Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

22. 05. 2019. 18:35   >>  18:37

Ditari 22.05.2019

22.05.2019

Aktvendimi i Gjyqit nuk e ka ashpërsuar situatën politike

Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Ivan Brajoviq ka deklaruar se nuk pret tension në Parlament pas sjelljes së aktvendimit gjyqësor në rastin e terrorizmit në tentativë në ditën e zgjedhjeve parlamentare në vitin 2016. Në pyetjen nëse pret tensione të shtuara në Parlament pas marrjes së vendimit, Brajoviq ka theksuar se në javën e kaluar ka filluar seanca e Parlamentit dhe se qytetarët në transmetimin e drejtpërdrejtë kanë përcjell debat të zakonshëm parlamentar, i cili në momentin ka qenë mjaft i ashpër. Ai ka vlerësuar se situata politike nuk është ashpërsuar për shkak të aktvendimit të Gjyqit në rastin e terrorizmit në tentativën ditën e zgjedhjeve parlamentare në vitin 2016, duke shtuar se është e qartë se nuk ekziston përkrahja për të akuzuarit as nga adresat e pritura për ta jashtë Malit të Zi. I pyetur që ti komentojë protestat e deritashme dhe si e sheh të ardhmen e tyre, ai ka theksuar se “përgjigjen më të mirë e kanë dhënë qytetarët të cilët gjithnjë e më pakë marrin pjesë në protesta”.

Parlamenti nesër vazhdon punimet

Parlamenti i Malit të Zi do të vazhdojë nesër seancën e VI-të të rregullt, kurse deputetet duhet të diskutojnë edhe për 17 pika tjera të rendit të ditës. Seanca parlamentare ka filluar me 16 maj kur kanë përfunduar debatet për ndryshimet e propozuara të ligjit për Ushtrinë e Malit të ZI dhe Administratën lokale. Në rend të ditës do të jetë propozim strategjia e mbrojtjes të Malit të Zi, por deputetet do të deklarohen edhe për ligjet për tregtinë e brendshme, Policinë komunale, të ardhurat e të punësuarve në sektorin publikë e ngjashme. Deputetët duhet të shqyrtojnë Raportet për shëndetin mendor të fëmijëve në Mal të Zi, për punën e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave si dhe për situatën në mbrojtjen e të dhënave personale. Në rend të ditës janë edhe Raportet vjetore për punën gjatë vitit të kaluar të Këshillave gjyqësore dhe të prokurorive dhe për punën e Prokurorisë shtetërore. Të theksojmë këtu se në Parlament kanë përfunduar debatet, por nuk është votuar për disa ligje sepse nuk ekzistonte kuorumi. Seanca e re e radhës e Parlamentit është caktuar për me 28 maj kur kryeministri Dushko Markoviq do të përgjigjet në pyetjet e grupeve të deputetëve.

“Mali i Zi më i varur se asnjë herë më parë”

Protesta e re e Lëvizjes, “Rezisto 97 mijë” me slloganin “Për pavarësi nga zarfat”, është mbajtur mbrëmë në platonë para Kuvendit të Malit të Zi.  Omer Sharkiq ka deklaruar se përfaqësuesit e lëvizjes Rezisto nuk kanë shkuar në Bruksel që të lusin dikën. “Pushtetin në Mal të Zi nuk do ta rrëzojë Brukseli dhe as Uashingtoni por vetëm ne”, ka theksuar Sharkiq. Ai ka shtuar se pushteti duhet ta kuptojë seriozisht se çka ka ndodhur gjatë tre muajve të kaluar. Dejan Pejoviq nga Kotorri ka theksuar se kanë kaluar 109 ditë ç'prej se kanë rekomanduar “Rezisto”.  Në Kotorr ka rënë në provim Partia Socialdemokratike edhe përkundër faktit se të gjitha partitë opozitare janë deklaruar se askurrë nuk do të bashkëpunojnë me PDS, ka theksuar Pejoviq. Studenti Millovan Markoviq ka vlerësuar se me të drejtë do të mund të krenohemi me pavarësinë, në rast se Mali i Zi kujdeset për qytetarët e vetë. Nikolla Grdiniq ka theksuar se marrëveshja për të ardhmen nuk i dedikohet vetëm opozitës, por të gjithë qytetarëve të lirë, OJQ-ve dhe intelektualëve. Në këtë protestë kanë marrë pjesë edhe disa përfaqësues të opozitës.

