Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

05. 06. 2019. 18:10   >>  18:19

Ditari 05.06.2019

05.06.2019

Mali i Zi shënon sot dy vjetorin e anëtarësimit në NATO

Sot Mali i Zi  shënon dy vjetorin ç'prej se është bërë anëtari i 29-të i NATO-s. Dokumentin, instrument i anëtarësimit në emër të Malit të Zi e ka dorëzuar ministri i punëve të jashtme Sërgjan Darmanoviq në Departamentin e shtetit në Uashington. Në ceremoni merrnin pjesë sekretari i përgjithshëm i Aleancës Jens Stolltenberg, zëvendësi i sekretarit amerikan të shtetit Tomas Shenon, kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq si dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Marrëdhëniet zyrtare të Malit të Zi me NATO kishin filluar me 29 nëntor të vitit 2006 me ftesën drejtuar Malit të Zi për anëtarësim në partneritetin për paqe. Mali i Zi në qershor të vitit 2014 gjendej para dyerve të NATO-s kur ministrat e punëve të jashtme të Aleancës vendosën të inicojnë bisedimet e intensifikuara dhe të fokusuara me Malin e Zi. Pas ftesës formale për fillimin e bisedimeve të Malit të Zi me NATO-n, kah mesi i vitit 2016 në Bruksel kanë përfunduar me sukses bisedimet para anëtarësimit. Pas nënshkrimit të protokollit në vitin 2016 ishin krijuar kushtet që Mali i Zi si shtet i ftuar të marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e NATO-s dhe për herë të parë në rolin e anëtarit në samitin e NATO-s në Varshavë.

Markoviq- Kemi forcuar sigurinë

Mali i Zi gjatë dy viteve të kaluara me anëtarësimin në NATO e ka forcuar sigurinë dhe ka fituar aleatë të gatshëm që të ndihmojnë me rastin e çdo sfide, ka theksuar kryeministri Dushko Markoviq, me rastin e dy vjetorit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Markoviq ka theksuar se  dy vitet e kaluara të anëtarësimit në NATO kanë vërtetuar se Mali i Zi me anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut Verior ka forcuar sigurinë e vendit, i ka kontribuar stabilitetit në rajon dhe janë krijuar parakushtet për zhvillim dhe jetë më të mirë të qytetarëve. Ai duke iu drejtuar opinionit me rastin e këtij përvjetori ka theksuar se në mungese të stabilitetit nuk mund të ketë progres dhe këtë më së miri e hetojnë banorët e Ballkanit. Markoviq ka theksuar se qytetarët mund të jenë krenarë që sot Mali i Zi është shtet i barabartë dhe qëndron përkrah me demokracitë më të forta të botës  dhe  përmes rolit të aleatit merr pjesë  në sfidat globale të cilat e prekin çdo cep të planetit.

Garancia më e mirë e integritetit dhe sovranitetit

Mali i Zi  përmes anëtarësimit në NATO ka fituar garancinë më të mirë të integritetit territorial dhe sovranitetit, mos cenimin e kufijve, sigurinë e brendshme, stabilitetin dhe paqen, ka vlerësuar ministri i punëve të jashtme të Malit të Zi Sërgjan Darmanoviq. Ai ka përkujtuar se NATO  funksionon mbi principin e sigurisë kolektive  dhe në nenin 5 të kontratës së Uashingtonit, shkruan se sulmi kundër një anëtari është sulm kundër të gjithë anëtarëve të NATO-s.  Ai ka theksuar se nga buxheti i përbashkët i NATO-s financohen projekte të ndryshme të cilat i shfrytëzojnë shtetet anëtare dhe vlera e të cilave, sidomos kur është fjala për shtetet e vogla, siç është Mali i Zi, është shumë e madhe nga vlera e mjeteve për anëtarësim. Darmanoviq ka shtuar se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO është edhe përfitim i madh për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe Darmanoviq ka theksuar se Mali i Zi është i fokusuar në promovimin e politikës të dyerve të hapura dhe në forcimin e pranisë së aleancës në rajon.

