Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

29. 05. 2019. 18:23 >> 18:27

Ditari 29.05.2019

29.05.2019

Mali i Zi  ka shënuar progres

“Mali i Zi ka shënuar progres, mirëpo është e nevojshme të implementohen reformat në fushën e sundimit të ligjit”, ka theksuar përfaqësuesi i lartë i BE për politikën fqinjësore dhe zgjerim, Johanes Han. Komisioni Evropian ka prezantuar në Bruksel sot pakon e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin edhe raportin vjetor për Malin e Zi. Han, pas konferencës për gazetarët në Bruksel, ka theksuar se mbeten shumë punë për tu bërë në Ballkanin Perëndimor duke shtuar se rajoni duhet të jetë më i fortë dhe se duhet shënuar progres në bashkëpunimin dhe pajtimin rajonal. “Kur është fjala për Malin e Zi dhe Serbinë ekziston progres, por duhet të implementohen reformat në fushën e sundimit të ligjit”, ka shtuar Han. Ai ka theksuar se duhet të kuptohet se procesi i bisedimeve nuk zgjatë dy ditë por me vite të tëra. Ndërkaq, shefi i delegacionit të BE në Mal të Zi Aivo Orav ka theksuar se Han e ka përmendur shkurtimisht Malin e Zi, mirëpo raporti është përmbajtësor.

 

Bisedimet të hapen tani

Komisioni Evropian rekomandon sërish hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, u bë e ditur sot nga Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn gjatë prezantimit të Paketës së Zgjerimit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian. "Shqipëria ka çuar përpara reformat, veçanërisht një transformim të madh të sistemit të Drejtësisë, përfshirë një proces të paprecedentë rivlerësimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve", u shpreh Hahn, duke shtuar se "Maqedonia e Veriut jo vetëm që vijon reformat e saj ambicioze, por arriti dhe një marrëveshje historike me Greqinë, duke zgjidhur problemin e gjatë të emrit”. Komisioneri evropian, theksoi se "të dyja vendet kanë bërë përpara me reformat, veçanërisht në fushat e përcaktuara nga Këshilli në Qershor 2018”. Për këtë arsye Komisioni Evropian i rekomandon Këshillit hapjen e bisedimeve tani, si me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.

 

Kosova është shtëpi për malazezët

Marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës janë miqësore, kurse dy shtetet mbetën konsekuente në realizimin e qëllimeve të mira fqinjësore, evropiane dhe euroatlantike, është vlerësuar gjatë takimit të kryeministrave të dy vendeve Ramush Haradinaj dhe Dushko Markoviq në Prishtinë. Dy vendet, siç është vlerësuar mbetën konsekuente në bashkëpunimin ekonomik, në veçanti në zhvillimin e lidhjeve më të mira reciproke infrastrukturore. Bashkëpunimi i mirë ndërfqinjësor është bazë për qëllimet e përbashkëta të Kosovës dhe Malit të Zi, të cilat janë të orientuara që t’i përkasin strukturave evropiane, ka deklaruar kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. Markoviq ka theksuar se hapja e Qendrës zhvillimore të malazezëve në Prishtinë është dëshmi se dy vendet kultivojnë miqësi afatgjate dhe esenciale dhe se harmonia multietnike dhe multikulturore është mbështetja kryesore e qëndrueshmërisë të dy shteteve. “Malazezët në Kosovë dhe Shqiptarët në Mal të Zi janë dy shtylla mbi të cilat qëndron ura e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe së bashku do të përpiqemi që kjo të mos jetë urë jo stabile ballkanike por urë e fortë evropiane”, ka theksuar kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq me rastin e hapjes së Qendrës zhvillimore të malazezëve në Kosovë. Dy kryeministrat janë pajtuar se hapja e sotme e autostradës nga Prishtina deri në kufirin e Kosovës me Maqedoninë nuk është vlerë vetëm për këto dy shtete por për rajonin në tërësi. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka theksuar se Kosova mbetet të jetë shtëpi për malazezët të cilët do të kenë përkrahjen e Prishtinës zyrtare.  Kryeministri i Malit të Zi, Markoviq, po qëndron për vizitë në Kosovë, me ftesën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Përveç takimeve me liderët institucional të Kosovës, Markoviq mori pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të autostradës “Arbër Xhaferi”. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, thanë se bashkëpunimi më Malin e Zi është i rëndësishëm në kuadër të procesit të integrimit evropian si dhe për faktin se ky vend fqinj është anëtar i NATO-s.

