Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

23. 07. 2013. 17:04 >> 17:14

LAJMET 23.07.2013

23.07.2013

Kuvendi mezi miratoi rendin e ditës

Deputetëve të Malit të Zi iu nevojiten dy orë që të  miratojnë rendin e ditës. Në fillim kaloi propozimi i PDS që të plotësohet rendi i ditës me propozim ligjin për arsimin e lartë, ndërsa nga ana tjetër opozita konsideron se me të njëjtin favorizohen fakultetet private. Shumica  mundësoi që në rend të ditës të futet edhe propozimi i PDS  që punëtorët e Kombinatit të Aluminit të Podgoricës të cilët punojnë në vende të vështira të punës, të mund të shkojnë në pension me 30 vjet stazh. Është shtyrë deklarimi për propozimin nga radha e partisë më të madhe që lojërat e fatit të lirohen nga Tatimi në Vlerën Shtesë. Nuk ka kaluar propozimi i PSP,  që pensionet të zhbllokohen  dhe të rriten në pajtim me ligjin. U debatua edhe për propozim ligjin për telekomunikacion.

Propozimi i parë i Zoran Jeliq ka kaluar që punëtorët e Kombinatit të Aluminit që punojnë në kushte të vështira të punës të fitojnë pensionin pas 30 vjetësh stazh. Ndërkaq nga ana tjetër  opozita  ka përkrah propozimin me një votë të përmbajtur, mirëpo ka konstatuar se këtu është dashtë të përfshihen të gjithë punëtorët në metalurgji. Propozimi i deputetit Jeliq që të lirohen lojërat e fatit nga TVSH nuk ka kaluar. Më parë Këshilli parlamentar  për sistemin politikë legjislaturë dhe administratë i ka mbështetur konkluzionet e këtij trupi për raportin e kryeprokurorit të shtetit për vitin e kaluar. Kundër ishin deputetët e Frontit Demokratik të cilët theksojnë se përfundimisht duhet zbuluar njerëzit përgjegjës për moszgjidhjen e rasteve të rëndësishme. Këshilli nuk ka miratuar propozimin e deputetit  Emillo Llabudoviq me të cilin ka kërkuar ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për shpërblimet shtetërore. 

 

Nesër në parlament, ora e kryeministrit

Kryetari i Qeverisë së Malit të Zi Millo Gjukanoviq do të përgjigjet nesër në parlament në pyetjet të cilat do të parashtrohen nga ana e përfaqësuesve  të klubeve të deputetëve. Deputeti i PDS  Borisllav Banoviq, siç bëhet  me die, do ta pyes kryeministrin se sa të holla janë shpenzuar që të paguajnë dëmet për shkak të gabimeve të organeve shtetërore dhe se çka është duke ndërmarr  qeveria për të rritur përgjegjësinë e zyrtarëve dhe efikasitetin e administratës shtetërore. Shefi i klubit të deputetëve të PDS Millutin Simoviq  ka deklaruar se intereson se statusi i investimeve më të rëndësishme të  projekteve në Mal të Zi si dhe dinamika e realizimit të tyre. Kryetari i Partisë Demokratike Fatmir Gjeka do të shtrojë pyetjen se kur do të fillojë faza e tretë e rikonstruimit  të rrugës Ulqin- Sukobinë dhe nëse planifikohet  zgjerimi i kalimit kufitarë  Sukobin-Muriqan. Nga ana tjetër bëhet me dije se deputetet e Frontit demokratik nuk kanë shtruar pyetje për kryeministrin dhe as nuk kanë marrë pjesë as në orën e kryeministrit e, cila është mbajtur më parë në parlamentin shtetëror. 

 

Të drejtat e shqiptarëve larg standarteve europiane

Në kohën kur Mali i Zi po bën përgatitjet për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, organizatat joqeveritare dhe subjekte të ndryshme politike kërkojnë që në këtë fazë t’i kushtohet një vëmendje e veçantë lirive dhe të drejtave të pakicave. Ata vlerësojnë se gjatë hapjes së kapitujve për bisedime me BE-në  duhet të hapet edhe çështja e pozitës së pakicave në Mal të Zi. Kryetari aktual i Këshillit Nacional të Shqiptarëve Tahir Tahiri mendon se të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi janë larg standardeve europiane. Tahiri tha se këto të drejta janë larg nga ajo se çfarë i është  premtuar shqiptarëve. ''Ne mendojmë se sa i përket të drejtave të pakicave në Malin e Zi dhe konkretisht të të drejtave të  shqiptarëve janë larg asaj se çka pretendon Mali i Zi dhe çfarë ata kanë premtuar për shqiptarët por edhe për pakicat tjera'' deklaroi Tahiri për VOA. Tahiri poashtu mendon se Mali i Zi akoma nuk i ka plotësuar standardet për fillimin e bisedimeve për tu anëtarësuar në BE.