E dëshirueshme prania akoma më e madhe e investusëve italian

Mali i Zi  dhe Italia zhvillojnë marrëdhënie tejet të mira bilaterale, por ekziston hapësirë e duhur për përparimin e bashkëpunimit ekonomik mbi themelet e përvojave pozitive përmes projekteve të kabllos nëndetare dhe të hulumtimeve nëndetare të naftës dhe gazit. Këtë e ka deklaruar presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq gjatë takimit me ministren e mbrojtjes të Republikës së Italisë, Elizabet Trenta e cila qëndron për vizitë zyrtare në Mal të Zi. Vlerë shtesë e kësaj vizite, siç ka theksuar presidenti, është se ajo realizohet njëkohësisht me shënimin e jubileut të rëndësishëm, 140 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, i cili është shënuar mbrëmë në Cetinë në ndërtesën e ish ambasadës italiane. Përmes përkujtimit në përkrahjen e Italisë dhënë Malit të Zi për anëtarësim në NATO, ministria Trenta, ka theksuar se Italia me bindje të thellë mbetet përkrah Malit të Zi edhe në rrugën drejtë BE. “Integrimi është tejet me rëndësi edhe për shkak të nevojës të përgjigjeve të përbashkëta ndaj sfidave të kohës”, ka vlerësuar Trenta duke shtuar se pozita e Italisë ndaj Ballkanit është shumë e qartë si në pikëpamjen e përkrahjes për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe në pikëpamjen e plotësimit të kritereve  për anëtarësim.

Mali i Zi partner kredibil dhe i besuar

“Mali i Zi, si anëtari më i ri i Aleancës është aleatë dinjitoz dhe kredibil në fushën e bashkëpunimit mbrojtës dhe i cili kultivon vlerat evropiane dhe euroatlantike”, kanë vlerësuar Ministrat e mbrojtjes të Malit të Zi dhe të Italisë, Predrag Boshkoviq dhe Elizabeta Trenta. Boshkoviq ka biseduar sot me ministren Trenta e cila qëndron për vizitë zyrtare në Podgoricë në ditën e shënimit të dy vjetorit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Me këtë rast Boshkoviq ka theksuar se Mali i Zi do të vazhdojë të promovojë gjithnjë politikën e NATO-s të dyerve të hapura duke shtuar se integrimi në NATO dhe në BE paraqet për Ballkanin Perëndimor parakushtin absolut për vendosjen e paqes dhe stabilitetit afat gjatë. Trenta ka theksuar se Mali i Zi, edhe pse shteti më i ri anëtarë i Aleancës është aleat dinjitoz, por edhe partner kredibil në fushën e bashkëpunimit mbrojtës në kuadër të BE. Ajo ka shtuar se është e kënaqur me shkallën e arritur të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe është e gatshme të punojë me qëllim të përparimit të mëtejmë në periudhën e ardhshme.

 

Nesër vërtetohet propozimi për anëtarë të këshillit të RTMZ

Këshilli administrativ do të vërtetojë nesër propozim listën për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Radio dhe Televizionit të Malit të Zi. Këshilli në mbledhjen e mëparshme, siç është kumtuar, ka vërtetuar listën e propozimeve të plota të kandidatëve për anëtarë të këtij këshillit. Të theksojmë këtu se përbërjes aktuale të Këshillit të Radio Televizionit të Malit të Zi mandati i përfundon me 19 të këtij muaji.

 

Haradinaj konfirmon takimin e nesërm me Merkel

Përmes një njoftimi në Facebook, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka njoftua se do të takohet nesër me kancelaren  gjermane Angela Merkel, pasrtaj kryetarin e Bundestagut Wolfgang Schauble, deputetët e të gjitha grupeve parlamentare në Bundestag dhe se do të marrë pjesë në konferencën “Takimet ndërkombëtare” dhe poashtu do të marrë  pjesë  në lutjet e mëngjesit në Berlin. Kjo vizitë pune do të ketë për qëllim thellimin e marrëdhënieve dhe besimit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë si partnere strategjike. Bashkëpunimi i bazuar në besim është i domosdoshëm në rrugëtimin e Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime europiane dhe në fushën e sigurisë. Gjermania vazhdon të jetë një ndër partnerët kryesorë të Kosovës dhe përkrahja e tyre është jetike në arritjen e objektivave tona të përbashkëta, ka potencua Haradinaj.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë sa më shpejtë

