Lajmet

Povećaj veličinu slova Vrati na prvobitnu veličinu slova Samnji veličinu slova štampaj štampaj
 

Pošalji prijatelju

15. 05. 2017.   >>  17:28 0

Lajmet 15.05.2017

15.05.2017

Integrimet të rëndësishme për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të rajonit

Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO është sinjal pozitiv për Ballkanin Perëndimor kurse integrimet në strukturat evropiane dhe euro atlantike janë shumë të rëndësishme për stabilizimin dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, ka vlerësuar ministri i mbrojtjes Predrag Boshkoviq.  Ai sot në mëngjesin punues ka biseduar me përfaqësuesit diplomatik të vendeve anëtare të aleancës të akredituar në Mal të Zi. Siç është kumtuar nga kjo ministri, Boshkoviq me këtë rast ka theksuar se ndihma e vendeve të tyre ka qenë me rëndësi jetike në arritjen e njërit prej prioriteteve më të rëndësishme të politikës së jashtme. Boshkoviq i ka falënderua diplomatët në përkrahjen e vazhdueshme të cilën ia kanë ofruar Malit të Zi gjatë decenies së fundit në realizimin e reformave gjithëpërfshirëse politike, ekonomike dhe të sigurisë në procesin e integrimeve euro atlantike duke shtuar se sugjerimet e tyre konstruktive, këshillat dhe ndihma kanë qenë me rëndësi tejet të madhe. Ai, siç thuhet në kumtesë, ka shprehur besimin se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO paraqet sinjal pozitiv në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se integrimet në strukturat evropiane dhe atlantike janë me rëndësi jetike për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të rajonit. Në takim kanë marrë pjesë përfaqësuesit diplomatik të Shqipërisë, Bullgarisë, Danimarkës , Çekisë, Greqisë, Kroacisë, Italisë, Kanadasë, Hungarisë, Gjermanisë, Polonisë, Rumanisë, SHBA , Sllovenisë, Sllovakisë dhe të Turqisë. Siç është theksuar në kumtesë nga ministria, mëngjesi punues është organizuar me rastin e përfundimit të procesit të ratifikimit të protokollit për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Mali i Zi askurrë më i sigurt

“Kur ne në Slloveni kemi dëgjuar për ngjarjet në Mal të Zi në ditët e zgjedhjeve me 16 tetor të vitit të kaluar jemi shqetësuar. Kemi qenë të kënaqur se nuk ka ndodhur asgjë serioze. Dëshirojmë epilog të shpejt të kësaj historie pasi që veprimi efikas të gjitha organeve të pushtetit e vërteton Malin e Zi edhe si shtete ligjor”, ka kumtuar ministrja e mbrojtjes të Sllovenisë Andrea Katiç. Ajo në intervistën dhënë gazetës “Pobjeda”, ka theksuar se Mali i Zi si anëtar fuqiplotë i NATO-s, me siguri do të vërtetojë sovranitetin e vetë shtetësinë e vetë dhe stabilitetin por edhe dinjitetin dhe respektin ndërkombëtarë. Mali i Zi stabil ndikon pozitivisht në rajon sidomos kur vendi ka drejtime të qarta zhvillimore, ka theksuar Katiç. Duke folur për marrëdhëniet e Malit të Zi dhe Sllovenisë, ajo ka theksuar se që prej rivendosjes së pavarësisë së Malit të Zi është vendosur bashkëpunim i mirë dhe i suksesshëm bilateral në sferën mbrojtëse dhe ushtarake.

Medenica në forumin juridik ndërkombëtarë

Kryetarja e Gjyqit suprem të Malit të Zi Vesna Medenica merr pjesë në forumin juridik ndërkombëtarë i cili ka filluar sot në San Petersburg. Forumi juridik ka filluar të punojë në vitin 2011, dhe njëra ndër platformat më të mëdha ndërkombëtare për dialog ndërmjet juristëve, politikanëve, investiguesve me qëllim të informimit për sfidat kryesore në rregullativën juridike, zgjidhjet në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet sistemeve juridike, promovojnë të arriturat më të reja të shkencës dhe edukimit juridik në shumë vende të botës. Kryetarja e Gjyqit suprem merr pjesë për herë të dytë në një takim të tillë të rëndësishëm ndërkombëtarë me ftesën, siç theksohet në kumtesë të ministrit të drejtësisë të Federatës ruse Aleksandar Konovallov.