 

Nuk kalon propozimi i grupit punues

Me ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për avokatin e popullit më detaisht do të rregullohet sfera e parandalimit të torturës, kurse në kufijtë e të mundshmes   është arritur edhe shkallë më e lartë e pavarësisë financiare të këtij institucioni, është kumtuar në debatin përfundimtarë publikë mbi këtë projekt ligj. Propozimet e grupit punues dhe të Komisionit të Venecias që avokati i popullit të zgjedhet në Kuvend nuk është aprovuar sepse një gjë e tillë do të kërkonte ndryshimin e Kushtetutës. 

 

235 milion euro nga fondet e UE

Mali i Zi gjatë 6 viteve të kaluara ka fituar nga UE 235 milion euro ndihmë të pa kthyeshme. Deri në vitin 2020 nga fondet evropiane mjetet do të shpenzohen në sferat prioritare gjatë bisedimeve me Brukselin, është kumtuar në mbledhjen e Këshillit mbikëqyrës për instrumentin e mbështetjes para anëtarësimit. 

 

Mali i Zi nesër i kthen rrymën Brukselit

Qeveria e Malit të Zi  ka filluar të kthejë rrymën elektrike e cila është shpenzuar në mënyrë të paligjshme nga ana e Kombinatit të Aluminit të Podgoricës, kurse tani po kthehet përmes ndërmarrjes “Montengrobonus”, e cila në treg ka vlerën prej 3,5 milion euro, shkruan gazeta “Veçerernje Novositi”. Deri tani, sipas njoftimeve të gazetës beogradase, janë kthyer 70 mijë megavatë të rrymës elektrike.

Komiteti i Brukeslit për drejtimin operativ dhe punën e sistemit energjetik të rrjetit evropian i operatorëve, para do kohe nga sistemi elektropërçues i Malit të Zi kanë kërkuar që urgjentisht të kthehet rryma të cilën Kombinati i Aluminit të Podgoricës në mënyrë jo legale e ka marrë nga Interkonekcioni Evropian prej 23 shkurtit deri me 23 maj, ose në të kundërtën Mali i zi do të shkyçet nga rrjeti evropian. 

 

Cimbaleviq pret që manifestimi të sigurohet

Parada e parë e krenarisë në Mal të Zi do të mbahet nesër në mesditë para mureve të qytetit  të vjetër të Budvas e cila organizohet nga Forumi i LGBT “Progres”, e cila do të mbikëqyret  nga më shumë se 400 policë.  Drejtori ekzekutiv i Forumit LGBT, “Progres”, Zdravko Cimbaleviq, pret që parada  e nesërme në Budva të kalojë pa incidente dhe se pjesëmarrësit të kalojnë të sigurt dhe pa kurrfarë problemi. Sipas fjalëve të tij në forum janë të përgatitur siç duhet dhe se ky manifestim të kalojë  pa problem. Ata  konsiderojnë se manifestimi i nesërm do të jetë test nëse shteti i Malit të Zi dhe shoqëria janë pjekur për ndryshime demokratike, para së gjithash për respektimin e lirisë dhe të drejtave të njeriut. Është paralajmëruar se në këtë paradë në Budva do të marrin pjesë përfaqësues të Qeverisë. Gjithashtu edhe ambasada  britanike në Podgoricë ka kumtuar  se përfaqësuesi i tyre do të marrë pjesë në këtë paradë. 

 

Marrëveshja me Serbinë e keqe

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se marrëveshja me Serbinë në Bruksel mes dy kryeministrave do të jetë e vështirë të realizohet.

“Është një marrëveshje e keqe, por ndoshta ndonjëherë është më mirë ta kemi një marrëveshje që është e keqe se mos me pasur një marrëveshje”, ka theksuar Krasniqi për RTK-në.

 

Serbët nuk garojnë me listë unike në zgjedhje

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës nuk do të garojnë me një listë unike në zgjedhjet e ardhshme lokale të 3 nëntorit, përkundër thirrjeve të kreut të qeverisë së Serbisë. Ndonëse nuk përjashtohet mundësia që qeveria e Serbisë përmes përfaqësuesve të saj në Kosovë të krijoj një listë unike serbe për zgjedhjet e 3 nëntorit, politikanët serbë që sot konsiderohen si faktor politik, sidomos ata në veri, janë kundër nismës së kryeministrit Ivica Daçiq. Një listë unike serbe, sipas Daçiqit do të ishte mbrojtja më e mirë nga instrumentalizimi i serbëve nga ana e institucioneve të Prishtinës. Por, në lidhje me këtë ide të tij, dallime në pikëpamje e pozicione tek serbët ka edhe në shtrirjen gjeografike të këtij komuniteti. Përderisa serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër besojnë se lista e përbashkët do ta forconte pozicionin e tyre për mbrojtjen e interesave të komunitetit, ata që jetojnë në veri të Kosovës, mendojnë se me një propozim të tillë, zyrtarët e Beogradit po përpiqen, siç thonë ata, “ta pastrojnë tradhtinë”.