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Mathew Palmer, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë sa më shpejt. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë një afat të caktuar për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Shtetet e Bashkuara nuk vendosin vija të kuqe në procesin e bisedimeve, por kjo nuk nënkupton se të gjithë mundësitë janë të hapura”, tha Palmer në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës. “Ajo çfarë ne do të dëshironim të shikonim është një marrëveshje me autorësi lokale, një marrëveshje të qëndrueshme, një marrëveshje të drejtë, një marrëveshje të zbatueshme dhe që mund të pranohet nga publiku i të dyja palëve, që mund të zbatohet drejt dhe plotësisht, dhe një marrëveshje që mund të çelë rrugëtimin drejt të ardhmes evropiane”, tha më tutje Palmer. Duke folur për çështjen e tarifës ndaj mallrave serbe, e cila është arsye që pala serbe ka ndërprerë bisedimet për normalizimin e raporteve me Kosovës, Palmer tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin heqjen e tarifës nga ana e autoriteteve të Kosovës. “Ne besojmë se interesat e Kosovës shërbehen më mirë me arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Beogradin dhe për të arritur atë marrëveshje, ata duhet të kthehen tek dialogu dhe për të arritur tek dialogu, është e rëndësishme që tarifat të eliminohen si një pengesë për përparim”, tha Palmer.

 

Brnabiq nuk tërhiqet nga deklaratat skandaloze për shqiptarët

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, ka thënë se nuk tërhiqet nga deklaratat skandaloze të bëra ditë më parë, ku i quajti shqiptarët e Kosovës si “njerëz të zbritur nga mali”. Brnabiq madje ka thënë se nuk do të kërkoj falje për këto deklarata, ‘sepse ka thënë të vërtetën’. Ajo ka thënë se një thënie e tillë nuk ishte për kombin shqiptar, por për të treguar se nuk ka respekt, për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn. “Do të doja që kurrë të mos takohesha me Haradinajn, por unë duhet të merrem edhe me djallin për hir të Serbisë”, ka thënë Brnabiq.

Përfaqësuesit e listës serbe në Berlin takohen me këshilltarin e A.Merkelit

Përfaqësuesit e Listës Serbe, të prirë nga Goran Rakiq, kanë udhëtuar për një vizitë dyditore në Berlin, ku do të takohen me këshilltarin e kancelares gjermane, Matthias Lüttenberg, me të cilin do të flasin për problemet me të cilat përballen serbët e Kosovës. Ndër të tjera ata do të takohen edhe me Chrstian Hellbach, dhe me deputetët e Bundestagut, Filip Juratovic dhe Thilo Sarazin.“Një delegacion me përfaqësues të serbëve të Kosovë kanë shkuar në Berlin, ku do të takohen me përfaqësues të qeverisë dhe parlamentit gjerman. Përveç tjerash ata do të takohen me këshilltarin e kancelares Merkel, z. Lutenberg, dhe takime të veçanta me z. Helbach, dhe z. Juratovic. Atje kanë udhëtuar kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, kryetari i Shtërpcës, Brastislav Nikolic, zv.kryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtic dhe Sasha Milosavljevic”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Lista Serbe. Ata thonë se një vizitë e tillë e përfaqësuesve të serbëve në Kosovë, do të jetë një mundësi e mirë për të treguar problemet si dhe situatën aktuale politike në Kosovë.

