Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

03. 05. 2024. 00:00 >> 18:25

Ditari 03.05.2024

Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj

Dita Botërore e Lirisë së Mediave: Kushtetuta dhe ligjet e Malit të Zi garantojnë lirinë e fjalës dhe shprehjes

Sot është Dita Botërore e Lirisë së Mediave. Kushtetuta dhe ligjet e Malit të Zi garantojnë lirinë e fjalës dhe shprehjes, por liria e mediave, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Mediave, është ende e kërcënuar nga ndërhyrjet politike, sulmet e pandëshkuara ndaj gazetarëve dhe presionet ekonomike. Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Mediave për këtë vit, të publikuar nga Organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij, Mali i Zi ra me një pozicion dhe tani është i 40-ti në listën e 180 vendeve sa i përket lirisë së mediave. Vitin e kaluar, Mali i Zi arriti përparim të konsiderueshëm dhe shkoi nga vendi i 63-të në vendin e 39-të në listë. Në raport thuhet se pas humbjes së Partisë Demokratike të Socialistëve në vitin 2020, presioni dhe sulmet e Qeverisë ndaj gazetarëve deri diku janë ulur.

Tamara Vujoviq: Profesioni i gazetarisë, ndër të tjera, ka rrezik të shtuar të sigurisë

Ministrja e Kulturës dhe Medieve, Tamara Vujoviq, tha për programin e Mëngjesit të Transmetuesit Publik se profesioni i gazetarisë, ndër të tjera, ka rrezik të shtuar të sigurisë, por siguria e gazetarëve trajtohet edhe me ligjet e reja për medie. Rastet e pazgjidhura të sulmeve ndaj gazetarëve, presionet, censura, auto-censura, kërcënimet dhe paqëndrueshmëria financiare janë ende një barrë e madhe që mbart Mali i Zi dhe gazetarët në vendin tonë e presin një tjetër ditë botërore të lirisë së shtypit pa kushte adekuate pune, theksojnë punonjësit e medieve. Përkundër pritjeve që gjyqësori dhe pushteti i ri do të zgjidhin të paktën disa nga rastet më të rënda të sulmeve ndaj gazetarëve nga e kaluara, për fat të keq kjo nuk ndodhi, thotë drejtoresha e Qendrës për Gazetari Hulumtuese, Millka Tadiq- Mijoviq. Amina Muriq nga Aleanca Qytetare beson se për përmirësimin e lirisë së mediave është thelbësore që të hetohen dhe procedohen të gjitha rastet e sulmeve ndaj gazetarëve

Spajiq uroi 3 majin - Ditën Botërore të Lirisë së Mediave

Qeveria është e përkushtuar për krijimin e një mjedisi dhe legjislacioni shoqëror më të favorshëm, i cili do të mundësojë dhe garantojë aktivitete të papenguara për gazetarët, tha kryeministri Millojko Spajiq. Ai uroi 3 majin - Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, duke theksuar rëndësinë e respektimit të lirisë së mediave, dinjitetit dhe pavarësisë së atyre që punojnë, hetojnë, shqyrtojnë dhe informojnë në interes të publikut për të mirën e të gjithë qytetarëve.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me rënie të lirisë së shtypit, përveç Maqedonisë së Veriu

Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medieve është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta. Kosova është renditur 19 vende më poshtë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të organizatës “Reporterët Pa Kufij”, për këtë vit. Në raportin e publikuar sot thuhet se sulmet kundër gazetarëve janë rritur në kohën e tensioneve politike mes Kosovës e dhe Serbisë. Në Indeksin që përfshin 180 vende, ajo radhitet në vendin e 99-të. Kosova radhitet e 75-ta.

Kurse Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke e renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Evropian.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me rënie të lirisë së shtypit, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila ka shënuar përmirësim duke u renditur e 36-ta.

Organizata “Reporterët Pa Kufij” shpreh shqetësim për gjendjen e lirisë së shtypit në botë e cila sipas saj po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike.