Mali i Zi shembull për vendet tjera

“Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO mund të ndryshojë mendimin e qytetarëve të Serbisë për këtë aleancë, nëse Mali i Zi pas anëtarësimit do të jetë i suksesshëm dhe josh investime më të mëdha”, konsideron Janush Bugajski nga Qendra e Uashingtonit për analizën e politikës evropiane (EWB). Ai ka theksuar se NATO pas tetë vitesh fiton një anëtarë të ri, dhe është moment i rëndësishëm që Mali i Zi të tregojë progresin e vetë jo shumë pas rivendosjes së pavarësisë. “Vetvetiu ky është impuls për NATO-n në Ballkanin Perëndimor, sepse Mali i Zi tani mund të shërbejë si shembull për vendet tjera se edhe ato mund të bëhen anëtare nëse veprojnë me këmbëngulje dhe i plotësojnë kushtet”, ka theksuar Bugajski.

Nuk është në rregull që bojkotuesit të marrin rrogë të plotë

“Bojkotimi i parlamentit është seklektiv, sepse një pjesë e deputetëve opozitarë i bojkoton obligimet në Kuvend, por jo edhe në realizimin e të drejtave që u takojnë këtyre obligimeve”, ka theksuar sekretari i përgjithshëm i Parlamentit Aleksandar Joviqeviq. Ai ka theksuar se personalisht konsideron se nuk është në rregull që deputetët të cilët e bojkotojnë punën e parlamentit të marrin rroga të plota. Ai ka sqaruar se me rregulloren e Kuvendit kjo çështje nuk është rregulluar në mënyrë decide. Ai ka theksuar se me rregullore është paraparë se deputeti është i obliguar të marr pjesë në punën e Kuvendit dhe në punën e Këshillit anëtarë i të cilit është dhe në të cilin voton.

Nënshkruhet memorandumi për bashkëpunim

Procesi i bisedimeve të Malit të Zi me Unionin Evropian (UE) është i hapur për të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, deklaroi ministri për punët evropiane, Aleksandar Andria Pejoviq i cili i ftoi  të gjitha organizatat joqeveritare (OJQ) të cilat duan të marrin pjesë të  jenë pjesë e këtyre trupave punues. Ai këtë e tha në panel diskutim “Transparenca në procesin e integrimeve evropiane”, ku u nënshkrua  memorandumi i bashkëpunimit në mes të Ministrisë të integrimeve evropiane dhe Qendrës për tranzicionin demokratik (CDT). Siç u kumtua, nënshkruesit e marrëveshjes janë pajtuar që bashkëpunimin ta bazojnë në principet e partneritetit transparencës dhe informimit të ndërsjellë.

Regjistrim elektronik në kopshtet e Malit të Zi

Regjistrimi në shumicën e institucioneve parashkollore në Mal të Zi ka filluar sot dhe do të zgjas deri me 1 qershor. Ministria e arsimit konsideron se duhet shfrytëzuar principin e shanseve të njëjta dhe të gjithë fëmijëve të interesuar tu mundësohet regjistrimi në institucionet publike parashkollore. Siç theksohet , në fokusin e tërë sistemit të edukimit fillestar dhe parashkollor dhe të arsimimit është interesi më i madh i fëmijëve dhe nevojë e prindërve. Nga ministria kanë sqaruar se shërbimi i regjistrimit elektronik paraqet pilot projekt të këtij dikasteri dhe të ministrisë së administratës publike.

Lirohen të gjitha llojet e derivateve

Të gjitha llojet e karburanteve prej sonte në mesnatë do të lirohen 3 deri në 7 cent, i është kumtuar agjencisë Mina Business nga Ministria e ekonomisë. Një litër euro super 95 dhe 98 do të kushtojë më lirë 6, gjegjësisht 7 cent dhe gjatë dy javëve të ardhshme do të kushtojë 1.23 gjegjësisht 1.26 euro. Një litër eurodizel do të kushtojë gjatë 15 ditëve të ardhshme 1.8 cent. Të përkujtojmë se korrigjimi i fundit i çmimeve të derivateve të naftës ishte bërë me 19 prill kur benzina ishte shtrejtuar 5, kurse euro dizeli 2 cent.

