Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

02. 07. 2013. 16:56   >>  17:04

LAJMET 02.07.2013

02.07.2013

Bien garancitë edhe të OTP Banka

OTP Banka hungareze dhe VT Banka ruse e kanë njoftuar qeverinë për aktivimin e garancive të dhëna për kreditë e Kombinatit të Aluminit të Podgoricës, në shumë prej 102 milion eurosh, u njoftua nga ministria e financave.

Me qëllim të plotësimit të këtyre obligimeve nga momenti i dhënies së garancive, Qeveria, siç është kumtuar, është duke biseduar lidhur me aranzhmanet kreditore, realizimi i të cilave është paraparë me rebalancin e buxhetit për këtë vit, e që duhet të miratohet në Kuvend. Nga ministria kanë përkujtuar se mospranimi i obligimeve të marra nga shteti do të kishte pasoja të paparashikueshme.

 

Deri me 16 korrik, vendimi për shtrenjtimin e rrymës

Elektroekonomia e Malit të Zi i ka dërguar Agjencisë Rregullatore për Energjetikë vërejtjes dhe sugjerimet në rezultatet e korrigjimit të të ardhurave të lejuara, të cilat Agjencia Rregullatore do ti shqyrtojë në ditët e ardhshme dhe deri me 16 korrik do të sjellë vendimin definitiv lidhur me përqindjen e shtrenjtimit të rrymës elektrike. Pas shqyrtimit dhe debatit publik, përfaqësuesit e njësive funksionale do të propozojnë vendimin për korrigjimet të cilat do tua dërgojnë kompanive. Pas kësaj, furnizuesi publik do të propozojë tabelat me çmimet e korrigjuara, të cilat Këshilli i Agjencisë Rregullatore do të duhej ti miratojë më së voni deri me 16 korrik, respektivisht 15 ditë para hyrjes në fuqi të tarifave të reja. Sipas vlerësimeve të mëparshme të Agjencisë, në bazë të periudhës rregullatore tre vjeçare nga 1 gushti, rryma do të duhej të shtrenjtohet 6,17%.

 

Vuçkoviq nesër para Këshillit për ekonomi, financa dhe buxhet

Këshilli i Kuvendit për Ekonomi, financa dhe buxhet, në seancën e nesërme dëgjimore do të marrë në pyetje ushtruesin e detyrës të prokurorit shtetërorë suprem Veselin Vuçkoviq, me qëllim të grumbullimit të informacioneve për ekzistimin eventual të veprimeve joligjore, kur është fjala për problemin e furnizimit të KAP me rrymë elektrike. Siç është kumtuar nga Kuvendi, Vuçkoviq do të dëgjohet me qëllim të grumbullimit të informatave për shkeljen eventuale të interesave shtetërore, kur është në pyetje problemi aktual i furnizimit të kësaj kompanie me energji elektrike.

 

Të ardhurat nga turizmi më tepër së 55 milion euro

Në pesë muajt e parë të këtij viti, të ardhurat nga turizmi ishin 55,7 milion euro, respektivisht, 4,5% më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është kumtuar nga ministria për turizëm dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ata poashtu kanë njoftuar se parasezoni ishte pozitiv, kur është fjala për vizitat e turistëve, numri i bujtjeve, qarkullimi turistik etj. Ministria poashtu kumtoi se trend pozitiv presin edhe në muajt e ardhshëm. Nga kjo ministri gjithashtu shprehen besimin se nga viti në vit ekonomia turistike e Malit të Zi do të shënoj rritje graduale.