Pritjet që Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028 janë joreale

Pritjet se Mali i Zi do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian në vitin 2028 janë ambicioze dhe joreale, tha asistent profesoresha në Universitetin e Donja Gorica Nikoleta Gjukanoviq, duke shtuar se është e vështirë të parashikohet nëse vendi do të të marrë në qershor Raportin e Përmbushjes së standardeve të përkohshme -IBAR. Kur ky afat u përmend për herë të parë vitin e kaluar, pas zgjedhjeve presidenciale, ishte një premtim i thjeshtë populist, tha Gjukanoviq. Procesi i miratimit të shteteve anëtare zgjat dy vjet, shtoi ajo dhe vuri në dukje procedura të tjera administrative, të cilat kërkojnë shumë kohë. Mbesin edhe rreth dy vjet e gjysmë për të përmbushur gjithçka që nuk e keni bërë në më shumë se 12 vjet. Edhe nëse ekziston vullneti politik dhe kapaciteti i shtetit që të mund të përmbushet e tëra që pritet, ky afat është shumë ambicioz dhe mendoj se nuk është real, tha Gjukanoviq.

Qeveria nuk do të marrë hua për shpenzime rrjedhëse

Qeveria këtë vit nuk do të marrë hua për shpenzime rrjedhëse dhe as paratë nga emetimi i obligacioneve nuk janë të destinuara për këtë, ka deklaruar ministri i Financave Novica Vukoviq në një intervistë për Pobjeda.

“Nga kredia nuk do të financohet asnjë shpenzim i ri, përveç buxhetit kapital, i cili përmbush rregullin e artë të buxhetit që të gjitha detyrimet rrjedhëse të financohen nga të hyrat rrjedhëse”, tha Vukoviq.

Ai përkujtoi se Ligji për Buxhetin parasheh mundësinë e huamarrjes deri në 1.15 miliardë euro.

Sipas tij, Ministria e Financave i qaset dhe monitoron intensivisht ngjarjet në tregun ndërkombëtar dhe atë vendor dhe me kohë do të marrë vendim adekuat për aranzhimin eventual, duke marrë parasysh kushtet e favorshme.

Joksimoviq: Rezultate të mira të vaksinimit kundër HPV, nevojitet përfshirja e të gjithëve

Më shumë se nëntë mijë persona janë vaksinuar në Mal të Zi që nga fillimi i vaksinimit kundër HPV-së, ka thënë specialisti epidemiolog i Institutit për Shëndet Publik Millko Joksimoviq, duke theksuar se nevojitet punë shtesë dhe sistematike për të arritur rezultate edhe më të mira.

Duke folur për përgjigjen ndaj vaksinimit kundër HPV, i cili filloi më 26 shtator 2022, ai tha se rezultatet më të mira në raport me numrin e popullsisë janë regjistruar në Cetinë dhe në Beran, Podgoricë dhe Kotorr.

Përfshirjet më të vogla, siç tha Joksimoviq, janë të regjistruara në komunat Zhablak, Shavnik, Plluzhine, Plevle, Tivar dhe Nikshiq.

“Deri më 30 prill, gjithsej 9,027 persona janë vaksinuar ose kanë filluar vaksinimin”, tha Joksimoviq në një intervistë për Agjencinë MINA.

Ai tha se  më së shumti të vaksinuar kanë qenë në mesin e fëmijëve të lindur në vitin 2013, me të cilët ka filluar vaksinimi dhe se në mesin e tyre janë vaksinuar 1289 fëmijë.

Siç ka shtuar Joksimoviq, përfshirja e vajzave të vaksinuara në atë moshë është 31.5 për qind.

Sipas tij, në numrin e përgjithshëm të të vaksinuarve, shumica dërrmuese janë vajza dhe gra, pasi deri para tre muajsh ka pasur mundësi të vaksinohen vetëm femrat.

Besimtarët ortodoksë shënojnë të Premten e Madhe

Sot, të krishterët ortodoksë shënojnë të Premten e Madhe në kujtim të ditës kur Jezu Krishti u kryqëzua në kryq në Golgota.

Duke qenë se është ditë zie e madhe për të krishterët, shënohet me agjërim të rreptë, abstenimi nga çdo lloj argëtimi dhe festimi.

E Premtja e Madhe i paraprinë të dielës së Pashkëve.