Inflacioni në muajin prill ishte 0.1 për qind

Inflacioni mujor në muajin prill i matur me harmonizimin e indeksit të  çmimeve konsumatorë ka qenë 0.1 për qind, tregojnë të dhëna e Monstat-it. Nga Monstat kanë kumtuar se çmimet konsumatore krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar mesatarisht kanë qenë më të larta 2.4 për qind. Ndikim më të madh në shkallën mujore të inflacionit kanë pasur rritja e çmimit të cigareve, karburanteve dhe lubrifikanteve për automjete, të pemëve dhe veshmbathjes, thuhet në kumtesë. Çmimet e prodhimeve dhe të shërbimeve tjera nuk kanë ndryshuar dukshëm.

Qeveria ndan 4.9 milionë euro për zgjedhjet e parakohshme

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka ndarë 4.9 milionë euro për zgjedhjet e parakohshme. Zv. kryeministri në detyrë, Hajredin Kuçi tha se këto mjete janë të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të 11 qershorit. “Zyra e kryeministrit ka marrë një kërkesë nga KQZ-ja për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 4 milion e 944 mijë e 900 euro, të cilat janë të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve me 11 qershor. Besoj se këto mjete janë të domosdoshme dhe iu ftojë që t’i miratojmë“, tha ai. Ndërkaq, kryeministri në detyrë Isa Mustafa, tha se me këtë u siguruan mjetet për KQZ-në, që procesi të kalojë pa ndonjë pengesë. “Atëherë konstatojmë se u siguruan mjetet për KQZ-në, në mënyrë që procesi të shkojë pa asnjë pengesë“, tha ai. Qeveria po ashtu ka ndarë 90 mijë e 449 euro për procesin ankimor për komisionin për ankesa dhe parashtesa për zgjedhjet e parakohshme. Ministri në detyrë i Financave Avdullah Hoti, tha se kjo shumë do të ndahet nga shpenzimet e paparashikuara. Gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, janë ndarë edhe 5 mijë e 500 euro për Shoqatat Familjare të të Zhdukurve të Kosovës. Ndërsa u miratua dhe koncept dokumenti për qasjen në dokumente publike.

Kryesia ndërprenë privilegjet e deputetëve

Kryesia në detyrë e Kuvendit të Kosovës sot ka mbajtur një mbledhje në të cilën ka ndërprerë mandatin e deputetëve që nënkupton edhe ndërprerjen e shpenzimeve. Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli pas mbledhjes tha se gjatë këtij mandati kanë kaluar momente të vështira, por se kanë arritur të ruajnë demokracinë.  Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti tha se në fund të mandatit u mbajt mbledhja në të cilën mbyllet mandati i deputetëve, që nënkupton ndërprerjen e shpenzimeve për telefon dhe shpenzime tjera. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Prishtinë ka përcaktuar limitin e shpenzimeve të fushatës për subjektet politike për zgjedhjet e parakohshme në shumën afër 100 mijë euro. Në këtë mbledhje të KQZ-së u bë e ditur se sipas regjistrit civil janë 1 milion e 885 mijë votues. Miradije Mavriqi, drejtoreshë ekzekutive për regjistrimin e partive politike dhe certifikim, tha se shuma e limituar për subjektet politike për shpenzim të fushatës është afër 100 mijë euro. Kurse, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se 942 mije e 753 euro është shuma më e lartë që një parti politike mund të shpenzojë për fushatë zgjedhore për këto zgjedhje. Në këtë mbledhje të KQZ-së, është bërë e ditur se është miratuar partia “Partija Kosovskih SRBA-PKS”. Anëtari i KQZ-së, Betim Gjoshi, tha se është mirë që kjo parti ka respektuar rekomandimet e KQZ-së dhe e ka ndërruar emrin dhe ka ndryshuar logon. Zgjedhjet e parakohshme kanë ardhur pas prishjes së koalicionit në mes të PDK-së dhe LDK-së.

Do të doja që deputetët të kenë më shumë përgjegjësi

Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se gjatë kësaj legjislature kanë kaluar momente të vështira, por kanë arritur ta ruajmë demokracinë. “Do të doja një parlament me më shumë gra dhe të rinj, por edhe deputet që kanë përgjegjësi më shumë ndaj qytetarëve tanë", tha ai. Ndryshe, anëtarja e Vetëvendosjes, Aida Dërguti ka thënë se Vetëvendosja ka vendim të këshillit të përgjithshëm që nuk hynë në koalicion parazgjedhor me partitë që kanë qenë në Qeveri. Ajo këto komente i bëri pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ku tha se nuk kanë vija të kuqe për koalicione me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismën për Kosovë, por se nuk bëjnë koalicion parazgjedhor me LDK-në dhe PDK-në.

