Lajmet

Povećaj veličinu slova Vrati na prvobitnu veličinu slova Samnji veličinu slova štampaj štampaj
 

Pošalji prijatelju

11. 05. 2017.   >>  17:40 0

Lajmet 11.05.2017

11.05.2017

Përfundoi procesi i ratifikimit

Me ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO në Dhomën e epërme të Parlamentit të Spanjës, ka përfunduar procedura e ratifikimeve të protokollit në vendet anëtare të Aleancës. Siç është kumtuar nga Qeveria, procesi i ratifikimit të Protokollit për anëtarësim ka filluar në vendet anëtare të Aleancës qysh në qershor të vitit 2012. Islanda ka qenë vendi i parë që e ka ratifikuar protokollin për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, më 8 qershor të vitit të kaluar, pikërisht 10 vjet pasi që po i njëjti vend, si shtet i parë e ka njohur pavarësinë e Malit të Zi. Propozim ligji për vërtetimin e Marrëveshjes së Atlantikut të veriut është miratuar njëzëri nga Kuvendi i Malit të Zi, më 28 prill të këtij viti. Më 1 qershor pasi të hyjë në fuqi akti i ratifikimit në Holandë, ku ka përfunduar procedura nacionale, do të pasojë thirrja e sekretarit të përgjithshëm të Aleancës, Jens Stolltenberg, Malit të Zi që t’i bashkëngjitet marrëveshjes së Atlantikut të Veriut, kanë sqaruar nga Qeveria. Siç ka paralajmëruar kryeministri Dushko Markoviq me depozitimin e instrumenteve të ratifikimit të Marrëveshjes që është planifikuar më 5 qershor, Mali i Zi edhe formalisht do të bëhet anëtar i 29-të i NATO-s.

Do të relaksohen marrëdhëniet me Rusinë

Ministri i mbrojtjes, Predrag Boshkoviq, ka deklaruar se anëtarësimi i Malit të Zi në Aleancën e NATO-s nuk është i orientuar kundër askujt. Boshkoviq, duke komentuar përgjigjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor mbi ndikimin e Rusisë në rajon, ka rikujtuar se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO nuk është orientuar kundër këtij vendi. Përkundrazi, anëtarësimi i ynë në NATO është plotësim i prioriteteve tona të politikës së jashtme që janë definuar me deklaratën e Pavarësisë, ka thënë Boshkoviq në konferencë për gazetarë me ministren e mbrojtjes së Sllovenisë Andrea Katiç. Ai ka theksuar se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, e jo në rritjen e jostabilitetit në rajon. Jam optimist se Rusia së shpejti do ta kuptojë se kjo që kemi bërë ne është respektim i interesave tona themelore e jo rrezikim i interesave të tyre dhe se situata do të ç’tensionohet, ka thënë Boshkoviq. Por, siç ka theksuar, nëse nuk do të ndodhë kjo, Mali i Zi përmes institucioneve do të japë përgjigje në situatat që kanë ndodhë në kohën e kaluar dhe të cilat po ndodhin akoma. Jam i bindur se askujt nga Mali i Zi nuk do t’i bie ndërmend që të keqpërdoret për zbatimin e interesave të një vendi të tretë, ka shtuar Boshkoviq. Ai ka thënë se ndihma e Sllovenisë dhe përvoja e saj ka qenë me rëndësi të madhe në realizimin e prioriteteve të politikës së jashtme të Malit të Zi. Katiç ka thënë se Mali i Zi në një afat të shkurtër kohor ka kaluar rrugë të rëndësishme dhe të vështirë. Ajo ka vlerësuar se anëtarësimi i suksesshëm i Malit të Zi në NATO ka domethënien e paqes në Ballkan.

Fillojnë bisedimet për formimin e pushtetit në Herceg Novi

Mali i i Zi demokratik u ka dërguar ftesë Frontit Demokratik, Listës për NOVI-n, PSP-së dhe Koalicionit të Partisë Socialdemokratike dhe URA-s për bisedime për formimin e pushtetit në Herceg Novi. Kryetari i Këshillit komunal të demokratëve, Stevan Katiq ka theksuar se me kryesinë e Listës për NOVI-n kanë zhvilluar konsultime për tu marr vesh mbi terminin e parë të mbajtjes së takimit për formimin e pushtetit. Jemi duke pritur përgjigjen dhe pastaj do t organizojmë takimin zyrtarë , ka theksuar Katiq.

