Lajmet

Povećaj veličinu slova Vrati na prvobitnu veličinu slova Samnji veličinu slova štampaj štampaj
 

Pošalji prijatelju

10. 05. 2017.   >>  17:15 0

Lajmet 10.05.2017

10.05.2017

Erdogan do të vizitojë Malin e Zi

Stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimorë janë të rëndësishme për rajonin por edhe për kontinentin evropianë dhe Turqinë, ka theksuar shefi i diplomacisë turke Mevlut Çaushogllu, duke vlerësuar se Mali i Zi është vend shembull. Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan do të vizitojë gjatë këtij viti Malin e Zi, ka paralajmëruar ministri i punëve të jashtme të Turqisë. Ai është takuar me mikpritësin, Sërgjan Darmanoviq, me ç’rast janë konstatuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve. Ai ka shtuar se Mali i Zi dhe Turqia janë dy vende mike. “Zhvillojmë marrëdhënie të mira politike, kurse ato ekonomike forcohen çdo ditë e më tepër. Mali i Zi së shpejti do të bëhet anëtarë fuqiplotë i NATO-s dhe gjatë këtij procesi Turqia ka treguar përkrahje të sinqertë për Malin e Zi, mirëpo gjatë anëtarësimit të Malit të Zi ne do të vazhdojmë përkrahjen tonë”, ka theksuar Çaushogllu. Ministri i punëve të jashtme të Malit të Zi Sërgjan Darmanoviq ka theksuar se vizita e ministrit Çaushogllu është e rëndësishme sepse paraqet hap drejtë intensifikimit të dialogut politik ndërmjet Malit të Zi dhe Turqisë. Ai ka theksuar se Mali i Zi është tejet i interesuar për joshjen e investimeve turke dhe është i hapur për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Turqinë në fushën e energjetikës, turizmit, bujqësisë dhe industrisë. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të nxis bashkëpunimin e tij me Turqinë, ka vlerësuar presidenti i Malit të Zi Filip Vujanoviq. Siç është kumtuar nga kabineti i tij, ai sot në Podgoricë ka pritur ministrin e punëve të jashtme të Turqisë. Çaushogu, siç theksohet në kumtesë, është pajtuar në raportin me vlerat e NATO integrimeve të Malit të Zi. Ai ka vlerësuar se duhet shfrytëzuar së bashku hapësira për përparimin e mëtejmë të bashkëpunimit, përmes forcimit të kontraktuar të bazës ndërmjet dy vendeve. Gjatë vizitës në Mal të Zi Çaushogllu zhvilloi edhe një takim me kryetarin e parlamentit Ivan Brajoviq. Në takim u vlerësua se marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve e cila po pasurohet me përmbajtje të reja, e posaçërisht bashkëpunimi i mirë ekonomik, që manifestohet me investime të rëndësishme, parqet bazë të mirë për zhvillimin  e mëtejmë të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe realizimin e projekteve të përbashkëta, deklaroi kryetari i Kuvendit, Ivan Brajoviq gjatë takimit me shefin  diplomacisë turke.  

Darmanoviq: do të jemi të durueshëm

“Nëse Parlamenti i Kosovës nuk e miraton demarkacionin me Malin e Zi, vendi ynë do të jetë i durueshëm”, ka theksuar ministri për punë të jashtme Sërgjan Darmanoviq  duke shpresuar se megjithatë demarkacioni do të miratohet. “Ne do të jemi shumë të kënaqur nëse deputetët e Parlamentit të Kosovës e ratifikojnë protokollin për demarkacion dhe në këtë mënyrë ky problem të hiqet nga rendi i ditës, problem ky që në Mal të Zi nuk ekziston”, ka theksuar Darmanoviq në konferencën për gazetarët me kolegun turk . “Nëse kjo nuk do të ndodh, ne në Mal të Zi do të jem të durueshëm, sepse kjo është çështje e raporteve ndërmjet forcave politike në Kosovë dhe ne këtu nuk mund të ndikojmë shumë, dhe në fund të fundit as nuk duhet të ndikojmë”, ka thënë shefi i diplomacisë malazeze.