 

Pahor viziton Malin e Zi

Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor sot dhe nesër qëndron për vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku me nderimet më të larta shtetërore sot e priti presidenti i shtetit Millo Gjukanoviq. Dy presidentët pas takimit zyrtarë, në praninë e delegacioneve do të japin deklarata për opinion. Nesër presidenti Pahor do të takohet me kryetarin e parlamentit Ivan Brajoviq dhe me kryeministrin Dushko Markoviq. Pahor në përcjelljen e ministrit të kulturës Aleksandar Bogdanoviq dhe të kryetarit të Cetinës Aleksandar Kashqellan do të vizitojë përmendoret kulturo historike të Cetinës dhe është paraparë pjesëmarrja e tij në forumin “To Be Secure” - 2 Bs i cili do të mbahet në Budvë.

 

Iniciativa për mbrojtjen më efikase të drejtave njerëzore

Kuvendi i Malit të Zi e ka vazhduar sot seancën e VI-të të rregullt. Ditën e sotme kryesisht e ka shënuar polemika ndërmjet deputetëve të opozitës dhe ministrit të drejtësisë, Zoran Pazhin. Deputetët e Frontit Demokratik (FD) kanë pohuar se Pazhin me urdhrin e Millo Gjukanoviq e ka shkruar aktvendimin kundër Andria Mandiq dhe Millan Knezheviq gjë të cilën ministri Pazhin e ka demantuar. Qëndrimi i përbashkët i fjalimeve të deputetëve të FD-së është se Andria Mandiq dhe Millan Knezheviq janë të akuzuar dhe të dënuar të pafajshëm. Ministri Pazhin me këtë rast ka theksuar se nuk ka bërë asgjë jashtë kompetencave të ministrit dhe në asnjë mënyrë nuk është përzier në punën e organeve gjyqësore. “Asnjë aktvendim i Gjyqit evropian për të drejtat e njeriut nuk është shpenzim për Malin e Zi, por investim në mbrojtjen më efikase të drejtave njerëzore”, ka theksuar ministri Pazhin. Deputeti i pavarur Aleksandar Damjanoviq ka shtruar pyetjen në Parlament se sa para u janë paguar qytetarëve në bazë të aktvendimeve të Gjyqeve evropiane për të drejtat e njeriut nga maji i vitit 2007. Pazhin ka theksuar se të hollat, me pagesën e të cilave ka triumfuar e drejta, është shpenzuar si duhet në pajtim me interesin publik. “Ajo që është me rëndësi është se nga kjo përvojë organet shtetërore të Malit të i nxjerrim mësime me qëllim që të avancohet mbrojtja e të drejtave njerëzore”, ka theksuar Pazhin.

Qëndrim pro aktiv lidhur me plotësimin e rekomandimeve të ODIHR-it

“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka marr qëndrim pro aktiv kur është fjala për plotësimin e rekomandimeve të misionit të ODIHR-it për zgjedhjet presidenciale nga viti i kaluar, sidomos lidhur me transparencën e punës së tij”, ka deklaruar kryetari i KSHZ Gjorgjie Vukçeviq. Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Mal të Zi, Elison Kemp me bashkëpunëtorët, ka vizituar këtë institucion shtetërore. “Vizita ishte rast për të biseduar për temat që kanë të bëjnë me implementimin e rekomandimeve nga raporti përfundimtar i misionit të ODIHR-it për zgjedhjet presidenciale në vitin 2018”, thuhet në kumtesë. Gjatë takimit vëmendje u është kushtuar personave me invaliditet dhe qasjes së tyre në vendvotime dhe është konkludim se duhet bërë përpjekje shtesë me qëllim të përmirësimit të pozitës së tyre. Ambasadorja Kemp ka theksuar se zbatimi i proceseve demokratike, siç është edhe procesi zgjedhor, gjithmonë janë sfidë, por ka shprehur gatishmërinë për përkrahje të mëtejme ndaj komisionit shtetëror të zgjedhjeve.

 

Të gjitha bankat janë të gatshme për dispozita të reja

Nuk ekzistojnë rreziqe që Bankat të mos i plotësojnë kërkesat e rregullave të ardhshme në afarizëm, ka deklaruar për  gazetën “Pobjeda”, Sekretari i përgjithshëm i shoqatës së bankave, magjistër Bratisllav Pejakoviq, duke komentuar pesë ligjet sistematike të cilat janë në procedurën e miratimit. Të theksojmë se janë hartuar ndryshimet e ligjit për bankat, për falimentimin dhe likudimin, për faturat e pagesës së konsumatorëve, për kompensimet ndërbankare dhe ndryshimet e ligjit për rregullat e veçanta të afarizmit lidhur me kartat pagesore si dhe projekt ligji për sanimin e bankave. Me dispozitat e reja, mes tjerash, propozohet rritja e kapitalit themelues të bankës nga 5 në 7.5 milion euro. Në pyetjen nëse ekziston rreziku se rregullat e reja mund ti shuajnë bankat e vogla, Pejakoviq ka theksuar se të gjitha bankat në sistem i plotësojnë të gjitha standardet, ku me rëndësi është që ato të jenë likuide.