Nënat nuk do të mbesin pa kompensime

Gjykata kushtetuese ka publikuar arsyetimin e vendimit mbi heqjen e kompensimeve për nënat, në të cilin është sqaruar se në të ardhmen hiqet e drejta për këto kompensime, por kjo nuk ka të bëjë me rreth 22 mijë shfrytëzuese që e kanë arritur këtë të drejtë deri më tash. Gjykata Kushtetuese këtë vendim e ka marrë muajin e kaluar, kurse, siç ka sqaruar burimi i gazetës “Pobjeda”, sipas vendimit të Gjykatës kushtetuese, këto kompensime për nënat nuk mund të hiqen, por as të zbritën në masë e cila do t’ua humbte kuptimin. Qeveria, sipas fjalëve të bashkëbiseduesve të kësaj gazete është e obliguar që në Afat prej tre muajsh t’i propozojë Kuvendit të Malit të Zi ligjin e ri, me të cilin do të rregullohej statusi juridik i këtyre grave. Shfrytëzueseve të kësaj të drejte, siç theksohet, e drejta e aprovuar njëherë për kompensim të përhershëm, në bazë të lindjes e tre ose më shumë fëmijëve, nuk do t’u hiqet duke i vendosur në situatë më të pafavorshme nga ajo që kanë pasur në momentin kur, për shkak të pranimit të kompensimit të përhershëm, e kanë ndërprerë marrëdhënien e deriatëhershme të punës, kanë ndërprerë shfrytëzimin e të drejtës në pension, apo janë ç’regjistruar nga evidenca në Entin për punësim.

Shpallet konkursi për regjistrimin në shkolla të mesme

Ministria e arsimit e ka shpallur sot konkursin për regjistrim në vitin e parë të shkollave të mesme në Mal të Zi dhe për ndarjen e 110 bursave për profesionet deficitare, 15 prej të cilave i siguron Oda ekonomike. Fletëparaqitjet për regjistrim në shkolla të mesme duhet të dorëzohen prej 12 deri me 16 qershor. Të theksojmë se shkollën fillore e përfundojnë 7 mijë e 816 nxënës , kurse vende për regjistrim në konkurs janë 8 mijë e 625, kështu që për të gjithë nxënësit të cilët e përfundojnë shkollimin përfundimtar ka vende për regjistrim në shkolla të mesme, thuhet në kumtesë. Fletëparaqitjet për bursa për profesionet deficitare në shumë prej 70 euro duhet të dorëzohen prej 12 deri me 23 qershor.

Sot është dita e dhuruesve vullnetarë të gjakut në Mal të Zi

Rreth 2.8 për qind të banorëve të Malit të Zi janë duresë vullnetarë të gjakut, është kumtuar nga Kryqi i Kuq i Malit të Zi duke shtuar se edhe përkundër progresit në këtë fushë, nevojiten përpjekje më të mëdha për të arritur rekomandimet lidhur me dhurimin vullnetarë të gjakut. Nesër kryqi i kuq , në bashkëpunim me ministrinë e shëndetësisë do ta shënojë Ditën e dhuruesve të gjakut me dorëzimin e mirënjohjeve dhe të dhuratave simbolike individëve më meritorë për zhvillimin e kësaj veprimtarie gjatë vitit të kaluar.

Jelena Jovanoviq zënë vendin e parë për gazetarinë hulumtuese

Gazetarja e të përditshmes së pavarur “Vijesti”, Jelena Jovanoviq, është laureate e çmimit të parë të UE për gazetarinë hulumtuese për vitin e kaluar. Ajo këtë çmim e ka fituar për serialin e teksteve për, se si personat të pa identifikuar, me siguri pjesëtarë klaneve kriminele, kanë vendosur kamera në mënyrë joligjore duke vëzhguar hapësirat publike në disa lokalitete në Kotorr. Milena Peroviq- Koraq dhe Millka Tadiq –Mijoviq nga Qendra për gazetarinë investiguese të Malit të Zi kanë marr çmimin e dytë për serialin me titull të përbashkët “Korrupsioni në nivelin lokal –Kollashin”. Ivan Çagjenoviq po ashtu nga “Vijesti” ka fituar shpërblimin për gazetarin më të mirë të ri për tekstet mbi dyshimet se dekani i Fakultetit juridik të Universiteti të Malit të Zi ka kopjuar disertacionin. Në solemnitetin e sotëm në Podgoricë shpërblimet laureatëve ua ka dorëzuar shefja e sektorit për politik, integrimet evropiane dhe afarizëm në delegacionin e UE në Mal të Zi, Pllamena Hallaçova.