 

Akuza dhe kundërakuza për situatën e krijuar në Kotorr

Kolegiumi  i kryetares së Komunës Kotorr, Dragica Peroviq, me klubet e këshilltarëve, ka treguar se asnjë parti nuk është e gatshme që interesat e qytetarëve të Kotorrit ti zgjidh para interesave personale politike, sepse Kolegiumi nuk ka rezultuar me caktimin e mbledhjes së Kuvendit të komunës së Kotorrit në të cilën do të zgjidhej së paku një pjesë e problemeve në të cilat ka rënë kjo komunë, është kumtuar nga URA. Përndryshe Zhelko Aprcoviq është propozuar njëzëri kandidat për kryetarë të Komunës Kotor në mbledhjen e Këshillit ekzekutiv dhe të Këshillit komunal të PDS. Ndërsa, siç u njoftua sot nga Fronti Demokratik, Mali i Zi demokratik dhe Partia Social demokratike është dashtë që këtij problemi ti qasen me më tepër vëmendje, ka vlerësuar funksionari i kësaj lëvizjeje, Sllaven Radunoviq, duke shtuar se shpreson që kjo të mos ndikojë në ndërgjegjen e politikanëve opozitarë për nevojën e aktiviteteve të përbashkëta. Nga ana tjetër, Socialdemokratët kumtuan se Mali i Zi demokratik që nga fillimi përpiqet të marrë udhëheqjen me Lëvizjen Rezisto me qëllim që pakënaqësinë  e arsyetuar të qytetarëve ta fusin në kornizat e veta partiake dhe mesazhet e këshilltarit të tyre nga Kotorri Dejan Pejoviq janë pjesë e kësaj tentative, ka vlerësuar Partia Socialdemokratike.

Të kënaqur me të arriturat në plotësimin e kritereve politike

Mali i Zi në tërësi është i vendosur për plotësimin e obligimeve nga procesi bashkëbisedues dhe mund të jetë i kënaqur me progresin e deritashëm në plotësimin e kriteriumeve politike për anëtarësim në BE, konsideron krye negociatori  Aleksandar Drleviq. Njëkohësisht në Qendrën për arsimimin qytetarë kanë vlerësuar se Mali i Zi nuk mund të jetë i kënaqur me faktin se shtatë vjet pas fillimit të bisedimeve ka hapur më së tepri kapituj por në shumicën prej tyre, gjegjësisht në 24 kapituj, ka shënuar progres të kufizuar kurse në një kapitull nuk ka kurrfarë progresi dhe vetëm në 6 kapituj konstatohet progres i mirë, vlerësohet në raportin e Komisionit Evropian për vitin e kaluar. Ai ka vlerësuar se progresi është evident, sikur është fjala për harmonizimin e legjislaturës malazeze me trashëgiminë juridike të BE, përparimi i kornizave institucionale dhe forcimi i kapaciteteve administrative, ashtu edhe në pjesën e shënimit të bilancit të rezultateve të mira në të gjitha fushat. Sipas fjalëve të tij, Mali i Zi në periudhën e kaluar ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në të gjitha fushat dhe kryesisht ka qenë i fokusuar në përparimin nga fusha e sundimit të ligjit duke shtuar se pret që Komisioni evropian do ti identifikojë rezultatet nga kjo fushë, para së gjithash në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar.

 

Nënshkruhet memorandumi për bashkëpunim me Kubën

Ministri për shëndetësi i Malit të Zi Kenan Hrapoviq dhe ministri i shëndetit publik të Kubës, Jose Angell Portal Miranda kanë nënshkruar memorandumin për mirëkuptim në fushën e shëndetësisë dhe shkencave medicinale ndërmjet dy shteteve. Nga Ministria e shëndetësisë ka kumtuar se memorandumi është nënshkruar në Gjenevë në seancën e Asamblesë të organizatës shëndetësore botërore. Nga kjo Ministri kanë sqaruar se nënshkrimin e memorandumit e ka inicuar  ministria kompetente nga Kuba. Memorandumi, siç theksohet paraqet bazën për shkëmbimin e studentëve, të punëtorëve shëndetësor dhe zhvillimin e sistemit përmes edukimit, shkëmbimit të përvojave dhe praktik e mirë në të gjitha nivelet e mbrojtjes shëndetësore si dhe në pjesën e zhvillimit të politikave dhe të hulumtimeve në fushën e ilaçeve dhe pajisjeve medicinale si dhe në promovimin e turizmit shëndetësor.