 

Mali i Zi ka arritur standarde të larta

Mali i Zi ka arritur standarde të larta të NATO-s, ka vlerësuar ministri slloven i mbrojtjes, Roman Jakiç, i cili njëkohësisht ka shprehur besimin se ky vend në samitin e ardhshëm të kësaj aleance veritalantike do të ftohet për anëtarësim. Në kuadër të vizitës së tij në Mal të Zi, Jakiç ka biseduar sot me presidentin Filip Vujanoviq, me ç’rast është vlerësuar niveli i bashkëpunimit të dyanshëm. Vujanoviq duke u shprehur i kënaqur me bashkëpunimin e përgjithshëm, ka shprehur besimin në vazhdimin e tij dhe mbështetjen e Sllovenisë në integrimet euro-atlantike të Malit të Zi. Jakiç është pajtuar me presidentin Vujanoviq për bashkëpunimin e suksesshëm bilateral dhe ka theksuar të arriturat e larta të standardeve të NATO-s në Mal të Zi.  Rezultatet e arritura, në veçanti për kapitujt 23 dhe 24, paraqesin sinjal pozitiv për integrimet euroatlantike të Malit të Zi, u vlerësua sot gjatë takimit të ministrit për punë të jashtme dhe integrimet evropiane, Igor Llukshiq dhe ministrit slloven të mbrojtjes, Roman JakiçAi dje ka biseduar edhe me ministren e mbrojtjes së Malit të Zi, Milica Pejanoviq- Gjurishiq, i cili tha se Sllovenia e përkrah Malin e Zi, dhe konsideron se Mali i Zi është   i gatshëm që në samitin e ardhshëm të  NATO-s, të bëhet anëtari  i 29-të i Aleancës.

 

Bashkëpunimi rajonal në luftën kundër drogës

Koordinimi efikas rajonal në pengimin e keqpërdorimit të drogave është me rëndësi kyçe në luftën kundër këtij problemi, ka vlerësuar shefi i delegacionit të UE në Podgoricë, Mitja Drobniç. Ai në trajnimin rajonal në përforcimin e bashkëpunimit në lëmin e qasjes së politikave të drogës në Evropën Juglindore, ka theksuar se UE rregullisht shkëmben përvojat në luftën kundër drogës, me vendet e Ballkanit Perëndimorë. UE dhe Ballkani Perëndimorë ndajnë interesat e përbashkëta në avancimin e bashkëpunimit dhe luftën kundër rritjes së tregtisë së drogave dhe narkomanisë, ka thënë Drobniç. Ai ka vlerësuar se strategjia malazeze në pengimin e keqpërdorimit të drogave është e mirë dhe parqet hap të madh përpara në politikën e luftës kundër drogave.

 

Përfundon shkollimin gjenerata e gjashtë në shkollën për diplomaci

Rrjeti i diplomatëve nga jashtë në Mal të Zi është qasja më e drejtë e një shteti të ri të formojë shërbimin e vet diplomatikë, ka vlerësuar sekretari shtetëror për integrimet evropiane, Aleksandër Pejoviq. Ai me rastin e ndarjes solemne të diplomave për diplomatët e rinj të shkollës “Gavro Vukoviq”, ka rikujtuar se Mali i Zi është shtet i pavarur tash 7 vjet, kurse shkollën diplomatike e përfundon gjenerata e gjashtë.

Pejoviq poashtu tha se ky është qëndrimi më i drejtë që Mali i Zi të mos veprojë njëanshëm, por përvojat e veta,  dituritë dhe orientimet strategjike ti ndaje me vendet tjera, tha ai para gazetarëve dhe pjesëmarrësve para vilës “Gorica” në Podgoricë.

 

Krivokapiq një nga kandidatët për kryetar të AP të OSBE-së

Kryetari i kuvendit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq është një nga kandidatët për kryetar të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, njofton gazeta “Vijesti”. Kryetari do të zgjedhet nesër në mbledhjen vjetore të kësaj organizate ndërkombëtare evropiane, e cila mbahet në Stamboll. Nëse Krivokapiq zgjedhet kryetar i AP, ky do të ishte funksioni më i lartë për ndonjë politikan nga Mali i Zi nga jetësimi i sistemit shumëpartiak në vend.