Arrestime për shmangien e taksave

Policia e Malit të Zi ka arrestuar sot pronarin e firmës “Guard Sekjuriti Popoviq”, Sërgjan Popoviq dhe drejtoren ekzekutive Radojka Majiq, për shkak të dyshimit se kanë fshehur tatime. Vëllanë e Sërgjanit, Igor Popoviq, policia nuk e ka arrestuar, sepse gjendet për vizitë pune në Itali, por kundër tij do të shpallet fletarrest, thuhet në njoftimin e Policisë. Tre personat përgjegjës në firmën “Guard Sekjuriti Popoviq” janë të dyshuar për fshehje të tatimeve dhe kontributeve që kapin shumën mbi 1 gjysmë milionë euro. Zyrtarët e Drejtorisë së Policisë, sektorit për zbërthimit e kriminalitetit ekonomik, kanë paraqitur padi penale në Prokurorinë themelore në Podgoricë, kundër këtyre tre personave, për shkak se nuk kanë paguar tatimet dhe kontributet në rrogat e të punësuarve prej qershorit të vitit 2012 deri në maj të vitit 2014, si dhe kanë fshehur të dhënat mbi fitimin e ndërmarrjes për vitet 2012 dhe 2013.

Ardhmëria e shqiptarëve në Europë

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaruan sot se ardhmja e dy vendeve është Evropa dhe për këtë do të punojmë maksimalisht. Shqipëria dhe Kosova nuk kanë alternativë tjetër veç integrimit në Bashkimin Evropian. Ka qenë ky mesazhi që kanë përcjellë presidentët e dy vendeve, Bujar Nishani dhe Hashim Thaçi në Prishtinë. Procesi i integrimit do të vijojë pasi nuk është zgjedhje e politikanëve, por e qytetarëve. Nuk kemi alternativë tjetër”, ka thënë Nishani.
Ndërsa Thaçi, nga ana e tij ka vlerësuar se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk po ndodh për shkak të paaftësisë së BE-së. Sa i takon zërave për Shqipërinë e madhe, Thaçi ka theksuar se, termi në fjalë përmendet më shumë në Beograd sesa në Tiranë e Prishtinë. Gjatë takimit të dy presidentëve, Thaçi ka dekoruar me titullin “Urdhri i Lirisë” presidentin Nishani. Duke mirëpritur këtë vlerësim, Nishani është shprehur se, “asnjë popull nuk e njeh më mirë vlerën e lirisë sesa Kosova”.

Zgjedhjet e parakohshme më 11 qershor

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka marrë vendim që zgjedhjet e ardhshme, të parakohshme në Kosovë të mbahen më 11 qershor. Vendimin e tij, Thaçi e ka marrë pas një takimi konsultativ me përfaqësuesit e partive politike. Shumica e partive politike kanë favorizuar datën 11 qershor, ndërkaq kishte edhe propozime që zgjedhjet të mbahen më 18 qershor. Megjithatë, në fund, Thaçi, ka konfirmuar kabineti i tij, ka marrë vendim që data të jetë 11 qershori. Diskutimet për datën e zgjedhjeve, pasuan vendimin e Presidentit, Hashim Thaçi për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, që u mor pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë. Në takimin e thirrur nga Thaçi, nuk mori pjesë vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila pas votimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës, është deklaruar se nuk e njeh më Thaçin si president të vendit. Ai kërkoi që procesi i ardhshëm zgjedhor të dëshmojë kulturë të lartë politike e demokratike. Thaçi tha se do t’i drejtohet Bashkimit Evropian për të dërguar vëzhgues të zgjedhjeve, në mënyrë që i gjithë procesi të jetë transparent, demokratik, i drejtë dhe i pranueshëm për të gjithë. Ndërkaq, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se pret bashkëpunim me të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje, ne mënyrë që i gjithë procesi të ecën mbarë dhe në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasuan mocionin e mosbesimit për qeverinë, të votuar nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ky mocion, ishte mbështetur edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila aktualisht është në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në qeverinë në largim.