Partitë kanë afat deri nesër

Deri nesër në mesnatën, partitë politike në Kosovë kanë për obligim të deklarojnë në Komisionin Qendrorë të Zgjedhjeve (KQZ) koalicionet garuese në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 Qershorit. 16 maji është paraparë afati i fundit nga KQZ-ja që partitë politike të deklarojnë koalicionet garuese në zgjedhje, derisa sot ka përfunduar afati për deklarimin për mospjesëmarrje eventuale në zgjedhje.    Ndonëse ka mbetur edhe një ditë deri në përfundimin e këtij afati, ende asnjë nga subjektet politik nuk ka zyrtarizuar koalicionet parazgjedhore. Përjashtuar, AAK dhe NISMA, të cilat një marrëveshje të tillë e kanë nënshkruar para më shumë se një viti.  Megjithatë, raportime dhe takime për koalicione të ndryshe parazgjedhore kanë qarkulluar në media, qysh nga shpallja e zgjedhjeve.  Përfaqësuesit e LDK, VV, AAK dhe NISMA në fund të javës së kaluar janë takuar për një marrëveshje blloku kundër PDK-së, të ngjashme me atë të VLAN-it që në qershor të 2014-ës ishte arritur pas zgjedhjeve, por që diskutimet disa orëshe rezultuan sërish të pasuksesshme. Shefi i grupit parlamentar të AKK-së, Pal Lekaj ka thënë se Aleanca tashmë është në koalicion me Nismën për Kosovën, ndërsa zërat për koalicionet e tjera janë thjeshtë spekulime, dhe ka përjashtuar mundësinë për të bërë koalicion me partitë që kanë qenë në pushtet.  Ndryshe, kosovarët do t'u drejtohen të dielën e 11 qershorit 2017 kutive të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pasi ato u shpallën javën e kaluar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, menjëherë pas shkarkimit të Qeverisë "Mustafa" me anë të një mocioni të votuar në Kuvend të iniciuar nga opozita dhe përkrahur nga PDK-ja.

Kosova ende larg anëtarësimit në OBT

Është bërë gati një dekadë që autoritetet kompetente në Kosovë thonë se kanë filluar përgatitjet për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), por deri më tani nuk kanë aplikuar. Por, ministrja në largim e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se mund të ketë pasur përgatitje, por dokumentacion të gatshëm për këtë çështje nuk ka gjetur në kohën e marrjes së pozitës. Megjithatë, Bajrami ka treguar se Ministria e Tregtisë në bashkëpunim me projekte të huaja, dokumentacionin e kanë tëgatshëm për aplikim në këtë organizatë. Por, për kohën dhe mënyrën e aplikimit, ka thënë Bajrami, vendos Ministria e Punëve të Jashtme dhe zyra e kryeministrit të Kosovës. Kosova ka disa marrëveshje për tregti të lirë më vendet rajonale dhe evropiane, por edhe anëtarësimi në OBT, vlerësohet më rëndësi nga komuniteti i biznesit për ekonominë e përgjithshme të vendit. Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) është një organizatë ndërkombëtare me qendër në Gjenevë të Zvicrës, e cila merret me nxitjen dhe vënien në zbatim të ligjeve dhe rregulloreve tregtare ndërkombëtare.(REL)

Kriza, Hoyt Yee nis takimet në Tiranë

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee nisi sot vizitën e tij në Tiranë, e cila shihet si mundësia e fundit për gjetjen e një rrugëdaljeje nga kriza politike në vend. Ndërsa shumica e majtë po vazhdon fushatën elektorale për zgjedhjet e 18 qershori, e djathta e cila ndodhet prej 3 muajsh në protestë, këmbëngul në kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që të garantojë një proces të ndershëm zgjedhor, duke refuzuar pjesmarrjen në garën për parlamentin e ri. Zyrtari amerikan u takua fillimisht me kryeministrin Edi Rama, për të vijuar më tej dhe më kryetarin e parlamentit dhe Presidentin e zgjedhur Ilir Meta. Pasdite ai pritet të takojë kreun e opozitës Lulzim Basha si dhe një grup deputetësh demokratë të cilët kanë kundërshtuar mospërfshirjen e së djathtës në zgjedhje. Edhe takimet e sotme të zëvendës-ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, ngjan një mision tejet i vështirë, duke parë diferencat e thella në qëndrime mes palëve. Me gjasë, vizita e sotme e Brian Yee, do të jetë përpjekja e fundit e komunitetit ndërkombëtar për një zgjidhje të situatës. Javën e shkuar komisioneri europian për Zgjerimin Johannes Hahn, përmes një letre drejtuar qytetarëve shqiptarë shprehu keqardhjen për pamundësinë e arritjes së një kompromisi pavarësisht përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar. 