 

Nuk ka pajtim brenda BE-së për negociatat me Maqedoninë e V.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, pranoi se tani për tani nuk ka pajtim të plotë midis vendeve anëtare të BE-së për të autorizuar hapjen e negociatave të pranimit për Maqedoninë e Veriut. "Unë e di se disa shtete anëtare kanë disa shqetësime. Unë do të bëj gjithçka në fuqinë time për t'i bindur ato ", tha Juncker. Presidenti i KE-së, priti kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Juncker theksoi se Komisioni e ka bërë të qartë se vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet e mundshme dhe se tani i mbetet Këshillit të BE-së që të mbajë pjesën tjetër të premtimit. Zaev nga ana e tij i kujtoi bashkëbiseduesit evropian se vendi i tij kishte detyra të qarta, të cilat i ka përmbushur, dhe se tani pret që pala evropiane të tregojë mirëkuptim. "Hapja e negociatave është një garanci unike për ruajtjen e stabilitetit të brendshëm dhe një impuls reformash në Maqedoninë e Veriut, me efekte pozitive në të gjithë rajonin", tha Zaev. Javën e kaluar, Komisioni Evropian përsëriti rekomandimin e pakushtëzuar të tij, drejtuar Këshillit të BE-së, për të miratuar hapjen e negociatave të pranimit midis Brukselit dhe Shkupit. Debati i parë në këtë drejtim do të mbahet më 18 qershor, por nuk ka garanci se do të merret një vendim përfundimtar. Juncker tha se qëllimi i Komisionit Evropian ishte që vendimi të merret "gjatë verës".

Rusia dhe Kina po hapin “epokën e re të miqësisë

Presidenti i Kinës, Xi Jinping  arrinë sot në Rusi për të shënuar një atë që quhet “epokë e re e miqësisë” ndërmjet dy vendeve. Forcimi i lidhjeve ekonomike me Rusinë e izoluar nga Perëndimi është edhe një aspekt  tjetër i vizitës së delegacionit të lartë kinez në Moskë. Presidenti i Kinës, Xi Jinping do të ketë bisedime në Kremlin me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, para se të marrë pjesë në një pritje zyrtare të delegacionit kinez. Vizita zhvillohet pesë vjet pasi Rusia aneksoi rajonin e Krimesë në Ukrainë, që çoi në përplasje me partnerët e saj perëndimorë. Nga Moska, Xi do të udhëtojë në Shën Petersburg për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të organizuar nga Putini. Kina dhe Rusia"kanë besim të ndërsjellë të fortë politik dhe mbështesin njëra-tjetrën në mënyrë të vendosur në çështjet që lidhen me interesat thelbësore dhe shqetësimet e tyre kryesore", tha Xi gjatë një interviste me mediat ruse përpara vizitës, sipas një transkripti të publikuar nga agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua e Pekinit. Yury Ushakov, ndihmësi i politikës së jashtme të presidentit rus, tha se vizita është "një ngjarje vendimtare për marrëdhëniet tona dypalëshe". Bashkimi Sovjetik ishte vendi i parë që njohu Kinën e kontrolluar nga komunizmi në vitin 1949, tha ai. Ai tha se Xi dhe Putin do të nënshkruajnë një deklaratë të re mbi "partneritetin dhe bashkëpunimin strategjik".

 

BE-ja kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në tregtinë botërore

Zgjidhja e shpejtë e tensioneve në tregtinë botërore duhet të jetë prioriteti kryesor i vendeve me ekonomitë më të zhvilluara në botë. Me këtë qëndrim pritet të dalin ministrat e financave të Bashkimit Evropian në samitin e 20 vendeve më të fuqishme ekonomike në botë,G20, që pritet të mbahet gjatë fundjavës në Japoni. "Rritja ekonomike botërore është duke u ulur. Zgjidhja e tensioneve tregtare meriton vendin më të lartë të prioriteteve", thuhet në një dokument të BE-së të cilin e ka parë agjencia Reuters. Samiti i G20-ës mbahet në kohën kur dy ekonomitë më të mëdha në botë, Kina dhe SHBA-ja janë përfshirë në një mosmarrëveshje të egër rreth raporteve tregtare. Jo vetëm që SHBA-ja akuzon Kinën për vjedhjen e pronës intelektuale, por kërkon që Pekini të bëjë ndryshime në politikat e saj ekonomike, të cilat thotë se padrejtësisht favorizojnë kompanitë vendase përmes subvencioneve. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump gjithashtu dëshiron të shkurtojë defiçitin tregtar të Amerikës me Kinën, për të cilën ai thotë se po dëmton prodhimin amerikan.