 

KFOR-i përjashton çfarëdo zgjidhjeje ushtarake për veriun

Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjenerali gjerman Volker Halbauer, e ka përjashtuar mundësinë e çfarëdo zgjidhjeje ushtarake për veriun e Kosovës.  “Nevojitet një zgjidhje politike e problemit dhe gatishmëria që kanë shprehur të gjitha palët është esenciale. KFOR-i nuk do të përfshihet në proceset politike dhe në vendosjen e rendit dhe ligjit. Me këtë janë të ngarkuara Policia e Kosovës dhe EULEX-i, ndërsa ne do të hidhemi në aksion në rast të rrezikimit të sigurisë. Për kryerjen e këtij misioni kemi mjete dhe forca të mjaftueshme”, ka thënë gjenerali Halbauer për gazetën serbe “Veçernje Novosti”.  Halbauer ka thënë se situata në Kosovë tani është e qetë dhe stabile, me përjashtim të veriut, ku mbretëron gjendje “e qetë por e tensionuar”. Ai ka konstatuar se edhe në katër komunat me shumicë serbe, në veri, situata “po lëviz në kahun pozitiv”, falë negociatave që po zhvillohen në Bruksel. 

 

Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike

Lulzim Basha është kryetari i ri i Partisë Demokratike. Lajmi konfirmohet nga Komisioni Zgjedhor i selisë së kësaj force politike. Mësohet se rreth 80 % e anëtarësisë ka votuar për Bashën kryetar dhe vetëm 20% në favor të kandidatit tjetër në garë Sokol Olldashi. I pari që ka uruar kryetarin e ri, është kryetari i dorëhequr Berisha. Në  një koment në rrjetin social Facebook ai thotë se Basha  u zgjodh me një mbështetje plebishitare nga anëtarësia e PD-së.

Siç shkruan Berisha, Lulzim Basha është historia e suksesit të të riut shqiptar në liri dhe që i ka bërë shërbime të çmuara PD-së, vendit dhe kombit te tij. Berisha ka theksuar se PD nen drejtimin e Bashes do te shënojë një fillim te ri, duke shtuar se mbështetje te madhe do te ketë gjenerata e te rinjve, cilësuar prej tij si gjenerata e lirisë, ndaj se cilës ai ka thënë se do te hapen plotësisht.

 

Borxhi në vendet e eurozonës vazhdon të rritet

Borxhi në vendet e eurozonës vazhdon dhe rritet, edhe pse 17 vendet kanë zbatuar masa të rrepta, duke shkurtuar shpenzimet dhe duke rritur taksat. Zyrtarët evropianë thonë se niveli i borxhit i eurozonës arriti shifrën më të madhe gjatë tre muajve të parë të vitit, më shumë se 92 për qind të prodhimit ekonomik të vendeve në fjalë. Vetëm dy vende nga ky grup raportuan që borxhi po pakësohet, fuqia ekonomike e Evropës, Gjermania dhe vendi i vogël, Estonia.

Shkurtimi i shpenzimeve dhe rritja e taksave janë përcaktuar si përgjigje kryesore për krizën trivjeçare të borxheve qeveritare të këtyre vendeve. Pesë vende kanë siguruar ndihma të emergjencës, për të parandaluar mospagimin e borxheve. Por ndërsa programet qeveritare janë shkurtuar, papunësia në eurozonë ka arritur një shifër rekord prej 12.2 për qind dhe vendet vazhdojnë të mbeten në recesion prej 18 muajsh.