Krivokapiq aktualisht ka një kundërkandidat, shefin e delegacionit të Suedisë pran Asamblesë Parlamentare Kent Harsdet, i cili gëzon përkrahjen e disa vendeve nordike, kurse Krivokapiq ka përkrahjen e disa ish kryetarëve të Asamblesë Parlamentare, me propozimin  të cilëve edhe ka pranuar të kandidohet në këtë funksion të lartë të OSBE-së, njofton gazeta e Podgoricës, “Vijesti”.

 

Dorëzohet iniciativa për njohjen juridike të bashkësive të gjinisë së njëjtë

Organizata “Queer Montenegro” ka dorëzuar iniciativën për hartimin  dhe miratimin e zgjidhjes ligjore e cila do të rezultojë me njohjen e plotë juridike të bashkësive të gjinisë së njëjtë në Mal të Zi. Iniciativa u është dorëzuar ministrisë së drejtësisë, pastaj ministrisë së pakicave dhe Këshillit të Kuvendit për të drejtat e njeriut. Ndërkaq, mbajtja e “paradës së nderit” në Podgoricë do të kontribuonte në hapjen e kapitullit 23 të bisedimeve të Malit të Zi me UE, për legjislaturë dhe të drejtat themelore, ka vlerësuar raportuesi i parlamentit evropian për Ballkanin Perëndimorë Jellko Kacin. Përfaqësuesit e kësaj OJQ kanë paralajmëruar mbajtje e “paradës së nderit” me 27 tetor në Podgoricë.

 

Bildt po qëndron në Prishtinë

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, qëndron sot për vizitë në Prishtinë ku zhvillon takime me zyrtarët më të lartë  kosovarë, dhe siç u paralajmërua, zhvilloi takim me kryeministrin Hashim Thaçi. Ministri i Jashtëm i Suedisë shprehu besimin e plotë për vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për implementimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel. Bildt ka theksuar se ende ka çështje të mëdha sa i përket zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Gjatë ditës Bildt do të pritet edhe nga zyrtarë të tjerë shtetërorë të vendit. Vizita e tij vjen pasi që BE-ja ka marrë vendim për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën.  Çështja e Telekomit dhe Energjisë do të mbledh sërish në një takim të përbashkët kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, ka konfirmuar sot kryemnistri kosovar Hashim Thaçi pas takimit që zhvilloi me ministrin e jashtëm suedez, Carl Bildt. Ai tha se më 8 korrik, do të zhvilloj takimin e radhës me kryeministrin Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton. Kryeministri Hashim Thaçi tha sot se suksesi në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit do të reflektohet në rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. Thaçi tha se kjo marrëveshje është themeli mbi të cilin do të ndërtohet e ardhmja evropiane e Republikës së Kosovës.Dje, Bildt ka qëndruar në Beograd ku e ka përgëzuar Serbinë për faktin që Këshilli i Evropës ka miratuar hapjen e negociatave të anëtarësimit.

 

Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjen

Përndryshe dje në Prishtinë qëndroi Kryetari i Këshillit evropian, Herman van Rompuy. Van Rompuy në takimin me kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi tha se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mundësoi përparimin e të dyja palëve drejt integrimeve evropiane. Duke e përgëzuar Kosovën për hapjen e negociatave për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, ai tha se Kosova ka bërë një hap të madh në rrugën e saj drejt integrimeve. Pas takimit me kryeministrin Thaçi, ai tha se mandati për negocimin e stabilizim asocimit do t’i mundësojë Kosovës vendosjen e dialogut politik me Bashkimin Evropian dhe përparimin me reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, sigurinë, politikat ekonomike e tregtare dhe bashkëpunim në një varg fushash tjera. Kryetari i Këshillit Evropian i kushtoi një vëmendje të posaçme marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke vlerësuar lartë përkushtimin e të dyja palëve. Thaçi u zotua për përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara për përparimin drejt strukturave evropiane.