Britania do të përkrahë Malin e Zi edhe pas daljes nga UE

Britania e Madhe do të vazhdojë ta përkrah Ballkanin perëndimorë dhe Malin e Zi edhe pas largimit nga Unioni Evropian (UE), deklaroi ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jan Viting. Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq priti sot në vizitën lamtumirës, të cilin e falënderoi në kontributin e tij për avancimin e marrëdhënieve dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Siç u kumtua nga Kuvendi, Brajoviq e vlerësoi të rëndësishëm faktin se Britania ka ofruar ndihmë të vazhdueshme në rrugën evropiane dhe euroatlantike të Malit të Zi, duke shprehur besimin se dy vende edhe më tej do të kenë marrëdhënie shumë të mira në zhvillimin e partneritetit të përbashkët, edhe krahas faktit se Britania e Madhe ka vendosur të largohet nga UE. Viting theksoi se Britania e Madhe do të vazhdojë ta përkrah Ballkanin perëndimorë dhe Malin e Zi, edhe pas largimit nga UE, thuhet në kumtesë.

Do të ndjekim shembullin e Malit të Zi

Kryetari i Lidhjes Socialdemokratike të Maqedonisë Zoran Zaev, ka theksuar se vendi i tij do të ndjek shembullin e Malit të Zi dhe do të jetë anëtarja e 30 e NATO-s. Duke folur se si Maqedonia do ta zgjidh kontestin me Greqinë, për ç’gjë është e bllokuar në NATO integrimet, Zaev ka theksuar se beson se përmes dialogut të dy qeverive, i cili do të respektojë identitetin e Maqedonisë, dinjitetin dhe krenarinë, do të arrihet zgjidhja e këtij kontesti disa vjeçar. Në pyetjen pse anëtarësimi në NATO është i rëndësishëm për Maqedoninë ai është përgjigjur se “për arsye se NATO, sidomos në Ballkan, nënkupton stabilitetin, sigurinë dhe moscënimin e kufijve. Përveç kësaj kjo aleancë është garanci për rritjen ekonomike, zhvillimin, joshjen e investimeve të huaja etj., ka thënë Zaev.

Nuk duhet të ketë ndërprerje të bojkotimit

“Nuk ka dhe nuk guxon të ketë ndërprerje të bojkotit opozitarë të parlamentit pa u arrit marrëveshja për datën e përsëritjes së zgjedhjeve dhe për kushtet që ato të jenë të lira dhe të ndershme”, ka theksuar nënkryetari i Lëvizjes qytetare- URA, Millosh Konatar, duke komentuar vlerësimin e përfaqësuesit të Frontit Demokratik (FD) se bojkoti opozitarë ka filluar të zbehet. Ai ka kumtuar se shpreson që askush në opozitë as nuk mendon të kthehet në Kuvend para se të mos plotësohen kushtet e opozitës, sepse një gjë e tillë do të shkonte drejtë për drejtë në favor të Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) dhe satelitëve të saj. Kundër ndërprerjes së bojkotimit opozitarë të parlamentit është edhe Partisë Socialiste Popullore (PSP). Funksionarja e Lëvizjes për ndryshime Branka Boshnjak, ka mohuar sot se ka thënë ndonjë herë se duhet të ndërpritet bojkotimi i parlamentit duke shtuar se opinioni dhe kolegët e saj nga opozita kanë kuptuar gabimisht deklaratën e saj të dhënë në konferencën për gazetarët të Frontit Demokratik.

Për pajisje të reja 8 milion euro

Tenderi për blerjen e pajisjeve për Qendrën Klinike të Malit të Zi me vlerë 7 milion euro, do të duhej të shpallet gjatë 10 ditëve të ardhshme, është kumtuar nga ky institucion shëndetësor. Drejtorja e Qendrës Klinike, Zorica Kovaçeviq, ka theksuar se në javën e kaluar kanë marr obligimin nga Ministria e shëndetësisë dhe Fondi i shëndetësisë që të shpallin tenderin për blerjen e pajisjeve me vlerë 7 milion euro. “Një milion euro kemi huazuar më parë nga Fondi për sigurimet shëndetësore të Republikës Sërpska për ç gjë tani më kemi shpallur tenderin”, ka theksuar Kovaçeviq në konferencën për gazetarët. Siç ka theksuar, në tenderin e madh, mes tjerash do të blihet  magneti i ri, skaneri dhe gama kamera e re.