 

Trumpi i gatshëm për bisedime me Iranin por nuk e përjashton aksionin ushtarak

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ishte i gatshëm të bisedonte me presidentin iranian, Hassan Rouhani, por se gjithnjë ekziston mundësia e një aksioni ushtarak të SHBA-së kundër Republikës Islamike. "Ata ishin kombi terrorist numër një në botë në kohën kur fillova mandatin dhe ndoshta janë edhe sot", tha Trump për kanalin televiziv britanik ITV. Kur u pyet nëse ai mendonte se do të duhej të merrte masa ushtarake kundër Iranit, presidenti Trump tha: "Ka gjithmonë mundësi. Nuk do të preferoja diçka të tillë por gjithmonë ekziston mundësia". Shtetet e Bashkuara kanë rritur praninë ushtarake në Lindjen e Mesme për shkak të, siç kanë thënë, kërcënimeve të Iranit. SHBA-ja ka shtuar sanksionet ndaj Iranit dhe është tërhequr nga një marrëveshje që e kishin arritur pesë fuqitë botërore dhe Irani në vitin 2015. Uashingtoni e sheh Iranin si sponsorizues kryesor të terrorizmit në rajon si dhe vend që po punon fshehtas në një program bërthamor. Ditë më parë presidenti i Iranit, Hassan Rouhani tha se Teherani nuk do të dorëzohet ndaj presionit të Shteteve të Bashkuara dhe nuk do të heq dorë nga qëllimet e tij edhe nëse do të bombardohet.

Rritet numri i protestuesve të vrarë në Sudan

Numri i të vrarëve në Sudan është rritur në 60, thonë burime spitalore që kontrollohen nga opozita, derisa forcat paraushtarake kanë hyrë në brendi të kryeqytetit Kartum. Numri i vdekjeve u bë publik pas dy ditësh trazira, të cilat filluan kur forcat e Këshillit Ushtarak të Përkohshëm (TMC) qëlluan mbi protestuesit e paarmatosur. Ushtria është përballur me kritika ndërkombëtare për goditjen ndaj protestuesve. Megjithatë, një përpjekje e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në OKB për të thirrur ushtrinë sudaneze për të punuar në gjetjen e një zgjidhjeje u bllokua nga Kina dhe Rusia. Sudani është përfshirë nga trazirat e dhunshme, që nga fillimi i muajit prill kur gjeneralët e Ushtrisë njoftuan se e kanë rrëzuar presidentin, Omar al-Bashir nga pozita dhe se një Këshill Ushtarak do ta qeverisë vendin deri në zgjedhjet e ardhshme. Mirëpo, protestuesit që deri në atë kohë kundërshtonin presidentin, Omar al –Bashir, vazhduan edhe më tutje protestat duke kërkuar transferimin e plotë të pushtetit te një qeveri civile.

 

Disa viktima nga sulmi i armatosur në Australi

Një person i armatosur vrau katër persona dhe plagosi një tjetër në pesë vende të ndryshme në qytetin australian të Darvinit, thanë zyrtarët. I dyshuari 45 vjeçar, i cili ishte i njohur për policinë, u arrestua një orë pasi të shtënat e para u raportuan. Kryeministri, Scott Morrison, tha se vrasja nuk ishte e lidhur me terrorizmin. Edhe policia tha se nuk beson se sulmi ishte terrorist. "Në këtë fazë nuk besojmë që ky është terrorizëm. Ky është një individ i cili ka vepruar i vetëm”, u tha gazetarëve komisioneri i policisë, Reece Kershaw. Sulmet u kryen në një motel dhe një kafiteri. Ky është një nga sulmet më të dhunshme në vitet e fundit në Australi. Australia ka disa nga ligjet më të ashpra të kontrollit të armëve, të miratuara më 1996 pasi një person i armatosur vrau 35 vetë në Port Arthur në ishullin e Tasmanisë.