 

Kreu i NATO-s nesër në Prishtinë

Kurse sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, nesër do të vizitojë Kosovën.  Gjatë vizitës delegacioni do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Volker Halbauer dhe me përfaqësuesit kyesorë ndërkombëtarë në Kosovë, thuhet në njoftimin nga selia e KF0R-it. Ai gjithashtu do të zhvillojë takime me kryeministrin Hashim Thaçi, ministrin e FSK Agim Çeku dhe me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq. Kreu I NAT0-s gjatë kësaj vizite, do të mbajë një konferencë për media në shtabin kryesor të KFOR-it në “Film City”, në Prishtinë. Këshilli Veriatlantik është organi më i lartë qeverisës politik i NATO-s. Ai përfaqëson një lidhje esenciale në mes të procesit politik vendimmarrës dhe strukturës ushtarake të NATO-s.

 

Kosovës statusi i vëzhguesit në OKB?

Ndonëse Brukseli është duke e bindur Beogradin se nuk ka kushte shtesë, pengesa e radhës drejt rrugës evropiane të Serbisë mund të paraqitet që në vjeshtë: nisma që Kosovës t’i mundësohet të marrë statusin e vëzhguesit në Kombet e Bashkuara.Me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, kjo mund të ishte dëshmi kyçe, para së gjithash për Gjermaninë se normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës ka avancuar dhe se negocitatat e anëtarësimit me BE-në mund të fillojnë në janar, siç ka vendosur javën e kaluar Këshilli I Evropës. Burimet diplomatike të së përditshmes “Veçernje Novosti” nga Brukseli sqarojnë se Catherine Ashton më 9 korrik në Beograd do t’i përcjellë kreut të shtetit serb se normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën do të jetë një proces i rëndësishëm negociator, se do të inkorporohet minimum në një, e me gjasë edhe në disa nga 35 kaptinat. Meqenëse statusi i vëzhguesit praktikisht është paradhomë për anëtarësim në KB dhe se shumica e shteteve dhe entiteteve kanë kaluar nëpër fazën e tillë shumëvjeçare, është plani që modeli i ngjashëm të zbatohet edhe ndaj Kosovës, dhe do të synohej që deri në përmbylljen e negociatave të Serbisë me BE-në të realizohet edhe anëtarësimi i plotë.

 

Deklarata Kushtetuese, akt i guximit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se shpallja e Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik, 1990, është ndër ngjarjet më të rëndësishme juridike dhe politike pas shpërbërjes së sistemit njëpartiak në Kosovën e fillimviteve të nëntëdhjeta. Thaçi i ka bërë këto komente me rastin e 23-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese. Në adresimin e tij për media thuhet se “delegatët e Kuvendit të Kosovës ndërmorën një akt të rëndësishëm, ku shprehej vullneti i popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi politike dhe juridike nga pushtimi jugosllav dhe serb njëkohësisht”. “Deklarata Kushtetuese ishte akt i guximit qytetar dhe patriotik për kohën kur Kosova realisht nuk pranonte degradimin kushtetues, ndrydhjen e lirive dhe të drejtave si dhe mënjanimin e shqiptarëve nga jeta institucionale”. “Prej kohës së shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, deri në çlirimin përfundimtar, Kosova ka kaluar nëpër ngjarje të rëndësishme historike, gjithnjë duke pasur vizion lirinë dhe pavarësinë”, thuhet pos tjerash në deklaratën e kryeministrit Thaçi.

 

Vazhdon dialogu teknik në Bruksel

Në Bruksel vazhdoi edhe sot dialogu teknik midis Prishtinës dhe Beogradit. Mediat serbe shkruajnë se në rend të ditës ishin zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Sipas burimeve të njëjta, ekipit serb do t’i bashkohet sot Marko Gjuriq, këshilltar i presidentit të Serbisë. “Mund të presim që para takimit të ardhshëm midis kryetarit të Qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiq, dhe kryetarit të Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, që me siguri do të ndodhë rreth datës 9 korrik, të kemi informacione dhe rezultate të reja, kur është në pyetje dialogu teknik”, ka thënë Gjuriq, njofton B92. Autoritetet e Kosovës janë zotuar se zgjedhjet e ardhshme lokale do të mbahen në gjithë territorin e vendit, përfshirë edhe veriun e banuar me shumicë serbe.