Kolegji Zgjedhor zgjedh gjyqtarët për ankesën e opozitës

Në Tiranë, Kolegji Zgjedhor i Apelit zgjodhi me short pesë gjyqtarët, që do të shqyrtojnë kërkesën e opozitës për të çregjistruar listat e kandidatëve për deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të cilët do të shqyrtojnë ankesën që i dorëzoi opozita. Ajo u ankua në Kolegj Zgjedhor me shpjegimin se KQZ ka shkelur Kodin Zgjedhor, duke regjistruar jashtë afatit ligjor prej 50 ditësh listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste dhe 14 partive të tjera. Partitë e koalicionit opozitar nuk u regjistruan për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit as si aleancë as si parti më vete. Partia Socialiste ka shprehur vendosmërinë për të shkuar në zgjedhje edhe pa pjesëmarrjen e opozitës. Një seri takimesh dhe ndërmjetësimesh u zhvilluan për të gjetur një mirëkuptim, në mënyrë që në garën zgjedhore të marrin pjesë të gjitha partitë. Të majtët ofruan disa lëshime, por opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe ngritjen e një qeverie teknike, për të organizuar zgjedhje të lira e të drejta, të pandikuara nga paratë e qarqeve të krimit dhe të drogave.

UE do të pranojë vendet e Ballkanit pas BREXIT

Shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini ka deklaruar në një intervistë për “Stampa”, se është e sigurt se pas daljes së Britanisë së Madhe nga Unioni, “e ardhmja e saj nuk do të mbetet në 27 vende anëtare pasi do të ketë vende të reja anëtare”.“Mendoj në vendet e Ballkanit me të cilat po bisedojmë për hyrje në BE. Shumë flasin për këtë si proces “të zgjerimit”. Unë dua më shumë të flas për bashkimin e serishëm të Evropës”, ka thënë kryediplomatja evropiane për gazetën nga Torino në Nju Jork, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Brexit do të dobësojë BE-në.

"Optimizëm i matur" në Kremlin pas takimit Trump-Lavrov

Kremlini shprehu "optimizëm të matur" rreth perspektivës për përmirësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, pas takimit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, me presidentin amerikan, Donald Trump, të mërkurën në Uashington. "Kemi shumë punë para nesh", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai po ashtu tha se samiti i G20-ës (grupit të ekonomive kryesore) në Gjermani, në muajin korrik, do të jetë "rast i mirë" për Trumpin dhe presidentin rus, Vladimir Putin, që të takohen sy më sy. Trump, pas takimit me Lavrovin, ka thënë se bisedimet me të kanë qenë “shumë të mira” dhe se dy vendet po punojnë për t’i dhënë fund luftës gjashtëvjeçare në Siri. Në deklaratën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë është thënë se Trump i ka kërkuar Lavrovit “të frenojë” presidentin sirian, Bashar al-Assad, dhe Iranin. Të dy janë aleatë të ngushtë të Rusisë. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump ka diskutuar edhe çështjen e Ukrainës me Lavrovin dhe ka theksuar përgjegjësinë e Rusisë për të zbatuar Marrëveshjen e Minskut për paqe në lindje të Ukrainës.

Liberalizim vizash për Ukrainën

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan sot liberalizimin e vizave për qytetarët e Ukrainës. Përfaqësues të Këshillit Evropian dhe të Parlamentit Evropian do të vulosin vendimin në Strasburg, më 17 maj. Ndërkaq, regjimi pa viza për Ukrainën do të hyjë në fuqi nga 11 qershori. Vendimi do të vlejë për të gjithë qytetarët ukrainas që kanë pasaporta biometrike. Ata do të mund të hyjnë pa viza në të gjitha shtetet e BE-së, përveç Irlandës dhe Britanisë, dhe do të mund të qëndrojnë deri në 90 ditë në një periudhë 180 ditëshe. Vendimi iu vlen edhe për katër shtete që nuk janë në zonën e lëvizjes së lirë Schengen: Norvegjia, Islanda, Lihtenshtajni dhe Zvicra.