Nga taksat në duhan 2.14 milion euro

Buxheti i shtetit nga taksat në përdorimin e prodhimeve të duhanit për 4 vjet e gjysmë ka grumbulluar gjithsejtë 2.14 milion euro, tregojnë të dhënat e Ministrisë së financave. Ligji për taksat në prodhimet nga duhani dhe pajisjet akustike është në zbatim prej mesit të vitit 2012 dhe me disa ndryshime ka qenë në fuqi deri në fund të vitit të kaluar. Me këtë ligj lejohet pirja e duhanit në objektet hoteljerike, në kundërshtim me ligjin për ndalimin e përdorimit të duhanit, transmeton gazeta “Vjesti”.

Prej sot rripat e sigurisë të domosdoshëm për shoferin dhe të gjithë udhëtarët

Përdorimi i rripave të sigurisë prej sot do të jenë të domosdoshëm për shoferin dhe të gjithë udhëtarët, është kumtuar nga Ministria e punëve të brendshme të Malit të Zi. Fushata “Rripi për të gjithë” ka filluar sot dhe do të zgjas deri në fund të muajit dhe ka për qëllim përdorimin e obligueshëm të rripave për të gjithë udhëtarët në automjet. Dënimi për mospërdorimin e rripave sillet prej 30 deri në 100 euro.

Shpallet fletarrestim për Svetozar Maroviq

Kryetari i Gjyqit themelor të Kotorrit, Branko Vuçkoviq, ka shpallur sot fletarrestin për ish funksionarin e lartë të PDS Svetozar Maroviq. Fletarrestimi është shpallur me qëllim të vuajtjes së dënimit me burg në bazë të aktvendimit të Gjyqit të lartë në Podgoricë në kohëzgjatje prej 3 vjet e 9 muaj. Ky aktvendim është shqyrtuar, siç theksohet, për shkak të veprave penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe korrupsionit. Të përkujtojmë se Maroviq më parë ka pranuar se ka qenë shef i grupit të organizuar kriminel i cili e ka dëmtuar buxhetin e komunës së Budvës për disa dhjetëra milion euro.