Zgjedhjet e reja lokale në Maqedoni, sfide e re për shtetin

Kuvendi i Maqedonisë duhet të vendose mbi datën e re të zgjedhjeve lokale, të kthyera tashmë në një tjetër problem, krahas pengesave për formimin e qeverisë së re. Tek kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot u mbajt koordinim i përfaqësuesve të grupeve të deputetëve me qëllim që të arrihet marrëveshje për shpallje të zgjedhjeve lokale dhe për ndryshime ligjore për vazhdim të mundshëm të mandatit të kryetarëve të komunave dhe të këshilltarëve në vetëqeverisjet lokale. Në koordinim nuk mori pjesë grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së sepse nuk e njohin zgjedhjen e Xhaferit për kryetar të shtëpisë ligjdhënëse. "Talat Xhaferi nuk është zgjedhur kryetar i Kuvendit në procedurë ligjore dhe grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së nuk sheh arsye përse do t'i përgjigjej ftesës të cilën Talat Xhaferi e dërgon në cilësinë e kryetarit", kumtoi VMRO-DPMNE. LSDM, ndërkaq, në kumtesë kërkoi që presidenti Gjorge Ivanov urgjentisht ta ndajë mandatin për përbërje të qeverisë së re sepse prej sot vihen në pikëpyetje edhe ekzistenca e të punësuarve në administratat komunale, serviset për qytetarë, shërbimet. "Joserioziteti i kryesisë së VMRO-DPMNE-së dhe Gjorge Ivanovit e lanë Maqedoninë pes muaj pa qeveri, ndërsa prej sot qytetarët janë lënë edhe pa kryetarë komunash dhe këshilltarë. Bllokada e shtetit, duhet urgjentisht të ndërpritet", thonë nga LSDM.

Presidenti i ri në ditën e parë të punës e emëron kryeministrin

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pritet që gjatë ditës së sotme ta emëroj kryeministrin e ri dhe ta vizitoj kancelaren gjermane, Angela Merkel. Macron dje në Paris u inaugurua në postin e presidentit, me ç’rast e ka paraqitur agjendën tij për ripërtritjen e unitetit francez dhe rindërtimin e besimit në Bashkimin Evropian. Macron, sot në ditën e tij të parë të plotë të punës, për kryeministër emëroi politikanin nga Patia Republikane, Edourad Philippe. Më vonë, presidenti Macron në Berlin do të takohet me kancelaren gjermane, Angela Merkel, me synim të forcimit të raporteve të vendit të tij me aleatin shumëvjeçar, Gjermaninë. Pas fitores së Macron, 39 vjeçar, kundër rivales së tij të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, në zgjedhjet presidenciale franceze, kancelarja Merkel e ka përshëndetur presidentin e ri, Emmanuel Macron.

Partia e kancelares Merkel i fitoi zgjedhjet në një shtet kryesor

Partia konservatore, Unioni Kristian Demokratik (CDU), i kancelares Angela Merkel, i ka fituar zgjedhjet në shtetin kryesor, North Rhine-Westphalia, kundër rivalëve të qendrës së majtë, që shihen si paralajmërim i disponimit politik para zgjedhjeve kombëtare në muajin shtator. Rezultatet e para të zgjedhjeve në këtë shtet, të publikuara sot, tregojnë se CDU është e para me 33% të votave të fituara. Ky shtet me numrin më të madh të banorëve në Gjermani, që paraqet afro 20% të popullatës në gjithë Gjermaninë, është tradicionalisht bazë e fuqishme e Partisë Social Demokrate (SPD). SPD fitoi 31.2%, që paraqet rënie prej 39.1%, sa kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2012.