 

Denuklarizimi i Koresë Veriore, objektiv i përbashkët

Presidentët kinez, Xi Jinping dhe koreanojugor, Moon Jae In ranë dakord mbi faktin se denuklarizimi i Koresë së Veriut është një objektiv i përbashkët, theksoi sot zyra shefit të ri të shtetit koreanojugor. Marrëdhëniet mes Pekinit dhe Seulit janë tensionuar muajt e fundit nga vendosja në Korenë e Jugut të mburojës amerikane kundërraketore “Tad”. Ky sistem mendohet që të mbrojë Korenë e Jugut nga kërcënimi balistik koreanoverior, por Kina ngre dyshime mbi këtë sistem që sipas saj synon edhe kapacitetet e saj ushtarake. Pekini ka marrë një seri masash kundër sipërmarrjeve koreanojugore, që Seuli i konsideron si veprime të reprezaljeve ekonomike.

Në Kinë, termet me magnitudë 5,5 shkallësh

Tetë persona humbën jetën dhe 11 të tjerë u plagsën sot, pas një tërmeti me magnitudë 5,5 ballë të shkallës Rihter, që goditi veriperëndimin e Kinës, njoftoi media shtetërore kineze. ”Tërmeti përfshiu kontenë Taxkorgan, në rajonin autonom ujgur Xinjiang”, tha agjencia zyrtare kineze e lajmeve, Ksinhua. ”Pas tërmetit u ndjenë edhe disa lëkundje të tjera”, shtoi ajo. Konteja Taxkorgan është rreth 300 kilometra në jug të Kashgarit, në kufi me Taxhikistanin, Afganistanin dhe Pakistanin.

Në QIK “Malësia” në Tuz, nesër mbrëma mysafir Teatri nga Kosova

Teatri Kombëtar i Kosovës nesër mbrëma në Tuz, në QIK “Malësia” prezanton premierën e shfaqjes, "Dëshira Tours" - adaptim i dramës "Tramvaji i Quajtur Dëshire" nga Tennessee Williams, e cila vjen me dramaturgji dhe regji nga Ardi Mejzini. Në rolet kryesore janë; Qëndresa Kajtazi - si Bardha, Bujar Ahmeti - në rolin e Zenelit, pastaj, Molikë Maxhuni - luan Yllkën, Labinot Raci - Meti; Adelina Xharrahu - Lulja dhe Edlir Gashi - si Musa. Shfaqja pasqyron ndryshimin e rrethanave në Kosovë, pas konfliktit të vitit 1999 dhe pasojat e raporteve në mes të grupeve shoqërore, me prapavijë, vetëdije, dhe paragjykime kontradiktuese. Me saktësisht, ngjarja zhvillohet në Fushë Kosovën e vitit 2004. Sapo te ndriçohet skena, shfaqet enterieri i ngushtë dhe kaotik i shtëpisë së varfër , ku ardhja e një mysafireje me dukje ‘ekstravagante’, përnjëherë lëkund rehatinë e çdo gjëje brenda saj. Bardha me prejardhje urbane, shpreh mospajtimin e saj ndaj degradimit të së motrës në një martesë patriarkalo- rurale, qëndrim i cili e inatosë dhe irriton dhëndrin e saj të ‘pagdhendur’, Zenelin. Dallimi i tyre në mentalitet, rezulton në konflikt, pasi mbajnë te fshehur të kaluarat tyre të vuajtura dhe lejojnë të udhëhiqen nga paragjykimet dhe urrejtja ekstreme. Të preokupuar nga dëshira për t’iu shmangë vuajtjeve të së kaluarës, të dytë gjejnë ngushëllim në seks dhe alkool, si mjete trasnporti të cilat, fatkeqësisht, jo gjithherë i qojnë në destinacionet e dëshiruara. Shfaqja do të mbahet në ora 20, ndërsa hyrja është e lirë.

Edhe nesër mot i ndryshueshëm

Në Mal të Zi sot mban mot me vranësira mesatare deri krejt i vranët dhe i thatë. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut. Temperaturat në orën 14 u shënuan: Podgoricë, Ulqin e Budvë 23 gradë, Tivar, Bijello Pole e Beranë 22, Herceg Novi 21, Plavë e Rozhajë 20, Cetinë, Kollashin e Plevle 19, Nikshiq 17 dhe në Zhablak 13gradë.

Për nesër pritet mot i ndryshueshëm, paradite vende-vende janë të mundshme të reshura të dobëta të shiut, kurse gjatë ditës me intervale me diell. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 6 deri në 18, kurse më e larta e ditës prej 17 deri në 26 gradë.

 

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se