 

Rezultate pozitive në turizëm

Të ardhurat nga turizmi në Mal të Zi në vitin e kaluar, krahasuar me vitin 2006 kur është rikthyer pavarësia e shtetit, janë rritur 225.64 % , është kumtuar nga Ministria e zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit. Ata kanë theksuar se në periudhën prej vitit 2006 deri në vitin e kaluar është evidentuar trendi i rritjes së numrit të turistëve dhe i bujtjeve në të gjitha format e vendosjes. “Malin e Zi në vitin e kaluar e kanë vizituar 2.2 milion turistë ose 131.13 % më tepër se në vitin 2006. Ata kanë realizuar 12.93 milion bujtje ose 117.81 % më tepër se në vitin 2006, kanë deklaruar për agjencinë Mina Business përfaqësuesit e kësaj Ministrie duke shtuar se numri i turistëve të cilët kanë qëndruar në Mal të Zi në vitin e kaluar si dhe numri i bujtjeve është rritur 10.24 gjegjësisht 8.17 %. Turistët e huaj i kanë realizuar 96.24 % nga numri i përgjithshëm i bujtjeve, kanë deklaruar nga Ministria e zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit.

 

Kurti dhe Mustafa bisedojnë për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar sot kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. LDK-ja dhe VV-ja janë partitë më të mëdha opozitare në Kosovë. Në një postim në faqen e tij në Facebook, Kurti ka thënë se me Mustafën ka biseduar për situatën politike dhe iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. "Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik e jo për korrupsion institucional. Qytetarët duan qeverisje të re, të mirë e të drejtë dhe jo keqqeverisje që na e rrit borxhin, zhvat buxhetin dhe falimenton ndërmarrjet. U pajtuam që t'i bëjmë përgatitjet e nevojshme për rrëzimin e qeverisë", ka shkruar Kurti. Kurse, në një komunikatë për media Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se dy liderët e partive opozitare diskutuan për organizimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë. Për të pasur sukses një mocion për rrëzimin e Qeverisë, nevojiten 61 nga 120 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, i kanë gjithsej 56 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe për suksesin e një mocioni të mosbesimit për Qeverinë, nevojiten edhe 5 vota.

Çdo viktimë në Kosovë meriton drejtësi

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Connell ka thënë sot se ka takuar në Vushtrri, familjet e viktimave të masakrës së 22 majit të vitit, 1999. Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ai ka thënë se "çdo viktimë, pa dallim nëse janë shqiptarë, serbë, romë, ashkali, boshnjakë meritojnë drejtësi. Por, më shumë se çdo gjë, ata meritojnë që përjetimet e tyre te tregohen dhe të pranohen". Sipas tij, pajtimi fillon duke treguar dhe dëgjuar të vërtetën. Më 22 maj të vitit 1999 në këtë qytet konsiderohet të jenë vrarë 77 shqiptarë nga forcat serbe. Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në 20 vjetorin e masakrës së Vushtrrisë tha se Kosova e vazhdon betejën e saj për të vërtetën. “Shteti serb, me gjithë gjenocidin mbi shqiptarët, edhe pas dy dekadave, refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

 

Paktin për Universitetin, studentët e pakënaqur ju rikthehen protestave

Studentë të universiteteve shqiptare kanë nisur sot një protestë të paralajmëruar prej disa ditë, në shenjë sipas tyre pakënaqësie ndaj qeverisë Rama e cila nuk ka mbajtur asnjë premtim të dhënë me Paktin për Universitetin. Në thelb ky pakt synonte reduktimin e tarifave të studimit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në konvikte. Studentët kanë qenë të irrituar dhe kanë qëlluar me gurë të mbështjellë me letër drejt godinës së Ministrisë së Arsimit, duke thyer disa xhama. Disa studentë deklaruan se Pakti për Universitetin i propozuar nga qeveria ishte thjesht fasadë. Por kryeministri Edi Rama i cili mori përsipër personalisht të mbante gjallë komunikimin me studentët, publikoi në rrjetet sociale një video sipas së cilës angazhimet qeverisë në kuadër të Paktit për Universitetin janë mbajtur. Sipas kryeministrit shqiptar, studentët kanë përfituar uljen e tarifave, punësimet e ekselentëve në administratën publike, përfshirja e tyre në programin kombëtar të praktikave të punës e deri tek krijimi i hapësirave për më shumë vendimmarrje. Kjo është protesta e dytë masive e studentëve shqiptarë pas asaj të mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar, duke ju paraprirë zhvillimeve të rëndësishme politike.