Xi bën thirrje për bashkëpunim më të madh mes Azisë dhe Evropës

Presidenti i Kinës, Xi Jinping ka bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë në mes të vende në Azi dhe Evropë duke filluar nga anti-terrorizmi deri tek financat, derisa liderët nga 29 shtete ishin mbledhur në Pekin për të promovuar iniciativën kinezë për tregti, përmes së cilës mund të rritet ndikimi global i Pekinit në tregti dhe gjeopolitikë. Samiti dyditor që u mbajt në Pekin, me inciativën e presidentit Xi, për projektin e quajtur “Një rrugë”, një projekt për ringjalljen e rrugës tregtare antike, e quajtur “Rruga e Mëndafshit”. Xi ka premtuar 124 miliardë dollarë për inciativën e cila synon të lidhë Kinën me Afrikën, Azinë dhe Evropën, përmes një rrjeti portesh, hekurudhash, rrugësh dhe paqeve industriale. Duke folur para liderëve, përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin dhe atë turk, Recep Tayyip Erdogan, Xi i ka siguruar diplomatët perëndimor se plani nuk ishte thjesht një përpjeke për të promovuar ndikimin global të Kinës. Xi gjithashtu ka premtuar 8.70 miliardë dollarë ndihmë për vendet dhe organizatat ndërkombëtare që do të bëhen pjesë e planit për “Rrugën e Mëndafsht”. Xi tha se projekti është i hapur për të gjithë, përfshirë Evropën dhe Afrikën.

Dënim ndërkombëtar i provës raketore të Koresë Veriore

Testi i raketës balistike i Koresë Veriore ka hasur në dënim ndërkombëtar, derisa Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e kanë vlerësuar si “kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, ndërsa Rusia dhe Kina kanë shprehur shqetësim për rritjen e tensioneve në Gadishullin Korean. Ky shtet i mbyllur dhe i izoluar, sot herët në mëngjes, e ka lansuar një raketë balistike, e cila gjërësisht është parë si sfidë për presidentin e ri të Koresë Jugore, Moon Jae-In, i cili thotë se dëshiron uljen e tensioneve me Korenë Veriore. Sipas zyrtarëve jugkoreanë, kjo raketë verikoreane ka fluturuar më tepër se 700 kilometra për një orë e gjysmë dhe ka arritur largësinë më tepër se 2 mijë kilometra, duke rënë në Detin e Japonisë, që kufizohet me Gadishullin Korean, Japoninë dhe Lindjen e Largët të Rusisë.

Trump i shqyrton efektet e lëvizjes së Ambasadës në Jerusalem

Presidenti amerikan, Donald Trump, po i shqyrton efektet eventuale të lëvizjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi në Jerusalem, në procesin e paqes izraelito – palestineze, ka thënë sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson. Tillerson mbrëmë vonë i deklaroi rrjetit televiziv NBC, se presidenti Trump “është shumë i kujdesshëm për ta kuptuar se si ky vendim do të ndikoj në procesin paqësor”. Këto komente të sekretarit Tillerson u bënë disa ditë para se presidenti Trump ta filloj turneun, me ç’rast ai do të takohet me liderët izraelitë dhe palestinezë. Statusi i Jerusalemit është njëra nga çështjet më të ndjeshme në konfliktin izraelito-palestinez. Palestinezët e shohin Jerusalemin si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm. Izraeli e ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe gjithë qytetin e ka shpallur për kryeqytet, por kjo lëvizje kurrë nuk është pranuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Forcat irakiane nisin ofensivë të re në Mosulin Perëndimor

Një zyrtar i lartë ushtarak ka thënë se forcat qeveritare irakiane, kanë nisur një ofensivë të re, për të larguar militantët e Shtetit Islamik, nga katër lagje në perëndim të Mosulit. Në deklaratën e Gjeneralit Abdul-Amir Rasheed Yar Allah, thuhet se forcat speciale irakiane janë duke lëvizur drejt lagjeve al-Eraibi dhe al-Rifaie, ndërsa pocilia ushtarake dhe forcat e rregullta të ushtrisë, janë duke luftuar me militantët e IS-it, në afërsi të lagjes al-Ektisadieen. Yar Allah ka thënë se forcat “kanë thyer frontifikatat e armikut”, duke mos dhënë më shumë detaje. Operacioni për rimarrjen e Mosulit ka nisur në tetor dhe pjesa lindore e qytetit u shpall e çliruar në janar. Forcat irakaine kanë nisur operacionet për rimarrjen e pjesës perëndimore të Mosulit në muajin shkurt.