Detyrimet e pashlyera në komunën e Tuzit , afro 320 mijë euro 

Nga ndërmarrja “Ujësjellësi dhe kanalizimi” kanë kumtuar se konsumatorët nga komuna e Tuzit, i kanë borxh kësaj ndërmarrje rreth 320 mijë euro, si detyrime të pashlyera për ujin e përdorur nga ujësjellësi. Nga shuma e borxheve, pjesa më e  madhe, gjegjësisht,  afro 260 mijë borxhlinj, janë persona fizik, kurse pjesa tjetër janë persona juridik. Nga kjo kompani kumtojnë se nga fillimi i këtij viti, kanë rekomanduar 239 urdhëresa për shkyçjen e konsumatorëve nga rrjeti i ujësjellësit kurse, gjatë kësaj periudhe kanë nënshkruar 26 kontrata për shlyerjen e borxhit me këste disamuajshe, si njërën prej mundësive lehtësuese për konsumatorët. Po ashtu, drejtuesit e kësaj kompanie kanë kumtuar  se zyra për shlyerjen me dhunë të detyrimeve, nga fillimi i këtij vitit, ka inicuar 21 procedura me rekomandimin e  përmbaruesve për shlyerjen e borxhit. Njëkohësisht, njoftohet se efekti më i madh në pagesën e faturave, arrihet pas u është tërhequr vërejtja konsumatorëve në pasojat nga mos shlyerja e detyrimeve. Ndërkohë, kompetentët kanë kumtuar se 20- 30% e konsumatorëve paguajnë rregullisht faturat për sasinë e ujit të përdorur, kurse 30 – 40 %, paguajnë pas aplikimit të masave të represionit nga kjo ndërmarrje. Sidoqoftë, uji është resurs i domosdoshëm në jetën e përditshme, andaj  është e nevojshme qasje racionale nga konsumatorët, në përkujdesin ndaj tij por edhe në shlyerjen e detyrimeve në mënyrë që furnizimi për konsumatorët të jetë sa më i rregullt.

 

 

Hahn i kërkon Kosovës heqjen e taksës 100 për qind

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka kërkuar nga Kosova që të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe të heqë taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Këto komente Hahn, i bëri gjatë publikimit të Raportit vjetor të Zgjerimit, i cili përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin evropian. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016. “Në qershor do të bëj edhe një përpjekje për të zhbllokuar këtë situatë duke shkuar në këto vende, ndoshta për të përgatitur diçka për 1 korrik”, tha Han.  Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian “po ndodhë ajo që nuk duhet te ndodhte, pasi që BE-ja ka mbyllur dyert për Kosovën”. “Kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizem. Tash e tre vjet është dhënë rekomandimi për liberalizim, por ende nuk ka vendim nga shtetet anëtare”, ka thënë Thaçi.

 

Liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka folur sot për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Pas publikimit të Komisionit Evropian të Raportit të Progresit për Kosovën, Apostolova theksoi se në raportin aktual theksohet që të gjitha kriteret janë përmbushur dhe Komisioni dhe Parlamenti Evropian rekomandojnë liberalizimin për Kosovën që të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur. “Mendoj që kjo është gjuha më e fortë që kemi parë në raport që nxit shtetet anëtare që të gjejnë zgjidhje sa më shpejt”, është shprehur Apostolova. Ndryshe, në raportin e progresit, në pjesën mbi kriteret politike, thuhet se Kosova ka bërë progres në zbatimin e disa reformave kryesore të lidhura me BE, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e kuadrit ligjor në fushat e sundimit të ligjit dhe administratës publike.

Nuk është e vërtetë që e kemi ditur për aksionin në veri

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë “nuk e flasin të vërtetën” kur thonë se autoritetet në Beograd kanë qenë në dijeni për operacionin e Policisë së Kosovës në veri të Kosovës dhe se një gjë e tillë është lehtë të verifikohet. Ai tha se pala serbe e ka ditur nga burimet informative se po përgatitet diçka dhe se ai ka folur për këtë në publik para më shumë se dhjetë ditësh. Më herët, zëdhënësi i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, Vincenso Grasso, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se autoritetet serbe kane qenë të njoftuara për aksionin në veri të Policisë së Kosovës që është zhvilluar më 28 maj. Aksioni ka rezultuar me arrestimin e disa personave të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar dhe kontrabandë. Operacioni policor është zhvilluar në disa rajone, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj dhe Drenas. Në të njëjtën ditë, Vuçiq ka urdhëruar vendosjen e forcave serbe në gjendje gatishmërie.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë kërkon heqjen e imunitetit për shtetasin rus

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës, ka kërkuar heqjen e imunitetit të shtetasit rus njëherësh, punëtorit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë - UNMIK, i cili dje gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, është ndaluar për shkak se ka marrë pjesë në barrikada. Disa orë pas ndalimit, ai është liruar. Prokurori kryesor në Mitrovicë, Shyqri Syla, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se kërkesa për heqjen e imunitetit, është paraqitur sot, në mënyrë që të niset procedura penale lidhur me veprën penale “pengim i personit zyrtar në zbatimin e detyrës“ dhe “pjesëmarrje në masë, e cila ka kryer vepër penale të huliganizmit“.