 

Papa Françesku fillon një vizitë në Brazil

Papa Françesku mbërriti për një vizitë njëjavore në Brazil, vendi më i madh në botë me popullsi katolike, i cili javët e fundit është përfshirë nga një valë protestash antiqeveritare. Mijëra policë dhe ushtarë janë mobilizuar për sigurinë gjatë vizitës së Papës. Mbi një milionë të rinj katolikë pritet të shkojnë në Rio de Zhaneiro për të parë Papën e ri. Agjenda përfshin takime me udhëheqës lokalë dhe kombëtarë dhe ngjarje të lidhura me festimet e Ditës Botërore të Rinisë të enjten. Programi i Atit të Shenjtë përfshin një takim me të rinj në një burg të Rios dhe një vizitë në lagjet e varfra të qytetit ku para disa muajsh policia dhe ushtria braziliane spastruan trafikantët e drogës. Vizita e tij vjen në një moment turbullirash sociale në Brazil që filloi me protestat në qershor kundër rritjes së çmimit të biletave të autobusit në Sao Paolo.

 

Shkon në gjashtë numri i viktimave nga dhuna në Kajro

Më se 6 persona kanë humbur jetën dhe 33 të tjerë janë lënduar gjatë përleshjeve të sotme në Kajro, lajmërojnë autoritetet. Gazeta Al-Ahram shkruan se zyrtarët shtetëror kanë konfirmuar numrin e të vdekurve, gjatë protestës së Vëllazërisë Myslimane e cila shpërtheu në dhunë në afërsi të universitetit të Kajros. Në portalin e vet kjo gazetë raporton se policia ka hedh gaz lotsjellës për të ndërprerë dhunën. Po ashtu thuhet se dhjetëra makina janë shkatërruar në zonën përreth universitetit. Sipas mediave lokale, mbështetësit e Morsi janë përplasur me banorët lokal, shitësit në rrugë, dhe kalimtarë të rastit pranë kampit kryesor të Universitetit të Kajros.

 

Në nëntor pakti me Afganistanin

Një ushtarak i lartë i ushtrisë amerikane tha se pret që deri në tetor, Shtetet e Bashkuara dhe Afganistani të nënshkruajnë një Marrëveshje Bilaterale të Sigurisë, me të cilën përcaktohen kushtet e pranisë ndërkombëtare ushtarake në Afganistan pas vitit 2014. Kryesuesi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjenerali Martin Dempsey, lajmëroi që nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje, atëherë forcat amerikane do të duhet të largohen, duke mos lënë kështu asnjë mundësi për të trajnuar apo ndihmuar forcat afgane pas vitit 2014. Dempsey foli të hënën mbrëma në Kabul, ku u takua me zyrtarë të lartë afgan, përfshirë edhe presidentin Hamid Karzai.

 

Vendimi i BE-së kundër, është agresiv

Grupacioni ushtarak i shiitëve libanez Hizbollahu e ka quajtur vendimin e Bashkimit Evropian si “agresivë dhe të padrejtë” përse e ka përfshirë atë në listën e zezë të organizatave terroriste. Në një deklaratë të shkruar për medie Hizbollahu tha se “zhvlerëson fuqishëm vendimin e BE-së” duke e quajtur atë si rezultat i presionit të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Në Washington ndërkaq, Shtëpia e Bardhë e ka mirëpritur këtë lëvizje të Brukselit, duke thënë se kjo dërgon “porosi të qartë” se BE-ja qëndron e vendosur kundër “aktiviteteve terroriste”” të Hizbollahut. Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera perëndimore e kanë përcaktuar më herët Hizbollahun si organizatë terroriste.

 

Edhe sivjet organizohen “Ditët e kulturës në Krajë”

Manifestimi tradicional "Ditët e kulturës dhe te sportit ne Krajë" , tashmë tradicional 20 vite me rrallë, të cilin e organizon Lidhja Demokratike në Mal te Zi - dega e Krajës do te zhvillohet edhe këtë vit. Edhe pse ende nuk është asgjë zyrtare, sipas informacioneve, manifestimi i 21 me radhe do te filloje zyrtarisht këtë fundjavë, te shtunën me 27. Manifestimi qendror do të mbahet të martën me 30 korrik në Ostros, njoftohemi jozyrtarisht.

 

Edhe nesër mot pa ndryshime, edhe më nxehtë

Sot në Mal të Zi mban mot me diell dhe i nxehtë. Frynë erë e dobët deri mesatare jugore dhe jug-perëndimore. Temperaturat: në Podgoricë 34 gradë, H. Novi 32, Ulqin, Tivat e Nikshiq 31, Budvë e Cetinë 30, Shavnik 28, Tivar, Plevle, Kollashin, B. Pole, Beranë, Plavë e Rozhaj 27 dhe në Zhablak 22 g. Edhe për nesër parashihet të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë. Temperatura e mëngjesit prej 8 deri në 21,  kurse më e larta e ditës prej 26 deri në 37 g. C. 

 

 

për të gjitha vërejtjet, sugjerimet dhe mendimet tuaja për punën tonë, mund të kontaktoni në e-mail: radioshqip@rtcg.org

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се