATO, ndërhyri për të parandaluar humbjen e mëtejme të jetëve

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, ka kujtuar vendimin që kishte marrë në kohën  e luftës së Kosovës.

“Në vitin 1999, mora vendimin si Kryeministër i Britanisë për t'u bashkuar me forcat e tjera të NATO-s për të ndërhyrë në konfliktin në Kosovë, për të parandaluar humbjen e mëtejshme të jetës, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës. Përpjekja siguroi një prani paqeruajtëse të OKB-së në Kosovë, siguroi kthimin e sigurt të refugjatëve dhe personave të zhvendosur në të gjithë rajonin dhe krijoi një marrëveshje kornizë politike”, tha Blair, përmes një deklarate të publikuar në Institutin Global të Ndryshimeve.

Gjatë njëzet viteve të fundit ne kemi parë një brez të ri kosovarë që e marrin të ardhmen e tyre në duart e tyre dhe kanalizojnë energjitë e tyre në ndërtimin e kombit. Unë përgëzoj popullin e Kosovës për këto përpjekje, theksoi es tjerash ish kryeministri britanik T.Blair .

 

Haradinaj, mbështet deklaratën e Washingtonit për marrëveshje me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e mbështeti deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, e cila u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë, të arrijnë marrëveshje që do të mundësojë njohjen reciproke. Pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj tha se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe, nuk paraqet pengesë për vazhdimin e dialogut. Sipas tij, pengesa qëndron në mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të njohur Kosovën.

Kryeministri Haradinaj, tha se sa i përket Kosovës, Samiti i Parisit mund të mbahet, por para së gjithash, është e nevojshme të arrihet një marrëveshje kornizë.Më herët, Shtëpia e Bardhë u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të lënë mënjanë retorikën ekstremiste dhe të punojnë për një marrëveshje që përqendrohet në njohjen reciproke mes tyre. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të hënën se "është shumë e mundur të mos mbahet takimi në Paris".

 

Kryeministri , E.Rama, qëndron në Bruksel, takon krerët e BE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka nisur një vizitë punë në Bruksel, ku do të takojë zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian.

Raportohet se në orën 17:00 kryeministri do të ketë një takim me shefen e diplomacisë së Bashkimit Europian, Frederica Mogherini.

Më pas, shefi i ekzekutivit shqiptar do të zhvillojë një takim edhe me Kreun e Këshillit Europian, Donald Tusk si dhe me presidentin e Komisionit Europian, Zhan Klod Juncker./lapsi.al

 

Dhjetë kandidat në garë për kryeministër të Britanisë

Dhjetë kandidatë do të garojnë për postin e kryetarit të Partisë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar dhe rrjedhimisht të kryeministrit, konfirmoi të hënën komiteti i kësaj partie.

Kryetarja e deritashme, Theresa May, ka dhënë dorëheqje javën e kaluar, ndërsa do të mbetet në krye të qeverisë, derisa të zgjidhet kryeministri i ri.

Kryeminstër i Mbretërisë së Bashkuar bëhet me automatizëm udhëheqësi i partisë më të madhe në Parlamentin britanik - në këtë rast i Partisë Konservatore.

Kandidatët përfshijnë ish-ministrin e Jashtëm, Boris Johnson, pasardhësin e tij, Jeremy Hunt, ministrin e Mjedisit, Michael Gove, ish-ministrin për Brexit, apo daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, Dominic Raab, e tjerë.

Rrethi i parë i votimeve në mesin e ligjvënësve konservatorë do të mbahet të enjten.

 

Në aksidentin ajror në Menhetën, një i vdekur

Një helikopter u rrëzua në një rrokaqiell në lagjen Menhatën të Nju Jorkut, duke shkaktuar vdekjen e pilotit, thanë zyrtarët e Departamentit të Zjarrfikësve.

Ndërtesa është evakuuar, por asnjë nga njerëzit atje nuk është plagosur. Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, tha se flakët e shkaktuara në ndërtesën 54-katëshe, po vihen nën kontroll. Cuomo tha se raportet paraprake tregojnë se helikopteri bëri ulje të detyrueshme. Incidenti ndodhi rreth orës 14:00, sipas kohës lokale, në një mot me shi. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u njoftua për incidentin, konfirmoi zyrtari për shtyp i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley.

 

Diplomati amerikan, do të ndërmjetësoj për vendosjen e paqes në Sudan

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për çështje të Afrikës, Tibor Nagy, do të udhëtojë këtë javë në Sudan, për shkak të trazirave atje.

Sudani qeveriset nga ushtria prejse presidenti Omar al-Bashir u përmbys nga pushteti, gjatë një puçi në muajin prill.

Që atëherë vazhduan edhe protestat me kërkesën që vendi të udhëhiqet nga një qeveri civile.

Dhjetëra njerëz u vranë gjatë përleshjeve të ditëve të fundit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Nagy "do t'i nxisë palët të punojnë drejt krijimit të një mjedisi të përshtatshëm për bisedime".

Ai po ashtu do ta diskutojë situatën me kryeministrin e Etiopisë, Abiy Ahmed, i cili po përpiqet të ndërmjetësojë midis këshillit ushtarak dhe opozitës në Sudan.

 

Identifikohen lokacionet pëe ekzekutime publike në K.Veriore

Një organizatë joqeveritare e Koresë së Jugut tha se ka identifikuar 318 lokacione në Korenë e Veriut që janë përdorur nga qeveria për të kryer ekzekutime publike.

Grupi Punues i Drejtësisë Tranzicionale tha se për raportin e tij intervistoi 610 të dezertuar nga Koreja e Veriut, për rreth katër vjet.

Ai dokumentoi dekada të vrasjeve për shkelje të ndryshme, që varionin nga vjedhja e një lope deri të shikimi i televizionit të Koresë së Jugut.

Ekzekutimet publike u zhvilluan pranë lumenjve, fushave, tregjeve, shkollave dhe terreneve sporteve, tha grupi i të drejtave të njeriut.

"Turma të 1,000 apo më shumë njerëzve do të mblidheshin për t'i parë këto ekzekutime", thuhet në raportin e publikuar të martën.

Sipas të njëjtit, familjarët e të dënuarve me vdekje, duke përfshirë fëmijët, janë detyruar në disa raste të shikojnë ekzekutimet.

Për dekada me radhë, Koreja e Veriut është një nga shoqëritë më sekrete në botë.

 

Nesër, mot me diell dhe i nxehtë

Në Mal  të Zi, sot mban mot kryesisht me diell dhe mjaft i nxehtë. Frynë erë e dobët e drejtimeve të ndryshme.

Temperaturat në orën 14;

Podgoricë 33 gradë, H.Novi 31, Budvë 30, Cetinë, Petrovac, Bjello Pole e Shavnik 29, Nikshiq, Tivar, Plevlë e Ulqin 28, Beranë e Plavë 27, Kollashin, Andrijevic e Rozhajë 26, dhe në Zhablak 22 gradë.

Meteorologët, për nesër parashohin mot kryesisht me diell dhe të nxehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare e drejtimeve të ndryshme.

Temperatura e mëngjesit prej 10 deri në 22, kurse më e larta  e ditës, prej 25 deri në 35 gradë celsius. 

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се