 

Kjo nuk është reformë, ka sjellë krizë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, foli sot me shqetësim për vonesat në reformimin e sistemit gjyqësor dhe mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese për shkak të saj. “Në korrik mbushen 3 vjet që u miratua me konsensus maksimal reforma në drejtësi. Ende edhe sot rezultatet nuk po duken. Kam kërkuar nga institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare, që vlerësojnë ecurinë e reformës në sistemin gjyqësor. Gjykata Kushtetuese nuk funksionon prej disa kohësh kur ajo nuk duhej të heshtte asnjë ditë” - tha Presidenti Meta. Meta i bëri këto komente gjatë një fjalimi në një konferencë të Qendrës George Marshall mbi sigurinë rajonale, ku vuri në dyshim suksesin e reformës në drejtësi. Ai theksoi se reforma në drejtësi do të jetë e suksesshme kur në Shqipëri të këtë më shumë investime amerikane, gjermane, britanike dhe nga vendet më të zhvilluara, bizneset e të cilave kanë kriter kryesor sistemin e drejtësisë dhe gjykatave.

 

FRONTEX nis misionin në kufirin shqiptaro-grek

Agjencia evropiane e Rojës Bregdetare dhe të Kufirit, FRONTEX, nisi misionin e saj në Shqipëri për menaxhimin e përbashkët të kufirit, i pari i këtij lloji në një shtet jo anëtar të Bashkimit evropian. Të paktën 50 pjesëtar të kësaj Agjencie, përfaqësues të 12 vendeve evropiane, do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre së bashku me policinë kufitare shqiptare në zonën mes Shqipërisë dhe Greqisë. Komisionari Evropian për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopoulos shpjegoi gjatë një ceremonie në Tiranë se skuadrat e përbashkëta do të kryejnë kontrolle në pikat e kalimit kufitar, si dhe do të kryejnë vëzhgime për të parandaluar kalimet e paligjshme. Një tjetër objektiv do të jetë dhe lufta kundër krimit ndërkufitar, si trafiku i qenieve njerëzore, kontrabanda si dhe kontrolle të specializuara për makinat e vjedhura apo dokumentet e falsifikuara. Kryeministri Edi Rama nga ana e tij theksoi se “Shqipëria kthehet në një vend kontributor për sigurinë evropiane” dhe se “ky projekt është sa një ndihmë shumë e madhe aq dhe një sfidë prej ku vendi do të përfitojë dhe në aspektin e reputacionit në sytë e partnerëve evropianë”.

 

Do shkohet përpara apo do kemi kthim mbrapsht?