 

Rrëzohet helikopteri, 23 njerëz të vrarë

Një helikopter është rrëzuar në rajonin Sakha Jakutia, të Siberisë, duke marrë jetën e së paku 23 njerëzve që kanë qenë në bord. Aviacioni civil i Rusisë bën të ditur se Mi-8, i operuar nga Polar Airlines, është përfshirë nga flakët, pasi është rrëzuar. Mësohet se në bordin e tij kanë qenë 25 pasagjerë dhe tre anëtarë ekuipazhi. Sakha Jakutia shtrihet në veri të Qarkut të Arktikut dhe helikopterët përdoren shpesh për të transportuar njerëzit në zona më të largëta.

 

SHBA dhe Rusia - përkushtim për konferencën për Sirinë

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha se Uashingtoni dhe Moska janë seriozisht të përkushtuara për organizimin e një konference ndërkombëatre për Sirinë. Këto komente zoti Kerry i bëri sot në Brunei, pas takimit me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, në margjina të Samiti të sigurisë së Azisë.
Kerry theksoi se të dy vendet besojnë se konferenca mund të mbahet sa më shpejtë që të jetë e mundshme, por ka pranuar se kjo nuk është e mundshme deri në muajin Gusht ose më vonë. Sipas tij, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara dëshirojnë “ta shpëtojnë shtetin e Sirisë dhe ta minimizojnë shkatërrimin”. Uashingtoni dhe Moska, prej muajit Maj, janë përpjekur që t’i ulin në tavolinën e bisedimeve kryengritësit dhe përfaqësuesit e qeverisë së presidentit Bashar al-Assad në Siri. Rusia është mbështetësi kryesor i presidentit Assad në konfliktin tashmë 27 mujor, nga i cili, sipas Kombeve të Bashkuara, janë vrarë së paku 93 mijë vetë.

 

Thirrje Morsit për hapa përgjegjës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka bërë thirrje presidentit të Egjiptit, Muhammad Morsi, për “të ndërmarrë hapa që tregojnë se ai është përgjegjës” ndaj shqetësimeve të kundërshtarëve të tij politikë, në periudhën e përshkallëzimit të krizës politike, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë. Këtë javë, miliona njerëz i kanë filluar protestat kundër presidentit Morsi në gjithë Egjiptin. Zyra e Morsit tha se ai do t’i mbetet besnik planit të tij politik të pajtimit, përkundër ultimatumit të djeshëm nga ushtria, me të cilin kërkohet që qeveria dhe opozita të gjejnë kompromis brenda 48 orëve. Nëse kjo nuk arrihet, ushtria tha se do ta ofroj planin e vet. Presidenti Morsi tha se ultimatumi rrezikon të shkaktoj konfuzion. Opozita kryesore e Egjiptit, Fronti i Shpëtimit Kombëtar, e ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve me Morsin. Raportohet se ministri i jashtëm i Egjiptit, Mohamed Kamel Amr, dhe katër ministra të tjerë kanë dhënë dorëheqje këtë javë.

 

Edhe për nesër mot pa ndryshime

Në Mal të Zi sot mban mot kryesisht i kthjellët. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë 30 gradë,  H. Novi 29, Ulqin e Budvë 28, Tivat e Nikshiq 27,  në Cetinë 26, Tivar, Plevle, Beranë e B.Pole 25, Rozhajë e Kollashin 24, në Plavë 23 dhe në Zhablak 20 gradë. Edhe për nesër meteorologët paralajmërojnë të mbajë mot kryesisht i kthjellët. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 7 deri në 19, kurse më e larta e ditës prej 22 deri në 32 g.c.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се