Petkoviq thotë se iu ndalua vizita në Kosovë

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se autoritetet në Kosovë ia kanë refuzuar kërkesën që të zhvillojë një vizitë në Kosovë për Pashkët Ortodokse gjatë fundjavës.

Sipas një njoftimi të kësaj zyreje, Petkoviq gjatë kësaj vizite ishte paraparë të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës për Pashkët në Manastirin e Deçanit, pastaj në shërbesën në Manastirin e Graçanicës në mëngjesin e Pashkëve dhe në një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.

Kjo zyrë tha se për më shumë se një vit, Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po e pengon Petkoviqin që të vizitojë serbët në Kosovë.

Veliaj vizitë dy ditore në Paris, do të pritet nga kryetarja e Bashkisë, Anne Hidalgo 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj niset sot drejt Parisit, ku do të pritet në një takim të veçantë nga homologia e tij, Anne Hidalgo.

Temë e diskutimit mes dy kryebashkiakëve do të jetë rinovimi i sheshit “Skënderbej” në Paris, ndërkohë që një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe Lojërave Olimpike, si dhe kushtet e stërvitjes së ekipit olimpik shqiptar, ku një pjesë e sportistëve vijnë nga radhët e ekipeve të kryeqytetit.

Tirana ka një raport të veçantë me Bashkinë e Parisit. Në shkurt të këtij viti, Veliaj priti në Tiranë nënkryetaren e Bashkisë së Parisit, Anouch Toranian, së cilës i dhuroi në mënyrë simbolike “Sahatin e Tiranës” dhe bisedoi për rritjen e bashkëpunimit mes dy qyteteve. Veliaj tha se Parisi dhe Tirana janë kthyer në laboratorë të ndryshimeve urbane.

Turqia ndalon tregtinë me Izraelin për shkak të luftës në Gaz 

Turqia ka pezulluar të gjithë tregtinë me Izraelin për shkak të ofensivës së saj në Gaza, duke përmendur tragjedinë e përkeqësuar humanitare në Rripin e Gazës.

Ministria turke e tregtisë tha se masat do të jenë në fuqi derisa Izraeli të lejojë një "fluks të pandërprerë dhe të mjaftueshëm" ndihme në Gaza. Tregtia midis dy vendeve ishte me vlerë pothuajse 7 miliardë dollarë vitin e kaluar.

Ministri i Jashtëm i Izraelit akuzoi presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan se po vepron si një "diktator". Israel Katz tha në X se Erdogan "po shpërfillte interesat e popullit dhe biznesmenëve turq dhe po injoronte marrëveshjet tregtare ndërkombëtare". Në një deklaratë, Turqia tha se pezullimi i tregtisë mbulonte "të gjitha produktet".

Në vitin 1949, Turqia ishte vendi i parë me shumicë myslimane që njohu Izraelin. Por marrëdhëniet janë përkeqësuar në dekadat e fundit.

Në vitin 2010, Turqia ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Izraelin pasi 10 aktivistë turq pro-palestinezë u vranë në përleshjet me komandot izraelite që hipën në një anije në pronësi turke duke u përpjekur të thyenin bllokadën detare të Izraelit në Rripin e Gazës.

Marrëdhëniet u rivendosën në vitin 2016, por të dy vendet dëbuan diplomatët kryesorë të njëri-tjetrit dy vjet më vonë në një mosmarrëveshje mbi vrasjen e palestinezëve nga Izraeli mes protestave në kufirin Gaza-Izrael.

Erdogan është bërë gjithnjë e më i ashpër në kritikat e tij ndaj Izraelit që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit të kaluar.

Franca vlerëson se 150.000 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë

Franca vlerëson se 150.000 ushtarë rusë janë vrarë gjatë pushtimit të Ukrainës, të nisur nga Moska, tha ministri i Jashtëm, Stephane Sejourne.

Në një intervistë për gazetën e pavarur, Novaya Gazeta Europe, Sejourne tha se sipas vlerësimit të Parisit numri i përgjithshëm i viktimave ruse gjatë luftës, përfshirë të plagosurit, është 500.000.