Qeveritë dhe kompanitë përgatiten ndaj sulmeve të mundshme kibernetike

Qeveritë, organizatat dhe bizneset në gjithë botën, po përgatiten për fillimin e punës gjatë javës së re, derisa janë rritur shqetësimet se ndonjë sulm masiv eventual kibernetik mund të kthehet në kompjuterët e tyre të punës pas fundjavës. Ekspertët kanë thënë se ata do ta ndjekin me kujdes situatën në Azi, që duket se nuk është prekur aq fuqishëm gjatë sulmit të javës së kaluar. Ky sulm kibernetitk, me emrin WannaCry, që kishte filluar më 12 maj, i ka shkatërruar operacionet në spitale, banka, qendra tregtare, shkolla dhe agjenci qeveritare, duke i goditur verzionet e vjetra të sistemeve operative kompjuterike të kompanisë Microsoft. Sipas agjencisë policore evropiane, Europol, ky sulm, që konsiderohet se ishte më i madhi në Internet deri tash, u ka shkaktuar dëme të mëdha më se 200 mijë shfrytëzuesve në 100 mijë organizata në gjithë botën.

Portugalia fiton Evrovizionin

Salvador Sobral, konkurrenti nga Portugalia ka fituar Eurovizionin, festivalin evropian të këngës të zhvilluar në Kiev të Ukrainës. 27-vjeçari Sobral interpretoi një baladë dashurie me tone xhazi, të kompozuar nga motra e tij, që i siguroi Portugalisë fitoren e parë në Eurovizion. Kur mori çmimin, artisti tha se kënga e tij ishte një apel “për të rikthyer lirikën në muzikë”. “Kjo është një fitore për ata që kompozojnë muzikë që në fakt ka një kuptim. Muzika nuk nënkupton fishekzjarre, por ndjenja. Të përpiqemi të rikthejmë muzikalitetin në këngë”. Në vend të dytë doli Kristian Kostov i Bullgarisë, po ashtu me një baladë të ngarkuar me emocione. Fitorja në Eurovizion u dha shkas për të festuar portugezëve, të cilët do të jenë organizatorët e këtij festivali evropian të këngës në vitin e ardhshëm.

Përfundoi edicioni i VII-të  i Festivalit “ Pranvera Poetike Durrsake”

Pardje në Pallatin e Kulturës ”Aleksandër Moisiu” në Durrës, është mbajtur  Edicioni i VII-të  i Festivalit “Pranvera Poetike Durrsake”, i cili organizohet nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve – Durrës.  Në këtë veprimtari poetike kanë marrë  pjesë edhe tre poetë nga Ulqini, Ibrahim Berjashi, Ali Gjeçbritaj dhe Hajredin Kovaçi, të cilët  përfaqësuan Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”. Ata, siç njofton kryetari i Shoqatës Ismet Kallaba, lexuan nga një poezi të papublikuar nga krijimtaria e tyre në konkursin e zhvilluar në kuadër të Festivalit. “Poezitë e tyre u pëlqyen dhe u mirëpritën nga poetët dhe publiku i pranishëm. Poeti Ibrahim Berjashi ishte pjesë e jurisë për vlerësimin e poezive të konkursit letrar. Në Festival morën pjesë rreth 50 poetë nga klubet e shkrimtarëve të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe shqiptarëve në Mal të Zi”, thotë Kallaba.

Edhe nesër mot i ndryshueshëm, kryesisht pasdite

Në jug e bregdet të Malit të Zi sot mban mot kryesisht i kthjellët, kurse në viset qendrore dhe veriore me vranësira mesatare dhe i thatë. Fryn erë e dobët deri mesatare e drejtimeve të ndryshme. Temperaturat në orën 13 u shënuan: në Ulqin 28 gradë, Podgoricë  27, Tivar e Herceg Novi 25, Beranë e Cetinë 24, Nikshiq, Plavë e Bijello Pole 23, Mojkovac 22, Plevle e Kollashin 20, Rozhajë 19 dhe në Zhablak 16 gradë.

Për nesër pritet mot kryesisht i kthjellët dhe relativisht i nxehtë, pasdite me zhvillim të vranësirave mesatare deri krejt i vranët, kryesisht në viset veriore vende-vende janë të mundshme edhe të reshura shiu. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë nga drejtimet e veriut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 6 deri në 19, kurse më e larta e ditës prej 17 deri në 29 gradë celisus.

 

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se