Votohet mocioni, bie Qeveria e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës i ka dhënë mbështetje mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës. Për mocionin kanë votuar 78 deputetë, kundër tij kanë votuar 34 deputetë dhe kanë abstenuar 3 deputetë. Ky votim ka rezultuar me rënien e qeverisë aktuale të Kosovës, të drejtuar nga Isa Mustafa. Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën ka paraqitur  në fillim të seancës së sotme, arsyetimin për rrëzimin e qeverisë. Ajo ka thënë se ka shumë arsye për shkarkimin e qeverisë, duke përmendur keq-qeverisjen si argumentin kryesor. Bajrami ka ftuar deputetët ta votojnë mocionin, duke konstatuar se vendi është zhytur në një krizë të thellë dhe se tani, rruga e vetme për të dalë nga kjo krizë mbetet shkarkimi i qeverisë dhe caktimi i zgjedhjeve të reja, të parakohshme. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha para deputeteve të Kuvendit se mocioni i opozitës është pamflet politik . Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke paraqitur para deputetëve qëndrimin e Qeverisë, lidhur me mocionin e mosbesimit ka thënë se pa marrë parasysh rezultatet e këtij mocioni, ata janë fitimtar sepse kanë punuar drejt. Ai para deputetëve ka numëruar të arriturat e kësaj Qeverie, gjatë këtij mandati dy vjeçar, duke thënë se sa i përket liberalizimit të vizave kanë përmbushur të gjitha kriteret dhe ka mbetur vetëm ai i demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa, Komisioni Evropian ka konstatuar se është përmbushur kriteri i luftimit të korrupsionit. Vota e PDK-së për mocionin ka nënkuptuar edhe vendimin për prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa.  Seanca është përshkuar me debate, akuza e polemika ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, deri tani, parti partnere në koalicionin qeverisës.  Me kalimin e mocionit, çështja tani i kalohet Presidentit të Kosovës. Presidenti i ka dy mundësi, që me dekret të shpërndaj Kuvendin dhe vendi të shkojë në zgjedhje, ose mund t’i jap besimin një mandatari të ri për formimin e qeverisë, e cila do të kishte mandat deri në fund të mandatit aktual kushtetues. Zgjedhjet e përgjithshme me afat kushtetues do të duhej të mbaheshin vitin e ardhshëm, por, zhvillimet e fundit kanë bërë që zgjedhjet e parakohshme të shihen si një rrugëdalje nga situata e krijuar tash e gati dy vjet për shkak të mospajtimeve të thella veçanërisht rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Demarkacioni duhej të procedohej para mocionit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Republikën e Kosovës. Gjatë bashkëbisedimit, Veseli thuhet se ka vlerësuar se ekziston një ngecje në vendimmarrje, ndërsa ka rikonfirmuar kërkesën se duhet të ecet përpara në marrjen e vendimeve të rëndësishme për të ardhmen integruese të Kosovës. Veseli, sipas kësaj komunikate, ka diskutuar me diplomatin amerikan Hoyt Yee edhe për kërkesën e qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Qeveria dhe Kuvendi të procedojnë me demarkacionin para mocionit të mosbesimit të qeverisë. Veseli e ka siguruar zyrtarin e lartë amerikan se Partia Demokratike e Kosovës është në tërësi në mbështetje të qëndrimeve amerikane dhe do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për ecjen përpara.

Lista serbe ka më së shumti arsye për ta votuar mocionin

Grupi Parlamentar i Listës Serbe ka mbajtur takimin e saj në të cilin ka analizuar situatën e përgjithshme politike, si dhe marrëveshjen e koalicionit PDL-LDK në bazë tët ë cilit është formuar Qeveria e Kosovës. Lista Serbe konsideron se asnjëri nga akterët politikë, të cilët përfaqësojnë qytetarët në institucione nuk ka pozitë të qartë politike dhe as perspektivë rreth situatës së re të krijuar politike. “Më së shumti arsye për të mbështetur mocionin e sotëm ndaj mos besimit të qeverisë e ka Lista Serbe, pasi asnjë element dhe detyrim i marrëveshjes së koalicionit nuk është implementuar, madje edhe shumë elemente të marrëveshjes po degradohen, procesi i dialogut është në ngecje, Asociacioni i komunave serbe po margjinalizohet nga ana politike dhe Kushtetutë. Pra, Lista Serbe do të ketë sot vendimin vendimtar që të parandalojë mos funksionalitetin e institucioneve dhe qeverisë”, ka thënë para mbledhjes së sotme të Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq, shef i Grupit Parlamentar të Listës Serbe .

PS nis fushatën, PD në protestë

Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut e OSBE-së (ODIHR) hapi  zyrtarisht misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit në Shqipëri. Kreu i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, ambasadori Peter Tejler, deklaroi se do të raportojë pas ditës së zgjedhjeve për ecurinë e procesit. Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it pritet të ketë rreth 300 vëzhgues afatshkurtër në të gjithë Shqipërinë ditën e zgjedhjeve. Ndërsa Partia Socialiste nisi  fushatën zgjedhore me një kongres në Durrës, ku u paraqitën programi elektoral dhe kandidatët e saj për deputet. Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se socialistët e pritën PD-në e opozitës deri në maksimumin e kohës dhe afateve ligjore, dhe i ofruan disa marrëveshje në bisedime me presidentin Nishani dhe me ndërmjetësues ndërkombëtarë, por ata nuk pranuan mirëkuptimin. Në të njëjtën kohë me kongresin e PS-së, kryetari i PD-së Lulzim Basha, mbajti një fjalim para protestuesve në çadrën e protestës.