Pushtimi rus i Ukrainës tashmë ka hyrë në vitin e tretë.

“Evropa dhe partnerët e saj do të vazhdojnë të jenë të bashkuar dhe të vendosur për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Veçse është i dukshëm dështimi i ushtrisë ruse. Ne vlerësojmë se ushtria ruse ka humbje prej 500.000, përfshirë 150.000 të vdekur”, tha ai.

Rusia nuk i ka bërë publike humbjet e pësuara gjatë luftës kundër Ukrainës.

Në muajin shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se 180.000 trupa ruse janë vrarë gjatë luftës.

Trupat ruse hyjnë në bazën e ushtrisë amerikane, zyrtari i lartë i Mbrojtjes

Personeli ushtarak rus ka hyrë në një bazë ajrore në Nigeri ku janë të stacionuar trupat amerikane, pas vendimit të juntës së Nigerisë për të dëbuar forcat amerikane nga vendi.

Oficerët ushtarakë në Afrikën Perëndimore kanë kërkuar nga SHBA-ja që të tërheqë rreth 1,000 trupa ushtarakë, edhe pse deri në një grusht shteti vitin e kaluar nigerianët ishin partner kyç në luftën e Uashingtonit kundër kryengritësve xhihadistë që kanë vrarë mijëra njerëz, sipas Reuters.

Në kushte anonimiteti, një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane njoftoi se forcat ruse nuk po përzihen me ato amerikane, por po përdorin një hangar të veçantë në bazën ajrore 101, ngjitur me aeroportin ndërkombëtar Diori Hamani në Niamey.

Siç raportohet, lëvizja e rusëve rrit tensionet mes dy ushtrive në një kohë kur rivaliteti ushtarak dhe diplomatik është gjithnjë e më i ashpër për shkak të luftës në Ukrainë.

Kina lanson sondë për të mbledhur mostra nga Hëna

Kina ka lansuar një sondë për të mbledhur mostra nga pjesa e largët e Hënës. Kjo është sonda e parë që dërgohet për një mision të tillë në botë, përderisa Pekini po shtyn përpara programin ambicioz që synon të dërgojë një mision me ekuipazh në Hënë deri më 2030.

Një raketë që bartte sondën hënore Chang'e-6 u lëshua nga Qendra e Hapësirës, Wenchang në provincën Hainan më 3 maj.

Uashingtoni ka paralajmëruar se programi i Kinës po përdoret si mbulesë për synime ushtarake dhe është një përpjekje e Pekinit për të pasur një dominim në hapësirë.

Sonda Chang'e-6 synon të mbledhë rreth 2 kilogramë mostra hënore nga pjesa e largët e Hënës dhe t’i sjellë në Tokë për analizim.

Media shtetërore, Xinhua, tha se ky është “misioni i parë i këtij lloji në historinë e eksplorimit të Hënës nga njeriu”.

Ky mision, që teknikisht është i ndërlikuar, do të zgjasë për 53 ditë.

Nesër mot i ndryshueshëm

Sot në Mal të Zi mban me vranësira mesatare deri krejtësisht i vranë, vende- vende me reshje të dobëta të shiut. Frynë erë kryesisht e dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut. Temperaturat e shënuara në orën 14: Ulqin, Budvë e Beranë18, Tivar , Herceg Novi e Bijello Pole 17, Plevle 16, Podgoricë e Adndrievicë 15, , Rozhajë 14, Plluzhinë, Shavnik e Petnjicë 13, Cetinë 12, Kollashin e Guci 11, Nikshiq 10 dhe në Zhablak 6 gradë.

Për nesër në rajonet jugore dhe qendrore pritet mot me vranësira të ndryshueshme, me intervale me diell, vende-vende edhe me kushte për reshje të përkohshme dhe të dobëta shiu. Në veri me vranësira mesatare deri kryesisht i vranët, vende-vende me reshje të dobëta shiu, kryesisht paradite. Pasdite ose në fund të ditës kthjellim gradual. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, në bregdet mesatare deri e fortë nga drejtimi i veriut. Temperatura e mëngjesit nga 3 deri në 13, kurse më e larta ditore nga 11 deri në 22 gradë.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се