Në mbarë globin, sot shënohet Dita ndërkombëtare e mjedisit

Sot, në mbarë botën shënohet Dita ndërkombëtare e mjedisit, e miratuar 45 vjet më parë nga Asambleja e përgjithshme e OKB-së. Qëllimi  parësor ishte rritja e vetëdijes në  çështjet  që kanë të bëjnë  me ruajtjen e mjedisit dhe, njëkohësisht, për të tërhequr vëmendjen e politikëbërësve në rëndësinë e  çështjes së mjedisit jetësor. Po ashtu, me shënimin e  kësaj dite në nivelin global tentohet nxitja e veprimit individual në këtë drejtim.  Rëndësia e parimeve kryesore në shënimin e kësaj date, është gjithnjë e më e theksuar, sidomos, në kohën e sotme kur ambienti jetësor është gjithnjë e më i rrezikuar nga ndotës të shumtë e që kërcënojnë seriozisht të ardhmen e mjedisit, kudo.  Me qëllim të sensibilizimit të opinionit më të gjerë botëror, me rastin e  kësaj dite, organizohen aktivitete të ndryshme, rëndom, me ndonjë tematik të caktuar. Të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e veprimit sa më të shpejtë, organizata dhe institucione të shumta, veprojnë në vazhdimësi në veçanti, në ngritjen e  vetëdijes për ruajtjen e tokës, pastaj ujërave, pyjeve e kështu me radhë, duke parandaluar kështu pasojat më të rënda nga ndryshimet klimatike që seriozisht rrezikon aspekte të shumta të ekzistencës në mjedisin më të gjerë.  Në vitet e para të këtij fillimshekulli, janë themeluar organizata të shumta qëllim parësor i të cilave është ruajtja e ambientit për vazhdimin e jetës në planetin tonë. Andaj, angazhimi i secilit individ në këtë drejtim, duhet të jetë orientim në vazhdimësi e jo vetëm me rastin e shënimit të 5 qershorit, në ruajtjen e mjedisit, si parakushtin kryesor në vazhdimin normal të jetës në mbarë globin. 

 

Për 25 vite punë, donacion prej 2500 euro për 10 nxënës

Barnatorja “Remedia” me pronarët Gaga dhe Radmilla Gegaj, me rastin e 25 vjetorit të themelimit të kompanisë së tyre e cila merret me tregtinë  dhe distribuimin e ilaçeve, i ndanë sot 10 donacione në shumë prej 250 eurosh për 10 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në Malësi. Këto donacione ata në koordinim me Komunën e Tuzit, vendosen që t’ua ndajnë nxënësve të shkollave, që sipas fjalëve të njërit nga pronarët, Gaga Gegaj, zgjodhen ata të cilët janë ardhmëria e këtij vendi, ku edhe e zhvillojnë biznesin e vet, pra në Malësi.  Në fjalën e rastin, kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj, duke i falënderuar donatorët, tha se atë që po e bëjnë çifti Gegaj, paraqet një stimulim për nxënësit si dhe shembull të mirë i kontributit në shoqëri dhe dashamirët e vendit. Gjeloshaj gjithashtu shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e kompanisë “Remedia” me Komunën e Tuzit, të cilët në këtë vend, siç tha ai, po zhvillojnë një biznes human, e që festimin e përvjetorit po e bëjnë me një donacion, e ku më mirë se sa nxënësve që janë ardhmëria e këtij vendi.  Donacionet iu ndanë nga dy nxënësve nga katër shkollat fillore, në Tuz, Skorraq, Dinoshë dhe Triesh dhe shkollës së mesme në Tuz.

përgatiti Senad Gilaj, gazetar

 

Nesër mot i ndryshueshëm

Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht i vranët dhe vende vende me reshje të dobëta të shiut. Fryn erë dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut.

Temperaturat: Podgoricë e Ulqin 24 gradë, Tivar, Herceg Novi, Budvë e Plevle 23, Bijello Pole 22, Beranë e Rozhajë 20, Nikshiq 19, Kollashin e Plavë 17 dhe në Zhablak 14 gradë.

Për nesër parashihet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme, me intervale të gjata me diell dhe pas ditë në zonat kontinentale vende vende  me reshje të dobëta e bubullimë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit prej 9 deri në 17, kurse më e larta e ditës prej 18 deri në 28 gradë celsius.

 

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се