Trump do të takohet me Lavrov në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do të takohet sot me ministrin e Jashtëm rus, Segei Lavrov në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar për Sirinë dhe çështje të tjera ndërkombëtare, kanë njoftuar zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë. Trump pritet të takohet me Lavrovin, pas takimit që ky i fundit është paraparë të zhvillojë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson. Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson poashtu do të takohet sot në Uashington me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov për të diskutuar mbi Sirinë, Ukrainën dhe çështje të tjera. Ndërkohë Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis është shprehur se SHBA do ta shqyrtojnë me hollësi planin e Rusisë për krijimin në Siri të zonave të mbrojtura nga dhuna. Javën e shkuar Rusia, Turqia dhe Irani ranë dakord për një marrëveshje të propozuar nga Moska për krijimin e të ashtuquajturave zona pa dhunë në Siri. Propozimi synon për të reduktuar luftimet në katër zona të caktuara të Sirisë, ku kryengritësit që nuk janë të lidhur me militantët e Shtetit Islamik kontrollojnë territore të gjera. Lavrov do të vizitojë Uashingtonin për herë të parë që prej vitit 2013 me një plan të Rusisë për t’i dhënë fund dhunës në Siri, pas hyrjes në fuqi javën e kaluar të marrëveshjes për Sirinë, të arritur mes Rusisë, Iranit dhe Turqisë.

Mogherini kritikon SHBA-në për shkurtimin e fondeve për OKB-në

Shefja për politikë të jashtme dhe siguri e BE-së, Federica Mogherini ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për uljen e fondeve për Kombet e Bashkuara për 640 milionë dollarë, duke thënë se zgjidhja paqësore e probleme globale është po aq e rëndësishme sa ajo ushtarake. Në buxhetin e SHBA-së që u miratua nga Kongresi javën e kaluar, janë shkurtuar 640 milionë dollarë fonde nga agjencitë e OKB-së, teksa janë shtuar 15 miliardë në buxhetin ushtarak të SHBA-së. Mogherini ka thënë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se BE-ja vullnetarisht kontribuon gjysmën e buxhetit për shumicën e agjencive të OKB-së sepse vlerëson se Organizata Botërore e Shëndetësisë, Programi botëror për Ushqim dhe agjencia për fëmijët UNICEF, dhe trupa të tjerë të kësaj organizate, janë esenciale për paqen. Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, në fjalimin e saj nuk ka përmendur shkurtimet buxhetore por ajo ka kërkuar veprime më të forta ndëshkuese ndaj Sirisë, Koresë së Veriut dhe Iranit.

SHBA e ka paralajmëruar Francën për ndërhyrjen ruse në zgjedhje

Një zyrtar i lartë i komandës kibernetike të SHBA-së tha se Washingtoni i ka paralajmëruar zyrtarët francezë, gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale se hakerët e mbështetur nga Rusia po hyjnë në rrjetet kompjuterike franceze. Komisioni zgjedhor i Francës njoftoi se “një numër i rëndësishëm i shënimeve” – dhe disa informata të rreme – kanë rrjedhur në rrjetet sociale pas sulmeve mbi fushatën presidenciale të Emmanuel Macron, të cilat ekipi i Macron i cilësoi si një përpjekje për "destabilizim demokratik, të ngjashëm me atë që është parë gjatë fushatës së fundit presidenciale në SHBA”. Zyrtarë të inteligjencës së SHBA-së, e kanë akuzuar Kremlinin për orkestrim të sulmeve kibernetike dhe ndikim në fushatë për të ndërhyrë në fushatën presidenciale në SHBA në vitin 2016. Moska ka mohuar përfshirjen e saj në zgjedhjet e SHBA-së dhe ato në Francë. Macron fitoi me shumicë votash në zgjedhjet e 7 Majit ndaj kandidates të së djathtës ekstreme Marine Le Pen, e cila mbështet heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë për shkak të ndërhyrjes së saj në Ukrainë.