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian zhvillohen nesër më 23 deri më 26 maj. Rezultatet paraprake do të prezantohen mbrëmjen e së dielës përmes një organizimi të madh në ambientet e Parlamentit Evropian në Bruksel. Por cilat janë partitë dhe fraksionet kryesore? Në Parlamentin Evropian janë shtatë familje të mëdha politike, katër prej të cilave mund të konsiderohen shumë pro-evropiane. Më e madhja prej tyre është Partia Popullore Evropiane (EPP) që përfshin një spektër të gjerë të partive të qendrës së djathtë dhe ato demokristiane. Grupimi kryesor i qendrës së majtë quhet Socialistët dhe Demokratët  dhe përbëhet nga partitë social-demokrate. Ekziston gjithashtu një fraksion i liberalëve të quajtur ALDE. Ekziston edhe një grup tjetër i të gjelbërve që grupon partitë e ambientalistëve. Këto katër grupime janë përgjithësisht të njohura si pro-evropiane dhe zakonisht përpiqen të bashkëpunojnë kur përpilojnë legjislacionin edhe nëse kanë dallime mes tyre. Grupi i pestë, i përbërë nga partitë konservatore të quajtura Konservatorët dhe Reformistët Evropianë, janë të pozicionuar mes kampit pro-BE dhe atij që njihet si grup euroskeptik. Në këndin euroskeptik është e Majta e Bashkuar Evropiane që strehon partitë socialiste dhe komuniste dhe një ose dy grupime të krahut të djathtë. Të gjitha këto parti garojnë për 751 vende në Parlamentin Evropian që ndahen në bazë të numrit të popullsisë së 28 vendeve anëtare. Kështu për shembull, Gjermania do të dërgojë 96 deputetë në Strasburg dhe Bruksel, ndërkaq vendet e vogla si Qiproja, Estonia, Luksemburgu dhe Malta do të dërgojnë vetëm nga gjashtë deputetë. Rreth 374 milionë njerëz kanë të drejtën e votës në Bashkimin Evropian duke i bërë këto zgjedhje të dytat në botë pas zgjedhjeve parlamentare të Indisë.  (Analizë e marrë nga Deutche Welle në shqip)

 

Presidenti Zelenskiy cakton datën e zgjedhjeve të reja

Presidenti i ri i Ukrainës caktoi 21 korrikun si datën e zgjedhjeve të reja dhe shpërndau parlamentin për t’u bërë gati për to. Presidenti Volodymyr Zelenskiy i bëri të njohura këto vendime me anë të një dekreti, që u publikua  në faqen e internetit të presidentit. Zgjedhjet do t’i japin partisë Shërbëtorët e Popullit të Zelenskiyt një shans për të siguruar për herë të parë vende në parlamentin që është e mbizotëruar nga përkrahësit e ish-Presidentit Petro Poroshenko. Në fjalimin e tij pas inaugurimit, ai tha se objektivi i tij kryesor ishte të arrinte një armëpushim në Ukrainën lindore, ku trupat qeveritare luftojnë prej pesë vjetësh me separatistët e mbështetur nga Rusia, një konflikt që ka shkaktuar vdekjen e rreth 13 mijë vetëve. Zelenskiy ka premtuar se do të vazhdojë në rrugën pro-perëndimore të Ukrainës, por përtej kësaj, programi i tij politik nuk ka marrë ende formë. Ai deklaroi gjithashtu se administrata e tij e re është e “gatshme për dialog” me Rusinë, por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Presidenti Vladimir Putin nuk ka në plan të takohet me Zelenskiyn dhe nuk do ta uronte për zgjedhjen.

 

SHBA-ja përsërit se nuk dëshiron luftë me Iranin

Zyrtarët e lartë të administratës amerikane i thanë Kongresit se përgjigjja e Uashingtonit ndaj kërcënimeve të supozuara iraniane shmangu sulmet ndaj forcave amerikane. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan, thanë se objektivi i tyre gjatë ditëve të fundit ka qenë të dekurajojnë Iranin. Tani administrata e presidentit amerikan Donald Trump kërkon të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm, tha Shanahan. "Kjo ka të bëjë me parandalimin, jo me luftën, nuk kemi për të shkuar në luftë", u tha ai gazetarëve. Marrëdhëniet midis Teheranit dhe Uashingtonit janë përshkallëzuar që nga viti i kaluar kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump e tërhoqi Uashingtonin nga një marrëveshje e rëndësishme mes Iranit dhe fuqive botërore, e cila frenoi programin bërthamor të Teheranit në këmbim të lehtësimit nga sanksionet ekonomike.

                                                                                                                               

Edhe nesër mot ndryshueshëm

Sot në Mal të Zi mban mot me vranësira të ndryshueshme dhe me intervale me diell. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut.  Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë 23 gradë, Ulqin, Budvë e Bijello Pole 22, Tivar e Herceg Novi 21, Plevle 20, Cetinë e Rozhajë 19, Plavë e Kollashin 17, dhe në Zhablak 15 gradë.  Për nesër parashihet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe në orët e pas ditës vende vende me reshje të shiut. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit prej 4 deri në 14, kurse më e larta e ditës prej 14 deri në 25 gradë celsius.

 

përgatiti dhe redaktoi, Senad Gilaj gazetar i RMZ në shqip

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се