 

Inaugurohet autostrada “Arbën Xhaferi”

Me ceremoni shtetërore në Kosovë, është bërë inaugurimi i autostradës “Arbën Xhaferi”, e cila shtrihet nga Prishtina në Han të Elezit, në kufi me Maqedoninë e Veriut. Në të ardhmen, kjo autostradë pritet të lidhë Prishtinën me Shkupin. Në ceremoninë e inaugurimit kanë marrë pjesë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ai i Malit të Zi, Dushko Markoviq. Kjo autostradë me gjatësi prej 60 kilometrash, njihet për urën më të gjatë në Ballkan. Sipas autoriteteve në Prishtinë, autostrada “Arbën Xhaferi”, i ka kushtuar buxhetit të Kosovës, mbi 600 milionë euro, kurse punimet i ka kryer konsorciumi turko-amerikan 'Bechtel-Enka'.

 

BE, cilët do të jenë zyrtarët më të lartë të bllokut?

Udhëheqësit evropianë janë mbledhur në Bruksel për të zgjedhur kandidatët për postet kryesore të BE-së, pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian javën e kaluar. Ata kanë qëndrime të ndryshme se kush duhet të jetë presidenti i ardhshëm i Komisionit Evropian, që shërben si dega ekzekutive e bllokut prej 28 vendesh. Mandati i presidentit aktual Jean-Claude Juncker, nga Luksemburgu, mbaron në muajin tetor. Por, Gjermania dhe Franca, dy nga ekonomitë më të mëdha të kontinentit, kanë pikëpamje të ndryshme se kush duhet ta zëvendësojë Juncker. Emërimi duhet gjithashtu të ratifikohet në korrik nga Parlamenti Evropian prej 751 anëtarësh. Udhëheqësit evropianë janë duke përzgjedhur gjithashtu udhëheqësin e ri të Këshillit Evropian, forum i cili përcakton drejtimin e përgjithshëm politik të BE-së, dhe që deri më tani është udhëhequr nga polaku Donald Tusk. Do të zgjidhet gjithashtu kreu i ri i Bankës Qendrore Evropiane, e udhëhequr deri më tani nga italiani Mario Draghi, si dhe shefi i ri për politikën e jashtme, funksion të cilin aktualisht e mban italiania Federica Mogherini.

Institucionet e BE-së duhet t'i udhëheqin personalitete të fuqishme

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se dëshiron që personalitete të fuqishme të udhëheqin institucionet e Bashkimit Evropian në pesë vitet e ardhshme, edhe pse ai, në këtë fazë, refuzoi të emërojë kandidatët e tij të preferuar. "Çelësi për mua është që njerëzit në pozitat më të ndjeshme të jenë karizmatikë, kreativë dhe më kompetentët e mundshëm", u tha Macron gazetarëve pas një darke joformale të liderëve të BE-së në Bruksel. "Unë nuk jam pjesë e atyre që duan udhëheqës të Komisionit Europian ose Këshillit të BE-së që nuk i lënë nën hije liderët kombëtarë", tha ai. "Është e rëndësishme për mua që të kemi baraspeshë gjinore, që të emërojmë dy burra dhe dy gra," shtoi Macron. Udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së, diskutuan mbrëmë për emërimet në pozitat kyçe të Bashkimit Evropian, pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian të cilat u mbajtën në fund të javës së kaluar.

 

Nesër mot i ndryshueshëm

Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht i vranët dhe me reshje të shiut. Frynë erë e dobët deri mesatare, vende vende deri e fortë nga drejtimet e jugut.

Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Herceg Novi 22 gradë, Tivar, Ulqin e Budvë 20, Podgoricë e Bijello Pole 18, Beranë 17, Plevle, Plavë e Rozhaj 16, Nikshiq e Cetinë 14, Kollashin 13 dhe në Zhablak 12 gradë.

Për nesër parashihet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme, me intervale me diell dhe kohë pas kohe me reshje të dobëta të shiut e bubullimë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 5 deri në 16, kurse më e larta e ditës prej 14 deri në 23 gradë celsius.

 

përgatiti, Senad Gilaj

 

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се