Trump shkarkon drejtorin e FBI-së, James Comey

Presidenti amerikan, Donald Trump, shkarkoi drejtorin e FBI-së, James Comey, duke theksuar se ai nuk mund të drejtojë më tutje këtë agjenci në mënyrë efektive. "Është esenciale që të gjejmë një udhëheqje të re për FBI-në që të rivendosë besimin e publikut", thuhet mes tjerash në një letër që presidenti Trump i dërgoi Comey, e cila u bë publike mbrëmë vonë nga Shtëpia e Bardhë. "Presidenti ka pranuar rekomandimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me shkarkimin e drejtorit të FBI-së," tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer. Comey luajti një rol të rëndësishëm në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, kur  Trump mundi Clinton, e cila fajësoi hetimet e Comey si njërin nga shkaqet që ajo humbi në zgjedhjet e tetë nëntorit të vitit të kaluar. Vendimi i Trumpit për shkarkimin e shefit të FBI-së ka habitur shumë zyrtarë në Uashington, duke bërë që demokratët dhe të tjerët, të drejtojnë akuza ndaj Shtëpisë së Bardhë se po tenton që të minojë hetimin e FBI-së për ndërhyrjen e Rusisë.

Turqia thotë se është i papranueshëm furnizimi me armë i YPG-së

Turqia kumtoi se është i “papranueshme” vendimi i Uashingtonit për të furnizuar me armë dhe pajisje tjera ushtarake luftëtarët kurdë, të cilët po luftojë kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri. Këto komente erdhën pasi SHBA njoftoi se do të furnizojë me armë luftëtarët kurdë të YPG-së, të cilët Ankaraja thotë se kanë lidhje me grupin e jashtëligjshëm të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), raporton AFP. “Furnizimi me armë për YPG-në është i papranueshëm”, ka thënë për televizioni A Haber, zëvendëskryeministri turk, Nurettin Canikli. “Prej një politike të tillë askush nuk do të përfitojë”, ka thënë ai. Uashingtoni konsideron YPG-në si një prej aleatëve më të mirë në luftën kundër ekstremistëve në Siri.

Bën betimin presidenti i ri i Koresë së Jugut

Presidenti i ri i Koresë së Jugut, Moon Jea-in ka bërë betimin, pas fitores bindëse në zgjedhje. Në fjalimin e tij të parë si president, lideri 64-vjeçari neoliberal, ka thënë se menjëherë do të nisë përpjekjet për të “zgjidhur krizat e sigurisë” në Gadishullin Korean. “Nëse është e nevojshme, do të fluturoj menjëherë drejt Uashingtonit”, ka thënë ai. “Do të shkoj në Pekin dhe Tokio dhe nëse kushtet janë të mira, do të vizitoj edhe Phenjanin”, ka thënë ai. Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve tregojnë se kandidati i Partisë Demokratike ka fituar 41.1 për qind të votave në zgjedhjet e 9 majit, ndërkaq kandidati konservator, Hong Joon-pyo ka fituar 25.5 për qind. Ndryshe, kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe ka thënë se ai dëshiron që të ndërtojë marrëdhënie të mira me presidentin e sapozgjedhur të Koresë së Jugut, Moon Jea In, pas tensionimit të raporteve mes dy vendeve dhe rritjes së tensioneve rajonale, për shkak të programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Nesër mot i ndryshueshëm

Në Mal të Zi sot mban mot me vranësira të ndryshueshme, në veri edhe me reshje të dobëta të shiut. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Tivar 21 gradë, Ulqin, 20, Podgoricë, Herceg Novi e Budvë 19, Nikshiq 15, Bijello Pole 14, Cetinë e Plevle 13, Beranë 11, Plavë, Kollashin e Zhablak 10  dhe në Rozhaj 8 gradë.

Edhe për nesër meteorologët paralajmërojnë mot të ndryshueshëm, me intervale me diell dhe vende vende me reshje të shiut dhe bubullimë. Do të fryjë erë e dobët  deri mesatare, vende vende deri e fortë nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 1 deri në 12, kurse më e larta e ditës prej 14 deri në 24 gradë celsius.

 

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se